LUAN SHKURTA, IA KUSHTOI TËRË JETËN SHKOLLËS DHE DIJES

0
29

Nga : Prof. Murat Gecaj (x)

Mësuesi i palodhur Luan Rushit Shkurta, tërë jetën ia kushtoi shkollës dhe dijes. Punën e arsimtarit e filloi, kur ende s’i kishte mbushur të tetëmbëdhjetat dhe e vazhdoi atë për mbi 40 vjet me radhë. Punoi me përkushtim, mësues dhe drejtues në shumë shkolla të Përmetit. Kudo që shërbeu e jetoi, la pas emrin e mësuesit dhe drejtorit novator e tepër energjik.Ai ishte i lidhur ngusht me nxënësit dhe mësuesit. Me dijet dhe guximin e tij, theu barrierat dhe metodat e vjetra ,që e mbanin nxënësin ,mësuesin dhe prindin larg problemeve themelore të mësimit dhe edukimit.Kjo bënte që ai të arrinte rezultate të larta, kudo që punoi dhe të gëzonte miqësinë dhe respektin e tyre të përhershëm.
Luani lindi në Zhepovë të Përmetit, më 5 shkurt të vitit 1949, në një familje të nderuar, me tradita e kulturë. Mësimet e para i kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme pedagogjike e përfundoi në Tiranë. Për arritje të shkëlqyera, me të cilat ai u diplomua në këtë shkollë, emri i tij gjendej me shkronja të arta në qendër të kryeqytetit, ndërmjet maturantëve më të mirë të Shqipërisë, për brezin e tij. Motra e tij, Nafije Abazi ,që në atë kohë vazhdonte shkollën pedagogjike bashkë me të, tregon se e ndiente veten tepër krenare, që vëllai saj shkëlqente në të gjitha lëndët dhe që i ndihmonte pa u lodhur, jo vetëm atë ,por të gjithë shokët dhe shoqet e shkollës.
Krahas punës së përditshme në profesionin e mësikmdhënësit, Luani i nisi studimet e larta në degën histori-gjeografi, pranë Universitetit të Tiranës, të cilat i përfundoi me rezultate të mira.Falë këmbnguljes, aftësisë së vëçantë për të mbajtur mend dhe mundësive, që iu krijuan për të punuar e jetuar në disa vende të botës, ai mësoi të flasë dhe të shkruajë lirshëm gjuhën greke dhe italiane. Njohja e përsosur e këtyre gjuhëve të huaja dhe temperamenti i veçantë i tij,bënë që ai të krijonte një shoqëri të gjerë edhe përtej kufijve të vendit.
Kush jetoi dhe punoi bashkë me të dhe nuk iu gëzua miqësisë dhe shoqërisë së tij të rrallë. Kush u mat me Luanin dhe nuk e ndjeu veten “të mundur” nga forca e logjikës,puna e palodhur dhe pathyeshmëria e karakterit të tij ,për të kapërxyer çdo pengesë dhe vështirësi. I lexuar dhe me një kujtesë të jashtëzakonshme, ai kishte gjithmonë një këshillë optimiste për këdo që takonte. Luani ishte burrë i pamoshë dhe energjik, ndaj pleqërinë nuk e provoi kurrë.
Por, fatkeqësisht, pas një sëmundjeje të pashërueshme,pikërisht natën e 14 tetorit të këtij viti , mësuesi dhe edukatori i paharruar, Luan Shkurta u nda përgjithmonë nga jeta.Ishte e vështirë t’i thoshe “lamtumirë”, sepse ai kurrë s’do ta pranonte atë! Megjithatë , me qindra ishin njerëzit, që kishin ardhur për ta përcjellur për në banesën e fundit, nga brenda dhe jashtë vendit.
Udhëtoi për 18 orë ,nga Italia në Shqipëri,për të dhënë shpirt i qetë, në vendin e shtëpinë e tij, në tokën amtare. I bindur se la pas gruan e tij fisnike dhe të fortë, Trëndelinën ,tre fëmijët e mrekullueshëm, Almën,Cenin dhe Kelën ,si dhe shumë nipër e mbesa, që i donte dhe e donin aq shumë! Me humbjen e tij, fëmijëve do t’u mungojë babai i tyre i shtrenjtë dhe udhërrëfyesi për të ndjekur drejtimin e duhur në jetë. Bashkëshortes do i mungojë krahu i saj i djathtë, motrave e vëllezërve vëllai i madh, që dinte t’u qëndronte pranë, në ditë të mira e të vështira,ndërsa shkollës dhe arsimit, por dhe prindërve të nxënësve, mësuesi dhe drejtuesi i përkushtuar.
Luan Shkurta la pas emrin e tij të mirë .Ndaj,nga goja e të gjithë atyre, që e njohën, del ngushëllimi kuptimplotë: Qoftë i paharruar përjetë!

Tiranë, tetor 2015

—————————————–
(x)Sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë