LUTË MOS PRIT ME TË LUTË?!…

0
25

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Lutfi Haziri, ka lindur më 8 nëntor 1970, ditëlindje kjo që përkon me datën kur u themelua Partia Komuniste e Shqipërisë, kurse për gjysmë shekulli këtë datë e ka festuar Partia e Punës e Shqipërisë si fitore të revolucionit socialist, po Luta sie ndjen veten?! Po ashtu “8 Nëntori”, ditëlindja e Lutës është edhe dita e 312-të e kalendarit gregorian e cila njihet edhe si dita e 313-të në Vitin e Brishtë, kështu Lutës për çdo ditëlindje atij i mbesin deri në fund të vitit kalendarik vetëm nga 53 ditë. Por t’i lëmë parashikimet e astrologjisë mbi ditët e Lutës sepse Ai është kryetar aktual në Komunën e Gjilanit si dhe kryetar i Degës së LDK-së në Gjilan, po ashtu është edhe nënkryetar i Kryesisë Qendrore të LDK-së në nivel Kosove, me një fjalë Luta është njeriu ma me famë në Anamoravë e rrethinë?!…
Luta (emri përkëdhelës i tij) gjithmonë ishte në pozita të larta në parti e në shtet. Ai ishte deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Profesionin e tij prej biologu nuk e ka ushtruar kurrë sepse vazhdimisht është marrë me politikë, bile siç shihet nga biografia e tij ai ka qenë edhe anëtar i strukturave udhëheqëse të studentëve në Universitetin e Prishtinës.
Luta gjatë viteve 1990, ishte në strukturat e Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kosovës, dhe kishte një varg postesh udhëheqëse në kuadër të administratës së pushtetit paralel në Kosovë. Në mars të vitit 1990, është zgjedhur kryetar i Degës së Forumit të Rinisë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan dhe në këtë funksion ishte deri në vitin 1997. Po atë vit ai u zgjodh zëvendëskryetar i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë. Luta qëndroi në këto dy funksione deri në vitin 2000.
Në vjeshtën e vitit 1999, Luta u zgjodh zëvendëskryetar i Komunës së Gjilanit, kurse nga muaji nëntor 2000 gjerë në muajin dhjetor 2004 ishte kryetar i Komunës së Gjilanit. Në qershor të vitit 2001, u zgjodh kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës. Në këtë funksion, Luta u bë edhe udhëheqës i delegacionit të komunave të Kosovës në Kongresin e Pushtetit Lokal dhe Regjional në Strasbourg (Këshilli i Evropës). Në dhjetor të vitit 2004, ai u zgjodh ministër i parë për Administrim të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës. Po atë vit, paralelisht me këtë Luta u zgjodh edhe anëtar i Kryesisë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Me 8 mars 2006, Luta është zgjedhur edhe zëvendës i kryeministrit të Kosovës, kurse gjatë viteve 2005 – 2006, Luta ka qenë pjesë e grupit politik në bisedimet e Vjenës. Në legjislaturën 2008 – 2010, ai ka qenë shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës.
Më 2010 rizgjedhet sërish deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës, bëhet kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane dhe bashkëkryesues i Task Forcës për integrime, pozita këto që i mbajti deri në dhjetor të vitit 2013 kur rizgjidhet kryetar i Komunës së Gjilanit.
Paralel me funksionet politike Luta është shkolluar shumë?!… Përveç fakultetit të Biologjisë, që e theksuam më lart ai posedon diplomën për Menaxhim nga OSBE-ja, certifikatën e Universitetit Georgetown, Washington DC, Colorado University SHBA, diplomën nga Instituti Amerikan për Paqe – USIP, si dhe shumë mirënjohje, dekorata dhe certifikata nga institucionet vendore e ndërkombëtare.
Luta është Qytetar Nderi i Komunës Luterbah në Strasbourg (Francë), Kolonel Kentucky / Shtetit të Kentucky në SHBA, Qytetar Nderi i qytetit Lexington, Qytetar Nderi Hot Springs – Arkansas dhe dekorata e mirënjohje ndërkombëtare të shumta.
Në planin historik, Luta është nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë më 17 shkurt 2008. Përveç këtyre meritave ai ka qenë edhe në burg, thuhet se ishte edhe themelues i UÇK-së për Anamoravë prandaj në saje të kësaj merite tashti posedon edhe Librezën e Veteranit të UÇK-së. Sigurisht trimërinë e ka trashëguar nga Gjyshi i tij, Hetem Haziri, i cili është dekoruar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”.
Po ashtu dihet se Luta ka qenë edhe në Haxh, diku i është fotografuar gishti lart se ka një Allah si dhe disa fotografi ku shihet se ka nostalgji për “Vëllazërinë Myslimane”, po ashtu thuhet e flitet se ai ka edhe vathë në kërthizë, e në gjinjtë e tij mjaftë të dhjamosur.
