Lorenc Vangjeli, 28.11.2009
Revista MAPO bën një listim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që ka hedhur poshtë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Shqipërisë një numër vendimesh dhe ligjesh të qeverisë Berisha dhe të Kuvendit. Të gjithë janë brenda, që nga drejtësia, pronarët e vjetër dhe biznesi i ri, e deri tek akademikët, pushteti vendor dhe ushtarakët
Ka një aksiomë të vjetër që thotë se një individ, në fjalorin e tij përmend më së shumti ato fjalë dhe virtyte që i mungojnë. Më e dukshme është një gjë e tillë në fjalorin politik të një politikani. Nëse i besohet deri në fund kësaj aksiome të vjetër, atëherë, kur një politikan si kryeministri shqiptar Sali Berisha flet për respekt të ligjit dhe shenjtërinë e tij, zakonisht do kujtuar e kuptuar e kundërta. Këtu nuk është fjala për të shkuarën e largët të kryeministrit; pas vitit 1997 kur humbi pushtetin, ish-presidenti konsiderohej një klient i drejtësisë shqiptare, por refuzoi të hyjë në tempullin e drejtësisë, qoftë dhe atëherë kur i duhej thjesht të jepte shpjegime ose dëshmi.
Revista MAPO ka bërë një kërkim të detajuar në Gykatën Kushtetuese për veprimtarinë e saj mbas vitit 2005, kohë në të cilën filloi mandati i parë qeverisës i zotit Sali Berisha. Ndonëse mbetur disi në hije dhe larg vëmendjes së publikut, “gardianët” e Kushtetutës, rast pas rasti, kanë shuplakuar qeverinë shqiptare për vendime të marra në kundërshtim me ligjin themelor të shtetit. Neni 124 i Kushtetutës së Shqipërisë përcakton drejtpërdrejtë: “Gjykata Kushtetuese garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj”. Dhe kështu duket se ka ndodhur me këtë trupë, e cila në shumë më shumë se një rast, është ndeshur me veprimtari të përkundërt të qeverisë që ka nxjerrë akte e vendime në kundërshtim me Kushtetutën, si dhe me vetë Kuvendin, që ka ecur në të njëjtën trase të antiligjit.
Që prej disa muajsh, retorika e kryeministrit, më së shumti për problemet e mbetura ende pezull mbas zgjedhjeve të debatuara të 28 qershorit, ka pasur si kryefjalë të saj respektimin e ligjit. Sipas zotit Berisha, ka një ndalesë seroze ligjore për të pranuar kërkesën e opozitës për rihapjen e kutive të votimit, por jo të kontestimit të rezultatit zgjedhor. Për të kontrastuar me këtë retorikë, MAPO ka zgjedhur të publikojë të gjitha ato çështje kur qeverisja në këto katër vjet e gjysmë ka qenë “e pavarur” ndaj ligjit themelor të vendit, Kushtetutës.
Kur hidhej në “erë” KLD-ja
Në datën 22 maj 2006, një grup deputetësh i drejtohen Gjykatës Kushtetuese me kërkesën: “Shfuqizim si i papajtueshëm me Kushtetutën i ligjit nr. 9448, datë 05.12.2005, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë per shkak se: institucioni i Këshillit të Lartë të Drejtësisë organizohet e funksionon me natyrë permanente, por jo me anëtarësi me kohë të plotë pune; Papajtueshmëria e mandatit të anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë me çdo veprimtari tjetër politike, publike ose private (përveç mësimdhënies) vjen në kundërshtim me përcaktimin kushtetues të anëtarësisë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për shkak të detyrës si gjyqtar; Ligji i ri ndërpret si mandatin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ashtu edhe ushtrimin e funksionit të gjyqtarit në kundërshtim me Kushtetutën;
Konflikti i interesave, që ligji në shqyrtim synon të shmangë, është i zgjidhshëm nga legjislacioni në fuqi; Ligji i ri del jashtë logjikës kushtetuese të përfaqësimit të gjyqësorit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe cënon parimin e vetëqeverisjes së tij; Ligji është miratuar në kundërshtim me kërkesat e nenit 82 të Kushtetutës, që përcakton detyrimin e Këshillit të Ministrave për t’u shprehur për faturën financiare të ligjit; Neni 3 pika 4 i ligjit i jep anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, imunitet nga ndjekja penale, cilësi kjo që nuk është parashikuar në Kushtetutë; Neni 2 ndalon Presidentin e Republikës, Kryetarin e Gjykatës së Lartë dhe Ministrin e Drejtësisë të kryejnë detyrat e tjera publike veç asaj të anëtarësimit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Gjykata Kushtetuese vendosi: Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të neneve 2, 3, 4, 5 e 6 të ligjit nr. 9448, datë 05.12.2005 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”. Ishte kjo beteja e parë e rëndësishme që qeveria e zotit Berisha humbi në terrenin e drejtësisë; kritikët e tij politikë atëherë e akuzuan zotin Berisha se me anë të ligjit antikushtetues për KLD-në, kërkonte ta merrte atë nën kontrollin e tij politik.
