Lulzim Basha s’ka lidhje me këtë histori

0
46


Nga Mustafa Nano

Të shkruash për Lul Bashën nuk është se të ndodh shpesh. Po, është e vërtetë, emrin ia ka përmendur shumëkush prej kolegëve të mij, por kjo gjë ka ndodhur prej bëmash, që nuk e nderojnë atë, siç është ajo e abuzimeve në rrugën Durrës-Kukës (e mbani mend, besoj, sa sa i lumtur doli nga ajo porta prapa ndërtesës së Telekomit, ku dy minuta më parë anëtarët e gjykatës supreme nuk është se kishin rrëzuar akuzat kolosale në ngarkim të tij, por thjesht kishin mbyllur hetimin për shkaqe e vonesa proceduriale), apo ajo e vrasjeve të kryera më datë 21 janar.

Dhe nuk është se për këto dy momente Lul Basha fajësohet me tahmin, apo me spond. Jo, ai akuzohet drejtëpërdrejtë për vepra e krime që janë kryer. Abuzimi me fondet publike është një gjë e njohur dhe e pranuar; vetë Berisha ka thënë se “vendimet janë marrë kolektivçe, dhe nuk ka dënim kolektivçe!!!!, duke lënë të kuptohet se abuzimi egziston, por fajtorët jo. Ndërsa vrasja e katër qytetarëve në bulevard është një krim spektakolar; hetimi po vazhdon, por Basha ka qënë ministër i brendshëm, dhe ka gisht se s’bën në këtë krim. Në rastin më të favorshëm për atë vetë, ai ka gisht në fshehjen e krimit.

Kjo ish sa për hyrje. Do duhej ta bëja se s’bën këtë hyrje. Tani po eci më tej. Pse nuk kanë shkruar për Lul Bashën? Në këtë pikë ai nuk është një dukuri më vete, e afërmendsh nuk ka pse të dallohet; është si të tjerët, dmth si të gjithë ata që punojnë me e për Berishën. E pse u dashka t’i përmendësh emrin një ministri? Dini ju ndonjë ministër që ka bëma të vetat, që ka nisma të vetat, që ka pasur ide të vetat, të cilat janë shprehur e mbrojtur prej tij në radhë të parë? Jo, të gjitha idetë, nismat, bëmat kanë qënë të Berishës. Me fjalë të tjera, shkruaj për Berishën dhe ke shkruar për të gjithë. Kjo është arsyeja që për Bashën ka pasur arsye të flitet rrallë.

Mirëpo dje, për herë të parë në jetën e vet, ai mbajti një fjalim; e di, ka folur dhe herë të tjera, por kanë qënë fjalime të shkurtëra të mbyllura me esklamacionin “Na udhëhiq o prijësi ynë, Sali Berisha!” (mos më thoni që s’e mbani mend këtë shpërthim të tij në skenën e pallatit të Kongreseve?). Ndërsa dje mbajti një fjalim të plotë. Ia lexova sot në gazetën Mapo. Të tërin. Kam përshtypjen që duhet ta ketë bërë vetë atë fjalim (dikush mund t’i ketë bërë një korrektim stilistik në fund, por idetë duhet të jenë të tijat). Edhe? Edhe hiç.

Në atë fjalim, si në të gjitha fjalimet e politikanëve të Tiranës, kish pak ide; e në vend të këtyre kish shumë ujë, kish llokoçitje në një llucë fjalësh e premtimesh, kish lënie e rimarrje argumentash, kish një listë premtimesh (në të shumtën e kohës, premtimet ishin të tilla, saqë të krijohej ideja se i kish menduar një natë më parë), dhe foli shumë gjatë. Ose ndoshta m’u duk mua gjatë, ngaqë ato pak argumenta mund të trajtoheshin në më pak kohë. Po të isha në sallë do isha tërbuar prej asaj litanie, aq sa me siguri do dilja jashtë të pija cigare me Genc Rulin e Ridvan Boden.

