Luan Rama – Jean Moreas, arvanitasi që themeloi Simbolizmin (Poeteka, 2005)

0
49

JEAN MOREAS, ARVANITASI QË THEMELOI SIMBOLIZMIN

Luan Rama

“Nëse vdes,
dëshiroj të vdes jo nga plumbi,
por nga goditja e një shpate
të gjatë e të hollë”.

Do të ishte një shkrim i poetit të madh francez Gijom Apoliner (Guillaume Apollinaire) botuar në Bredharaku i dy brigjeve që do të zgjonte tek unë kureshtjen për të madhin Zhan Moreas (Jean Moreas) siç e njihnin francezët, apo Jani nga Morea siç e kishte françizuar emrin ai, pasi Moreas në fakt quhej Jani Papadiamanti. “Grek nga Athina dhe me origjinë shqiptare, nga e ëma, – shkruante Apollinaire, – Moreas ishte i tillë edhe nga i ati. Atij i pëlqente të bënte të njohur se mbiemri i tij i gjatë, që fshihte një pseudonim të pëlqyeshëm për veshin e francezëve, nuk ishte veçse një formë e helenizuar e emrit shqiptar Diamanti… Nga trungu i familjes së tij, ai kishte gjysh komandantin e lavdishëm të flotës greke, Tombazi, trimëritë dhe betejat e të cilit i dhanë atij një emër të famshëm, në kohën kur grekët ngritën krye më 1821 për të shpëtuar nga pushtimi otoman. Detari i pathyeshëm pati idenë e vënies së zjarreve në anijet turke, që i shkatërruan aq shumë ato dhe që nxitën heroizmin e Kanaris. Ai më fliste për detarët hidriotë dhe ishullin e bardhë, Hidrën, të banuar nga shqiptarët, që kurrë nuk i kishin lënë turqit të zbarkonin atje…”

Rrënjët e Moreas ishin bota arvanitase e ngjizur me shtegtimin dhe fatet e historisë së dy popujve, rrënjë për të cilat shkruan shpesh në poezitë e tij. Ishte nostalgji që do ta ndjekë gjatë gjithë jetës në Perëndim gjer ditën kur do të vdiste, si një pelerin dhe europian njëkohësisht. Moreas ishte vetmitar, edhe pse ishte një nga këndonjësit më të mëdhenj të dashurisë në kohën e tij. Ky “dandy” i ardhur nga brigjet e ngrohta të Mesdheut, me një nerv të habitshëm poetik dhe imagjinatë të jashtëzakonshme shpejt u bë i njohur në rrethet letrare të Parisit ku nuk mund të hyje kollaj. Ishte pena e tij e artë, vargu metaforik, poezia e tij e çliruar dhe simbolike, larg standardeve të vjetra “parnasiene” që bënë ngjitjen e shpejtë të këtij ylli poetik në qiellin e poezisë më të rafinuar të botës. Miq të tij ishin Paul

Verlaine apo Stephane Mallarmé e një brez poetësh të tjerë të mëdhenj që e patën atë si një yll polar, udhërrëfyes në udhët e një poezie të re që ai dhe miqtë e tij vendosën ta quanin simbolizëm. Është interesant fakti që në gazetën më të njohur të asaj kohe Le Figaro, më 18 shtator të vitit 1886, shkruhej : “Që prej vitesh shtypi parizien po merret shumë me një shkollë poetësh e prozatorësh “dekadentë”. Poeti i vëllimeve poetike Syrtes dhe Cantilenes, Jean Moreas, një nga më të dukshmit ndër ta, revolucionari i letrave, formuloi pas kërkesës sonë principet themelore të kësaj risije të re artistike”. Pikërisht në këtë datë historike të krijimit të shkollës së re të simbolizmit, Moreas shkruante: “Si të gjitha artet, edhe letërsia zhvillohet: një evolucion ciklik me kthime të përcaktuara dhe që ndërthurin në vetvete ndryshime që i sjell ecuria e kohërave dhe vetë ndryshimet e jashtëzakonshme të mjedisit… Ne kemi propozuar ta quajmë simbolizëm si e vetmja shkollë që mund të përcaktojë qartë tendencën aktuale të shpirtit krijues në art. Për të ndjekur rrjedhën e kësaj shkolle të re, duhet të shkojmë gjer te disa poema të Alfred de Vigny, gjer tek Shakespeare, mistikët apo më larg akoma. Këto çështje do të kërkonin një vëllim të tërë komentesh. Por le të themi se Charles Baudelaire duhet të konsiderohet si prekursori i vërtetë i
lëvizjes aktuale; Stephane Mallarmé, pjesë e këtij misteri poetik dhe i asaj që s’mund të shpjegohet. Paul Verlaine i theu me guxim pengesat e tmerrshme të vargut…”