Sherret me organin e akuzës
Në datën 20 maj 2008, e vënë në lëvizje me kërkesë të Prokurorit të Përgjithshëm që kërkonte zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës mes institucionit të akuzës dhe Kuvendit, Gjykata Kushtetuese ka dhënë një vendim “befasues” për shumicën që ngriti kartonat për shkarkimin e tij. “Komisioni hetimor është ngritur për të njëjtin objekt e me të njëjtin qëllim si ai i mëparshmi, për të cilin Gjykata Kushtetuese është shprehur me Vendimin e saj nr.26/2006; Vendimi i Kuvendit nr.135, datë 25.10.2007 është i njëjtë në përmbajtje me vendimin e mëparshëm të Kuvendit. Ai ka për qëllim përsëritjen e të njëjtës procedurë për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Kjo procedurë vjen në kundërshtim me parimin ne bis idem.; Komisioni hetimor ka kryer rivlerësimin e punës së Prokurorisë duke çmuar vendimet e prokurorëve. Vendimi i mësipërm i Gjykatës Kushtetuese e ka gjetur këtë veprimtari në kundërshtim me Kushtetutën; Konkluzionet e komisionit hetimor nuk janë të bazuara (trajtimi i papërgjegjshëm i marrëdhënieve juridiksionale me shtetet e huaja; uzurpimi i pushteteve të Ministrit të Drejtësisë; zbatimi i marrëveshjeve të ekstradimit; lirime të personave nga vuajtja e dënimit me burgim për shkak sëmundjesh); Kuvendi dhe Komisioni Hetimor nuk kanë respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë.
Gjykata Kushtetuese vendosi duke mos i dhënë të drejtë Kuvendit për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm Dhori Sollaku dhe të deklarojë se: “Kuvendi i Shqipërisë nuk ka kompetencë të kontrollojë dhe të vlerësojë vendimet e prokurorëve në çështjet konkrete për mosfillimin e procedimit penal, për pezullimin e hetimeve, për pushimin e çështjeve penale, për marrjen e masave të sigurimit, si dhe të vendimeve e veprimeve të tjera të prokurorëve që lidhen me ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq”. E thënë me fjalë të tjera, shumica e zotit Berisha ka shkarkuar ish-kryeprokurorin në kundërshtim me kushtetutën dhe si rrjedhojë, largimi i tij është antikushtetues. Nëse i besohet zotit Berisha për respektin e thellë që ai ka për ligjin, sot, zoti Sollaku do të duhej të ishte ende në detyrën e tij si kryeprokuror.
Më herët, në datën 4 dhjetor 2006, pothuaj e njëjta histori, sërish ishte përballë prokurori i përgjithshëm dhe Kuvendi i Shqipërisë. Tema e diskutimit kushtetues ishte: “Për përcaktimin e përbërjes dhe të afatit të veprimtarisë së Komisionit Hetimor për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh mbi nisjen e procedurës së shkarkimit nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm”; Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave…”
Në përfundim të këtij gjykimi Gjykata Kushtetuese vendosi: “Të zgjidhë mosmarrëveshjen e kompetencave të lindur midis dy organeve shtetërore, subjekt në këtë mosmarrëveshje, dhe të deklarojë se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka kompetencë të kontrollojë dhe të vlerësojë vendimet e prokurorëve në çështjet konkrete për mosfillimin e procedimit penal, për pezullimin e hetimeve, për pushimin e çështjeve penale, për marrjen e masave të sigurimit, si dhe të vendimeve e veprimeve të tjera që lidhen me ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq”.
