Nga “Koha Ditore”
Tenda e presidentit libian, Muamer Gadafi, e ngritur në Sirt, është pushtuar nga mesi i tetorit nga tingujt e këngëve qytetare dhe ritmi i valleve shqiptare. Nuk kanë qenë anëtarë të estradës muzikore ata që e kanë krijuar atmosferën e ahengjeve shqiptare pikërisht në vendlindjen e diktatorit të këtij vendi veriafrikan, por kanë qenë përfaqësues politikë, profesorë, analistë nga shoqëria civile, studentë dhe gazetarë. Kërcyesit dhe valltarët kanë qenë pjesë e një delegacioni 128-anëtarësh, i cili ishte nisur me mision lobimi në Libi, nën drejtimin e presidentit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.
“E kujt i ka shkuar mendja se lobimi ynë do të manifestojë me këngë e valle para Gadaffit”, tregon një nga anëtarët e delegacionit, pa dashur t’i përmendej emri në gazetë.
Dikush thotë se gjithçka ka rrjedhur spontanisht, e dikush tjetër e shpjegon si detyrim këtë sjellje të delegacionit kosovar.
Versionin e parë e jep Selami Shkodra.
Ai rrëfen momentet e veçanta që nga nisja e delegacionit nga hoteli në Tripoli, ku ka qenë i akomoduar delegacioni kosovar, e deri tek përfundimi i takimit me presidentin libian në Sirti.
Para nisjes, ai thotë se anëtarët e delegacionit kanë marrë porosi që të mos i merrnin me vete telefonat dhe aparatet fotografike, për faktin se përdorimi i tyre nuk ishte i lejuar brenda tendës së presidentit libian. “Kur kemi mbërritur në vendqëndrimin e Gadaffit, të gjithë i jemi nënshtruar kontrollit të zakonshëm nga detektorët”, tregon Shkodra.
Tenda, ku ishte planifikuar të ndodhte takimi, sipas tij, nuk ishte përgatitur për një numër aq të madh të të pranishmëve, sa kishin shkuar nga Kosova, kështu që stafit të kabinetit të liderit libian i ishte dashur të sillte karrige shtesë për t’i sistemuar të gjithë pjesëmarrësit.
Karriget, sipas tij, kanë qenë të plastikës, ashtu siç ka qenë edhe karrigia e vetë Gadaffit. Gjatë kohës së pritjes pjesëmarrësit ishin shërbyer me ujë dhe me lëngje.
“Kur Gadaffi ka hyrë në tendë, të gjithë të pranishmit janë ngritur në këmbë dhe i kanë duartrokitur. Kjo ka zgjatur nga momenti i hyrjes e derisa është ulur në karrigen e tij”, rrëfen Shkodra.
Në të dy krahët e Gaddafit ishin pozicionuar dy gardiane me veshje ceremoniale.
I pari që ka folur para tij, sipas Shkodrës, ka qenë Pacolli.
“Gjatë fjalimit, lideri i AKR-së fillimisht ka bërë një kronologji të zhvillimeve historike në Kosovë, e më pas është fokusuar në të arriturat e vendit, në nevojën për konsolidim sa më të mirë të shtetit, si dhe në rëndësinë që kanë njohjet për të ardhmen e Kosovës. Në këtë kontekst, ai ka kërkuar nga koloneli Gadaff që ta shqyrtojë mundësinë e njohjes së Kosovës, kërkesë të cilën ia kishte bërë edhe para një viti”, rrëfen ai.
Fjalimi i Pacollit, sipas tij, është përcjellë me një aplaudim nga Gadaffi.
Kreu i shtetit libian nuk i kishte kursyer duartrokitjet as kur kishte folur zëvendëspresidentja e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila, si dhe njëra nga përfaqësueset e grupit të studentëve. Pas mbarimit të fjalimeve, lideri i AKR-së i kishte këshilluar pjesëmarrësit që të ndiheshin të lirë.
