“Luftë” me zvarranikët

0
36

Nga Arbana Xharra, 22 Korrik 2013

Nuk janë vetëm ata zvarranikë që po iu futen përmes mureve të çara të shtëpisë, që dita- ditës mund t’iu shemben mbi kokë. Një fshat i tërë po ballafaqohet me frikën edhe nga një lloj tjetër Zvarranikësh Blu, të cilët sillen vërdallë pa u penguar nga askush.

Pamjet e jetëve çnjerëzore që janë duke bërë familjet në Karaçevë në brezin kufitar me Serbinë janë duke ndodhur në shtetin, ku politikanët e saj kanë shkëputur lidhjen me realitetin.

Këta banorë janë në Kosovën e 14 vjet pas luftës, të cilët hyjnë në natë e dalin në ditë në shtëpi me dysheme prej dheu në varfëri të skajshme, e të cilëve sa herë politika iu kërkon votën ata dalin për ta dhënë, me shpresë se do të presin ditë më të mira!

Po këta banorë vazhdojnë të mbesin të braktisur nga pushteti, të lënë të jetojnë jo vetëm me zvarranikët që hyjnë e dalin përmes mureve, por të mbijetojnë nën frikën e trysninë nga “Zvarranikët e armatosur” që sa herë duan hyjnë e dalin në territorin e Kosovës pa u penguar nga askush.

Këta 3200 banorët të cilët po jetojnë nën tytat e xhandarmërisë serbe, për pushtetin e Kosovës janë një “mëhallë” tek e cila nuk po iu bie rruga as për të kaluar.

E kjo “mëhallë” e harruar jo vetëm që e ka zor të mbijetojë financiarisht, por tashmë e lodhur nga frika e “zvarranikëve blu” kanë nisur të mendojnë për t’u shpërngulur nga aty.

Pesë vjet nga shpallja shtet i pavarur, banorët e kësaj ane jetojnë nën frikën nga prania e xhandarmërisë serbe, në shtetin ku zyrtarët e saj nuk e marrin mundin t’i vizitojnë për të parë jetesën nën gërmadhat që dita ditës mund t’i zënë përfundi.

Në mëshirën e askujt por duke besuar se dikush një ditë do t’ua zgjatë dorën, ata në hyrje të fshatit kanë vendosur flamurin shtetëror, kombëtar, të NATO-së, SHBA-ve dhe të Britanisë së Madhe, por as ky mesazh i cili është besuar se do t’u jap kurajë banorëve se “dikush i ruan” nuk po duket të ketë sjellë efekt. Pasi këta flamuj nuk janë me garanci për këtë zonë të Kosovës. Të fokusuar në politikat ditore dhe biznesin e tenderëve publikë, është harruar se këta mbi tre mijë banorë janë një fakt që dëshmon brishtësinë territoriale të vendit.

Ata kanë kufizuar lëvizjen e lirë prej kohësh për shkak të frikës se mund të përballen me xhandarmërinë serbe në çdo çast. Këta banorë ende besojnë se Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, nuk mund të ndodhë derisa “zvarranikët blu” hyjnë e dalin kur t’ua dojë qejfi. Por, si duket ende nuk e kanë mësuar një lajm, se pak kilometra larg tyre po rritet një lloj tjetër zvarranikësh, të cilët bëjnë çfarëdo pazaresh për të shijuar fuqinë e pushtetit.

Këta zvarranikë institucionalë mund t’iu hipin veturave të tyre të zeza e të veshur e pispillosur së paku për një pasdite të nuhasin erën e skamjes. Të shohin me sy banorët e asaj ane dhe t’iu lëshojnë një sy matanë bregut Zvarranikëve blu të pozicionuar në territorin e Kosovës.