LUMI BERISHA PËRMBYT SHQIPËRINË

0
42

Prof. dr. Ago Nezha, 04.12.2010

Arroganca shtetare nuk e shmang dot papërgjegjshmërinë e keqqeverisjes së vendit. Presioni dhe spekulimet mediatike mbi fatkeqësitë natyrore të përmbytjes së Shkodrës mund të krijojnë iluzione për një grup njerëzish, por nuk mund të gënjejnë një opinion të gjerë mbarëkombëtar. Demagogjia e pushtetit kërkon të zëvendësojë sovranitetin e popullit në ato krahina ku ai e ruan aftësinë e të gjykuarit dhe arsyetuarit, me disa krahina ku ai e ka humbur këtë aftësi pjesërisht te militantët, mbasi ua ka mpirë trurin politika. Kujtesa nuk shuhet shpejt. U bënë dy vjet që Shkodra noton në ujë. Pa u tharë uji i vitit të kaluar, u përmbyt përsëri.

Vjet u tha nga Kryeministri Berisha, se fatkeqësi të tilla natyrore ndodhin një herë në njëqind vjet. Po ta marrim të mirëqenë këtë postulat, si do ta emërtonim këtë të sivjetmen, ku pa filluar dimri, shkodranët janë të dënuar me njëqind e një vjet. Fenomeni përmbytje me një lugë ujë, tregon se qeveria Berisha është bërë specialiste dhe ka fituar përvojë për të përmbytur vendin. ‘Spektaklin’ e vitit të kaluar e kujtojmë të gjithë me keqardhje, për ata njerëz që për muaj të tërë notuan në ujë dhe humbën një pjesë të mirë të pasurisë dhe katandisë familjare. Pa ju shlyer borxhi i kaluar, ka filluar borxhi i ri.

Na kujtohet teatri-Topalli, ku intervistonte banorë të Shkodrës që braktisnin shtëpitë me barka dhe seleksiononte militantë të sëmurë, që falënderonin qeverinë për asistencën e tyre në fatkeqësi. Mos vallë e harruan tragjedinë e para një viti dhe kërkojnë që me përmbytjen e dytë t’i thonë qeverisë përsëri: faleminderit që na përmbytët?! Do të ishte një fyerje për karakterin, qytetarinë dhe inteligjencën e shkodranëve. Ku shkuan premtimet e bujshme se ky fenomen tragjik do të evitohej për vitet që do vijnë?!.. Shmangia e kësaj tragjedie është plotësisht e mundshme. Përse kjo neglizhencë?

Si ka kurajë qeveria të ballafaqohet me popullin e qytetëruar të Shkodrës, me një situatë tepër alarmante? Me çfarë morali e përcjell këtë fatkeqësi, që e ka kthyer qytetin e Shkodrës në një kënetë? Dhe së fundi do thosha, si e duron qytetaria shkodrane këtë shpërfillje dhe komedi që luhet me fatin e qytetarëve të vet? Në demokracitë e shëndosha perëndimore, opinioni publik është një protagonist i fuqishëm, që ngre peshë në qeverisjen e vendit. Do të ishte krejtësisht e gabuar që qeveria të abuzojë me cilësinë e dobët të qytetarit të zakonshëm, që ende nuk ka kulturën e një demokracie qeverisëse.

Është fillimdimri i këtij viti. Me shumë pak reshje, dhe Shkodra u kthye në një liqen të dytë, përkrah liqenit natyral. Shkaqet nuk janë reshjet e mëdha, por neglizhenca e strukturave shtetërore. Po sjell në vëmendjen e lexuesit një rast që e kam përjetuar vetë në Shkodër si gazetar i bujqësisë, në vitin 1984. Brenda një nate ranë në mënyrë intensive, të rrëmbyeshme, 302 milimetra shi, e barabartë kjo me mesataren e reshjeve mujore në muajt e dimrit. Shkodranët e vjetër, këtë e tregonin si legjendë, se kish ngjarë 60 vjet më parë. Por, ç’ndodhi?!…

Në gjithë rrethin e Shkodrës ishte përmbytur vetëm një parcelë prej 10 ha, në ish-kooperativën bujqësore të Dajçit, ku uji kishte kaluar kuotën 2 cm. Kjo situatë, e krahasuar me pamjen e sotme, ngjan paksa butaforike. Por, ky ishte realiteti. Ajo që ndodh sot nuk është pasojë e shirave të shumtë, që propagandojnë pushtetarët. Kjo situatë është pasojë e shkatërrimit të masiveve pyjore, të argjinaturave të lumenjve, të pritave të ujërave të larta, të kanaleve kulluese etj.

Po të kishte një Komision të Kontrollit Lartë të Shtetit të përgjegjshëm, i cili të evidentonte në këto 20 vjet demokraci fondet që janë investuar e paratë që janë shpenzuar për rehabilitimin e këtyre veprave nga institucionet përkatëse shtetërore, do të trondiste opinionin publik me shifrat marramendëse që kanë shkuar në xhepat e zyrtarëve të pushtetit. Odiseja e përmbytjes së Shkodrës dhe e gjithë Shqipërisë është odiseja e korrupsionit që ka prekur çdo qelizë të shoqërisë shqiptare dhe është kthyer në epidemi në këto 20 vjet, nën fasadën e demokracisë pjesëmarrëse.