Lulzim Basha, një kandidat ‘fluturak’ për bashkinë e Tiranës

0
35

Lindita Çela, 09.04.2011

Johan Krojfi, futbollisti i famshëm holandez njihet edhe me pseudonimin “holandezi fluturues”. Kandidati për bashkinë e kryeqytetit Lulzim Basha, me histori të pasur (dhe të errët) jetësore në Holandë, mund të quhet pa frikë “kandidati fluturues”. Dhe këtu nuk e kemi fjalën për premtimin që do bëj rrugë tramvaji në Kombinat.

Z. Basha është përnjimend, një tip fluturak. Dokumentat aeroportualë të lëvizjeve të z.Basha gjatë vitit 2010 na bëjnë me dije se kandidati për kryeqytetin me lidhje të forta në Hollandë dhe familje me shtetësi hollandeze, ka shumë nevojë të lëvizë shpesh jashtë Shqipërisë.

Dhe e bën këtë me intensitet aq të lartë që do t’ja kishin zili edhe turistët më të kamur. Lëvizjet gjatë 2010-s tregojnë se çdo 3 ditë pune të vitit 2010, njërën e ka kaluar jashtë. Shekulli posedon një dokument të lëvizjeve të z.Basha dhe znj.Basha (me pasportë holandeze me nr: N.S.L225933) gjatë 12 muajve të vitit 2010.

Duke bërë një llogari të thjeshtë matematikore me ditët ndërmjetëse mes datave të daljes dhe datave të hyrjes nga Rinasi, del se z.Basha ka qenë jashtë Shqipërisë të paktën 90 ditë vetëm gjatë 2010-s.

Dhe të mos harrojmë që kjo tabelë lëvizjesh konfirmon vetëm fluturimet nga Rinasi dhe jo lëvizjet tokësore. Gjithashtu duhet mbajtur parasysh fakti tjetër që zona VIP e anashkalon në shumë raste regjistrimin në sistem duke dalluar edhe këtu nga ne “të tjerët”. Në këtë kalendar të provuar të lëvizjeve të Lulzim Bashës gjatë 2010-s në të paktën dy raste, është regjistruar në hyrje por nuk e ka bërë në dalje dhe anasjelltas. Pra nuk përjashtohet mundësia që z.Basha të ketë të tjera hyrje dalje të paregjistruara, çka e rrit edhe më numrin e mungesave dhe e bën të pashmangshme pyetjen: Si do drejtojë z.Basha nga avioni një bashki si ajo e Tiranës?

Siç dihet nga të gjithë, duke hequr vetëm të shtunat dhe të dielat (pra pa llogaritur ditët e festave zyrtare që gjithashtu janë pushim) një vit ka rreth 260 ditë pune. Po të heqim edhe periudhën e pushimeve verore, ngelen edhe më pak ditë të tilla. Po çfarë tregon tabela e lëvizjeve të z.Basha dhe znj.Basha? Tregon që z.Basha ka qenë jashtë Shqipërisë së paku 90 ditë gjatë vitit 2010, pra çdo tri ditë pune, një prej tyre ai e ka kaluar jashtë vendit.

Përsërisim: këto janë vetëm hyrje-daljet e regjistruara dhe në llogaritjen e ditëve nuk janë marrë parasysh as festat zyrtare as muaji i pushimeve verore. (meqë jemi këtu çifti Basha sic provohet nga dokumentacioni i lëvizjeve nga Rinasi, verën, vitin e rid he së paku 20 fundjava gjatë 2010-s, sërish ka qenë jashtë Shqipërisë). Duke e mbajtur me hatër, na del pra, që z.Basha kalon dy ditë në zyrë dhe një në aeroplan.

Dokumentacioni që kemi, na tregon se lëvizjet e z. Basha janë më të rregullta se periodat. Ai ka lëvizur çdo muaj të vitit pa përjashtim, janar, shkurt, mars, prill, maj, qershor, e kështu me rradhë deri në dhjetor ai ka lëvizur herë 2 herë, herë 3 herë e herë 4 herë në muaj. Ka raste kur ka bërë aq udhëtime brenda pak ditëve sa dikush nuk i përballon dot financiarisht as gjatë gjysmës së jetës. Psh. në qershor 2010, (këtu është një nga rastet që nuk është shënuar në dalje në sistem) ka paguar 4 bileta vetëm për vete brenda 5 ditësh.

