LOTARIA E BABILONISË – nga Jorge Luis Borges

0
44

(Revista “Ars Poetica” Nr. 8, Qershor 2008)

Si të gjithë njerëzit e Babilonisë, kam qenë prokonsull; si të gjithë, skllav, gjithashtu kam njohur gjithëpushtetin, turpin. Shikoni: dorës sime të djathtë i mungon gishti tregues. Shikoni: nëpër këtë të prerë të mantelit duket në stomakun tim një tatuazh ngjyrë gjaku; është simboli i dytë, Beth. Kjo letër, në netët me hënë të plotë, me jep forcë mbi njerëzit, marka e të cilëve është Ghimel, por më nënshtron në ato të Aleph, që netëve pa hënë duhet t’iu binden atyre të Ghimel. Në vagëllimin e mëngjesit, në një bodrum, kam tërhequr përpara një guri të zi dema të shenjtë. Gjatë një viti hënor, jam deklaruar i padukshëm: bërtisja dhe nuk më përgjigjeshin, vidhja bukën dhe nuk ma prisnin kokën. Kam njohur atë që nuk dinë grekët: dyshimin. Në një dhomë bronzi, përpara shamisë së heshtur të mbytësit, shpresa më ka qëndruar besnike; në lumin e kënaqësive, paniku. Heráclides Póntico tregon me admirim që Pitagora kujtonte të kishte qenë Pirro dhe më parë Euforbo, dhe më parë një tjetër i vdekur; për të kujtuar ngjarjet e paparashikuara analoge unë nuk është e nevojshme të përdor vdekjen dhe ende as shpifjen.

Kjo larmi gati mizore është pasojë e një institucioni që republikat e tjera nuk e njohin ose që vepron në to në mënyrë joperfekte dhe sekrete: lotaria. Nuk kam hetuar historinë e saj; di që magjistarët nuk arrijnë të bien dakord; di për qëllimet e tyre, atë që mund të dijë për hënën një njeri që nuk merret me astrologji. Jam nga një vend marramendës ku lotaria është pjesë e rëndësishme e realitetit: deri më sot, kam menduar shumë pak për të, njësoj si për sjelljen e padeshifrueshme të zotave ose si për zemrën time. Tani, larg nga Babilonia dhe zakoneve të saj të dashura, mendoj me pak habi mbi lotarinë dhe në hamendjet blasfemike që në mug mërmërisin fshehtë njerëzit.

Babai im tregonte që në lashtësi (çështje shekujsh a vitesh?), lotaria e Babilonisë ishte një lojë me karakter plebenjsh. Tregonte (nuk e dinte me saktësi) që barbarët shkëmbenin për monedhat e bakrit kocka kënddrejta apo pergamene të zbukuruar me simbole. Në mes të ditës hidhej një short: fituesit merrnin, pa tjetër përforcim nga fati, monedha argjendi të prera. Procedimi ishte elementar siç e shikoni dhe ju.
Natyrisht, këto “lotari” dështuan. Virtyti i tyre moral ishte asgjë. Nuk i drejtoheshin të gjitha aftësive të njeriut: vetëm dhe vetëm shpresës së tij. Përpara indiferencës publike, tregtarët që krijuan këto lotari të korruptuara, filluan të humbisnin para. Dikush provoi një reformë: vendosjen e shorteve të këqij në listën e shumë të favorizuarve. Nëpërmjet kësaj reforme, blerësit e numrave në katrorë rrezikonin dyfishin duke luajtur një shumë, dhe pastaj duke paguar një gjobë, nganjëherë të madhe.

Ky rrezik i parëndësishëm (për çdo tridhjetë numra të favorizuar kishte një numër fatkeq) zgjoi, siç është e natyrshme, interesin e publikut. Babilonasit u përfshinë në lojë. Ai që nuk kishte fat konsiderohej një zemërlepur, një i trembur. Me kohën, kjo përbuzje e justifikuar u dyfishua. Ishte i përçmuar ai që nuk luante por, gjithashtu ishin të përçmuar edhe humbësit që paguanin gjobën. Kompanisë (ashtu filloi të quhej atëherë) i duhej të gënjente për fituesit që nuk mund të merrnin çmimet nëse në arka mungonte ardhja totale e parave nga gjobat. Ajo hapi një padi për humbësit: gjykatësi i dënoi të paguanin gjobën e saktë ose kjo do t’iu kushtonte disa ditë burg. Të gjithë zgjodhën burgun, për të mashtruar Kompaninë. Nga kjo mburrje e disave lind e gjithë fuqia e Kompanisë: vlera e saj kishtare, metafizike.

