Politike, NGA ANILA BASHA
TIRANE – Lisien Bashkëkurti është diplomat. Tani aderon në Aleancën Kuq e Zi dhe do të garojë për këtë forcë në qytetin e Durrësit. Gjatë eksperiencës së tij të punës, ka negociuar me qindra marrëveshje, diplomatike ndërkombëtare. I vjen keq që ka dështuar në negociatat me PS, por thotë se kanalet e komunikimit mes PS e AK janë ende të hapura. Vlerëson Edi Ramën, por i vjen keq që është ndikuar nga të tjerë për marrëveshjen. Nuk e mohon se kanë kërkuar deputetë në listën e PS, por thotë se në finale, kërkuan vetëm disa numërues në disa KZAZ. Sipas tij, Berisha si makiavelist që është, ka bindur PS, median madje edhe një pjesë të opinionit publik se Aleanca është vegël e PD. Por, Lisieni thotë se AZ nuk është repart ushtarak, dhe koha do të dëshmojë të kundërtën. Në këtë intervistë për shqiptarja.com, sqaron sesi kërkon AZ të arrestojë Berishën.
Pyetja e parë që unë kam është: Si do ta arrestoni Berishën? Sepse kjo kërkesa juaj ngjit në popull…
Aleanca Kuq e Zi e ka lançuar idenë e domosdoshmërisë së arrestimit të Berishës në kuadrin e kulturës së ndëshkimit. Kultura e ndëshkimit ka të bëjë në thelb me respektimin e shtetit ligjor dhe të barazisë së të gjithëve para ligjit. Jemi në një rajon ku kryeministri i Kroacisë është në burg; ku presidenti i Bosnje Hercegovinës është i arrestuar. Natyrisht arrestimi nuk është politik. Ajo që AK ka kërkuar dhe që do të insistojë deri në fund, është që të ketë një pakt politik për të përgatitur dosjen dhe që klima e drejtësisë të jetë e pavarur.
Si mund të mblidhen pesë, apo gjashtë, apo shtatë kryetarë partish dhe të vendosin që “duhet të arrestojmë Berishën”. Se me thënë të drejtën për mua kjo nuk ka logjikë…
Kjo nuk është kërkuar gjëkundi, pra që një parti, apo një grup partish të bëjnë arrestime. Këto do të ishin arrestime politike.
Por, ju thoni “pakt politik”…
Po pra, ne bëjmë një pakt politik që të fillojmë kulturën e ndëshkimit duke kontribuar së bashku që të përgatisim dosjen e akuzës, për t’i krijuar pavarësinë akuzës për ndjekjen e një procesi gjyqësor të pavarur. Kjo ka qenë shumë e qartë, kjo ka qenë pa ekuivoke.
Më fal zoti ambasador, duke folur për çështjen e arrestimit është një procedurë ligjore, pra ai kryen një vepër penale, një krim…kryhen procedurat nga oficerët e policisë gjyqësore e prokurorisë. Zoti Spahiu i di këto se ka qenë nënkryetar i KLD. Kjo nuk ka ndodhur as në ’97. Ky argument, duket si shkak për të mos hyrë në koalicion…
Jo, kjo është një sofizëm dhe është një argument irracional. Në çdo vend të botës dhe në situata shumë të komplikuara që kalon Shqipëria, pakti që bëhet mes forcave politike, është shprehje e vullnetit politik. Pikë. Pra pakti i shprehjes së vullnetit politik që të fillojë kultura e ndëshkimit nga lart- poshtë dhe jo siç veprohet në mënyrë të rëndomtë nga poshtë- lart. Kjo është vetëm shprehje e vullnetit për të përgatitur një dosje serioze. Dhe nga ky moment, politika pushon tërë procedurën dhe drejtësia vazhdon punën e saj.
Një dosje serioze për çfarë? Pse duhet të akuzohet Sali Berisha?
Berisha do të akuzohet për të gjitha problemet themelore që kanë shqetësuar shoqërinë shqiptare, siç ka qenë rasti i Gërdecit, rasti i 21 janarit, rastet e abuzimit me pronat, me krimet ekonomike që janë bërë në vend, por edhe shumë vrima të zeza që ky tranzicion i ka në kurrizin e tij.
