Lulëzim Basha ka qenë zyrtarisht përkthyes për hetuesin e eshtrave

0
30

Tefik Gashi, një ish-anëtar i ekipit të ekspertëve për skenat e krimeve të luftës në Kosovë, të drejtuar nga antropologu ligjor i OKB-së, Jose Pablo Baraybar, deklaroi dje në një prononcim për mediat se ministri Brendshëm aktual, Lulzim Basha ka qenë përkthyes i Baraybar në procesin që u hap ndaj tij në gjykatën e Prishtinës.

“Po, Basha ka qenë përkthyes në disa seanca, por vetëm në këtë rol. Nuk e di kush e kishte zgjedhur, por ka qenë për ne në cilësinë e përkthyesit nga anglishtja në shqip dhe anasjelltas. Ne kur flisnim ai mundohej të na shpërqendronte, por ne i thamë se ti je vetëm përkthyes dhe nuk ke kompetenca”, – deklaron Gashi. Gashi ishte një nga mjekët ligjorë që u shkarkua nga detyra pasi denoncoi vjedhjen e kockave nga Baraybar.

Ai thotë se antropologu ka shkelur etikën e punës duke marrë pa lejen e familjarëve kockat e viktimave të luftës “Ka ardhur edhe një tjetër mjeke nga Franca, nga Strasburgu, e cila ka mbajtur disa ligjërata dhe në bisedë e sipër është interesuar për disa eshtra. Në vendin ku kemi çuar eshtrat, zoti Baraybar ka bërë doktoraturën. Kështu, jemi informuar prej disa burimeve”, – tregon Gashi. Ndaj Baraybar është ngritur një padi penale, me të cilën po merret avokati Tomë Gashi, i cili thotë se Baraybar është larguar nga Kosova nga frika e përballjes me drejtësinë.

BARAYBAR

Eksperti i OKB-së, antropologu ligjor Jose Pablo Baraybar, me origjinë peruane që ka punuar në shumicën e skenave të krimeve të luftës në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë ka mundur të hyje dy herë në Shqipëri, duke u prezantuar si turist apo inxhinier rrugësh në shkurt të vitit 2004, për të vizituar “shtëpinë e verdhë”, në veri të vendit, e përmendur edhe në raportin e Dick Marty, për trafik organesh. Në një intervistë për gazetën “Le Temp”, një nga më të rëndësishmet në Zvicër, ai rrëfen si mundi të vijë në Shqipëri dhe se kush ishte përkthyesi që e shoqëroi. “Përkthyesi im quhej, Lulëzim Basha.

Ai punonte për Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Me pas u bë ministër i Punëve Publike në Shqipëri dhe e kam dëgjuar vitin e kaluar të thotë se kjo histori e organeve ishte broçkulla. Ndërkohë që unë e di që ai e di. Ai ishte me mua. Ai kishte dosjen”, – ka deklaruar Baraybar. Baraybar tregon për një dosje që i kishte rënë në dorë kur kish mbërritur në Kosovë, në vitin 2002 dhe një burim, siç thotë ai, i kishte dhënë një dokument shumë të saktë të “shtëpisë së verdhë”.

Pas publikimit të kësaj interviste, në një deklaratë për mediat, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha mohoi fort të ketë qenë përkthyes i mjekut Baraybar, sepse gjatë vitit 2004 ka punuar për UNMIK-un në Kosovë. “Deklarata është një gënjeshtër e trashë, s’kam qenë kurrë në asnjë ‘shtëpi të verdhë’, – tha ai. Për ministrin Basha, raporti i Dick Marty nuk është gjë tjetër veçse një ricklim i akuzave të ishkryeprokurores së Hagës, Carla Del Ponte.