Në këtë manifest të shënuar që nuk e ka humbur aktualitetin e vet, Moreas ngrihet kundër romantizmit e natyralizmit duke kërkuar një varg të ri më të zhdërvjellët e të lirë nga rima e detyruar dhe në distancë ndaj realizmit: “Arlike e skolastikës, e deklamimit, e ndjeshmërisë së rreme, e përshkrimit objektiv, poezia simbolike kërkon të mishërojë idenë me një formë të ndjeshme, e cila nuk do të jetë qëllim në vetvete…” Kështu, Moreas, lajmëroi një evolucion të ri të botës letrare apo një përmbysje të peizazhit letrar, i cili në të ardhmen do të prezantohej në një formë të re. Që nga koha e botimit të këtij manifesti e gjer në vdekjen e tij, Moreas, do të jetë një udhërrëfyes i madh i poezisë moderne. Apollinaire e shihte atë si atin e vet shpirtëror. Të gjithë e adhuronin poetin e madh, madje dhe Oscar Wilde që ato vite kishte gjetur strehë në Paris, pranë Odeonit. «Një mbrëmje, i ndodhur prapa Moreasit, Oscar Wilde e pa atë duke ecur dhe thirri: “Shiheni, ai po vozit!”… Moreas shkonte i menduar duke lëvizur krahët e tij të mbledhur si të një lundërtari që largon valët nga barka, në mënyrë që ajo të shkojë përpara. Kështu, në tokën magjike të Kolkidës, argonautët kërkuan lëkurën e dashit të artë». Në kulmin e lavdisë së tij në Paris, Moreas, i deklaronte biografit Byvanck: “Unë kam qenë gjithnjë një rebel. Në fakt, unë nuk i përkas racës greke. Familja jonë fisnike është me origjinë nga Epiri. Ajo quhet Papadiamantopulos, që vjen nga mbiemri Diamanti. E kërcënuar nga mizoritë turke, familja jonë e la atdheun nga fillimi i shekullit XVIII dhe u vendos në More, në Peloponez. Familja jonë i ka dhënë shumë pavarësisë greke. Babai im jetonte në Athinë, në rrethin e princit bavarez, mbretit Othon… Dhe pikërisht në këtë kohë nis rebelimi im.”

Por, cili ishte në fakt Jani Papadiamanti nga Morea?
Historia e familjes së poetit është e mbushur plot fakte e ngjarje trimërie. Rrënjët e saj ishin fillimisht në Margëlliç të Çamërisë. Por, pas mizorive turke, gjyshi i tij u vendos në Patras, ku shpejt u bë i pasur. Si shumë shqiptarë të tjerë, pasurinë e tij ai e vuri në shërbim të revolucionit grek që do të paralajmëronte dhe çlirimin e Shqipërisë. Madje ai ishte nga të parët që nisi revoltën kundër otomanëve gjersa ra hero në Mesallongj, ashtu si dhe Boçari. Në atë kohë mbreti Othon kishte ngritur një kolegj në Mynih për bijtë e heronjve grekë të rënë në Mesallongj. Kështu i ati i tij, Adamandio, u rrit me kulturë gjermane. Ai bëri studimet për drejtësi në Heidelberg dhe në Berlin, u rrit me poezitë e Heine-s, Schiler-it dhe Goethe-s. Më 1854, Adamandio u martua me të bijën e admiralit të famshëm shqiptar Tombazi, që me anijet hidriote u bë tmerr i otomanëve. Vajza e tij quhej Parashqevi apo Shqevo Jurdi, nga Hidra.

Jani nga Morea lindi në prill të vitit 1856 dhe si shumë arvanitas u rrit në një shtëpi në lagjen Plaka, rrëzë Akropolit. Rininë e tij e kaloi nëpër rrugët që të çonin në sheshin Omonia dhe Stygmatia, që do t’i kujtojë më pas në poezitë e tij Buzë një deti kam lindur:

Buzë një deti kam lindur
Ngjyra e të cilit është më e ëmbël se e safirit oriental
Zambakët mbi rërë gëlojnë…
Vallë portreti yt i trishtë
Në zambakun e zbehtë të detit të vendlindjes…?

