Nga Mero Baze
Zëvendëskryeministri, Ilir Meta, po bëhet përditë e më shumë i dyshuari i madh i lojës së rrezikshme antiligjore që ka nisur kryeministri Berisha për të sulmuar një grup biznesmenësh dhe pronarë mediesh kritike me Berishën. Gati një muaj pas nisjes së kësaj fushate të turpshme nga Berisha, zëvendëskryeministri, Ilir Meta, i cili ka njohje personale me gjithë këtë grup “mafiozo-punist”, nuk ka bërë asnjë koment për këto sulme. Është e besueshme që ai është i zemëruar me deputetin Ylli, se i ka marrë “kështjellën” e Skraparit apo deputetin Abazi, se i ka lënë gruan jashtë parlamentit në Dibër, por nuk besoj se ka furnizuar Berishën me dosje kundër Tom Doshit, pasi e ka pasur një mik dhe bashkëpunëtor të ngushtë. Nga ana tjetër, nuk besoj se është i zemëruar me botuesit Dulaku dhe Kokëdhima, pasi ata e kanë mbështetur atë dhe në ditët e tij më të këqija. Po ashtu, nuk besoj se i është dashur deklarata vulgare e Berishës për “shtetëzim” të një copë lulishteje në parkun “Rinia” për të kujtuar se nga ky legalizim brenda ligjeve ka “përfituar” Edi Rama.
Ilir Meta i njeh mirë, shumë më mirë se Sali Berisha gjithë personat e vënë nën shënjestër si “mafiozo-punistë”. Ndryshe nga Sali Berisha, që disa prej tyre as i ka parë, as i ka njohur, Ilir Meta i njeh mirë të gjithë dhe di nga vijnë e ku shkojnë. Heshtja e tij ndaj këtij sulmi të frikshëm, jo për ta, por për shtetin ligjor në Shqipëri, e bën më pis sesa vetë karrigia ku është ulur Ilir Metën.
E bën pis, së pari, sepse dyshohet që ai është njeriu që i ka vizatuar Sali Berishës “kupolën”, për të cilën Sali Berishës do t’i duhet të përdorë sërish drejtësinë, që të mos i hiqet imuniteti dhe të mos përballet me verifikimin e akuzave. Të gjithë ata që dyshojnë se Ilir Meta qëndron pas këtij sulmi, kanë arsye të mjaftueshme heshtjen e tij ndaj njerëzve që ai njeh dhe me të cilët ka bashkëpunuar deri në sekondat e fundit të marrjes së dyshimtë të mandatit të tij si deputet. Por jo vetëm heshtja, por veprimet e shumë njerëzve të garniturës Nano-Meta të bëjnë të besosh se shqiptarët tashmë po ndeshen me një trio realisht mafioze, ku Sali Berisha të vë gjobën dhe njerëzit e Nanos dhe Metës të vijnë për të të ndihmuar duke të rekomanduar që “të qëndrosh larg Ramës”. Këto detaje do të mbeten gjatë në kujtesën e atyre që po ndeshen me një padrejtësi ligjore dhe një fushatë gjobash dhe kërcënimesh nga pushteti në emër të luftës së Ilir Metës për të dobësuar opozitën.
Një arsye tjetër, pse Ilir Meta qëndron pas kësaj fushate, ka të bëjë dhe me faktin se të sulmuarit apo të shënuarit si “mafiozë” nga zoti Berisha janë vetëm ata botues që nuk kontrollon Berisha dhe Meta. Unë nuk di pse Koço Kokëdhima duhet të jetë “mafioz”, dhe Irfan Hysenbelliu “dinjitoz”, kur i pari po persekutohet që nga viti 2005 nga gjithë punët publike dhe nga revanshi i gjobave të Sali Berishës, kurse i dyti po privilegjohet nga Sali Berisha duke i shkëmbyer dhe falur tokë publike në mes të Tiranës në shkëmbim të një toke në Kashar. Unë nuk di pse qenka “mafioz” Artan Dulaku, një nga biznesmenët më korrektë të Shqipërisë, dhe ndërtues cilësor, i cili nuk ka përfituar asgjë nga projektet publike të qeverisë, edhe pse mund të ishte një partner serioz i shtetit, ndërkohë që Aleksandër Frangaj dhe Fahri Balliu kanë marrë së bashku mbi 150 milionë euro punë publike në rrugët e papërfunduara të Shqipërisë, me letra false, me përfaqësi firmash të huaja si sekserë të rëndomtë.
