LOGOJA E PROSKRIBUAR OSE GJYKATA KUSHTETUESE E KOSOVËS ‘DJEG’ LIDHJEN SHQIPTARE TË PRIZRENIT

0
71

Agim Vinca

Agim Vinca

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për anulimin e logos së Prizrenit me Shtëpinë e Lidhjes si simbol të saj është një akt që cenon rëndë kujtesën historike dhe identitetin e shqiptarëve si komb

Njëmbëdhjetë vjet më parë, me të filluar bombardimet e NATO-s, një nga punët e para që bënë shovinistët serbë, ishte djegia e objektit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Prizren. Qysh natën e parë të bombardimeve, më 24 mars 1999, ata u kujdesën t’i vinin zjarrin dhe ta rrënonin nga themeli godinën ku njëqind e sa vjet më parë kishte ndodhur njëra nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar: ishte mbajtur Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që mori përsipër mbrojtjen e trojeve shqiptare nga copëtimi dhe çlirimin e tyre nga pushtuesi shumëshekullor osman, që ishte armik i përbashkët i të gjithë popujve të Ballkanit dhe jo vetëm i shqiptarëve.
Sot, plot njëmbëdhjetë vjet më vonë, në Kosovën e lirë e të pavarur, shtëpia e Lidhjes nuk mund të jetë simbol i qytetit që gati një shekull e gjysmë është identifikuar me të dhe që vazhdon të identifikohet ende, Prizrenit. Përse? Për shkak se me të u shkelkan “të drejtat e komuniteteve jo-shumicë”, të garantuara me Kushtetutë! Pas ankesës së zëvendëskryesuesit të Kuvendit Komunal, Qemajl Kurtishi, sipas emrit turk ose goran, Gjyqi Kushtetues i Kosovës u mblodh urgjentisht dhe mori vendim për zhvleftësimin e logos së qytetit të Prizrenit, në të cilën figuron Shtëpia e Lidhjes dhe viti i mbajtjes së saj: 1878. Kaq. Asgjë më shumë. Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), zoti Piter Fajth (Pieter Feith), e përshëndeti flakë për flakë këtë vendim të organit më të lartë gjyqësor të Kosovës, Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar si kontribut për “sigurinë” e minoriteteve. Autoritetet e vendit heshtën (nuk u prononcuan, së paku jo deri më tash, lidhur me këtë çështje), kurse heshtja, zakonisht, është miratim. Reagoi vetëm lëvizja “Vetëvendosje!”, si dhe një organizatë tjetër, Lëvizja për Bashkim (ish-LKÇK-ja), në krye të së cilës është një ish-luftëtar i UÇK-së dhe pothuajse askush tjetër. As partitë politike, madje as ato opozitare, as institucionet shkencore me në krye Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Edhe reagimi i mediave, i cili, natyrisht, nuk mungoi, mund të thuhet se ishte i vakët. Serbët e Shtërpcës, me flamurin serb në ballë, protestojnë ashpër kundër privatizimit të objekteve hoteliere e rekreative të Brezovicës, kurse banorët e qytetit të fyer të Prizrenit nuk luajnë vendit.
Si shpjegohet kjo? Mos vallë shoqëria kosovare ka hyrë në një fazë apatie si pasojë e politikës shumëvjeçare të “shpëlarjes së trurit”, e cila duket se e ka arritur qëllimin e vet, topitjen dhe indiferencën?!
Pinjolli i familjes Jashari, Murat Jashari, jurist me profesion (magjistër i shkencave juridike) dhe njeri që, sikurse edhe Jasharët e tjerë, vazhdimisht ka dhënë mesazhe paqeje e mirëkuptimi, nuk mund të jetë ombudsperson i Kosovës, sepse nuk pajtohen minoritetet, veçanërisht serbët, të cilët nuk mjaftohen që i kanë vrarë e masakruar në mars të ’98-s, por as tani, pas luftës, në kushtet e lirisë për të cilën ata u flijuan, nuk i honepsin dot! Nuk mund t’i shohin me sy ata që i vrau e masakroi idhulli i tyre dhe kjo dëshirë u plotësohet sakaq si të kërkonin një pjatë me pasul (gullash) ose një gotë raki (shlivovicë). Përse? Sepse vuri