E drejta për punë
Në datën 20 korrik 2006, Avokati i Popullit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe GSHDNJ, i drejtuar nga zonja Elsa Ballauri, kërkonte shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimeve të Këshillit të Ministrave nr. 43, datë 27.01.2006 “Për shmangien e nepotizmit dhe ndikimin e pushtetit në rekrutimin dhe karrierën e personelit të administratës publike” e disa vendime të tjera të Këshillit të Ministrave të marrë me të njëjtën logjikë, për shkak se këto VKM shkelnin parimin e barazisë para ligjit, parimin e mosdiskriminimit si dhe të drejtën e punonjësve për të fituar mjetet e jetesës me punë të ligjshme që e zgjedhin ose e pranojnë vetë. Këto vendime synonin spastrimin e radhëve të nëpunësve civilë në administratën publike, proces ky i kritikuar vazhdimisht edhe nga raport progreset e Bashkimit Evropian. Gjykata Kushtetuese vendosi: Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimeve të Këshillit të Ministrave.
Bashkia e Tiranës kundër qeverisë
Në datën 21 dhjetor 2006 ishte rradha e Bashkisë së Tiranës, që të kundërshtonte në Gjykatë vendimet e qeverisë. Bashkia kërkon në gjykatë zgjidhjen mosmarrëveshjeve për kompetencat ndërmjet qeverisjes vendore (Bashkia Tiranë) dhe pushtetit qendror (Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Policia e Ndërtimit)
Bashkia pretendonte se interpretimin përfundimtar të nenit 13 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, për shkak se nga ana e organeve në varësi të KM, ishin thitur disa kompetenca që i takonin pushtetit lokal duke shkelur parimet e autonomisë së pushtetit vendor dhe karten europiane të qeverisjes vendore. Gjykata Kushtetuese vendosi: Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës të krijuar ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Punëve Publike, Transportit e Telekomunikacionit dhe Policisë Ndërtimore, duke përcaktuar, për çdo rast konkret, organin që ka në kompetencë shqyrtimin e çështjeve, objekt i kësaj mosmarrëveshje:
a) Shqyrtimi dhe miratimi i lejeve të ndërtimit, si çështje të planifikimit dhe menaxhimit urban që përfshihen në konceptin ligjor “funksionet e veta”, janë kompetencë e plotë dhe ekskluzive e organeve të qeverisjes vendore.
b) E drejta e shfuqizimit të akteve të paligjshme të KRRT-ve që funksionojnë pranë organeve të qeverisjes vendore është kompetencë e organeve të pushtetit gjyqësor.
c) KRRT-ja është organ i specializuar për urbanistikën që ushtron funksionin dhe kompetencat e tij vendimmarrëse në fushën e planifikimit dhe të menaxhimit urban, nën autoritetin e pushtetit vendor.
ç) Të drejtën për të vendosur për prishjen e volumit të punimeve të ndërtuara jashtë projektit të miratuar e ka Këshilli i Rregullimit të Territorit pranë organeve të qeverisjes vendore.
e) Kontrolli i zbatimit të standardeve teknike mbi territorin është në kompetencë të Policisë Ndërtimore që vepron si organ i pavarur nga pushteti qendror, por nën autoritetin e organeve të qeverisjes vendore.
2. Të deklarojë të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, si shkak i lindjes së mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore, disa dispozita ligjore.
Qeveria vendos për pagat e gjithkujt
Kryetari i KLSH-së dhe Avokati i Popullit në datën 3 mars 2007 vendosen përballë qeverisë; bastin mes tyre duhet ta ndante gjykata kushtetuese. Ata kundërshtonin vendimin për “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj”, për shkak se cenonin rëndë pavarësinë e institucioneve kushtetuese në tri aspektet e saj: pavarësinë organizative, pavarësinë funksionale dhe pavarësinë financiare.
Ky ligj synonte të vinte nën kontrollin e ekzekutivit të gjitha nivelet e pagave të institucioneve të pavaruara të vendit, përfshirë edhe pushtetin gjyqsor. Gjykata Kushtetuese vendosi: Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të nenit 1/1, nenit 4, nenit 7/2, nenit 9, nenit 10/1, 2 dhe nenit 20 të ligjit nr. 9584, dt. 17.7.2006 “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, vetëm për sa i përket institucioneve të pavarura kushtetuese.