Siç e theksuam në rreshtat e parë, Luta aktualisht është zëvendëskryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i Degës në Gjilan. Ai është njeriu më pasionant pas tekeve të Isa Mustafës, andaj tërë shkëlqimi dhe besimi se Luta e do LDK-në rugoviane sikur i është zbehur, sepse pikërisht është Lutfi Haziri ai që ka luajtur rol për bllokimin e kundër kandidates për kryetare të LDK-së duke luajtur një standard të dyfishtë. Në Kuvendin e VIII-të të LDK-së pikërisht Luta do ta propozojë akad. Isa Mustafën për Kryetar të LDK-së me që rast ai entuziazmoi sallën dhe me bekimin e tij dr. Isa Mustafa u rizgjodh kryetar i LDK-së, duke shkelur me vetëdije dhe në mënyrë flagrante rregulloren e partisë në të cilën përcaktohet se zgjedhja e Kryetarit të LDK-së bëhet me kundërkandidat dhe me votim të fshehur.
Po Luta është tyxhar i preftë jo vetëm politik, por ky zanat i ka mbetur atij siç flitet qysh nga koha e shitjes së CD-ve në kioskën me këngë tallava, prandaj bashkë me tyxharët e Llapit atij iu ka besuar vëzhgimi i procesit zgjedhor, ku siç dihet janë bërë shkelje të rënda, pasi aty ku kanë pasur frikë nga humbja ata kanë shkuar me votim të hapur dhe pa kundërkandidat. Po ashtu me bekimin e Lutës dhe dy tyxharëve të Llapit, procesi zgjedhor në Degët e LDK-së në Zvicër dhe Gjermani është anuluar dhe po ashtu ai ka luajtur rol shkatërrues dhe poshtërues kundër Diasporës nga e cila ka vjelë e mjelë mjaft edhe Lutfi Haziri. Edhe Luta është oportun ashtu siç është shefi i tij sepse as Luta nuk ka dashur të takohet, të konsultohet dhe të flas me delegatët nga Diaspora për t’i zgjedhur dhe orientuar problemet e brendshme partiake, prandaj kur Luta shkumëzon për dialog dhe biseda me opozitën është një pështymje që zakonisht iu del nga goja tyxharëve të cilët bëjnë be e rrëfe rrejshëm ashtu siç po djersitën kohëve të fundit këta tyxhar politik.
Luta tashmë ka fituar edhe mbipeshë, prandaj është mbyllur në zyrën e kryetarit të Komunës në Gjilan, kurse stafin e ka plotësuar për mrekulli(?!), ani pse thuhet me kuadër jo aq profesional, pasi Luta i ka harruar dhe anashkaluar personalitetet që i kanë dhënë emër politik e kulturor Gjilanit, por ai ka mjaftuar të rrethohet nga gratë, për të cilat siç ironizojnë gilansat i ka vetëm sa për selfie, dhe këtë me bekimin e interpretuesve të fesë e të politikës të cilët i paskan lëçit mesele se “burri është edhe për shtatë gra”?!…
Në planin social nuk qëndron keq, edhe pse Luta në Agjensionin Kundër Korrupsionit në formularët për deklarim të pasurisë, nuk paska kallxu se ka shtëpi e pasuri, por thuhet e flitet se ai ka të kursyera shuma të mëdha para të gatshme, ndërsa vlera e kapitalit të përbashkët atij i shkon deri në 1.3 milion euro dhe askush nuk pyet kah gjithë kjo pasuri kur rroga e tij duhej të shpenzohej edhe për jetës dhe gjëra familjare, për veshmbathje, e mbase si kudo në botë, pra edhe tek ne do të duhej që nga rroga e tij të shkonte diçka edhe në arkën e tatimeve?!
Por Luta me sa duket është njëri nga politikanët më me fat pasi i kanë qëlluar të dy prindërit pensionist në Zvicër, nga të cilët në formularët për deklarim është shënuar se ai prej tyre për një viti i merr rreth 60.000 euro para të gatshme. Prandaj bash këtu do të duhej ta niste prokuroria e shtetit hulumtimin mbi mashtrimin që ia paska bërë shtetit dhe Kosovës edhe ky funksionar i lartë i LDK-së, sepse nuk ka mundësi në të njëjtën kohë ta duash Isa Mustafën dhe të deklarohesh se je demokrat dhe rugovist, pasi dihet se Isa Mustafa dhe LDK-ja dallojnë sikurse nata me ditën, ashtu sikurse është e pamundshme që pensionistet në Zvicër të ndajnë kaq para të gatshme për t’ia falur çunit të tyre funksionar politik në Kosovë?!
Tashmë merret vesh pse Luta paska anuar nga Isa Mustafa, jo për dijen dhe dinjitetin dhe aq më pak për konceptin politik, por thjesht si duket Isa ia paska ngrehur veshin duke ia faktuar parregullsitë e mëdha në krijimin e pasurisë milionëshe që e posedon edhe Luta, i cili në planin politik është bërë ma i zi se Futa.
