Majko i shqetësuar: Çfarë po bëhet me gjuhën shqipe?

0
30

TemA Online, 16 Korrik 2012

“Arnautët janë një konglomerat primitivësh që flasin 100 dialekte e nuk merren vesh njëri me tjetrin. Janë popull pa kulturë, pa trashëgimi as kulturore e as gjuhësore. Nuk kanë asgjë nga e kaluara se eshtrat e tyre kanë mbetur nëpër male, aty ku jetonin dhe shenjat e tyre të së kaluarës janë si ato të arinjve dhe ujqërve.” – ky është një citim i bërë nga Pandeli Majko në profilin e vet në facebook, por pa treguar me emër e mbiemër të cituarin, që ka folur me kaq përbuzje për shqiptarët. Por na shpjegon arsyen pse e përmend këtë citim: “E nxora këtë citim për t’ua vënë para syve gjuhëtarëve shqiptarë që t’u dhembë kjo, që po i dhurojnë publikut shqiptar me rastin e 100-vjetorit të shtetformimit”.

E ka fjalën për debatin mbi standardin, më saktë mbi ca përfundime të arritura në një Komitet Ndërakademik lidhur me përdorimin e tepruar në gjuhën shqipe të ‘ë’-së së pazëshme. Në këtë debat janë përfshirë një numër akademikësh, të cilët po i mbrojnë faqe botës qëndrimet e tyre. Kjo gjë Majkos s’i pëlqen. “Çfarë po ndodh!? Pse po talleni?!…Sepse tallje është qartazi kjo shpërndarje mediatike që vë në lojë Traktatin Shkencor të ekzistencës së kombit shqiptar siç është Gjuha Kombëtare”, thotë ai, duke theksuar se akademikët janë prekur nga virusi i sharlatanizmit të politikës shqiptare.

Dhe bën një mbyllje nga të vetat; u thotë gjuhëtarëve: “Me përulje, ju lutem … kujtohuni që qëndroni mbi kohën dhe detajet ordinere të së përditshmes, për t’u përkujdesur në fenomenin më thelbësor siç është Gjuha Shqipe dhe që i bën shqiptarët këta që janë. Në shkencën tuaj unike ‘gabimi’ nuk ekziston. Ka vetëm ‘bekim’ ose ‘mallkim’, i cili do ju ndjekë edhe pas vdekjes”.

http://respublica.al/artikuj/2012/07/16/majko-i-shqetesuar-cfare-po-behet-me-gjuhen-shqipe