ARTAN MULLAJ, 9 Prill 2013
Artan MullajTë kritikohet Ismail Kadare është normale! E kundërta nuk do të kish kuptim. Qasja e disave për t’u ndeshur intelektualisht me të madhin, është për t’u vlerësuar. E para, dëshmojnë ambicie tek zgjedhin me guxim të hyjnë në një betejë të pabarabartë. E dyta, këto qasje krijojnë një dinamikë të shëndetshme konflikti për palët, sidomos për shkrimtarin e madh. Edhe në plazmimet e tij më të skajshme të krijimit, Kadare nuk do mund të kish sajuar një përplasje të tillë, kaq të dobishme me veten. E treta, debati çdo herë ka gjithmonë diçka të pashlyeshme! Futja e të mëdhenjve në të, ndërsa këta sulmohen, për rrjedhojë mbrohen dhe sulmojnë edhe vetë, i zbret ata nga qielli, nga madhështia, i bën të gabojnë, i bën më të afërt, më të prekshëm dhe më tokësorë.
Dy analistë të njohur në Shqipëri, Mustafa Nano dhe Fatos Lubonja, kanë qenë, kush më shumë e kush më pak, kritikë koherentë të Kadaresë. Natyrisht, duke qenë edhe këta elitarë në median shqiptare, (por edhe sikur mos ishin të tillë), janë në të drejtën e tyre të thonë që as ai nuk është i përsosur. Në këtë botë askush nuk është i përsosur! Prandaj nuk ka njerëz të gjallë në muzeume. Thelbi i njeriut nuk është të mos gabojë në madhështinë ose në thjeshtësinë e vet.. Thelbi i njeriut është të krijojë dhe reagojë. Edhe fabulat më të bukura të përkryerjes njerëzore kanë në themelin e tyre jo përsosmërinë, por veprimin, reflektimin, krijimin, revoltën dhe kundërshtinë. Thelbi i njeriut nuk është pasja, nuk është fama, lavdia, por lodhja, ashtu si thelbi i jetës nuk është përjetësia, por trashëgimia dhe përmirësimi. Edhe vetë madhështia nuk është e përsosur,… madhështore është përpjekja për ta kuptuar dhe mos e përbaltur atë…
Ndërsa Kadareja kritikohet ndonjëherë për qasje nacionaliste, racizëm, ksenofobi, ajo që mund të thuhet me siguri është se, po, në deklaratat e tij ka një teprim të kujdesit për të qenë në anën e kombit të vet. Por cila mendje e shquar në histori nuk e ka tepruar në një gjë të tillë? Të kujtojmë klasikët e mëdhenj botërorë. Paanësia e Tolstoit për luftën mes Rusisë edhe Francës nuk ka qenë asnjëherë e sinqertë. Asnjëherë, Balzaku, autori i Komedisë Njerëzore, s’ka mundur të fshehë mes sarkazmës, adhurimin e pamposhtur për kombin e vet superior, ashtu si vështirë të ketë pasur shkrimtar si Hygoi i dëbuar nga Franca, të ketë adhuruar e përshkruar kombin e tij si një mbikomb. Madje, shkrimtarët e mëdhenj të kombeve janë ata që me fuqinë e tyre të trazimit të ndërgjegjes kolektive, kanë mbjellë, kanë zgjuar, kanë ndezur, kanë shpërthyer patriotizmin, por edhe nacionalizmin e shoqërive të tyre.
Janë pikërisht mendjet e shquara që e kanë futur përkatësisht Francën dhe Anglinë në një garë intelektuale dhe urrejtje të heshtur e të përjetshme.
Duke dashur të kultivojë te bashkëkombësit e vet më shumë dashuri për kombin, historinë dhe veten, Kadare ka edhe një motiv më shumë t’i fryjë zjarrit të shuar të patriotizmit. Cilin motiv? Atë, që shqiptarët janë në epokën më të errët të identitetit të tyre.
Kjo gjë, kjo fryrje, nga disa merret si një lloj nacionalizmi metaforik dhe ndoshta, edhe analistët që përmenda, janë në të drejtën e tyre të ankohen për ndenjen gjatë në të njëjtën llogore të shkrimtarit. Dilemës a kanë të drejtë në kritikat e tyre ndaj Kadaresë dy analistët e sipërpërmendur, të provokuar me sa duket prej “nacionalizmit” të shkrimtarit, apo “ksenofobisë” së tij, mund t’i bashkëngjitej një debat që gjithsesi duhet shmangur, sepse është i panevojshëm.