Që i ri dallohet për prirjet e tij poetike. I këndon Hidrës dhe Sulit, që siç shkruan ai “është një kushmar për Ali Pashë Tepelenën”. Në tregimin e shkurtër Kështjella e të bukurës ai flet për atë “zonjë të mbrojtur nga luftëtarët me pushkë të gjata shqiptare”, dhe “kur kështjella do të pushtohej me dredhi, zonja, që të mos bjerë në duart e armiqve, hidhet në greminë”. Një variant i ngjashëm me legjendën e kështjellës së Gjirokastrës. Ai shkruan poezi dhe parapëlqen kulturën franceze, veçanërisht Beaudelaire-n. Më 1878 botoi në Athinë vëllimin poetik Turtulleshat dhe gjarpërinjtë me pesë kapituj, në frëngjisht. Babai i tij ishte i pasur, prokuror i Gjykatës së Kasacionit të Athinës, kështu që ai nuk përjetoi as mjerimin e Verlaine-së apo Beaudelaire-it dhe as vuajtjet dhe marrëzinë e Rembaud-it. I ati donte që ai të bëhej jurist e jo poet, kështu që e dërgon për studime në Gjermani. Por, në vend që të studionte drejtësinë ai merrej me Heine-n, Schopenhauer-in, dhe sidomos me Goethe-n e Nietzche-n, të cilëve do t’u referohet gjithnjë. “Unë i lashë studimet për drejtësi për shkak të demonit tim poetik që më kishte pushtuar të gjithin”. Në moshën 22 vjeçare, ai u zhduk nga familja dhe bëri një arratisje të çuditëshme me tren nëpër Itali, duke qëndruar në Bolonjë, Firence e gjetkë, dhe duke shijuar shumë lloj aventurash. Për Moreas kishte filluar aventura e tij evropiane.

Ai zbriti në Marsejë më 1879 dhe pak kohë më pas u shfaq në Paris, për të ndjekur studimet për drejtësi, por që shpejt i ndërpreu, për të hyrë në mjediset poetike të Montparnasit dhe të Montmartrës, ku rrinin poetët, piktorët e muzikantët e famshëm të mbledhur nga e gjithë bota. Në fillim, djaloshi nga Athina kishte një pamje levendi dhe me një kapele të madhe kalabreze, por më pas veshja e tij u thjeshtua dhe ai mbajti vetëm mustaqet. Legjendat e ndiqnin pas, sepse njerëzit shpejt e morën vesh se ai vinte nga një familje heronjsh të pavarësisë greke. Në atë kohë ai vendoset në një shtëpi në Montmartrë dhe netët i kalon kafeneve, ashtu si dhe Oscar Wilde ca vite më vonë. Duke ju referuar kësaj periudhe, në librin e tij Jeta e përditshme në Montparnasse, shkrimtari Paul Crespelle, lidhur me Jean Moreas, përmend kafe-restorantin “Closerie de Lilas”, një nga vendet mitike të parnasienëve dhe artistëve të tjerë parizianë. Pikërisht në Closeri atë e kishte takuar dhe poeti i ri shqiptar Arif Dino, adhurues i Rembosë, që atë kohë do të vihej në gjurmët e Apollinaire e më pas do të shkruante “galligrames” e tij. “Closerie, – shkruan Crespelle, – ishte e përzgjedhura e letrarëve. Aty kishin kaluar Verlaine, Strindberg, Jean Richepin, Oscar Wilde… I vetmi që i mbeti besnik kafenesë së vjetër ishte Moreas. E thërrisnin Matamoreas. Me monokle në sy dhe mustaqet e lyera e të ngritura si të Dalisë, i adhuruar nga një sërë poetësh të rinj, ai shpesh u jepte këshilla ironike: “Mbështetuni fort në principet e poezisë!”… Atë kohë, si shumë artistë të Montmartre edhe Picasso-s i pëlqenin tubimet në “Closerie”.