Të tjerët
Rastet e tjera vazhdojnë në këtë listë aspak të lavdishme. Në datën 15 tetor 2007, një grup deputetësh fitojnë të drejtën që të konsiderojnë antikushtetues vendimin e qeverisë të disa neneve në ligjin “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, për shkak se këto nene binin ne në kundërshtim me nenin 18 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 14 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ky ligj synonte kontrollin politik të akademisë së shkencave nga ana e qeverisë. Gjykata Kushtetuese vendosi: Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të frazës “pa të drejtë vote” në nenin 8 të ligjit nr.9655, datë 11.12.2006 “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”;
Ato vazhdojnë më tej me ankesën e bërë nga konferenca e rektorëve që kërkonte shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të fjalisë së tretë të pikës 1 të nenit 23 dhe pikave 2 dhe 3të nenit 64 të Ligjit nr.9741, datë 21.05.2007 “Për arsimin e lartë nëRepublikën e Shqipërisë”, për shkak se këto nene cënonin autonominë e institucioneve të arsimit të lartë, të sanksionuar në nenin 57, pika 7 të Kushtetutës. Nenet e këtij ligji synonin kontrollin nga ana e ekzekutivit duke cënuar kështu parimin e autonomisë universitare.
Gjykata Kushtetuese vendosi ndër të tjera: Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të pikës 2 të nenit 64 të Ligjit nr.9741, datë 21.05.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”.
Gjykata Kushtetuese ka dalë jashtë vullnetit të qeverisë dhe ka kundërshtuar atë duke e konsideruar si antikushtetuese edhe në rastin e kërkesës së Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi “që kërkonte shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 9, të ligjit nr. 9583, datë 17.07.2006, “Për disa ndryshime e shtesa në ligjin nr. 9235, datë 29.07.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”.
Po kështu dhe me Shoqatën Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë që kërkonte shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të neneve 1, 2 (pikat 5 e 6), 7 (shkronjat “a, b”) e 9 të ligjit nr. 9481, datë 16.02.2006 “Për disa ndryshime në ligjin nr.9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimet shoqërore suplementare të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të ish-ushtarakëve.
Nuk kanë munguar të jenë kundër vendimeve antikushtetuese të qeverisë së zotit Berisha edhe përfaqësuesit e biznesit, që nga disa shoqata biznesi, investitorë të huaj, dhoma amerikane e tregtisë të cilët së bashku kërkuan shpalljes si antikushtetues të ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”. Fituan dhe ata. Gjykata Kushtetuese vendosi: Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të pikës 2, të nenit 3, të Ligjit nr.9713, datë 16.04.2007 “Për disa ndryshime në Ligjin nr.8560, datë 22.12.1999 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë.
Të njëjtin fat pati edhe ligji “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të kundërshtuar nga një grup deputetësh. Gjykata Kushtetuese vendosi: Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me Kartën Europiane të Autonomisë Lokale të neneve 3, pika 8; 4, pika 1, shkronjat “a”, “ç”, dhe pika 2, shkronja “b”; 5, pika 2; 6; 7; 8; 10; 14, pika 3; 16, pika 2, 5; 17; 20, pika 2; 26 të ligjit nr. 9895, datë 09.06.2008 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”; Rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin si antikushtetues të nenit 4, pika 1, shkronja “b”, “c”, “d”; pika 2, shkronja “a”, “c”, “ç”; pika 3, si dhe të neneve 16, pika 1, 3, 4; 23; 24 dhe 28 të ligjit nr. 9895, datë 09.06.2008 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.
Fitore të rëndësishme arritën në Gjykatën Kushtetuese edhe shoqata e shoqërive të hidrokarbureve. Ata kërkonin shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.52, datë 14.01.2009 “Për cilësinë e lëndës djegëse gazoil (diezel), të prodhuar nga rafinimi i naftës bruto, të nxjerrë në territorin e Republikës së Shqipërisë, dhe të tregtuar për automjete rrugore e gjeneratorë.”
Gjykata Kushtetuese vendosi: Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të pikave 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9 dhe 11 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.52, datë 14.01.2009 “Për cilësinë e lëndës djegëse gazoil (diezel), të prodhuar nga rafinimi i naftës bruto, të nxjerrë në territorin e Republikës së Shqipërisë, dhe të tregtuar për automjete rrugore e gjeneratorë.
Për t´u përmendur është dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 5 maj 2008 që ka shfuqizuar si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të ligjit nr. 9399, datë 12.05.2005 “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”.
Kjo listë e zezë duket shumë për veprimtarinë e një qeverie. Por qeveria e zotit Berisha thjesht e shënon një listë të tillë të zezë në listën e gjatë të rekordeve të saj aspak normale. Edhe atyre që janë kundër Kushtetutës së Shqipërisë, mbi të cilën qeveria e zotit Berisha është betuar për besnikëri.