Po çfarë tha konkretisht? Bëri mirë që s’u mor shumë me kundërshtarin, por edhe kjo që mund t’i merrej si meritë, paska qëlluar të mos jetë zgjedhja e tij. Para tij foli i çmenduri gojëprishur par excellence, dmth padroni, mentori, tutori e inventori i Lul Bashës, dhe nuk lëshoi asnjë ndyrësi në adresë të Ramës. Lul Basha s’mund të bënte ndryshe nga ai. Tha diçka tjetër, që mund t’i merrej për mirë: “si kryetar i bashkisë nuk do të hezitoj të kundërshtoj madje as vendime të marra nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit, kur ato bjenë ndesh me interesat afatgjatë të qytetarëve të Tiranës”. Mirëpo, sa e dëgjon, të vjen t’i thuash: “Shih, shih, edhe këtë do ta bësh? Do t’i kundërvihesh Berishës? Mos Lul, të gjitha t’i besojmë, por jo këtë. Nuk duhej ta kishe thënë këtë. Kjo është rrenë për Guinness. Të paktën, mos e përsërit më!

Pati dhe disa momente, të cilat, po të merren të shkëputura nga konteksti, do të mund të bëheshin pjesë e ndonjë quiz-i të ngritur mbi pyetjen: të kujt janë këto fraza? Dhe këto fraza do t’i atribuoheshin kujtdo, por jo një berishiani. Shpresoj që t’mos u kenë shpëtuar as të tjerëve fraza të tilla, si “problemet nuk zgjidhen me dhunë”, ose “as gjuha e dhunshme e as dhuna nuk na e zbukurojnë Tiranën”, ose “s’mund të ecim më në rrugën e ndasive, akuzave, konfliktit”. Po të mos e dinim se kush i ka thënë këto fraza, të gjithëve do t’u shkonte mendja se kanë dalë nga goja e, fjala vjen, Rexhep Qoses për të denoncuar qasjen mujshare të Berishës e të berishianëve. Mirëpo, na e thotë Lul Basha. Mund t’na e kursente këtë gjë. Leksionet e edukatës nga një berishian (dhe Basha është berishian përpara se të jetë ‘human’) janë me të vërtetë të tepërta.

Po më? Më duhet të them, se do premtime janë korrekte, pasi edhe hahen nga logjika, edhe ngrihen mbi dobësi të kryebashkiakut Rama. Çfarë? Po ja, ndërtimi i parqeve të vogla, lulishteve, qëndrave argëtuese, normalizimi i transportit, ndërtimi i parkingjeve, hartimi i një plani rregullues, e ndonjë tjetër. Por të tjerat ishin llogje të llojit “unë do punoj për të luftuar çmimet e larta në këtë qytet” (dhe e shpjegoi se si do ta realizojë këtë, por ia futi kot; kreu i bashkisë nuk ka asnjë lidhje me çmimet), “do të punësoj 30 mijë vetë, do mbështes njerëzit me kualifikim, do ul taksat, do rris investimet, do jem pranë biznesit, do kem orar pritjeje, do punoj 25 orë, etj, etj”.

E dini? Përtej të gjitha vërejtjeve që bëra për fjalimin e tij të djeshëm (nuk është se ia vlen të ndalesh shumë në këtë mes; nuk na falet të merremi më shumë se sa duhet me një fjalim), sikur Basha të mos kish të regjistruara në karrierën e vet politike ato dy momentet që përmenda në krye të shkrimit, ai do duhej të merrej seriozisht si kandidat. Madje, për të do të votoja dhe unë; do ta votoja edhe në këtë garë me Ramën. Por ai ka një cen tjetër, që nuk e shpëton dot. Ai nuk është ai; ai është Saliu. Nëse fiton Rama, fiton Rama; nëse fiton Basha, fiton Berisha.

Me këtë dua të them se Rama mund të jetë një kandidat i keq dhe i papërshtatshëm për Tiranën, por gara për kreun e bashkisë së metropolit, ashtu si e gjithë gara elektorale e 8 majit, është një garë politike. Është për të ardhur keq që është kështu, por ja që kështu është pas 21 janarit 2011. Lulzim Basha nuk hyn fare në këtë mes; ai nuk ka të bëjë fare me këtë histori as dje, as sot, as nesër deri në momentin e votimit, as po humbi, as po fitoi.