Kur ai hynte, Moreas e pyeste: “Më thuaj zoti Picasso, Velasquez, a ishte vallë një piktor i mirë? – dhe i largohej duke qeshur pa pritur përgjigjen e tij… Shpesh ndihej zëri i tij që dominonte zhurmën e bisedave. Ai deklamonte strofat që dikur kishin bërë lavdinë e tij. Askush nuk çuditej nga fantazitë e Moreas. Madje kamerierët e “Closerie” filluan të shpreheshin në vargje: “Mjeshtrit Moreas, një kafe po i sjell!”. Shpesh ai kishte shprehje të habitshme. Një ditë, duke hyrë në kafene, pasi i hodhi një sy sallës u kthye mbrapsht dhe duke u larguar tha: “S’paska njeri!” – Në fakt, në kafene, mes njerëzve, ishin aty Trocki dhe Lenini. Këtë histori të vërtetë, pas së cilës Bourdelle që jetonte në Montparnasse, shkrihej i tëri, ma kishte treguar vajza e tij. “Closerie” ra në zi kur Moreasi vdiq atë fund marsi të vitit 1910. Qindra poetë, artistë e shkrimtarë e ndoqën arkivolin me lotë në sy gjer në “Père Lachaise”. Apollinaire qante me lot të nxehtë…”

Ky njeri që e fliste frëngjishten shkëlqyeshëm, shpejt u bë i njohur në rrethet letrare. Më 1884 ai botoi vëllimin poetik Les Syrtes (Gjiret e Sirtës) dhe më 1886 vëllimin tjetër Les cantilenes. Pikërisht atëherë kur hodhi bazat e “simbolizmit poetik francez” dhe ku fshikulloi ekseset e “parnasieneve” të mbledhur në Montparnas, një luftë e ashpër do të zhvillohej mes tij dhe poetëve të tjerë. Paul Verlaine, e mbështeti atë menjëherë. Pranë Moreas shpejt u mblodhën poetë të rinj, kështu që beteja letrare u zhvillua në favor të tij. Ai tentoi të shkruajë dhe një roman simbolist, Zonjushat Goubert, që siç duket nuk i rezistoi historisë. Në fillim të vitit 1891 ai u veçua nga simbolistët dhe bashkë me poetin tjetër Charles Mourras, themeloi “shkollën romane”, (“Ecole romaine”), duke kërkuar që fjala poetike të kthehej në burimin e pastër të gjuhës së Racinit dhe të Rabelesë, që poezia e asaj kohe të vështronte nga poezia klasike e greko-romake. Më 3 shkurt 1891 ai festoi botimin e vëllimit poetik Pelerini i pasionuar. Në këtë “soiré” që e drejtoi poeti tjetër i madh Stephane Mallarmé e ku merrnin pjesë Anatole France, Paul Gaugin, etj, Mallarmé ngriti lart figurën e mikut të tij Moreas.

Një epokë më vete përbëjnë vitet kur Moreas jetonte në Montmartre, i dashuruar me këtë lagje të famshme, që artistët e kishin bërë strehë të tyren. Historitë dhe aventurat e tij me femrat ishin të shumta. Tashmë mbante mjekër që t’i përngjante poetit të madh Alfred de Vigny. Në Pigalle, kafeneja “Chat Noir” (“Maçoku i zi”) është edhe sot e kësaj dite në të njëjtin vend. “Gallimard” në një vëllim poetik kushtuar këtij vendi mitik, ka botuar dhe një poezi të Moreas titulluar Montmartre, e shkruar më 1882:

Dua një dashuri plotë lotë e ngashërime
një dashuri të trishtë si një qiell vjeshte
një dashuri si një pyll i mbjellë me if …1

Moreas ishte një poet tepër sensual dhe erotik. Poezia kushtuar Magit, A Maggy, mbahej si një ndër poezitë më të bukura të atyre viteve. Por, Moreas nuk ishte vetëm një dashnor i ëmbël. Ai kishte një karakter burrëror dhe ishte trim. Gjatë luftës greko-turke, si dikur paraardhësit e tij, edhe ai kërkoi të shkonte në frontin e luftës. «Nëse vdes, – thoshte ato ditë ai, – dëshiroj të vdes jo nga plumbi, por nga goditja e një shpate të gjatë e të hollë». Edhe vdekjen Moreas e donte të bukur dhe heroike, si në tregimet legjendare.