Tashmë për Lutën anamoravasit flasin se është dora e djathtë e Isa Mustafës për zgjedhjen e të cilit ai ka luajtur lojën e standardeve të dyfishta, qoftë në raport me zgjedhësit dhe elektoratin e LDK-së në Gjilan, e qoftë në raport me deklarimet e tija rugoviste e demokratike?! Por si duket Luta bashkë me tyxharët e Llapit janë aksionar klasik për manipulime politike brenda LDK-së.
Po ky Lutë duke lut elektoratin në Anamoravë e paska mashtruar Degën e LDK-së në Gjilan sepse atyre ju ka garantuar se vet LUTA do të jetë kandidat i mundshëm për kryetar i LDK-së në nivel Kosove. Siç shihet këtë lojë të nëntokës ai e paska luajtur deri në çastin e fundit, kurse në Kuvendin e VIII-të të partisë, sikur qyrrej kah e prezantonte Isa Mustafën për kryetar të LDK-së, me çka u dëshmua se ai paska qenë pjesë e nëntokës antidemokratike dhe kundër konceptit rugovian që kishte elektorati i tij në Gjilan dhe forcat e shëndosha demokratike brenda vet LDK-së, prandaj me të drejt dyshohet se Luta është aksionari më perfid i shkatërrimit të LDK-së, sepse si duket ai paska punuar shumë për sforcimin e pozitave partiake të Isa Mustafës, ku ai bënë pjesë në grupin më të rrezikshëm në LDK, të cilët vazhdimisht kanë investuar mund e dallavere për t’ia sjell Kosovës një kryeministër të dobët siç është Isa Mustafa.
Tashmë autoriteti i Lutës, bashkë me autoritetin e Kryeministrit të Kosovës ka pësuar rënie dhe është degraduar dukshëm, qoftë në planin politik po më shumë në atë moral pasi s’ka intelektual në Gjilan dhe burrë me dy kokrra mend që mund t’iu beson më fjalëve të tij, kurse një pjesë e madhe e shkatërrimit të LDK-së i atribuohet edhe Lutës i cili do të duhej ta luste shefin e tij Isa Mustafën që të zbythet nga posti i Kryeministri të Kosovës dhe të mos e shkatërroj më tej LDK-në dhe përgjithësisht Kosovën, kurse ky klan bashkë me Lutën që e kanë kapur LDK-në gjithsesi duhet të shporrën edhe nga partia.
Por shtrohet pyetja se a do ta bënë Luta këtë veprim të duhur politik?! Kësaj pyetje alegorike mundet me iu përgjigjur edhe qytetari ma i rëndomtë pasi burrëria e Lutës nuk e ka më atë shkëlqimin e dikurshëm për të cilin mendohej se Luta gjithçka bënë por me komunistët nuk do të shkon?!
Tashmë atij nuk i mbetet gjë tjetër vetëm ta Lut Isa Mustafën që të jap dorëheqje dhe t’ia bëjë atij me dije se bashkë me shefin duhet të shkojnë në pension edhe projektuesit, stimuluesit dhe bashkë ortakët e Isa Mustafës. Edhe një herë Lutës i bëjmë ftesë publike që ta lut Isa Mustafën dhe eskortën e tij për t’i marrë përgjegjësit morale e politike për dështimin e shumanshëm të Isa Mustafës dhe sidomos për degradimin e derikëtushëm të LDK-së.
Nëse Luta ka një grimcë burrëri do të duhej t’ia paketonte valixhet Isa Mustafës për ta dërguar në Shtëpinë e Sigurisë së Lartë, e cila është ndërtuar si “Vilë Luksoze” për funksionarët kosovar, atje në Bregun e Madh në katundin kah është autori i këtij shkrimi?!…
Fatkeqësisht tani Lutfi Haziri sikur e ka shndërruar veten në marionetë të Isa Mustafës i cili qëllim kryesor ka për të shkatërruar dhe ta bëjë degradimin e LDK-së. Thjesht ne po ia bëjmë këtë Lutje Lutës që ta Lus edhe Isa Mustafën që bashkë me tyxharët e LDK-së të ikin sa më parë nga politika dhe nga shkatërrimi i mëtutjeshëm i demokracisë dhe lirisë së Kosovës.
Kjo thirrje publike bëhet për Lutfi Hazirin, që të jap dorëheqje të parevokueshme, pasi vet Luta në Kuvendin e VIII-të LDK-së e pat propozuar Isa Mustafën për kryetar të LDK-së, për të cilin garantonte se vetëm me te përparon Kosova dhe do t’ia sheh hairin Partia, por si po shihet pikërisht Isa Mustafa do t’ia qet pelikorin (qefinin) e vdekjes LDK-së, andaj çthurja e kësaj maxhie duhet të vjen pikërisht nga Lutfi Haziri?!

St. Gallen, 17.11.2015.