“Dhe, pasi në delegacion ka qenë edhe Elizabeta Musliu-Qarri, dikush prej të pranishmëve ka shprehur dëshirën për të kënduar këngë të lehta dhe këngë popullore shqiptare. Bile një nga to, me sa kujtoj,ka qenë edhe ‘Xhamadani vija-vija’”, shpjegon Shkodra. Në një atmosferë të tillë, sipas tij, dikush ka propozuar që të hidhej valle. “Krejt kjo ka ardhur prej dëshirës dhe entuziazmit të të pranishmëve, të cilët kryesisht kanë qenë të rinj. Dhe, kjo është pritur shumë natyrshëm nga stafi i presidentit libian. Në valle janë përfshirë djem dhe vajza, por jo të gjithë”, tregon Shkodra.
Gjatë kësaj kohe, sipas tij, Gadaffi ka valëvitur në duar një flamur të vogël të Kosovës e herë pas here ka aplauduar.
“Flamurin ia kam dhuruar unë personalisht”, thotë ai.
Dhe tek pas mbarimit të “showt” kishte filluar të fliste Gadaffi.
“Jam mik i Jugosllavisë, por e njoh mirë problemin e Kosovës. E di që e keni shpallur pavarësinë dhe e di se nëpër çfarë vështirësish keni kaluar. Kemi qenë kundër asaj që ka ndodhur në vendin tuaj vite më herët, ashtu siç jemi kundër shumë veprimeve të tjera që po ndodhin nëpër botë. Me jugosllavët jemi miq, por juve ju kemi vëllezër”, parafrazon Shkodra fjalimin e Gadaffit.
Lideri libian, sipas tij, ka uruar forcimin e shtetit të Kosovës, sidomos në aspektin ekonomik.
“Krejt nga fundi Gadaffi ka bërë thirrje për anëtarësim sa më të shpejtë të Kosovës dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Njëherësh ka premtuar se do të merret me çështjen e Kosovës në një të ardhme të afërt”, thotë Shkodra.
Mbarimi i fjalimit të Gaddafit, i cili thuhet se ka zgjatur rreth 20 minuta me gjithë përkthimin, ishte pasuar me ceremoninë e dorëzimit të dhuratave.
“Një anije e vjetër me vela, e punuar nga druri, një shqiponjë e kristaltë, një flamur i madh i Kosovës dhe një Kuran, kanë qenë dhuratat që i janë dhënë Gadaffit”, tregon ai.
Pas këtij akti, Gadaffi ishte larguar dhe delegacioni nga Kosova ishte lënë i lirë për të vazhduar sipas agjendës së tij.
Por, sipas dy anëtarëve të tjerë të delegacionit, jo gjithçka që ishte zhvilluar brenda tendës së Gadaffit ishte bërë në frymën e disponimit. “Kur ka filluar këndimi, vajzat nuk kanë mundur ta ndërprisnin atë, pa e ndërprerë Gadaffi aplaudimin”, ka thënë njëri nga ta.
Pas mbarimit të këngës “Si dukat i vogël je” dhe “Eja, eja luleborë’, sipas tij, është insistuar që të ndërpritej këndimi, mirëpo një shef i kabinetit të Gadaffit kishte thënë se kënga duhej të ndalej tek atëherë kur Gadaffi të jepte shenjë për ndalim.
Më pas, sipas tij, “këngëtarët” kishin filluar të çakordoheshin, pasi jo të gjithë i kishin ditur tekstet e këngëve që silleshin nën tingujt e pianos së vjetër të Gadaffit.
”Telashi tjetër është krijuar gjatë vallëzimit. U këshilluam që të vallëzonim, por pa ia kthyer shpinën Gadaffit”, rrëfen pjesëmarrësi tjetër. Si njëri ashtu edhe tjetri thonë se ka pasur pakënaqësi mes anëtarëve të delegacionit për këtë veprim.
“Kishim shkuar për të lobuar e jo për të vallëzuar. Kurrkush nuk na kishte thënë më herët se do të ngjante një gjë e tillë në tendë, dhe për çudi as stafi i protokollit të Presidencës libiane nuk e merrte veprimin tonë si diçka të pazakontë”, shprehet pjesëmarrësi anonim.
