Nga Enver Robelli, 29 Dhjetor 2011
Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) kanë bashkëpunuar me vite me Zvonko Veselinoviqin, me gruan e tij dhe me vëllanë e tij – duke u dhënë madje edhe rroga. Të dyshuar si krerë të krimit Veselinoviqët në veri kanë krijuar ambient armiqësor ndaj shtetit të Kosovës. Nga ky ambient u vra Enver Zymeri. Pasi ka financuar vrasësit e policit kosovar, tash PTK-ja e përjetëson Zymerin me një seri pullash postare. Ky akt primitiv është vrasja e dytë e këtij polici fatkeq
Njëra prej skenave më rrëqethëse në epin e “Iliadës” së Homerit është vrasja e Hektorit. Pasi është goditur për vdekje nga Akili, Hektori i lutet vrasësit të tij që së paku kufomën të mos ia përdhos, por ta kthejë atë për t’u varrosur në mënyrë të dinjitetshme. Në dalldinë e gjakut dhe ngadhënjimit Akili ia shpërthen shputat Hektorit dhe për dymbëdhjetë ditë radhazi ia tërheq zvarrë kufomën.
Ky episod i “Iliadës” m’u kujtua kur javën e kaluar po shikoja se si menaxherë të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK) gjatë një prezantimi për media tregonin me mburrje patriotike se kishin lëshuar në qarkullim një seri me pulla postare me portretin e policit Enver Zymeri, i cili u vra në fund të korrikut në veri të vendit.
Drejtori i PTK-së deklaroi se Zymeri tash na qenkësh ambasador nderi, sepse përmes pullës postare po e prezantuaka Republikën e Kosovës anekënd botës. Për t’i dhënë kësaj ceremonie një zyrtaritet shtetëror mori pjesë edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, i cili prej një politikani që gëzonte njëfarë respekti publik sivjet, brenda pak muajsh, është shndërruar në karikaturë të pushtetit. Bajram Rexhepi tha se përmes këtyre pullave me portretin e Enver Zymerit dëshmohet respekti për punën e ruajtësve të rendit.
Turbopatriotizmi qeveritar
Në fakt, shfaqja makabre e PTK-së s’ishte asgjë tjetër përveç se zvarritje e kufomës së Enver Zymerit andej-këndej për arsye politike dhe për të mbuluar ndyrësitë. U fye rëndë një i vdekur, pastaj edhe familja e tij, e cila lejoi naivisht të manipulohej për llogari të turbopatriotizmit qeveritar. U përdhos trupi i pajetë i një polici nga një kompani publike, e cila është çerdhe e keqpërdorimit të parave të qytetarëve të varfër të Kosovës.
PTK-ja së fundi u detyrua të pranojë se me vite të tëra i ka dhënë rroga Zvonko Veselinoviqit, vëllait të tij dhe gruas së tij, Liljanës. Kjo treshe ishte angazhuar në ruajtjen e antenave të PTK-së në veri. Vëllezërit Veselinoviq po ashtu konsiderohen krerë të krimit të organizuar në këtë pjesë të Kosovës.
Zvonko Veselinoviq, sipas gazetës amerikane New York Times, organizon kontrabandën bashkë me shqiptarin Mentor Beqiri. Ky i fundit, siç tregojnë njohës të skenës së krimit në Mitrovicë, është i lidhur edhe me politikanë shqiptarë të Kosovës. Duke i dhënë rrogë Veselinoviqit, PTK-ja ka ndihmuar në krijimin e ambientit armiqësor kundër shtetit kosovar në veri. Vrasësit e Enver Zymerit rrjedhin pikërisht nga ky ambient. Pasi ka financuar vrasësit e policit kosovar, tash PTK-ja e përjetëson Zymerin me një seri pullash postare sa për t’i larë duart e përlyera në pafajësi.
Çmimi i stabilitetit
A duhet ta durojë opinioni kosovar këtë mizori? A duhet ta pranojnë qytetarët e këtij vendi kokulur këtë poshtërim të veshur me gëzof patriotizmi primitiv? A duhet të heshtet përballë kësaj katrahure? Me sa duket pushteti aktual dhe menaxherët e kompanive publike mendojnë se ky popull përfundimisht vuan nga amnezia, se ka pranuar nënshtrimin dhe është pajtuar se heshtja është garancia e vetme për të mbijetuar këtë sistem të ndërtuar nga grabitqarët. Se çfarë modeli i keq shtetëror është ndërtuar në Kosovë na e tregon mënyra se si pushtetarët e tanishëm dhe të dikurshëm u janë vërsulur ndërmarrjeve publike.
