Lustra e fragmentuar

0
37


Albin Kurti

Në këto vitet e pasluftës kemi pasur pafund përleshje, rrahje e madje edhe plagosje e vrasje të politikanëve e militantëve partiakë. Krerët e partive e kanë përçarë popullin dhe i kanë ndërsyer njerëzit kundër njëri-tjetrit.

Në fund, vetë ata krerë kanë lidhur koalicione ndërmjet partive të tyre për hir të interesave vetjake karrieriste e financiare. Njerëzit e thjeshtë kanë mbetur të pikëlluar pa më të dashurit e tyre ose të dëshpëruar në burg ndërkohë që janë të detyruar t’i shikojnë idolët e tyre partiakë tek qeshen bashkë para kamerave televizive.

Gjithçka i ngjan një shfaqjeje teatri ku shikuesit nuk e kanë ditur që bëhej fjalë veçse për një shfaqje teatri, nuk e kanë ditur se ajo që po shihnin ishte dramë me role e skenar të përcaktuar që më parë.

Shikuesit janë grindur e rrahur varësisht lojaliteteve të posaçme ndaj aktorëve në skenë të cilët nuk po grindeshin e rriheshin me të vërtetë. Në fund të shfaqjes kemi shikues të përgjakur dhe aktorë gazmorë që zhveshin kostumet e tyre dhe dalin e pinë kafe bashkë pas rënies së perdes.

Secili prej akronimeve të partive politike që hynë e dolën nga qeverisjet e pasluftës defilon ndaras e veçmas. Nganjëherë edhe çiken lehtas me njëri-tjetrin ashtu plot nur e hir në këtë sfilatë që i dedikohet popullit spektator. Mirëpo, sfilata e diferencave nominale në të vërtetë maskon vallen e përbashkët financiare.

Duken parti të ndryshme me qëllim që të duken të ndryshme. Ajo që shohim është maska për atë që nuk duhet ta shohim. Strukturat informale politike janë financiare dhe kriminale, të bashkuara përtej ndarjeve formale ndërmjet partive politike.

Ato nuk shihen hapur mu për shkak të partive politike që duken për të mos u dukur në thelbin e tyre. Emrat e partive dhe fytyrat e ndryshme të njerëzve të partive janë paravan për unitetin e këtyre strukturave informale që paraqesin të vërtetën e sistemit politik në Kosovë.

Ato e kanë funksionin e fragmentimit të lustrës sipër substancës së njëjtë. Kjo lustër e fragmentuar është substanca e pluralizmit politik në Kosovë. Politikanët e establishmentit njëmend janë të ndarë, mirëpo kjo ndarje e tyre shërben për ta pasur politikën e establishmentit të bashkuar dhe, në anën tjetër, për ta pasur popullin sa më të përçarë përfund vetes.

Gjithsesi, ne nuk kemi nevojë për parti që përçajnë shoqërinë e popullin ndërsa unifikojnë establishmentin. Kosovës i nevojitet lëvizja e qytetarëve të saj që i bashkon ata për ndryshime thelbësore kundër këtij establishmenti i cili e do unitetin e vetes dhe përçarjen e popullit.