Edhe zëvendëspresidentja e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila e pranon se delegacioni i Kosovës nuk kishte shkuar në Libi për të performuar muzikë, mirëpo ajo thotë se gjërat kishin rrjedhur spontanisht, nga ndjenja e afërsisë që kishte krijuar presidenti libian me anëtarët e delegacionit nga Kosova.
“Ne në fakt nuk kemi shkuar atje për të performuar, por kemi pasur në një formë një prezantim kulturor në kuptimin e muzikës tradicionale kosovare. Ka filluar me muzikë të lehtë popullore dhe më pas u lidh me valle”, ka thënë ajo në KTV, të premten.
Kusari-Lila ka mohuar që dikush t’i ketë obliguar pjesëmarrësit që të këndonin e vallëzonin. Këto sjellje, sipas saj, nuk kanë qenë të kushtëzuara as nga protokolli i shtetit nikoqir.
“Nga delegacioni kosovar ka pasur disponim për faktin se lideri libian u ka aplauduar debatit dhe fjalimeve të kosovarëve”, ka shpjeguar Kusari-Lila.
Pavarësisht nga ajo që mund të thuhet rreth gjithë kësaj, ajo është e sigurt se vizita në Libi ka shënuar një hap shumë të madh dhe të sigurt drejt përafrimit të pozicioneve në kuadër të njohjes së Kosovës.
Kusari-Lila e ka cilësuar të rëndësishëm faktin që vetë lideri libian i ka pritur studentët e Kosovës.
“Dihet se (Gadaffi v.j) është lider shteti mjaft enigmatik dhe ka raste kur nuk pret as liderë shtetesh, edhe pse ka takime të paracaktuara. Dhe, për më shumë se një orë ai ka kaluar me studentët dhe me delegacionin kosovar, ka folur me ta, ka shkëmbyer idetë e tij, ka treguar se është shumë i vetëdijshëm për realitetin e krijuar në Kosovë”, ka shtuar ajo.
Koloneli Muammer Gadaffi drejton Libinë qe 41 vjet. Ai njihet si një udhëheqës diktatorial dhe kontrovers, i cili për shumë vjet e ka mbajtur vendin larg ndikimit nga kultura perëndimore.
Mirëpo, vitet e fundit ai ka filluar ta bëjë vendin më të hapur dhe të lejojë investime të kompanive të ndryshme evropiane dhe amerikane.
Vitin e kaluar Gadaffi kishte realizuar një vizitë në Romë të Italisë, me ç’rast ishte përfshirë në një “skandal”. Mediat italiane patën raportuar se kolonel Gadaffi kishte ftuar qindra “zonjusha” të bukura italiane në një vilë në Romë, duke i nxitur ato që të konvertoheshin në islam, dhe duke u thënë se krishterimi është i bazuar në të pavërteta. Lideri libian, i cili po qëndronte në Itali për të marrë pjesë në një samit të Kombeve të Bashkuara për urinë botërore, thuhej se u kishte kërkuar këshilltarëve të tij që ta telefononin një agjenci italiane për organizmin e ndejave me “zonjusha”, të cilat më pas do ta kryenin detyrën e mikpritëseve të ngjarjes. Agjencisë i ishte kërkuar t’i dërgonte 500 bukuroshe të moshës ndërmjet 15 dhe 35-vjeçare.
Ato që i janë përgjigjur ftesës së liderit kundërthënës kanë marrë nga 60 euro për “shkëmbim të disa opinioneve” dhe një “dhuratë libiane”, që më vonë u kuptua se ishte një libri i shenjtë Kurani.
Paola Lo Mele, një gazetare e cila është futur në vilën e ambasadorit libian, ishte prezantuar si mikpritëse e ndejës, duke parë nga afër ndejën në “haremin” e Gaddafit. Ajo kishte theksuar se të pranishme kishin qenë më shumë se 200 femra, të cilat e kishin pritur ardhjen e vonuar të Gaddafit, i cili kishte qëndruar në mes të mysafireve, i shoqëruar nga dy gardianet e tij.