Për të gjitha këto zoti Bashkëkurti ka procese në gjykatat shqiptare të cilat vazhdojnë. Madje ka procese që në kohën kur kryetari juaj ka qenë nënkryetar i KLD. Ai mund t’i kontrollonte apo t’i shihte. Pra pse “jo” atëherë, dhe “po” tani?
Kjo nuk ka kurrëfarë rëndësie. Kulutura e ndëshkimit kërkon drejtësi. Dmth, drejtësia të jetë e pavarur, jo e intimiduar nga politika. Ky pakt politik këtë rol ka, që drejtësia të inkurajohet dhe të tërhiqet çdo lloj segmenti politik që bën presion mbi drejtësinë.
Pse duhet të bëhet me pakt politik të firmosur mes disa partive aleate, kur fare mirë kjo procedurë bëhet me një reformë të plotë ligjore në parlament. Aty janë të gjitha mekanizmat, aty ka reformë në drejtësi…aty nisen të gjitha nismat, për luftën kundër korrupsionit e krimit…Pse duhet të firmoset një dokument i tillë?
Shumë e thjeshtë: drejtësia në Shqipëri nuk është e pavarur se nuk është vënë asnjëherë përballë një pakti politik dhe një vullneti konsensual që të mbështesë këto situata të vështira. Roli i këtij pakti është thjesht demonstrimi para institucionit të drejtësisë vullnetin që politika nuk do të ndërhyjë në proces.
Por kjo bëhet duke pasur parasysh që nëse opozita e sotme të jetë maxhorancë, në këtë pakt të marrë pjesë edhe opozita e nesërme sikurse mendoni ju, pra të gjitha forcat politike edhe PD të bien dakord për këtë reformë…
Nuk mund tia kërkosh dhelprës që të ruajë pulat. PD është një instrument është një repart ushtarak i Sali Berishës; është pjesë e inkriminimit; kush më shumë e kush më pak; kush në qeveri e kush në bazë; kush me kapacitete ministrore e kush me institucione të tjera. PD është pjesë e një partie shumë të inkriminuar dhe institucionet e saj janë pjesë e dobësimit të drejtësisë dhe shantazhimit të saj. Nuk mund t’i kërkojmë ne ujkut që të heqë mëlçitë nga qafa. Eshtë pjesë e domosdoshme që forcat opozitare të dëshmojnë vullnet politik. Ky pakt është vetëm vullnet politik dhe asgjë më shumë që i dëshmon drejtësisë se e inkurajon; i tregon qytetarëve që inkurajon drejtësinë e pavarur që më në fund po vjen një bashkim forcash që do të vendosë drejtësinë në Shqipëri. Asgjë më shumë se kaq nuk ka.
Dmth, ju nuk doni të shihni Berishën me pranga duke shkuar në bankën e të akuzuarve…nuk është ky thelbi…
Ne duam Berishën para drejtësisë dhe e duam këtë në bazë të një vullneti të madh të të gjithë forcave. Po nuk u realizua ky vullnet politik, qoftë paraelektoral, qoftë elektoral e qoftë paselektoral drejtësia shqiptare do të vazhdojë të jetë e intimiduar, e shantazhuar nga segmente të ndryshme të faktorëve politikë. Vetëm një pakt i gjerë i partive politike do i krijojë drejtësisë besimin se politika.