Sot, pas tre vjetësh, Sali Berisha duhet t’u thotë shqiptarëve pse nuk e ka ndërtuar rrugën Vlorë-Levan dhe Tepelenë-Fratar, dhe pse nuk ia heq kontratën njeriut të oborrit të vet, që po sillet si mafioz me paratë e shqiptarëve duke thyer gjithë rregullat e të fituarit një tender dhe të dorëzuarit të punës. Ato rrugë nuk janë bërë dhe nuk kanë për t’u bërë, pasi sekserët e Sali Berishës kanë hyrë aty për të fituar paratë. E dimë që Ilir Meta nuk e ngre dot zërin kundër tyre, pasi i ka pasur po ashtu të tijtë këta sekserë dhe më parë, por heshtja e tij ndaj luftës së ndyrë ndaj atyre që përpiqen të bëjnë biznes me djersën e tyre dhe sipas ligjeve, është një sjellje tipike prej gjobëvënësi.
Së fundmi, është një argument logjik që një qeveri koalicioni priret nga moderacioni dhe jo radikalizimi i njërës palë, priret nga përfarimi dhe jo ndarja, priret nga elementët që i bashkojnë pjesëtarët e koalicionit dhe jo ato që i ndajnë. Mënyra se si sillet Sali Berisha është një sjellje radikale me “leje” të partnerit të tij, përndryshe do të ishte e pamundur dhe alogjike. Me këtë kriter i bie që Sali Berisha ta nisë nga “kryemafiozi” (të më falë për perifrazimin), Bashkim Ulaj, siç e ka quajtur Dritan Priti biznesmenin e afërt të Familjes Berisha, që po ashtu prej vitit 2007 ka përfituar më shumë se kushdo tjetër në këtë vend tenderë publikë.
Për fat të mirë kjo nuk po ndodh dhe nuk duhet të ndodhë, dhe duket se ajo që po ndodh është e gjitha një marrëveshje e heshtur e Sali Berishës me Ilir Metën për t’i plotësuar atij “projektin” për të eliminuar faktorët opozitarë nga shoqëria. Mënyra si po sillet kjo qeveri, jo vetëm që nuk ngjan si qeveri koalicioni mes qendrës së djathtë dhe së majtës, por duket sikur ka bërë koalicion Sali Berisha me ndonjë fraksion racist e naziskin dhe është i detyruar të sillet siç e kërkojnë ata. Në këtë rol të pështirë në të vërtetë është sot Ilir Meta. Të gjithë ata që mendojnë se Sali Berisha po sulmon këta biznesmenë dhe botues të medies, se kërkon t’i frikësojë, janë naivë.
Sali Berisha e di vetë se nuk e tremb dot as Kokëdhimën, as Dulakun, dhe as mua, me xhandarët e tij financiarë apo me banditë të rrugës. Këtë e di dhe vetë. Nuk ka mbaruar ndonjë luftë për fishekë që të mbarojë kjo betejë për tulla, lulishte, fletë gjobash apo banditë analogë. Kjo betejë ka vetëm një objektiv të qartë dhe ai është presioni mbi faktorët opozitarë, qofshin këta biznesmenë apo botues, që të zhvendosin mbështetjen nga opozita drejt Ilir Metës. Dhe kjo është mega-gjoba reale që tundet në ajër prej Sali Berishës. Është dhurata e tij e Krishtlindjeve për Ilir Metën, i cili po e shijon në heshtje, por natyrisht jo aq i qetë. Shpresoj ta kuptojë në kohën e duhur, që askush nuk e ka të tepërt lirinë e tij, por dhe pasuritë e tij për t’ia dorëzuar në tepsi Ilir Metës me urdhër të Sali Berishës.