Në fillimet e shekullit XX, Moreas banonte në një shtëpi në Bulevardin “Saint-Marcel” Nr.53. Ai tashmë ishte mik shumë i afërt me Paul Verlaine. Në një letër që i shkruan nga “Maison Dubois”, jashtë Parisit, ai e njofton Verlaine-in, se para se ta botojë variantin e ri të vëllimit “Pelerini i vonuar”, ai do t’ia dërgonte që ta lexonte. Megjithëse miq, Verlaine dhe Moreas ishin rivalë të njohur në botën poetike franceze. Shpesh, Moreas, do t’i referohej poezisë greko-romake, duke u kënduar heronjve të antikitetit grek, Hektorit, Ajaksit, Zeusit dhe Afërditës, Edipit, etj., duke iu referuar gjithnjë tragjedianit të madh Sofokli, Sokratit, Homerit dhe muzave greke. Në këtë kohë ai shkruan pjesë teatrale për teatrin e themeluar nga Molieri, “Komedinë Franceze”. Më 1906 teatri “Trianon” i Parisit, organizoi një mbrëmje për veprën letrare të tij. Shpesh, ai shkonte në “Cafe de la Regence” pranë teatrit të famshëm francez, ku mblidhej me miqtë e tij. Ishte gjithashtu një kritik dhe njohës i thellë i Racine, La Fontaine, etj.

Me shkrimet e tij ai i ngriti himn poetit Ronsard, poetit që i këndoi aq bukur lavdisë së Skënderbeut. Shkrimet e tij ishin të njohura nga botimet në Mercure de France, Gazete de France, etj. Bota letrare e njihte dhe si njohës e kritik i artit shekspirian. Moreas boton gjithashtu dhe shkrime për Nietzche, Goethe, ese për Victor Hugo, Corneille, Alfred de Vigny, Lamartine, etj. Shumë letra ruhen sot nga korrespondenca e tij me Anatole France, André Gide apo Stephane Mallarmé, etj. Por, ai e donte shumë teatrin e sigurisht, aktorët. Më 1907 botoi pjesën e tij më të njohur teatrale Ifigjenia, e cila u shfaq nga trupa e “Komedisë Franceze” në shumë vende të botës. Moreas e shoqëroi trupën teatrale në shumë kryeqytete të Evropës. Po atë vit, pjesa u shfaq në stadiumin antik të Athinës, ku ishte e pranishëm dhe familja mbretërore.

Atë kohë Moreas njihej ngado në Montparnasse. Ai banonte në 35, “Rue Madame”, dhe më pas në 129, “Avenue Orleans” apo në “Petit-Montrouge”, një lagje afër “Porte-Orleans”. Ndërkohë, shumica e artistëve kishin ikur nga Montmartre dhe kishin zbritur në Montparnasse. Atë kohë gjendja shëndetësore e Moreasit vazhdonte të rëndohej. Më 7 dhjetor 1906, në një letër që i kishte dërguar të vëllait në Athinë, ai shkruante: “I dashur vëlla. Çdo ditë e më shumë jam i sëmurë. Lavdia ime këtu po rritet dhe ju duhet të jeni krenarë për këtë. Por, jeta ime po mbaron…”

Trishtimin e kësaj periudhe, ai e ka kënduar dhe në një nga poezitë e tij: Njëlloj si të vdekurit jam.

Njëlloj si të vdekurit jam,
Si një burim i shterur, horizont i errët,
Si lulja pa gjethe, e kalbur,
Në një lëndinë të zverdhtë.
Jam si pema që e presin në një pyll të zhveshur
Në një pyll të trishtë e mortor…

Në këtë kohë ai boton vëllimin poetik Les stances (Strofa poetike), ku shpalos kulmet e tij poetike apo “poezinë e madhe”, siç do ta vlerësojnë më pas kritikët letrarë. Gjer në fund të jetës së tij, Moreas mbeti një figurë e simbolizmit poetik francez. Në një letër të shkruar në prag të vdekjes ai thotë: “Ne na duhet një poezi e sinqertë, e fuqishme dhe e re. Me një fjalë që të çojë në pastërtinë dhe dinjitetin e parardhësve të vet”. Më 1909, kur Franca e kishte nderuar më së fundi me dekoratën e lartë “Officier de la Légion d’Honneur”, ai shkruan testamentin e tij, ku kërkonte që trupi i tij të digjej dhe pasuria e tij të përdorej për shpërblimin e një çmimi letrar poetik që do të jepej çdo vit. Në mars të vitit 1910, i rrethuar nga turma që adhuronte poetin e madh, tashmë me kombësi franceze, ai vdiq në spitalin e Saint-Mande në periferi të Parisit. Kështu iku nga kjo botë Zhan Moreas apo Jani nga Morea, poeti i Pelerinit të Pasionuar, autori i poezive të njohura Midis gështenjave, Jam njëlloj si të vdekurit, Kur vij të ulem apo Buzë një deti kam lindur.
Trëndafilat që doja çdo ditë petalet hedhin
Zefiri për shumë kohë ka fryrë
Është radha e të tmerrshmit Aquillon2 që t’i fryjë tashmë lumenjtë
(“Stances”)