Më folët pak më parë për një “repart ushtarak” dhe e kishit për PD. Por në fakt duket se 16 drejtues të AKZ e bënë këtë akuzë pikërisht për Kreshnik Spahiun kur u larguan nga kjo parti. Akuza shkoi madje në marrjen e 100 mijë eurove nga Kreshnik Spahiu për listat për deputetë..pra si një repart ushtarak…
Më vjen jashtëzakonisht keq me thënë të drejtën që ndodhin dukuri të tilla. Ata janë qytetarë të lirë, janë kolegë që unë kam punuar me shumicën e tyre në universitete brenda dhe jashtë vendit, ashtu e kanë menduar dhe gjykuar. Nuk është se kanë ikur nga Shqipëria, kanë dalë nga AK por janë sërish në Shqipëri. Neve nuk e kemi frymën përjashtimore. Ajo është një vetëzgjedhje nga ana e tyre. Absolutisht nuk e kemi një frymë të tillë. Meqë përmendet shumë emri i Kreshnik Spahiut, do të them thjesht tre gjëra si Lisien: nëse ka tre elementë që unë punoj me këtë djalë të ri të politikës, me këtë djalë të një formati të veçantë të politikës shqiptare është fakti që ai është një djalë që di të dëgjojë; së dyti është një djalë me zemër të madhe që nuk është njeriu i përjashtimit apo revanshit brenda AK dhe së treti është një djalë që do të japë idenë e një lideri që ka veshur opingat dhe dëshiron të punojë pëllëmbë më pëllëmbë e shtëpi më shtëpi. Çdo njeri ka elementët e vet, çdo njeri ka anët e errëta të vetat por në formatin politik këto tre tipare të tij dhe i vlerësoj shumë.
Por ka akuza për Kreshnikun edhe si një njeri butaforik dhe megalloman…Ja psh, po të marrim protestën e djeshme, ai tha se do të mbledhë një milionë shqiptarë. Por ne e pamë se vetëm 1500 vetë ishin në atë protestë…
Nuk dëshiroj që të merrem me teknalitete të tilla. Dje kanë qenë rreth 19, 20 rreshta herë 100 pjesmarrës kuadrati i parë dhe po kaq kuadrati i dytë. Dhe njerëzit e kuptojnë vetë sesa kanë qenë. Nuk ka rëndësi në këtë çështje, shifra, sepse shpesh abuzohet me shifrat. Këtu ka një frymë opozitare jashtëzakonisht radikale çka do të thotë që është një pasuri opozitare shumë e rëndësishme. Eshtë një frymë që dëshiron të mëshirojë patriotizëm në kushtet e presionit ndaj shoqërisë shqiptare. Eshtë një forcë që ka mobilizuar jo segmente nga PS e PD, më besoni. Investimi më i madh i AK është te njerëzit që bojkotojnë zgjedhjet. Ne e konsiderojmë bojkotin krimin më të madh ekonomik dhe dëmin më të madh që po përjeton shoqëria shqiptare. Ka kategori që janë të pakënaqura për arsye të ndryshme që nga brezi i baballarëve tanë 80 e ca vjeç deri tek rinia që është mbi 46 përqind e papunë. Ka mjaft target grupe që nuk inkuadrohen brenda PS e PD dhe është mirë që këto faktorë të mobilizohen në forca të tjera. AK po përpiqet të bëjë maksimumin që të mobilizojë këta faktorë, pra bojkotuesit, kategoritë e pakënaqura majtas e djathtas dhe energjitë rinore dhe që mund të hyjë në parlamentin e ardhshëm me kontributin e vet dhe jo të hyjë as në cadrën e PS apo nën fustanin e ndokujt tjetër. Nëse ne donim të bënim një pakt, kishim vullnetin e mirë maksimal. Unë kam punuar maksimalisht deri pak orë para se zoti Rama të nisej në Vjenë (bëhet fjalë për mbylljen e afatit të regjistrimit të koalicioneve në KQZ shen.red). Pavarësisht se nuk u realizua ky pakt, AK është në frontin opozitar dhe çdo ditë do të tregojë se është forca më radikale në opozitë. Ju më thoni se ka pak butafori dhe ka pak zmadhim.
Po…
Unë nuk mund të them që mund të mungojë euforia, ose mund të mungojë edhe elementë të butaforizmit, por në opozitë gjithmonë ka më shumë sesa…lidershipi ka mision që shpeshherë edhe ta hiperbolizojë energjinë sepse është e vetmja formë që na çon drejt protestat aktive që të ketë një frymë aksioni qytetar në mënyrë permanente dhe është element inkurajimi, jo element mashtrimi; është element nxitjeje, nuk është element falsiteti; është element për të mobilizuar njerëzit dhe nuk është element që kërkon t’u hedhë hi syve të tjerëve. Duhet të më kuptoni për këtë gjë.