* * *
Gjithmonë ka një prirje të brendshme e djallëzore për të ruajtur në ndërgjegje edhe kundërargumentet e asaj që përpiqesh publikisht të bësh të tjerët ta besojnë. E kam fjalën për njerëzit publikë! Rrallë ndodh të jenë tërësisht të sinqertë në gjithë sa thonë në tribuna. Sidomos politikanët, pushtetarët. Arsyeja pse shumica e politikanëve mashtrojnë, është pikërisht ky dyzim djallëzor i vetvetes, që shpesh i del nga kontrolli.. Tjetër gjë thonë, tjetër gjë ruajnë në nëndije, pastaj ndodh pështjellimi. Të themi, kjo është muza që krijon çintegritetin tek ta. Në kohën tonë, gjithnjë e më rrallë e vërteta thuhet publikisht. Ata ngulin këmbë se thonë të vërtetën, atë, të kristaltën gjë, por përbrenda ruajnë opsione të tjera. Bie fjala, mendoni se Kryeministri Berisha është i sinqertë në delirin e shpërthyer rishtaz të nacionalizmit? Askush nuk e beson këtë gjë. Asnjë sinjal atdhedashurie nuk emetohet nga gjallësia e tij, gjatë fjalimeve. Por edhe sikur kjo gjë të besohej nga të tjerët, nuk e beson ai vetë. Prandaj kur ai flet për Shqipërinë e madhe, për epërsinë e shqiptarëve, për potencialin shpirtëror me të cilin ata dominojnë në Ballkan, zhuriten edhe gjethet e pemëve nga afshi i mashtrimit.
Tani të kthehemi te Kadareja. Në intimitetin e një krijuesi, në vetminë e tij, në krijim, kjo gjendje dyshuese nuk ekziston. E ca më pak në një letër personale, konfidenciale, të shkruar në intimitet dhe natyrshëm. Gjithçka rrjedh nga nëndija, në harmoni dhe në sinqeritet të plotë. Kur i tregova se si një vajzë e re nga Kosova, e dashuruar marrëzisht me një djalë serb, ndërsa bombat e NATO-s ndëshkonin Serbinë, më kish dhënë një ide për fillimin e libri të ri, Kadare e priti ftohtë projektin tim për romanin e radhës. Vajza kosovare, në presionin e gjykimit të simboleve, i duhej të zgjidhte mes lirisë dhe dashurisë, por për Kadarenë kjo gjë përbënte thjesht një përjashtim tragjik, dhe projekti duhej ndryshuar. Në përgjigjen e tij ai më shkruante: “Mund të skandalizoheni kur t’ju them se ideja për dashurinë e një vajze shqiptare (madje marrëzisht) me një serb, ndërsa bombat e NATO-s bien mbi Kosovë, është e mbrapshtë.
Unë di shumë fakte si u zhvillua ai bombardim nga qielli dhe çfarë ndodhte ndërkaq në tokë. Në tokë ndodhte hakmarrja serbe kundër shqiptarëve: masakër dhe përdhunim. Ka ditarë grash e vajzash për këtë, që burrat namuzllinj kosovarë nuk i lënë të botohen. Ngaqë ato gra dhe vajza janë përdhunuar shpesh përpara syve të tyre. Në këtë makth, asnjë vajzë normale shqiptare nuk mund të dashurohej me një serb. Një sadiste ose perverse, po. Në ditarin e një vajze (Valbona Krasniqi) përshkruhet tipi i një shqiptareje të tillë, që, duke pirë cigare, shqyhej gazit midis ushtarëve përdhunues serbë. Nuk e di ç’mund të ketë qenë farmacistja e Frankfurtit”.
Dhe në vazhdim Ismail Kadare më sugjeroi një projekt tjetër, atë të ndërrimit të roleve, në të cilin, vajza duhej të ishte serbe: “Neoprojekti. Një çift të dashuruarish shqiptaro-serbë. Djali shqiptar, vajza serbe. Jashtë bombardime, masakra, përdhunime. Ata e dinë ç’ndodh. Ata janë të mpirë. Vajza, me një ndjenjë të thellë faji, dëshpërimisht gjen zgjidhjen për të dalë nga mpirja. Një ditë i thotë: përdhunomë, merr hak për motrat, shoqet e tua. Dhe djali, pas mëdyshjes, ashtu bën. Dhe ata bëhen pjesë e tablosë makabre, në sens të kundërt. Dhe qajnë të dy!..”
Me vetëdije të plotë unë zbulova privatësinë e komunikimit tonë, për të treguar diçka sublime. Patriotizmi i një shkrimtari nuk mund të jetë “nacionalizëm” e ca më pak “ksenofobi” kur është kaq i shëndetshëm dhe sinqertë. Kadare këtu është i zbuluar, shpirt nën dritën e bardhë. Nuk është se në këtë shënim konfidencial është kujdesur t’i bëjë mbështetje akademike të drejtës shqiptare. (fragmenti është krejt origjinal). Këtu spikat dhimbja njerëzore, mbështetja shpirtërore i një njeriu të madh, të shqetësuar për kombin, vepra e të cilit, me sa duket, nuk do të meritohet kollaj nga bashkëkohësit e tij; është sinqeriteti i madhështisë, strehëza ku fshihet magjia e saj…