Londo: Si më kërkuan të bëja ekspertizën e poezisë së Visar Zhitit

0
37

BARDHYL LONDO, 22 Maj 2013

Shkrimtari, intervistë në “Panorama”: Dritëroi ishte liberal.

Pas 20 vitesh që kanë ndërruar sistemet, një shkrimtar boton kujtimet e veta. Madje jo vetëm kaq, ai ka guximin që të kërkojë edhe ndjesë atëherë kur duhet.

Për shkrimtarin Bardhyl Londo ende sot ka shkrimtarë që duhet të kërkojnë ndjesë për ato çka mund të kenë bërë gjatë viteve të diktaturës, sidomos ata që me kërkesë të Prokurorisë së kohës kanë bërë “ekspertin” për veprat e kolegëve të tyre, të cilët janë dënuar. Në librin e tij “Jeta që na dhanë”, Londo tregon ngjarje që do të shënjonin jo vetëm jetën e tij, por të gjithë brezit të tij. Në një intervistë dhënë për gazetën “Panorama”, ai rrëfen se edhe atij në mënyrë të tërthortë i kanë kërkuar të bëjë “ekspertin” për poezitë e Visar Zitit, çka ai nuk e ka bërë. Londo tregon për Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, sot e mbuluar nga një tis misteri, “çimkat” nëpër zyra, gazetën “Drita”, marrëdhëniet me ish-kryetarin e LSHAsë, Dritëro Agolli etj.

Një shkrimtar e ka të pamundur që në kujtimet e veta të mos përfshijë edhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, si e kujtoni ju këtë organizatë?

Besoj që ka qenë e rëndësishme, sepse dihet që është krijuar pikërisht për të “mbledhur” shkrimtarët, për t’i “disiplinuar” në atë mënyrë që të shkruanin siç kërkonte censura. Ishte si gjithë organizatat e tjera të masave, por të themi të vërtetën, LSHA është rrethuar sot e kësaj dite nga një lloj misteri mbi atë që ka ndodhur atje dhe libri im është një mënyrë për të treguar diçka nga ajo që ka ndodhur atje në ato kohë…

A ndodhte që të ishte LSHA një tampon mes shkrimtarëve dhe pushtetit, apo e kundërta?

LSHA ishte pa dyshim një instrument i krijuar nga shteti, si të gjitha organizatat e masave, por krahasuar me këto të fundit, Lidhja ka veçori të tjera, sepse shkrimtarët dhe krijimtarinë letrare nuk mund ta trajtojë si bashkimet profesionale apo sindikalistët. Kishte të përbashkëta, por edhe specifika.

Në kujtimet tuaja, e përshkruani Dritëro Agollin si një njeri autoritar dhe që ishte në anën e së drejtës, ç’marrëdhënie kishit me të, si kryetar i LSHA-së?

Ai ishte vet shkrimtar dhe shumë mirë që u ndodh ai në atë pozicion se të ndodhej ndonjë tjetër. Ai e ka mbrojtur të drejtën shumë herë, ashtu siç ka mbrojtur dhe shumë autorë. Unë me të kam pasur marrëdhënie shumë të mira, kishim mundësi të konsultoheshim për shumë gjëra dhe sot ruaj respektin më të madh për të. Si shkrimtar, ai ishte shumë më liberal se ç’i kërkohej dikujt në pozicionin e tij.

Ndihej “shemëria” mes tij dhe Kadaresë?

Kjo ndodhte te çdo krijues, por më së shumti ndihej afria me njëri-tjetrin. Natyrisht janë ndjerë ato marrëdhëniet e ndërsjella të xhelozisë, siç janë kudo, jo vetëm mes atyre të dyve, por edhe mes shumë të tjerëve. Por këto janë njerëzore dhe i gjen kudo…

Nën diktaturë të qenit i përgjuar ishte “e zakonshme”, e kotë t’ju pyes nëse kishit frikë…

Kishim jo vetëm ndjesinë e frikës, por edhe të paranojës ndonjëherë, pasi frika na kishte kaluar në paranojë, por e vërteta është që në fillim të viteve ’90, kafja e famshme e Lidhjes që kishim atje, madje dhe zyrat ishin mbushur me përgjues, pasi shkrimtarët filluan të lëviznin. Por, kjo nuk ishte më sekret. Këto mënyra janë përdorur, se sa rezultat kanë dhënë, nuk e di…

Ju kanë thirrur ndonjëherë për ndonjë fjalë të thënë me zë të ulët?

Ata e gjenin mënyrën se si të thërrisnin. Ata nuk të thërrisnin për gjëra direkte, i flisnin pragut që të dëgjonte dera… Shpeshherë, unë që kam qenë në pozicionin e kryeredaktorit të “Dritës”, nuk e merrja vesh se përse më kishin thërritur, sepse të tjera gjëra më thoshin dhe pastaj dilte se hallin e kishin gjetkë, tek gjëra që nuk kishin ndodhur, por që mund të ndodhnin.

Sa e vështirë ishte të drejtoje një gazetë si “Drita”, ku duhej të kaloje nëpër duar materiale, ndonjëherë dhe të “rrezikshme”?

Ka qenë shumë e vështirë, pasi kishte dy lloj përgjegjësish. Së pari përgjegjësia profesionale, pasi “Drita” ka qenë ndoshta gazeta që pëlqehej dhe lexohej më tepër, që kalonte në duart e inteligjencës shqiptare dhe që ishte ndryshe nga të gjitha të tjerat. Dhe e dyta sepse shihej me lente zmadhuese nga censura, sepse kërkonin të gjenin aludime, që ty as të shkonin ndër mendje dhe nuk ka qenë thjesht e vështirë, por jeta ka qenë shumë stresante, sidomos për drejtuesit e gazetës, sidomos për ata që kanë drejtuar “Dritën” në vitet ’80 e tutje.

(Intervisten e plote marre nga Alma Mile e lexoni sot ne Panorama)