Atëherë ju më thatë se keni negociuar me Edi Ramën çka kuptohet qartë se ju keni qenë negociatori mes PS dhe AK. Eshtë e vërtetë që keni kërkuar pesë deputetë në listat e sigurta të PS? Dhe më pas mbërritët në 3? Të paktën këtë tezë e tha edhe vetë Edi Rama…
Ajo që do tju them juve dhe gjithë kolegëve, madje edhe zotit Rama është se unë kam negociuar me shumë sinqeritet dhe kam qenë shumë konsistent me zotin Rama, me zotin Meta, me zotin Gjiknuri dhe kolegë të tjerë që kanë qenë ndërmjetës. Pavarësisht nga procesi i negociimit, ne nuk mund të diskutojmë për fazat e negociatave, por negociata arsyetohet vetëm momenti i fundit: ajo që është kërkesa e fundit, dhe ajo ka përbërë shkakun e mosrealizimit të kësaj marrëveshjeje. Kërkesa që të kemi në disa qarqe prioritare nga një anëtar KZAZ. Tërë pjesët e tjera janë pjesë lëshimesh dhe kërkesash reciproke dhe nuk kanë rëndësi se nuk kanë qenë ato që kanë prishur marrëveshjen. Fakti që ne nuk arritëm që të realizonim edhe një arsyetim të vetëm përpara anëtarëve dhe simpatizantëve të AKZ që të kishim nga një numërues në KZAZ prioritare ka qenë momenti i fundit që nuk arritëm paktin e bashkëpunimit.
Pse e kërkoni një anëtar në KZAZ? Sepse ju duhet të testoheni në elektorat dhe kjo është logjike. Të shihet sesa vota do të mblidhni realisht dhe pastaj të shihet sesi do të përfaqësoheni…
Çfarë kërcënimi do t’i vinte koalicionit opozitar nëse midis tre numëruesve që janë nga fronti i opozitës do të ishte edhe një numërues i Aleancës në ato pak qarqe ku neve do të fokusojmë edhe energjitë tona…
Më fal, po kështu do ta kërkonte edhe Gjinushi, edhe Milo, edhe parti të tjera tradicionale të së majtës…Favor i madh është…
Secili ka kërkesat e veta. Dikush ka hyrë në listë, dikush ka gjet modalitete të tjera…
Po PS nuk ka bërë lëshime për parti të tjera në këtë rast, pse duhet ta bëjë për AKZ kur nuk jeni testuar në elektorat dhe ngulmoj për këtë…
Kjo ka qenë një pikë që ne na është premtuar deri në minutën e fundit.
Nga kush është premtuar, nga Rama?
Nga kryetari i PS Edi Rama dhe i është premtuar Lisien Bashkëkurtit. Pikërisht për të pasur disa numërues në KZAZ prioritare dhe jo në të gjitha. Dhe ju kur pyesni për PS, PSD apo PDS do keni parasysh që ne nuk kemi kërkuar numërues në gjithë Shqipërinë. Këto janë 12 qarqe dhe në qarqet prioritare mund të vendosej që katër pesë forcat që kanë peshë realisht në opozitë dhe ku Aleanca është më e spikatura si forcë opozitare, mund të bëhej një shpërndarje për numërues në 12 qarqe duke respektuar pikërisht ato forca që janë testuar në parlament, ato forca që kanë përfaqësim në pushtetin vendor por edhe për AK që duhet pranuar që ka një frymë reale në jetën politike në Shqipëri.
Ju po më thoni se negociuat me Ramën, ai ra dakord për komisionerët, po kush e prishi këtë lidhje?