Apollinaire do ta kujtonte me dhimbje ditën kur i shkonte në shtratin e vdekjes, aty në atë dhomë blu, me dy dritare, e ku tutje dukej pylli i Vincennes. “Unë nuk pashë më nga Moreas, veçse një fjollë tymi dhe imagjinova zemrën e mikut tonë të rrethuar nga flakët. Ajo zemër e zjarrtë digjet ende…”
Pothuaj një shekull ka kaluar nga vdekja e tij, por poezia e Moreas që ka hyrë në fondin e poezisë së artë, tingëllon mjaft moderne, e bukur dhe metaforike, ngjizur në drithmë dhe simbolikë klithëse. Edhe pse vonë, është radha e shqiptarëve që ta sjellin këtë poet dhe në Panteonin e poezisë së tyre. Përshëndetje, pelerin i vonuar!…

(Publikuar në “Poeteka”, Dhjetor 2005)

– – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – –

Shpërfillja e detajeve – Shtojcë nga S. Guraziu

Para se ta bashkëngjes ciklin e poezive të Moreas… le të shohim çfarë thuhet për Moréas, Jean në “Encyclopedia Britannica” (për mua enciklopedia më prestigjoze e botës… më e besueshmja – unë madje hyra më thellë në enc. britannica për të parë dhe “article revision” – një “screenshot” ose grafikë po e ngjes këtu më poshtë – askund nuk përmendet “arvanit”, as “prejardhje shqiptare” as gjë…
Derisa Wikipedia si enciklopedi është “free source” dhe materialet editohen nga kushdo (le të shprehem ashtu) vallë pse t’mos figuronte një detaj aq i vogël në Enc. Britannica, tekefundit thjesht sepse si detaj vinte dhe nga Guillaume Apollinaire… !!!)

Jean Moréas, pseudonym of Yánnis Papadiamantópoulos (born April 15, 1856, Athens, Greece—died March 31, 1910, Paris, France), Greek-born poet who played a leading part in the French Symbolist movement.

Early inspired by a French governess who instilled in him a passion for French poetry, Moréas moved to Paris in 1879, becoming a familiar figure in the literary circles frequenting the cafés and in the literary pages of newspapers and reviews. He published two manifestos, one in XIXe Siècle (Aug. 11, 1885) and one in the literary supplement of Le Figaro (Sept. 18, 1886), that helped establish the name Symbolism for the movement that was growing out of and replacing Decadence. In 1886, with Gustave Kahn and Paul Adam, he founded the periodical Le Symboliste.

Before Moréas immigrated to France, he published one volume of verse, Tourterelles et vipères (1878; “Turtledoves and Vipers”), in Greek and French. His first wholly French volumes, Les Syrtes (1884) and Les Cantilènes (1886), were firmly embedded in the Decadent and Symbolist aesthetics. In the preface to Le Pèlerin passioné (1891; “The Passionate Pilgrim”), however, Moréas began to forsake Symbolism; there he called for a return to the spirit of classicism. Moréas founded the école romane (“Roman school”) and, with his disciples Raymond de la Tailhède, Maurice du Plessys, Ernest Raynaud, and Charles Maurras, reverted to classical forms and subject matter; free verse was abandoned and classical sources of inspiration were used. Énone au clair visage (1893) and Eriphyle (1894) are representative of Moréas’ work during this period; along with other poems, they were later collected as Poèmes et sylves, 1886–1896 (1907; “Poems and Forests”). Moréas wrote a verse play, Iphigénie à Aulide (1903), which was closely inspired by Euripides and which met with considerable success when presented in the théâtre antique of Orange and subsequently on the stage of the Odéon in Paris. In Moréas’ last work, Les Stances (1899–1920; “The Stanzas”), his intellectual development is chronicled with a vigorous yet melancholy classicism.

Çfarë thuhet për Moréas në Wikipedia (Free Encyclopedia)

Jean Moréas (French: [mɔreas]; born Ioannis A. Papadiamantopoulos, Ιωάννης Α. Παπαδιαμαντόπουλος; 15 April 1856 – 30 April 1910), was a Greek poet, essayist, and art critic, who wrote mostly in the French language but also in Greek during his youth.

