Alba Malltezi
Vitet e fundit të gjithë e shohim më pak televizionin italian. Jo vetëm për shkak të boom-it të televizioneve shqiptare, por dhe të vështirësisë për t’i parë pa pagesë stacionet e përtej detit. Megjithatë, nuk po humbim shumë, pasi televizionet italiane po përjetojnë degradim të rëndë në historinë e tyre, ku problemet e njerëzve përzihen me minifundet e përdredhjet e balerinave e ku pikat e nxehta politiko-sociale, komentohen nga shoëgirl-e në emisionet e gjata të pasditeve. Pa folur per ringjet ne sallonet politike, të cilat dhe ne nxitojmë t’i imitojmë.
Por Italia është Italia dhe njerëzit e mëdhenj e të mençur s’i kanë munguar kurrë. Kanë gjithnjë e më pak hapësirë në televizionet publike dhe ato private të Berluskonit, por kur arrijnë të dalin, trondisin opinionin duke arritur sukses si në ndjekshmëri, ashtu dhe në magjinë që krijojnë me FJALEN.
Të hënën në darkë, përmes RAITRE, pas polemikave që tentuan ta bllokonin, u përcoll një mrekulli televizive, diçka mes teatrit dhe spektaklit, ku në plan të parë ishin çështjet kryesore që shqetësojnë shoqërinë italiane. Roberto Saviano, Roberto Benigni, dhe dirigjenti Claudio Abbado u kujtuan njerëzve se sa vlerë ka demokracia, e vërteta, kultura. Monologë e dialogë të kohëve moderne, me talentin dhe forcën danteske.
Roberto Saviano, ky i ri i guximtar, i talentuar, i ngujuar pas kërcënimeve me vdekje të mafias shpjegoi se si funksionon në Itali makina e përbaltjes. Se si, ata që kërkojnë të respektojnë ligjin e institucionet, vihen në shënjestër e përbalten nga pushtetarët me refrenin: “Jemi të gjithë njësoj. Vjedhim ne, por dhe ju s’bëni pak. I kemi ne thonjtë pis, por dhe ju i keni. Kemi ne lidhje me mafian, por dhe ju bëni gabime…”.
Makina e përbaltjes ka frikë nga të ndryshmit. Makina e baltës nuk thotë se “ne nuk i kemi bërë ato për të cilat akuzohemi, por dhe ju s’jeni të mirë – shpjegon Saviano, – por italianët duhet të dallojnë se cilët janë ndryshe. Mos thoni jemi më të mirë, por thoni: Jemi ndryshe”. Nuk është njësoj të bësh gabime e të shkelësh ligjin me dashje, u përcoll në emision. Politikanët bëjnë gabime, sepse kush punon, gabon, por politika e manipulimeve, është tjetër gjë, është politikë kriminale.
Roberto Benigni, çmimi oskar i “Jeta është e bukur”, fshikulloi skandalet seksuale të kryeministrit Berluskoni. Ironizoi deklaratat e premierit italian se “Mafia po hakëmerrej ndaj tij…” e Beninji iu lut mafiozëve: “Mafiozë të poshtër! Më ndëshkoni dhe mua! Më sillni befas në shtëpi ca prostituta të bukura! Më trembni me to! Mirë është të jenë të mitura!”
Në emision i ftuar dhe Niki Vendola, kreu i krahinës së Puljas, njeriu i kulturës dhe i politikës që i ka paraqitur sfidën njeriut që solli në Itali politikën e balerinave (velinave), Berluskonit.
Emisioni i të hënës në mbrëmje u ndoq nga mbi 7 milionë italianë me kulme që kapërcyen 9 milionët, duke sfiduar e duke lënë me 4 milionë telespektatorë e në krizë “Grande Fratello”. Antikultura u sfidua nga thëniet e dirigjentit Claudio Abbado: “Kultura është liri dhe të lejon të dallosh të mirën nga e keqja. Kultura të ndihmon të shërohesh; kultura është kundër çdo racizmi. Me kulturën luftohet varfëria. Kultura do të çojë fëmijët tanë në opera e teatër për të përjetuar e shijuar magjinë e muzikës. Kultura është si jeta dhe jeta është e bukur… “
Në internet kushdo mund të ndjekë atë që u tha të hënën në mbrëmje në Rai Tre, nga personalitete e njërëz të mençur të vendit fqinj, por dua ta mbyll këtë “Periferi” me Benignin për Savianon: “Shihni këtë djalë, është i lumtur. Kini besim te njerëzit e lumtur. Ata janë zemërgjerë, të mirë…”