Vetë zoti Rama u tërhoq në fund nga dhënia e një numëruesi në KZAZ për AKZ. Pavarësisht nga ky fakt, ajo që është më e rëndësishme për median dhe opinionin publik, fronti opozitar është një: në këtë front ka koalicione opozitare, ka parti opozitare dhe ka dhe qytetarë opozitarë. Pavarësisht se nuk u arrit një marrëveshje, AK me PS nuk ka prishur ndonjë pakt, se nuk ka ekzistuar, nuk kemi thyer ndonjë kontratë sikurse e theu LSI me PD, sepse nuk e kemi patur. Ne kemi qenë në frontin tonë të opozitës. Ne tentuam të bëjmë një pakt mirëkuptimi që nuk u arrit. Por kjo nuk ndryshon asgjë në pozicionin politik të AZ as ndaj opozitës e as ndaj maxhorancës. AZ ngelet forcë radikale opozitare dhe këtë do ta provojë çdo ditë, çdo javë, tani në fushatë por edhe pas fushate. Jemi të tërë përballë kësaj prove. E shoh shumë të negativizuar që të humbasin energjitë tona…
Po ka shumë pesimizëm dhe kjo duket…
Po, por nuk është mirë as për opozitën e organizuar në një koalicion, as për AK që punon e vetme në këtë front, as për FRD që tenton të hyjë e vetme në këtë front. Nuk është mirë të harxhojmë energji dhe të ngelemi në krizë. Çdo orë që kalon duke u marrë me këtë krizë brenda nesh, jam i sigurt që do të dobësojë shumë frontin e opozitës. Ok, nuk u realizua një pakt, unë këtë e kuptoj. Do ishte shumë më mirë ta realizonim dhe këtë e kuptoj. Kam qenë mbështetësi kryesor për realizimin e kësaj dhe për këtë jam i bindur, por fakti që nuk është realizuar nuk ndryshon gjë në spektrin opozitar. Përkundrazi, ne të vetëm jemi të detyruar të luftojmë shumë më tepër, dhe të harxhojmë shumë më tepër energji dhe të kemi një rrisk shumë më të madh sesa po të ishim në koalicion.
Ju jeni diplomat, keni negociuar me dhjetëra apo qindra marrëveshje. Në momentin që mbyllet ky negociim i parë, ka ndonjë shanc apo alternativë tjetër?
Unë mendoj se ka gjithnjë zgjidhje. Dhe dëshiroj të mbajmë urat dhe rrugët e komunikimit në frontin e opozitës sepse AK nuk ka përveshur shpatën majtas e djathtas. AK ka përveshur shpatën kundër regjimit Berisha që duhet të dalë në një opozitë të thellë. E vetmja forcë me të cilën AK nuk bashkëpunon dhe nuk jep asnjë votë është Sali Berisha, qeveria e tij dhe PD. Kjo është e qartë dhe po e përsëritim kaq shumë sa po bëhemi të bezdisur. Dhe nuk e di se ç’provë duhet të japë AK më shumë…
Po sepse ka një lloj skepticizmi: Spahiu ka qenë avokat i Berishës, e më vonë zv.kryetar i KLD. Tashmë që del me tezën e arrestimit të Berishës, ne nuk e kemi dëgjuar kryeministrin asnjëherë të flasë kundër AKZ sikurse bënte njëherë e një kohë. Asnjë deklaratë prej tij që ne e dimë shumë mirë se Berisha merret me çdo lloj deklarate që bëhet andej këndej…
Më vjen shumë keq që në mënyrë hipotetike bëhen pyetjet dhe po në mënyrë hipotetike kërkohen përgjigjet. Sali Berisha është politikan i formatit të Makiavelit. Dmth jam i bindur që në mos e ka në tryezë e ka në mendje çdo rresht të librit të tij. Ai e di sesi diversifikohet opozita, ai e di shumë mirë se kur faktorizohet një kundërshtar dhe kur mund ta defaktorizosh atë. Fakti që nuk merret me AKZ nuk është se ka konfidencë ndaj AK, por ai do ta defaktorizojë atë së pari, dhe së dyti, duke heshtur kërkon të krijojë alibi ndaj Aleancës dhe së treti duke mbajtur këtë pozicion ai dëshiron të fokusojë gjithë energjinë kundër Edi Ramës dhe PS. Mendoj se deri këtu me taktikën e tij ka qenë i suksesshëm, ka krijuar tek ju dyshimet, e ka mbjellur tek ju dyshimin që AK është hije e Berishës ka arritur me heshtjen e tij të defaktorizojë AK në një masë të konsiderueshme dhe me heshtjen e tij ka arritur të krijojë një frymë mosbesimi dhe përçarje midis AZ dhe një pjesë të opozitës që është në koalicionin për Shqipërinë Evropiane. Absolutisht tërë shqiptarët duhet ta dinë se Berisha është lojtar shumë i fortë politik, por një shtetar kaotik dhe është përplasës i fortë institucionesh. Por si lojtar politik ai është makiavelisti i historisë shqiptare dhe unë besoj se ai do të përdorë gjithë instrumentat dhe mekanizmat për të realizuar këtë qëllim. Qendrimi i tij ndaj AK dhe PS është qëndrim makiavelist, përça e sundo. Nëse dhe media bie në këtë grackë atëherë kjo kërkon një shqyrtim të hollësishëm të profilit të tij politik, strategjinë që do të realizojë dhe taktikat që po përdor aktualisht. Më duket se PS po bie më shumë viktimë e këtij makiavelizmi sesa AK.
