Lista e PD-së si borderoja e fundit

0
59

Nga Mero Baze, 18 Maj 2013

Pashë Berishën duke prezantuar Astrit Veliaj dhe Lefter Maliqin në Berat, pas Genc Pollos. Për çdokënd që e njeh atë parti, dhe e pranon si një nga dy partitë kryesore në vend, mjafton kjo listë për të kuptuar se bilanci i problemeve që Berishës i janë grumbulluar në këtë fushatë elektorale, e ka detyruar atë të futet në zgjedhje me këmbë të lidhura. I pari është dikush që Berisha nuk i beson se i duket i zgjuar, i dyti është dikush që Berisha shpreson se Berati do ta marrë për të zgjuar ngaqë jep diploma, i treti është dikush që Berisha shpreson të gënjejë budallenjtë. Një parti e madhe me histori dhe plot personalitete, është e tmerrshme të katandiset t’i ofrojë një qyteti dhe një rrethi një listë, e cila tregon se sa peng është Sali Berisha.

Të tre kandidatët e parë të Beratit, nuk do të ishin kurrë në ndonjë listë partie, dhe jo më në PD, sikur Berisha të mos kishte borxhe personale ndaj tyre. Ndaj Pollos ka detyrimin që i është kthyer kokulur në parti dhe i ka shërbyer si fasadë. Ndaj UFO-s ka detyrimet e borderosë së vajzës, që zbardh shifrat për të ardhurat e saj, dhe ndaj të tretit ka detyrimin që e ka blerë për budalla në parlament. Në asnjë prej këtyre tre kandidaturave, një anëtar i PD-së nuk gjend dot një arsye përse duhet të votojë Partinë Demokratike. Në shumë nga zgjedhjet e mëparshme, të tre këto kandidatura kanë qenë më parti të tjera kundër PD-së.

Kjo listë ilustron më së miri atë që po ndodh në PD, një shumicë të heshtur, e cila ndryshe nga opozita, ku ka ende shansin të ngrejë zërin dhe të reagojë, aty hesht dhe po hakmerret në qetësi.

Në të 12 qarqet e Shqipërisë, që nga Shkodra deri në Vlorë, ky fenomen ka fotokopjuar vetveten. Lista e Shkodrës është një arnim i nevojës për të frenuar Topallin dhe nevojës për t’i hapur rrugën një klani të ri të fëmijëve të tij, në Kukës lista është një rreshtim personal i Flamurit kundër rivalëve të vet në parti, deputetit Hoxha, kryetarit të Bashkisë dhe disa kryetarëve të tjerë të komunave, në Dibër një përleshje klanesh, që nuk respekton asnjë strukturë partie në Mat dhe Peshkopi, në Lezhë një amalgamë të fortësh, socialistësh dhe idiotësh, në Tiranë një listë e Familjes Berisha, në Durrës një rezistencë e klaneve të korruptuara të portit dhe doganave, në Fier një listë jabanxhinjsh dhe hajdutësh që shpresojnë të blejnë vota me naftë, në Vlorë një listë e pafajshme humbësish, dhe në Gjirokastër dy njerëz, Ruli dhe Ksera, që nuk kanë shqetësimin më të vogël për PD-në.

I dyzuar mes faktit nëse duhet të bënte një listë politike fitimtarësh apo një listë detyrimesh, Berisha ka vendosur pa mëdyshje të plotësojë listën e detyrimeve ndaj njerëzve që ka pasur në pushtet dhe me të cilët ka mbajtur pushtetin. Për këtë arsye kjo listë ngjan si bordero e fundvitit, ku Berisha po u jep rrogën e 13 atyre që kanë punuar për të këto tetë vjet.

Është kjo arsyeja që të gjitha llogaritë elektorale apo sondazhet për mandatet e mundshme nuk kanë asnjë vlerë. Rezultati historik i Berishës, ai i vitit 2009, jo vetëm që nuk arrihet me këtë listë, por zhytet shumë poshtë. Shumica e heshtur brenda PD-së, ajo që nuk ndjen veten të përfaqësuar në asnjë kriter mbi të cilin janë ndërtuar listat në këtë parti, është dhe shumica politike e asaj partie. Jashtë listave janë lënë emblema politike të PD-së dhe njerëz që kanë përfaqësuar atë çfarë PD-ja është, e mirë apo e keqe. Lista e tanishme është një pirg problemesh të Berishës, i cili si një borxhli i mbytur në detyrime, ka gjetur t’i shpërblejë të gjithë me rrogën e fundit, i cili është mandati gratis në parlamentin e ri.

Rreth 10 prej këtyre mandateve ua ka dhuruar ish- deputetëve të majtë, rreth dhjetë të tjera emrave që ai ka frikë se i largoheshin nga PD-ja para zgjedhjeve, dhe të tjerëve miqve, shokëve dhe shërbëtorëve të Familjes së tij. Për këtë arsye lista e Berishës nuk është as listë fitoreje dhe as listë humbjeje, por listë detyrimesh, të cilat parapaguhen para 23 qershorit. Pas 23 qershorit, për ironi të fatit, shumë nga ata do t’i kemi pro qeverisë së re.