Magjia e shpresës dhe forca e parasë

0
44


Nga: ARBEN MALAJ, 15 JANAR 2011

Pas viteve ’90, do të ishte e vështirë të mendohej se demokracia do të ndihej sërish e rrezikuar. Ndoshta rritja e pabarazisë dhe thellimi i saj gjatë krizës globale po i nxjerr më mirë në pah risqet ndaj saj. Këto risqe janë shfaqur sot në shumë vende, por ato janë më të mprehta në vendet me demokraci të pakonsoliduar. Këto risqe mund të sjellin më shumë pasoja negative në vendin tonë, që edhe sipas indeksit të demokracisë të vitit 2010, edhe pas 20 vjetësh klasifikohet regjim jo demokratik, apo demokraci hibride.

Ndaj, analiza e risqeve, për më tepër rritja e ndërgjegjësimit dhe reagimit publik sa më shpejt dhe sa më fort, mbetet e vetmja rrugë demokratike për të mbrojtur dhe konsoliduar demokracinë.
Demokracia po rrezikohet gjithnjë e më shumë nga qeverisjet e korruptuara dhe nga tendencat për të kontrolluar dhe nënshtruar institucionet kushtetuese. Populizmi po bëhet gjithnjë e më ndikues në garat elektorale. Agresiviteti ndaj institucioneve kushtetuese po rritet. Shqetësimi bëhet gjithnjë e më i madh kur tentohet të injektohet gjithnjë e më shumë mentaliteti se paratë janë faktori përcaktues i fitoreve elektorale, ndaj ato duhen siguruar me çdo kosto.

E vërteta nuk është kështu, por disa nga politikanët tentojnë rrugën më të lehtë, manipulimin e proceseve zgjedhore, korruptimin e medias, korruptimin politik të institucioneve përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve dhe nxjerrjen e rezultateve.

Gjuha e urrejtjes, agresiviteti ndaj kundërshtarëve politikë deri në cenimin fizik të tyre në salla Parlamenti apo aktivitete publike, po rrisin shqetësimin publik për këtë risk në rritje. Tensionet partiake jo vetëm në fushatat elektorale, por edhe gjatë funksionimit të parlamenteve janë rritur kudo, por ambienti politik shqiptar dhe sidomos Parlamenti ynë, është më i rënduari negativisht.

Ky trend negativ dhe këto situata të rënduara kanë faktorët e tyre socialë e politikë që i ushqejnë. Partitë politike kanë reduktuar aktivitetet e drejtpërdrejta për të takuar, diskutuar, për të dëgjuar, për të respektuar dhe për të inspiruar publikun.

Demokracia e brendshme e forcave politike është cenuar rëndë. Influenca e parasë ka ardhur në rritje në konfigurimin e politikave dhe ekipeve politike. Liderët partiakë, bazuar edhe në sistemin e ri elektoral, kanë fituar padrejtësisht më shumë pushtet. Fatkeqësisht, ky pushtet në rritje është konsideruar prej tyre jo si përgjegjësi/misioni për të ndryshuar pozitivisht forcat e tyre politike, për të përmirësuar rrënjësisht qeverisjen e vendit dhe për t’u investuar për një kulturë të re politike. Ky pushtet i rritur keqpërdoret, ata ndihen të plotfuqishëm, deri abuzues normalë të pushteteve partiake. Kjo konstatohet edhe në faktin që në strategjitë elektorale po i jepet një peshë në rritje forcës së parasë.

Ky mentalitet i ri është lehtësuar për t’u konsideruar normal, edhe nga faktorë konkretë të ndryshimeve të rëndësishme që konstatohen tani.
Ndoshta në mënyrë të përmbledhur dhe të përsëritur janë tre faktorët që ushtrojnë presion për të mbivlerësuar pushtetin e parasë në politikë.

Së pari, ngushtimi i diferencës midis forcave kryesore politike e ka rritur peshën e votuesve të papërcaktuar në ditën e zgjedhjeve. Së dyti, është rritur ndjeshëm roli i medias për të influencuar të pavendosurit. Së treti, kostoja e fushatave mediatike po rritet me ritme shumë të larta.
Absolutizimi i forcës/pushtetit të parasë në politikë i dëmton rëndë ballafaqimet elektorale. Kjo sepse fushata bazohet gjithnjë e më shumë tek ky faktor. Ky mentalitet, duke dëmtuar rëndë zgjedhjet, dëmton shumë rëndë akoma pa lindur, qeverisjen e ardhshme.

Midis forcës magjike të shpresës dhe forcës së parasë, pa frikë do të mbështesja një strategji fitoreje të Partisë Socialiste të bazuar tek shpresa.
Një fitore e bazuar tek paraja i ngjan një veprimi tregtar, ku në disa raste paguesi/financuesi e ka parapaguar fitimin që pret nga politikani apo maxhoranca. Politikanët tanë dhe qeveritarët e fillojnë mandatin e ri duke qenë borxhlinj të këqij të financuesve të tyre të fuqishëm.

Qeverisja shndërrohet jo vonë në keqqeverisje. Korrupsioni bëhet masiv, kapja e shtetit bëhet vetëshërbim. Vendi vuan gjithnjë e më shumë nga maxhorancat e prodhuara nga financimet korruptive.
Kjo ndodh atëherë kur disa biznesmenë i arrijnë fitimet e larta nga biznesi me politikanë, ose kur disa politikanë e konsiderojnë politikën biznesin më fitimprurës.