Biography
Moréas was born into a distinguished Athenian family. His ancestors included two well-known men of the Greek War of Independence, namely his paternal grandfather and namesake Ioannis Papadiamantopoulos (1766–1826), born in Corinth but of ultimately Epirote ancestry, (he was executed after the fall of Missolonghi) and his maternal granduncle Iakovos Tombazis (c. 1782–1829), a renowned Arvanite from Hydra, who became one of the first admirals of the Greek navy. Moreas’s father was Adamantios Papadiamantopoulos, a judge, scholar, and poet. He received a French education, and went to Paris in 1875 to study law at the University of Paris. While in France, he began associating with literary circles, and became acquainted with Les Hydropathes, a group of French writers that included Alphonse Allais, Charles Cros, Guy de Maupassant, and Léon Bloy. He was also an acquaintance of the Greek artist Demetrios Galanis and the Romanian poet Ion Minulescu.
Works
Moréas published poetry in his publications Lutèce and Le Chat noir, and collected his poems into two editions, Les Syrtes (“The Sandbanks”) and Cantilènes, which were strongly influenced by Paul Verlaine.
He was initially a practitioner of the style of Symbolism, and wrote the Symbolist Manifesto (1886), which he published in the newspaper Le Figaro, partly to redeem the reputation of the new generation of young writers from the charge of “decadence” that the press had implied. He was considered one of the most important Symbolist poets until the early 1890s.
In 1891, as Symbolism became more openly associated with anarchism, he published Le Pèlerin passioné which rejected Northern European and Germanic influences, such as Romanticism (as well as some aspects of Symbolism), in favor of Ancient Roman and Ancient Greek influences. This work helped initiate the École Romane, the aesthetic of which provided Charles Maurras with the ideology necessary for the far-right philosophy Action Française.
Moréas also wrote Les Demoiselles Goubert, a novel, in association with Paul Adam. His most important publications were:
Les Syrtes (1884), Les Cantilènes (1886), Le Pèlerin passioné (1891), Stances (1893), Contes de la vielle France (1904)

– – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – –

Përrallë dashurie (VII)

Dimër : thëllimi vajton
Dëbora pemët mbulon
Dhe në zëmrat tona dashuria ime e mjerë
Dëborë do të bjerë, dëborë…

Dje : djejtë të verdhë ishin
Dje, verë ishte ende.
Ishte uji që rridhte në verrishtë
Nën misërishten e mbjellur në luginë qe.

Dje ishin zambakët e bardhë, rozë,
Zambakët e artë që përskuqeshin
Dhe nesër : do të jenë pasrozët1
Dhe ifët2 vajtues do tunden.

Duke tundur jeshillëkun e dëndur
Mbi lumturitë tona të varrosura ;
Nesër do të jetë vallja makabre
E kujtimeve me ball të zbehtë ;

Nesër do të jenë dyshimet, frikat,
Dëshirat e martirizuara,
Nesër gjumi pa shtrëngimin tënd do të jetë
Dhe zgjimi pa puthjet e tua…

Një tufë…

Një tufë kurtizanesh të reja e të hijshme
Kërcejnë dhe qeshin në pyllin e shpirtit tim,
Një druvar fjalëpakë dhe i çmëndur qëllon
Me spatën e tij në pyllin e shpirtit tim.

A nuk kumboi lira tri herë
Nën gishtërinjtë e mij, (Qëllo druvar !)
A nuk ishte shpirti im, si ai që nget kuajt e shpejtë ?
(Qëllo druvar ! Qëllo !)

Kur të vij të ulem ballë erës…

Kur të vij të ulem natën ballë erës
Buzë shkëmbit vetmitar,
Kur duke të dëgjuar
Zhurmën e zëmrës sime s’do ta ndjej më mbi tokë,

Mos u kënaq Oqean
Të hedhësh mbi fytyrën time pak shkumë :
Të më marrësh duhet, shpejt me një dallgë
Që të fle në hidhërimin tënd.

Investiturë

Përgjatë kangjellave të parkut ne shkojmë
Në kohën kur Arusha e Madhe zhduket ;
Dhe ti do të mbash zambakun në mes të flokëve
Sepse kështu dua,
Lulen që quhet zambak.