veto UNMIK-u, kurse me veton e tij u pajtuan, me a pa dashje, edhe autoritetet vendore, që vetë e patën inicuar kandidaturën e Murat Jasharit për “avokat të popullit”! FSK-ja, nga ana tjetër, nuk guxon të parakalojë me armë, qoftë edhe me disa pushkë të zbrazëta, pa fishekë, në epopenë e UÇK-së, sepse nuk lejon KFOR-i dhe komandanti i tij aktual, kurse qyteti i Prizrenit nuk mund të ketë logo të vetën Shtëpinë ku është mbajtur e Lidhja e Prizrenit, që është një ngjarje historike me përmasa jo vetëm shqiptare (gjithëkombëtare), por edhe ballkanike. Nuk lejon organi më i lartë gjyqësor i Republikës së Kosovës – Gjykata Kushtetuese, e cila e shpall të paligjshme logon zyrtare të komunës, për shkak të një ankese të ardhur nga “minoritetet”, prapa së cilës mund të qëndrojë një grusht njerëzish apo edhe një individ i vetëm!
Mund të gjenden edhe shumë shembuj të kësaj natyre në Kosovën e sotme, por edhe shembujt e mësipërm mjaftojnë për të konkluduar se mekanizmat ndërkombëtarë të pranishëm në Kosovë, EULEX-i në radhë të parë, por edhe ata vendorë, të mbikëqyrur nga ai, mbajnë llogari e stërllogari për ndjenjat e “komuniteteve jo-shumicë”, por jo edhe për ato të shumicës shqiptare, prej së cilës kërkohet të heqë dorë nga e kaluara e saj historike për hir të “respektit ndaj pakicave”.
Dhe, ajme, kjo heqje dorë nga vetja, kinse në emër të interesit të përgjithshëm, “shtetëror” dhe gjithnjë sipas sugjerimeve të “miqve tanë ndërkombëtarë”, ka nisur të bëhet natyrë e dytë e shqiptarëve dhe sidomos e përfaqësuesve të tyre politikë!
As sistemi komunist, që, siç dihet, në plan të parë kishte ideologjinë klasore, nuk është sjellë kështu me Lidhjen e Prizrenit dhe selinë e saj, Shtëpinë e Lidhjes, e cila është një tempull për shqiptarët. Përkundrazi. Në vitin 1978, fjala vjen, kur Kosova ishte “krahinë autonome” në kuadër të ish-Jugosllavisë (dhe, madje, edhe të Serbisë), njëqindvjetori i Lidhjes së Prizrenit u shënua zyrtarisht, me mbështetje, organizim e financim nga shteti, kurse sot, në kushtet e sistemit demokratik dhe në Kosovën-shtet, dëbohet nga emblema e qytetit-djep i saj, Prizrenit, me arsyetimin se cenohet karakteri multietnik i mjedisit dhe nuk respektohet fryma e Kushtetutës! Respekti për pakicat dhe mbrojtja e tyre ka qenë tradicionalisht një normë morale te shqiptarët dhe duhet të jetë edhe në të ardhmen, por kjo s’do të thotë se pakicat, nga ana e tyre, duhet ta keqpërdorin këtë zemërgjerësi, duke përfituar nga favoret dhe situata e krijuar.
Shtrohet pyetja se përse për minoritetet që jetojnë në Prizren e rrethinë (si dhe në mbarë Kosovën) nuk qenka e pranueshme Lidhja e Prizrenit? Lidhja e Prizrenit nuk i ka cenuar interesat e asnjë populli (pos të pushtuesit) dhe ka mbrojtur e proklamuar idenë e bashkëjetesës paqësore me fqinjët. Programi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, pjesë e së cilës është edhe Lidhja e Prizrenit, mbështetej mbi këtë filozofi politike, ndërsa ideologët e saj, të gjithë pa përjashtim (Naimi, Samiu, Pashko Vasa etj.), e artikulonin fuqimisht idenë e respektit të ndërsjellë me fqinjët në veprat e tyre letrare e publicistike. Njësoj ndodh edhe në periudhat e mëvonshme, përfshirë edhe atë të luftës së fundit në Kosovë, ku luftëtarët e UÇK-së, të edukuar në frymën e pararendësve të tyre, nuk i trazuan civilët serbë.
Në qoftë se Lidhja e Prizrenit është vlerë për shqiptarët, sepse është shprehje e aspiratës së tyre për liri pa cenuar lirinë e tjetrit, atëherë përse të mos jetë vlerë edhe për turqit, serbët, boshnjakët, romët dhe grupet e tjera etnike, që mbinë në Kosovë si kërpudhat pas shiut në erën e UNMIK-ut?