Kohët e fundit, edhe në Ballkan po shtohen rastet kur kryeministra dhe ministra të konsideruar të gjithëpushtetshëm, po përfundojnë në të akuzuar publikë e penalë, deri edhe të arratisur nga vendi i tyre.

Në rastin e strategjive të fitores së bazuar tek magjia e shpresës, marrëdhënia parti fituese me votuesit e tyre është sërish raport debitor, por krejtësisht ndryshe. Në këtë rast, borxhi/detyrimi është moral. Në këtë rast, qeveria e re nuk e fillon punën me një borxh financiar që shumë shpejt e mban të lidhur dhe e imponon. Në rastin e magjisë së shpresës, qeveria e re ka një detyrim moral t’i shndërrojë ëndrrat e votuesve të saj në realitet. Maxhorancat qeverisëse që vijnë nga fuqia magjike e shpresës kanë detyrimin moral të përmirësojnë qeverisjen e vendit, të luftojnë korrupsionin, të përmirësojnë funksionimin demokratik të vendit, të rrisin dhe zgjerojnë liritë politike dhe ekonomike të të gjithë votuesve.

Do të dëshiroja që në ndihmë të kësaj analize ballafaquese midis fuqisë magjike të shpresës dhe fuqisë së parasë, të sillja edhe shembuj konkretë të fitoreve elektorale të bazuara tek magjia e shpresës.
Presidenti i rajonit të Pulias, Nichi Vendola, kandidoi dhe fitoi mandatin e tij të dytë, duke mos pasur mbështetjen e partisë së tij politike. Fitoi, pikërisht sepse votuesit e tij shpresojnë tek Vendola më shumë se tek çdo politikan tjetër i të majtës italiane.

Në zgjedhjet e fundit për guvernator në Kaliforni, të drejtuar më parë nga republikani Schwarzenegger, republikanët mandatuan një grua me një eksperiencë të shkëlqyer si menaxhere biznesi. Meg Whitman, ish-CEO e Ebay, një prej kompanive të mëdha në botë, me të ardhura vjetore rreth 8.7 miliardë dollarë dhe me rreth 15 mijë punonjës. Meg Whitman vuri në shërbim të fitores së saj jo pak, por rreth 160 milionë dollarë nga pasuria e saj.

Demokratët mandatuan Jerry Brown, 72 vjeç, ish-prokuror i Përgjithshëm, ish-guvernator, ish-kryetar bashkie, ish-kryetari i Partisë Demokratike në Kaliforni dhe disa herë pjesëtar i garës brenda demokratëve për kandidat i SHBA-së. Jerry Brown jo vetëm fitoi ndaj kandidates republikane, e cila kishte epërsi fondesh për ta financuar fushatën e saj, por fitoi me një rezultat prej rreth 1.2 milion votash më shumë, fitoi 53.8% të votave krahasuar me 40.9% që fitoi kandidatja republikane.
Presidenti Obama, të cilit aq shumë i referohen politikanët shqiptarë, e krijoi avantazhin e fitores jo nga fondet e mbledhura për të financuar fushatën, por nga avantazhi i magjisë së shpresës, të cilin e krijoi gjatë gjithë angazhimit të tij publik, duke filluar me fjalimin impresionues në Konventën e Demokratëve, në vitin 2004.

Në këtë rast ishte shpresa ajo që edhe lehtësoi grumbullimin e fondeve, duke sjellë një model të ri, mbështetjen e financimit të fushatës tek kontributet modeste të sa më shumë votuesve. Shpresa e lehtëson gjetjen e burimeve financiare, ndërsa strategjitë e bazuara kryesisht tek paraja mund të vrasin fitoren, ose të prodhojnë fitore që e vrasin shpresën për një qeverisje më të mirë.
Nuk ka receta magjike për ta shpëtuar demokracinë nga këto risqe, por patjetër ka disa piketa orientuese që vijnë nga ekspertë të shkencave politike, të cilët gjithnjë e më shumë ndjekin me shqetësim këtë trend.

Kërkohet të rritet gjithnjë e më shumë kontakti i drejtpërdrejtë, kërkohet të mbrohen gjithnjë e më mirë interesat e klasës së mesme dhe grupimeve shoqërore të papërfaqësuara nga lobistët. Kërkohet të mbrohet qeveria nga lobistë që po tentojnë të influencojnë gjithnjë e më shumë politikat dhe ekipet qeverisëse. Duhet të rritet pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në proceset qeverisëse. Politika duhet të jetë më e afërt, më konkrete dhe sa më produktive.

Është e vështirë të pretendosh se do të eliminohen influencat lobiste në politikë, por është kritike për të ardhmen e demokracisë n.q.s. qeveria nuk ka një kontroll demokratik në të gjithë aktivitetin e saj.
Rritja e pjesëmarrjes së publikut në zhvillimet demokratike të vendit të tyre, rritja e transparencës së proceseve politike dhe qeverisëse, rritja e pjesëmarrjes në votime, fuqia magjike e shpresës dhe jo forca e parasë, mund ta garantojnë më mirë të ardhmen tonë.