I janë hedhur, ta zëmë, Postës dhe Telekomit të Kosovës si të ishte një qengj, i cili shqyhet pak nga pak dhe copë pas cope në errësirën e natës. Gjurmët e plaçkitjes së madhe bëhen publike herë pas here, por drejtësia e dirigjuar hesht. Plaçkitje nuk është vetëm vjedhja klasike e arkës së shtetit – plaçkitje është edhe sistemi i instaluar i nepotizmit. Në PTK punojnë gra ministrash, fëmijë ministrash, motra politikanësh, teze politikanësh, kurtizane pushtetarësh etj. Prandaj, nuk është aspak befasuese që ky sistem u aplikua edhe në rastin e Zvonko Veselinoviqit: në PTK nuk punonte vetëm ai, por edhe gruaja e tij. Edhe vëllai, natyrisht.
Në ceremoninë groteske të PTK-së babai i Enver Zymerit, të cilit ndoshta as që i ka shkuar mendja se kishte rënë në një kurth, tha se nuk paskësh nder më të madh “se ky sot që po i bëhet birit tim”. Në fakt, e ndershme do të ishte që jo vetëm familja e policit të vrarë, por edhe shoqëria e Kosovës të kërkonte hetim të plotë të rrethanave të sulmit kundër policisë në veri. Një pjesë e së vërtetës tashmë është bërë publike në medie: aksioni i policisë më 25 korrik ishte një përpjekje e përgatitur keq për rivënien nën kontroll të veriut.
Kjo ishte edhe arsyeja e dështimit. Vetëm ndërhyrja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare e nxori pushtetin nga qorrsokaku, por tani kushtet e zgjidhjes së konfliktit në veri nuk i dikton Prishtina, por të tjerët, ata që prioritet kanë “stabilitetin e situatës së sigurisë”. Po shihet tashmë se çmimi për këtë stabilitet do të jetë një autonomi edhe më e gjerë e komunave serbe dhe një Kosovë edhe më jofunksionale si shtet, pra një Kosovë që gjithnjë e më shumë i përngjan Bosnjë-Hercegovinës, ku matadorët lokalë bllokojnë çdo përparim.
Bronz apo bukë?
Familja e Enver Zymerit, të vrarë në rrethana të panjohura mirë, do të nderohej sikur fëmijët e tij dhe bashkëmoshatarët e tyre të jetonin në një shtet me sistem të mirë shkollor, të gëzonin përkujdesje shëndetësore dhe të rriteshin në një ambient të pastër dhe të qetë. Diçka e tillë mbetet ëndërr e madhe për të gjithë fëmijët e Kosovës. Këta fëmijë sot jetojnë në varfëri, nuk kanë arsye të shpresojnë se gjërat do ndryshojnë për së miri dhe vuajnë pasojat e politikës së papërgjegjshme për fatet e vendit.
Në të njëjtën kohë fëmijët e sundimtarëve vijojnë mësimin në shkolla private, grinden në oborrin e shkollës se cili i ka rrobat me firmën më të shtrenjtë dhe rrëfejnë se në cilin kryeqytet apo në cilën qendër të skive do të shkojnë sivjet. Këto privilegje ata i gëzojnë falë pushtetit të prindërve, të cilët nuk kanë asnjë skrupull të manipulojnë me familje viktimash, me vetë viktimat dhe me gjithë shoqërinë. Nuk do të ishte befasi e madhe nëse së shpejti, pas PTK-së, të dalë edhe Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) me propozimin për financimin e ndërtimit të një shtatoreje të Enver Zymerit.
Edhe ashtu Kosova ka pak përmendore, duhet, pra, edhe më shumë bronz për të manipuluar të djeshmen dhe të tashmen, në emër të patriotizmit parak. Për bukë e për ardhmëri – mileti duhet të ketë durim. Njëherë për njëherë publiku kosovar ka rastin të shikojë se si pushtetarë e menaxherë ndërmarrjesh publike tërheqin zvarrë kufoma si në “Iliadën” e Homerit. Dallimi është se “Iliada” është shkruar para tri mijë vjetësh.