Pak më vonë, të dhënat e shorteve shpërfillën shumat e gjobave dhe u mjaftuan me publikimin e ditëve të burgut që kishte çdo numër i keq. Ky lakonizëm, gati i pa vënë re në kohën e tij, pati një rëndësi parësore. Ishte shfaqja e parë në lotari e “elementeve monetarë”. Suksesi qe i madh. E nxitur nga lojtarët e shumtë, Kompania e pâ të nevojshme të rriste sasinë e numrave të keq.

Askush nuk e di që vendi i Babilonisë është shumë i dhënë pas logjikës dhe akoma më shumë pas simetrisë. Ishte pa lidhje logjike që numrat e mbarë të llogariteshin në monedha të shkëlqyera dhe numrat e pafat në netë burgu. Disa moralistë gjykuan që zotërimi i monedhave jo gjithmonë përcakton lumturinë dhe që forma të tjera të fatit të mbarë janë ndoshta më direkte.

Tjetër shqetësim përhapej në lagjet e ulëta. Anëtarët e kolegjit priftëror shumëfishonin të ardhurat dhe gëzonin nga të gjitha ngjarjet e paparashikuara të terrorit dhe të shpresës; të varfrit (me urrejtje të drejtë ose të pashmangshme) e shihnin veten të përjashtuar nga këto ecejake, kënaqësisht të famshme. Dëshira e drejtë që të gjithë, të varfër dhe të pasur, të merrnin pjesë njësoj në lotari, frymëzoi një shqetësim të zemëruar, kujtimin e të cilit nuk e kanë fshirë vitet. Disa këmbëngulës nuk kuptuan (ose bënin sikur nuk kuptonin) që flitej për një rregull të ri, për një etapë historike të nevojshme… Një skllav vodhi një biletë carmesí, që në shorte e bëri të meritonte djegien e gjuhës. Kodi fiksonte këtë dënim për ata që vidhnin një biletë. Disa babilonas argumentonin që meritonte hekurin e skuqur, në cilësinë e tij si hajdut; të tjerë, zemërgjerë, argumentonin që tirania duhej përdorur, se kështu e kishte vendosur fati…

Pati turbullira, pati derdhje të mjaftueshme gjaku; por babilonasit vendosën më në fund vullnetin e tyre. Së pari, arritën që Kompania të pranonte shumën e forcës së shoqërisë. (Ky unifikim ishte i nevojshëm, sepse iu dha hapësirë dhe një natyrë të komplikuar veprimeve të reja.) Së dyti, arritën që lotaria të ishte sekrete, falas dhe e përgjithshme. U shfuqizua shitja mercenare e fateve. Filluan misteret e Bel, të gjithë njerëzit ishin automatikisht të lirë të merrnin pjesë në sortet e shenjtë, që zhvilloheshin në labirintet e zotit çdo gjashtëdhjetë netët dhe që përcaktonin fatin e tyre deri në vitin tjetër. Pasojat ishin të pallogaritshme. Një lojë e lumtur mund të motivonte zgjedhjen në këshillin e magjistarëve ose burgun e një armiku (të dukshëm ose të fshehur) apo të një kundërshtari, në errësirën e qetë të dhomës, gruaja që fillon të na shqetësojë apo që nuk shpresojmë ta shohim më; një lojë e keqe: gjymtimi, poshtërsia e shumëllojshme, vdekja.