Sytë e tu do të vështrojnë sytë e mi ;
Kur Arusha e Madhe do zhduket. –
Sytë e mi do të kenë ngjyrën
E lules që quhet zambak.

Sytë e tu do të vështrojnë sytë e mi
Dhe gjithë qënia tënde do të luhatet
Ashtu siç thuhet se shkëmbi mitik hepohej
Nga prekja e lules së quajtur zambak.

Mërsinë e bardhë këpusni në lirishtën e Athinës

Mërsinë e bardhë këpusni në lirishtën e Athinës
Jasminin në Nimes ;
Në Lille e në Paris, trëndafilët kryelartë
Bien vetë në dorën tuaj.
Në Martigues, vendin e kaltërsisë,
Shkoni të këpusni dhe lulet e pellgjeve
Për të bërë një kurorë o miq,
Të më zbukurojë e më ruajë ndër kohra.

Nevermore1

Ajri që pikon në brymë
Si një sy qan.
Le të mbajmë zi, të mbajmë,
Për atë ç’ka jetuam.

Rrebeshi rreh asfaltin
Si dallga mbi një shkëmb
Dhe ngremë kështu qivurin
E gjithçkaje ne qemë.

Oh, mos shkojmë motra ime e mjerë,
Si një fëmijë që kundërshton
Në tmerrin e stuhisë.

Të ëndërrojmë akoma ëmbëlsinë
Ëmbëlsi të jetës dhe girlanda
– Dimrin kosit shkurajat.
(Les cantilenes)

Poemë lirike

Mos thuaj: jeta është një gosti e gëzuar
Apo se jeta është e kotë dhe e poshtër.
Mos thoni sidomos : se ajo është fatkeqësi pa fund,
Se nuk ka kurajo dhe se lodhet shumë shpejt.
Qeshni si degët e pemëve që tunden në pranverë,
Qani si thëllimi, apo vala në breg,
Shijoni gjithë kënaqësitë dhe vuani të gjitha dhimbjet
Dhe thoni : kjo është shumë, – hija e një ëndrre është.
(Les stances)

Kur vjeshta të vijë

Kur vjeshta të rivijë me gjethet e zverdhta
Që pellgun e mullirit të rrënuar do mbulojnë,
Kur era të fryjë në zgavrën e portës
Mbi gurin e rëndë që rrotull ka shkuar,
Të shkoj dua përsëri, mbi atë kënd të ulem
Pështetur mbi murin, mbuluar nga një dredhëz
e vjetër ngjyrë vermeij,
Gjatë të vështroj mbi ujin e akullt dhe të zymtë
Imazhin tim të shuhet dhe diellin e zbehtë.

Të vdekurit më dëgjojnë të vetmuar…

Të vdekurit më dëgjojnë të vetmuar, banor i varreve jam,
Gjer në fund armik i vetvetes do të jem.
Lavdia ime – për bukëshkalët, dhe faraqê mbjell
për korbat është,
Veç punoj e mbjell, pa korrur asnjëherë.

Nuk do të qahem. Ç’rëndësi ka Akuilon1,
Turpi e përbuzja, fytyra e sharjes !
Pasi kur të prek, o lirë e Apollonit,
Më e mençur dhe e pastërt ti kumbon gjithnjë.

Arieta

Me duart e tua të bardha më pushtoje,
Me duart e tua të holla,
Me zinxhirë mëtrikësh2
Dhe litare murgjish.

Lëri tani duart e tua të bardha
Duart e holla,
Të më lidhin sërish me mërtik
Dhe litare murgjish.

Në këtë prill të vonët…

Në këtë prill të vonët, plot degë e dritë të gjelbërt
Kur ju pemë drithëroheni,
Unë mendoj për të dashuruarit e pluhurin,
E të vdekurve të braktisur.

O pemë të qytetit që prej kaq kohësh
Ne flasim kështu zë-ulët !
Prej dimrash të shumtë trupat tuaj të zhveshur
Ankohen nën hapat e mi !

Gjethja e pyjeve…

Gjethja e pyjeve
Atje mbi ugar,
Rrotullohet në thëllim
Gjethja e pyjeve
Që rrotullohet në thëllim
A do të kthehet vallë ajo
Të bulëzojë në të njëjtin filiz?

Uji i pastër i përrenjve
Në hije të burimeve
Kalon transparent e me vrull,
Uji i pastër i përrenjve
Që kalon transparent e me vrull
A do të kthehet gjethja
Të lahet në të njëjtin lum?