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me logon e qytetit të Prizrenit, i cili mund të bëhet precedent për vendime të tjera si ky në të ardhmen, ka edhe një simbolikë të keqe: atë të “djegies” jo më me zjarr e benzinë, por me nene e paragrafe, të një objekti historik dhe të ngjarjes që personifikon ai.
Kjo që po ndodh tani në Kosovë e ka zanafillën te negociatat e Vjenës (2006/2007), kur delegacioni ynë kthehej shend e verë nga kryeqyteti austriak dhe, me të shkelur në aeroportin e Prishtinës, e bombardonte opinionin me deklarata për suksesin e vet politik e diplomatik kundrejt delegacionit serb, aq sa njëri nga anëtarët e të famshmit “Grup i Unitetit”, të shpërblyer majmshëm për “misionin” e tyre negociues, pat përdorur shprehjen “nokaut klasik”. Se kush kënd e “nokautoi” po shihet fare mirë tash kur duhet të hiqet dorë edhe nga Lidhja e Prizrenit dhe shtëpia ku u mbajt ajo 132 vjet më parë! Naiviteti ynë politik dhe mentaliteti anadollak, të cilit ia kemi parë sherrin gjithmonë, dje dhe sot, na solli këtu tek jemi: te flamuri me gjashtë yje të së njëjtës madhësi; te himni pa tekst, intonimi i të cilit shkakton ilaritet në sallë (siç ndodhi edhe në mbledhjen solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e dyvjetorit të pavarësisë); te festat tradicionale shqiptare të përjashtuara nga kalendari i festave shtetërore; te gjuha serbokroate si gjuhë e dytë zyrtare plotësisht e barabartë me shqipen në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe Drenicën dhe Prekazin; te komunat e reja me shumicë serbe dhuratë e pakos së Ahtisarit, e të tjera të ngjashme. Dhe sikur të mos mjaftonin tërë këto koncesione, ja që u dashka të bëhet kurban edhe Lidhja e Prizrenit!
Lista me emrat e vendbanimeve të Kosovës, e hartuar nga një grup ekspertësh, i quajtur Këshilli për unifikimin dhe standardizimin e toponimeve, i cili nuk i doli zot punës së vet, tashmë u la në harresë (askush ose pothuajse askush nuk i thotë Podujevës Besianë dhe as Istogut Burim, siç pat propozuar, ndër të tjera, këshilli në fjalë), kur, ja, tani, pikërisht në dyvjetorin e Pavarësisë, kërkohet të harrohet edhe Lidhja e Prizrenit!
Gjëra të çuditshme po ndodhin në Kosovë dhe po kalojnë, për çudi, pothuajse pa kurrfarë reagimi të opinionit publik, përfshirë edhe intelektualët. Ç’po ndodh me ne shqiptarët dhe ç’është ky tjetërsim pothuajse i paparë ndonjëherë më parë?
“Kombet nuk janë insekte që mund të heqin dorë dhe të braktisin aq kollaj kombësinë, gjuhën, zakonet dhe traditat e tyre si gjarpërinjtë që ndërrojnë lëkurën; të mohojnë etërit, mëmëdheun dhe fisnikërinë e tij, traditat e trimërisë së vet. Është anakronizëm dhe e padëgjuar që në historinë e kombeve të gjejmë një popull aq haram dhe indiferent ndaj vetvetes” – shkruante më se njëqind vjet më parë dhe pikërisht në vitet e Lidhjes rilindësi shqiptar Anastas Kullurioti, ndërsa shkrimtari i shquar Elias Kaneti, fitues i Çmimit Nobel për letërsi, tërheq vëmendjen se kujtesa njerëzore “është diçka e paprekshme” dhe se ajo nuk lejon “kurrfarë ndërhyrjesh kirurgjike”.
Mund që flas si poet dhe mbase edhe në afekt, por pas vendimit më të ri të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mbi shpalljen antikushtetuese të logos me shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, nuk mund të mos e shtrojmë pyetjen e pashmangshme dhe, gjithsesi, edhe të dhimbshme: a është shtet ky që po ndërtojmë apo karikaturë e tij?

(Botuar në ”Koha Ditore”, 27 mars 2010)