Ndonjëherë vetëm një fakt vrasja e rëndë e C-së, apoteoza misterioze e B-së, ishte zgjidhja gjeniale e tridhjetë ose dyzetë shorteve. Të kombinoje lojërat ishte e vështirë; por duhet kujtuar që individët e Kompanisë ishin (dhe janë) të gjithëpushtetshëm dhe dinakë. Në shumë raste, njohja e asaj që disa gëzime ishin thjesht fabrikë fati, do ta kishte zvogëluar vetinë e saj; për të shmangur këtë vështirësi, agjentët e Kompanisë përdornin sugjestionet dhe magjinë. Hapat e tyre, manipulimet e tyre, ishin sekrete. Për të hetuar shpresat dhe frikat intime të çdonjërit, dispononin astrologë dhe spiunë. Kishte disa luanë prej guri, kishte një nevojtore të shenjtë të quajtur Qaphqa, kishte disa plasaritje në një ujësjellës të pluhurosur që, sipas opinionit të përgjithshëm, i përkisnin Kompanisë; personat e këqij ose mirëdashës depozitonin spiunimet në këto vende. Një arkiv alfabetik mblidhte këto lajme me vërtetësi të ndryshme.

E pabesueshme, nuk munguan pëshpëritjet. Kompania, me sekretin e saj të zakonshëm, nuk replikoi direkt. Preferoi të shkruajë në gërmadhat e një fabrike maskash një argument të shkurtër, që tani figuron në shkrimet e shenjta. Kjo pjesë doktrine tregonte që lotaria është një ndërthënie e rastësisë në rregullin e botës dhe që të pranosh gabime nuk është të kundërthuash rastësinë: është ta vërtetosh. Tregonte po ashtu që këta luanë dhe ajo nevojtore e shenjtë, edhe pse të paautorizuar nga Kompania (e cila nuk kundërshtonte të drejtën e konsultimit), funksiononin pa garanci zyrtare.

Ky deklarim qetësoi shqetësimet publike. Gjithashtu prodhoi të tjera efekte, ndoshta të paparashikuar nga autori. Modifikoi thellësisht shpirtin dhe veprimet e Kompanisë. Pak kohë më ngelet; po na lajmërojnë që anija është duke ngritur spirancën; por do përpiqem ta shpjegoj.

Për sado e pabesueshme që të jetë, askush nuk kishte provuar deri atëherë një teori të përgjithshme për lojërat. Babilonasi është pak spekulativ. Respekton raportet e rastësisë, i dorëzon asaj fatin e tij, shpresën e tij, panikun e tij por, nuk i ndodh të hetojë ligjet e saj të ndërlikuara, as sferat rrotulluese që e shfaqin. Pa dyshim, deklarimi zyrtar që kam përmendur frymëzoi shumë diskutime me karakter juridiko-matematik. Prej disa prej tyre lindi hamendja që vijon: Nëse lotaria është një shtim i rastësisë, një frymëzim periodik i kaosit në kozmos atëherë, do të ishte e arsyeshme që rastësia të ndërhynte në të gjitha etapat e shortit dhe jo vetëm në një? Nuk është qesharake që rastësia të diktojë vdekjen e dikujt dhe që rrethanat e kësaj vdekjeje – rezervë, reklamimi, pjesa e një ore apo e një shekulli, të mos jenë të lidhura me rastësinë? Këto frika të drejta do të provokojnë në fund një reformë të rëndësishme, natyrat e komplikuara të së cilës (të përkeqësuara me kalimin e shekujve) i kuptojnë vetëm disa specialistë; por që unë do përpiqem t’i përmbledh, nëse mundem në mënyrë simbolike.

Imagjinojmë shortin e parë, që dikton vdekjen e një njeriu. Për përmbushjen e tij procedohet me një short tjetër, që propozon (le të themi) nëntë xhelatë të tjerë. Nga këta xhelatë, katër mund të nisin një short të tretë, që do të thotë emrin e xhelatit tjetër, dy mund të zëvendësojnë rregullin prapë me një rregull të lumtur (takimi i një thesari, le të themi), tjetri do të pezmatojë vdekjen (do të thotë që do të varfërojë ose pasurojë torturat), të tjerë mund të refuzojnë ta përmbushin… Kështu është skema simbolike. Në realitet numri i shorteve është i pafundmë. Asnjë vendim nuk është përfundimtar, të gjithë degëzohen në të tjerë.

