Mafia, Majlinda Bregu në hetim

0
54

Flamur Vezaj, 09.10.2010

TIRANË – Task-Forca e prokurorisë së Vlorës, nis hetimet për “pastrim të parave” ndaj dy kunetërve të ministres së Integrimit, znj. Majlinda Bregu, duke përfshirë këtë të fundit në hetim pasuror në bazë të ligjit “Antimafia”.

Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme dhe njësisë së përbashkët hetimore në luftën kundër krimit ekonomiko-financiar në prokurorinë e Vlorës.

Sipas këtyre burimeve, nga sekuestrimi i dokumenteve në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, ka rezultuar se dy kunetërit e ministres Bregu, shtetasit Ervis Gjeçaj dhe Gani Baku, një ditë pas arrestimit të Albino Prudentinos kanë kryer blerjen e aksioneve të shoqërisë së djalit të të akuzuarit si pjesëtar të organizatës mafioze “Sacra Corona Unita”, Angelo Prudentino.

Ky i fundit, së bashku me kunatin e ministres Bregu, Ervis Gjeçajn, bashkëshorti i prezantueses së shumë emisioneve televizive, Ornela Bregu, ishin ortakë në shoqërinë “Betting System Albania” deri më datë 30 shtator, vetëm një ditë pas arrestimit të 59-vjeçarit Prudentino. Në ketë datë, djali i Prudentinos ia shiti aksionet e tij prej 80 % të shoqërisë, dy kunetërve të ministres nga 40 % secili me një vlerë prej 6 milionë lekë për secilin.

Blerja e aksioneve, bëri që Task-Forca e prokurorisë së Vlorës të dyshojë se dy shtetasit Gjeçaj dhe Baku kanë konsumuar elementë të veprës penale të “pastrimit të parave”.

Mbi bazën e këtyre dyshimeve, prokuroria ka nisur procedimin penal edhe ndaj dy shtetasve Baku e Gjeçaj, të cilët janë marrë në pyetje nga prokuroria e Vlorës tashmë.

Me regjistrimin e procedimit penal në institucionin e akuzës në Vlorë, Prokuroria për Krime të Rënda automatikisht ka nisur hetimin pasuror edhe ndaj këtyre dy shtetasve. Sipas ligjit “Antimafia” që tashmë është në fuqi, konkretisht nenit 3 ku përcaktohet fusha e zbatimit të këtij ligji, shpjegohet qartë se hetimi pasuror dhe sekuestrimi bëhet jo vetëm mbi pasuritë e personit të dyshuar për një vepër penale por edhe të afërmve të tij.

“Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe ndaj pasurive të:a) personave të afërm (bashkëshortit, fëmijëve, të paralindurit, të paslindurit, vëllezërve, motrave, ungjërit, emta, nipërit, mbesat, fëmijët e vëllezërve dhe të motrave, vjehrri, vjehrra, dhëndri, nusja, kunata, kunati, bashkëjetuesi, thjeshtri, thjeshtra, njerku dhe njerka) të subjekteve të pikës 1 të këtij neni”-thuhet në ligjin “Antimafia”.

Sipas këtij ligji, duke qenë se ministrja Bregu është kunata e këtyre dy personave të dyshuar për “pastrim të parave” Gjeçaj e Baku, automatikisht pasuria e saj filtrohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet.

Ndërkohë, burimet e “Shekullit” pranë Prokurorisë së Përgjithshme, sqaruan se imuniteti i ministres Bregu nuk është pengese për të kryer hetimin pasuror pasi nuk parashikohet në ligj. Kështu që, sipas këtyre burimeve, në ditët në vazhdim pritet verifikimi i pasurisë së deputetes njëherazi ministres së Integrimit Majlinda Bregu dhe bashkëshortit të saj.

Mësohet se deri më tani, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sekuestruar tre shoqëritë tregtare të regjistruara në emër të Albino Prudentino e djalit të tij Angelo dhe ortakëve të tyre në këtë biznes. Gjithashtu, konfirmohet se ende nuk kanë kthyer përgjigjie të gjitha bankat e nivelit të dytë për llogaritë dhe transaksionet bankare të të hetuarve apo edhe informacionet nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për personat tashmë nën hetim.