Dokumentacioni jep edhe një të dhënë të rëndësishme për kandidatin e akuzuar shpesh si “kukull e Berishës”. Ai është kujdesur që megjithë lëvizjet e shumta, të enjteve të jetë gjithmonë në Tiranë. Në fakt është një lëvizje e zgjuar dhe dinake. Të enjteve janë seancat e Parlamentit ku mungesa do binte shumë në sy.

Shtetësia hollandeze e znj. Basha
Realisht nuk ekziston ndonjë ligj i shkruar që një ministër apo politikan me poste të larta nuk mund ta ketë gruan shtetase të huaj, por ky është rasti i vetëm në botë, kur gruaja e një ministri ka hequr dorë nga shtetësia e atdheut të vet për një shtetësi të huaj, dhe burri i saj ka përfaqësuar shtetin shqiptar në botë. Lulzim Basha është përpjekur të mbrohet publikisht me retorikë patriotike për akuzat e abuzimeve në rrugën Durrës- Kukës, por kjo mbrojtje duket qesharake nëse kemi parasysh që ai nuk ka bindur dot as gruan dhe vajzën e vet të mbajnë shtetësinë e tij shqiptare.

Në disa emisione televizive, sa herë që është akuzuar, zoti Basha ka kujtuar se është një familje me tradita patriotike, se gjyshja e tij është me origjinë nga Peja dhe ka ardhur në Tiranë, dhe se ai vlerëson shumë identitetin shqiptar. Por ligjërisht z.Basha i bie të jetë një dhëndër brenda… në Holandë! Duket se Aurela ka dashur me këmbëngulje të mos ketë më asnjë lidhje me përkatësinë shqiptare sepse ligji holandez lejon dyshtetësinë, pra zonja Basha nuk ka qenë e detyruar ta lëshonte me domosdo shtetësinë shqiptare. Por ajo e ka bërë. Edhe vajza e çiftit Basha, e lindur në vitin 2006, po ashtu ka shtetësinë holandeze.

Ministri i Rrugëve në “Durrës-Kukës”
Si ish-ministër i linjës Basha është përgjegjës direkt për dëmin prej më shumë se 200 milionë eurosh të konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për rrugën Durrës -Kukës. I shpëtoi gjyqit duke përdorur kartën e “tejkalimit të afatit të procedurave”.

Ministri i Jashtëm i Paktit Detar me Greqinë
Lulzim Basha është firmosësi i Paktit Detar me Greqinë, kur ka qenë Ministër i Jashtëm. Pati një vendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë cështje, ku u konstatua shkeelje e rëndë e Kushtetutës dhe cënim i integritetit territorial të vendit.

Ministri i Brendshëm i 21 janarit
Në 21 janar të vitit 2011, 4 protestues antiqeveritarë u vranë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë. Vrasjet u kryen nga Garda e Republikës e cila ka varësi direkte nga Ministri i Brendshëm dhe Kryeministri

Familja me shtetësi hollandeze
Megjithëse mburret shpesh si arkitekti i “rrugës së kombit”, Basha ka një handicap të madh në staturën prej “patrioti” që kërkon të prezantojë. Bashkeshortja e tij ka lënë me kërkesën e saj shtetësinë shqiptare. Ka aktualisht shtetësi holandeze

Varësia nga Sali Berisha
Kritikët e Bashës e shohin atë si një “kukull në duart e Berishës”. Ai nuk ka identitet të vetin politik, është sjellë me grupin e KOP-it nga Kosova bashkë me miq të tjerë të vajzës së Berishës, Argita Malltezit.

Lidhjet familjare me piramidën VEFA
Shtypi shqiptar ka ngritur edhe disa akuza mbi pasurinë në adresë të familjes së gruas së Bashës. Vjehrra e z.Basha ka lidhje familjare me Vehbi Alimuçën, ish-bosi i VEFA-s, e cila ka pasur investime edhe në Holandë. Sigurisht çdo hetim vështirësohet në kushtet e një shtetësie joshqiptare.