Lulet e së keqes!

0
135

Kimete Berisha

Shqipëria është e frikshme, si një qosh i humbur e i harruar që kurrë s’e rrok dielli,
si nata pa hënë e pa yje;
si lumi pa kthim.
Shqipëria është e frikshme sidomos në verë.
Shqiptarët e Shqipërisë janë të ftoftë si shkëmbinjtë e kodrinat pa barë e pa lule;
janë si lule Puya që çel një herë në njëqind vjet;
si lulekuqja e bukur (që e ka zemrën e zezë) e që venitet nga një ‘huh’.
Nuk është punë rasti, është çështje mentaliteti, është problem psikologjik i tyre ‘materializmi’ dhe pangopësia.
Enverizmi ‘ka vdekur’ por ka mbijetuar komunizmi që mohon shpirtin dhe ndjenjat për njeriun.
Në Shqipëri ti vlen aq sa ‘kushton’, ose ti vlen aq sa ke, ti nuk vlen nëse ‘Je’ por vlen vetëm nëse ‘Ke’.
S’po dua të përmend fjalën krimogjen, por po them se është problem dhe deformim shpirtëror, shoqëror i tyre: prandaj është zor ta gjesh një ‘shok të shpirtit’ atje, sepse Zot i tyre nuk është Shpirti, por është paraja.
Shqipëria nuk duket bukur, as nuk është e bukur (me pa). Nuk duket bukur as kur bie terri, as kur lind dielli, as kur bie shi.
Secila lule në atë vend, secila pemë aty duket si një oazë në shkretëtirë, si uji që ia prish shkretëtirës bukurinë.
Si një vend i harruar që po e zbulojnë gërmadhat.
Por të dukesh e varfër, e shëmtuar dhe e vrazhdtë si ferra është natyrore, është normale të mos dukesh bukur, por s’është normale që ai vend gjithmonë dhe për çdo vjet të bën të ndjehesh i vrazhdtë, i padëshiruar, i shëmtuar dhe i frikësuar.
Kur thua Shqipëria nuk është e bukur, të marrin për ‘tradhtare’ e antishqiptare dhe e paguajnë me do lekë Brizidën me jaka të bardha e të gjata sa gjuha e bushtrës të të shajnë ‘serbisht’ e të të mallkojnë, ama, duhet të jetë normale që njeriut t’i duket vetja (e fëmiu i vet) i padokshëm që themi ne, ose i shëmtuar që thonë ‘ata’.
Shëmtinë nuk e shpëton as dashuria.
Kësaj here kur u nisa nga Prishtina për të kaluar nëpër Shkodër, e për të dalë në Mal të Zi, nuk e lava kerrin, me qëllim e lash të duket i vrazhdtë dhe i palarë si kriminelët që plaçkisin, vrasin e kërcënojnë turistët që duan t’i kalojnë pushimet në atë vend që vazhdimisht ‘e zbukuron’ dhe e balsamon si kufomën, poezia dhe reklama në TV.
Bregdeti shqiptar (përveç Sarandës) duket i bukur vetëm nga larg.
E kam lypur gurë më gurë por askund nuk e kam gjetur bukurinë e Shqipërisë të cilën na e kanë mësuar përmendsh në vjersha.
Edhe poeti kur i shkroi tiparet e Bukurisë shqiptare, i shkroi duke e shikuar mëmëdheun nga larg.
Nga larg gjithmonë dukesh më i ri dhe më i bukur seç je.
Ka disa vite që nuk i kaloj pushimet në bregdetin shqiptar dhe jam e bindur që secili shqiptar që t’i lavdëron ato vende, ato plazha (dhe ata njerëz ‘mikëpritës’) të rren.
E di që kanë nevojë për kohë që të ngihen ‘pare’ dhe nuk pret kush aristokraci shpirtërore nga ta, por deri atëherë jo veç kriminelët dhe hajnat (që janë shumë) por edhe menaxherët e hoteleve, banesave, apartmenteve, duhet të mësohen t’u thonë mysafirëve ‘rruga e mbarë’, apo ‘mirësevjen’.
Ose së paku të buzëqeshin si shenjë paqeje dhe qetësie.
Buzëqeshja të shëron.
Mos u tut.
Buzëqesh shqipe s’e s’bëhet nami.
Mbrrolat shqiptare janë misterioze dhe të pakuptueshme si mbishkrimet në guret e varreve egjiptiane. Ti (ose më mirë të them unë) kurrë nuk e kupton neverinë dhe prirjen e tyre negative ndaj teje.
Kurrë nuk jam kthyer nga Shqipëria pa u plaçkitur në një mënyrë a në një tjetër. Kësaj here kapërceva me 5 euro, ma shtën një akullore 5 euro. Kur më shkoi mendja të kundërshtoj, m’u kujtuan rastet e miqve të mij (vjet) që i ndoqën me makinë duke i kërcënuar me jetë deri në kalimin e kufirit.
Dhe, po do të bëhet traditë këtu ndër ne, që kush shpëton dhe kthehet shëndoshë e mirë verës nga Shqipëria, e qet një hallve si shenjë mirënjohje dhe falenderimi ndaj Zotit!

P.S. Ky shkrim u shkrua e prekur thellë me vrasjen e turistëve çekë në Shqipëri.

Kimete, i ke ra në të, ke shumë të drejtë të ndihesh e tillë, kjo shoqëri ka luajtur mendsh. Dhe unë nuk e gjej arsyen te komunizmi, se ai si ideologji nuk ka ndikim edhe aq në shoqëri, por te islamizmi. Në këtë vend, komunizmi është zëvendësuar me islamizmin, e shqiptarët nuk po dinë të orientohen, por po bëjnë përpjekjje dëshpëruese me e mbushë vendin me xhamia e me eZan me altoparlante, e barkun me djall… Ky vend e ky popull kultivon të keqen, e ka vrarë dashurinë! /AÇ