Të paditurit mendojnë që shorte pafund kërkojnë një kohë pafund; në realitet mjafton që koha të jetë pafundësisht e nëndarë, siç na mëson shëmbëlltyra e famshme e Garës me Breshkën. Kjo pafundësi kushtëzohet në mënyrë të admirueshme me sinuset e numrave të Rastit dhe me Arketipin Qiellor të Lotarisë, që adhurojnë platonikët… Ndonjë jehonë e shtrembëruar e riteve tona duket të ketë kumbuar në Tiber: Ello Lampridio në Jeta e Antonino Heliogábalo, tregon që ky perandor shkruante në guaska fatet që iu përcaktonte mysafirëve, në mënyrë të tillë që njëri merrte dhjetë libra ari dhe tjetri dhjetë miza, dhjetë ketra, dhjetë arinj.

Është e saktë të kujtoj që Heliogábalo u edukua në Azinë e Vogël, mes priftërinjve të zotit epónimo.
Gjithashtu ka short jopersonal, me qëllim të papërcaktuar: është një dekret që hedh në ujërat e Eufratit një safir të Taprobana; një tjetër, që nga çatia e një kulle lëshohet një zog; një tjetër, që çdo shekull hiqet (ose shtohet) një gram rërë në të panumërtat grimca që janë në plazh. Pasojat janë, nganjëherë, të tmerrshme.

Nën ndikimin zemërmirë të Kompanisë, zakonet tona janë të ngopura me fat. Blerësi i një dyzinë amforash vere të damaskut nuk do të mrekullohet nëse ndonjëra nga ato ka brenda të mbyllur një talisman ose një nepërkë; shkruesi që redakton një kontratë nuk lë gati asnjëherë ndërhyrjen e ndonjë të dhëne të gabuar; unë vetë, në këtë deklarim të shpejtë kam falsifikuar ndonjë lavdi, ndonjë budallallëk. Ndoshta, gjithashtu, ndonjë monotoni misterioze… Historianët tanë, që janë më mendjemprehtët e botës, kanë shpikur një metodë për të korrigjuar rastësinë; është fama që veprimet e kësaj metode janë (zakonisht) të besueshme; megjithatë, natyrisht, nuk përhapen pa ndonjë dozë gënjeshtre.

Për më tepër, asgjë nuk është kaq e infektuar me trillim si historia e Kompanisë… Një dokument paleografik, i zhvarrosur në një tempull, mund të jetë vepër e shortit të djeshëm ose të një shorti shekullor. Nuk publikohet një libër pa ndonjë kontradiktë mes çdonjërës prej kopjeve të tij. Shkruesit janë të gatshëm për një betim sekret për të shpërfillur, për të shtuar, për të ndryshuar. Gjithashtu praktikohet edhe gënjeshtra indirekte.

Kompania, me një modesti hyjnore, i shmanget gjithë reklamës. Agjentët e saj, siç është e natyrshme, janë sekret; urdhrat që jep vazhdimisht (ndoshta pa pushim) nuk janë ndryshe nga ato që predikojnë mashtruesit. Për më tepër, kush mund të mburret se është një mashtrues i thjeshtë? I dehuri që improvizon një mandat absurd, ëndërrimtari që zgjohet menjëherë dhe mbyt me duar gruan që fle në krahë të tij, nuk kryejnë, rastësisht, një vendim sekret të Kompanisë? Ky funksionim i heshtur, i krahasueshëm me atë të Zotit, provokon i tëri fatin e hamendjeve.

Ndonjë hedh me urrejtje fjalën që ka shekuj që Kompania nuk ekziston dhe që rrëmuja e shenjtëruar e jetëve tona është e pastër, e trashëguar, tradicionale; ndonjë tjetër që gjykimi i përjetshëm dhe mësimi që do të vazhdojë deri në natën e fundit, kur zoti i fundit të shkatërroj botën. Një tjetër deklaron që Kompania është e plotfuqishme por, që vetëm ndikon në gjëra të vogla: në klithmën e një zogu, në ngjyrën e ndryshkut dhe të pluhurit, në mesëndrrat e mëngjesit. Një tjetër, vjen nga goja e heretikëve të maskuar, që Kompania nuk ka ekzistuar asnjëherë dhe nuk do të ekzistojë. Një tjetër, jo më pak e poshtër, arsyeton që është indiferente të deklarosh ose të mohosh realitetin e errët të shoqërisë, sepse Babilonia nuk është gjë tjetër përveçse një lojë fati e pafund.

Përktheu nga spanjishtja: Meri Lika, Tiranë

“Ars Poetica” Nr. 8, Qershor 2008