Në fakt në këtë moment që ne flasim ka negociata mes AK dhe PS?
Ka kanale të hapura dhe jam shumë kurajoz për tua thënë të gjithëve që roli dhe misioni im do të jetë për të mbajtur urat e bashkëpunimit dhe shpresa vdes e fundit, që ka ende rrugë, mënyra dhe mekanizma që fronti opozitar të krijojë sinergji të përbashkëta dhe kjo është në dobi jo të PS dhe AK por domosdoshmëri për të bërë një rrotacion të thellë në kushtet e rrënimit të sistemit zgjedhor, në kushtet e depresionit shoqëror, në kushtet e humbjes së besimit për zgjedhje të lira dhe të ndershme, në kushtet e reputacionit shqiptar të shkatërruar. Rama, Spahiu, Gjinushi dhe gjithë kolegët e tjerë, të tërë kemi një mision: që në 24 qershor t’i japim Shqipërisë një qeveri tjetër, një qeveri moderne, një qeveri me standarte evropiane, që të kemi një shumicë në parlament për të garantuar reformat e thella, së paku gjashtë muaj. Sepse situata ekonomike dhe rajonale mund të na shpien vitin tjetër sërish në zgjedhje të parakohshme. Por një detyrë e kemi të gjithë bashkë, për reformë kushtetuese dhe reformën e ligjeve me shumicë të cilësuar dhe t’i hapim portat Shqipërisë për në BE. Kjo nuk bëhet pa sinergji opozitare dhe kjo nuk bëhet duke i shpallur front lufte njëri tjetrit kur lugati i zi, balozi i zi dhe faktori që më së shumti ka shkaktuar dëm Shqipërisë është PD dhe qeveria e Sali Berishës. Kjo duhet të jetë shumë e qartë nga të gjithë ne.
Megjithatë nuk jemi më në sensin që “Shqiponja u kthye në sorrë” sipas jush…Këtë e deklaroi Edi Rama…
Unë e kam mik personal Edi Ramën dhe këtë mund ta shkruani me shkronja kapitale. Miqësia fillon që në fushën e artit. Unë e kam pasur profesor babain e Edit dhe kam respekt të jashtëzakonshëm për veprën e tij. Rama është shpirti i artistit, dhe për këtë arsye, ka gjithmonë ngarkesa emocionale. Presioni mbi të ka qenë shumë i madh, unë e kam ndjerë…
Nga kush?
Brenda partisë së tij dhe nga koalicioni, e sidomos nga faktorë të veçantë në koalicion. Presioni ka qenë shumë i madh. Unë e arsyetoj këtë presion, pavarësisht se unë jam stërvitur për të mbajtur shumë presion në jetën time. Dëshiroj t’i transmetoj një mesazh edhe nëpërmjet kësaj mediaje që në AK, PS gëzon respekt të madh. Ne e çmojmë shumë sakrificën sublime që ka bërë lidershipi i opozitës dhe personalisht zoti Rama për të mbajtur frymën opozitare gjallë. Tani kanë mbetur fare pak javë që këtë frymë opozitare ta mbledhim së bashku, secili në spektrin e vet. E rëndësishme është që të mbledhim çdo votë shqiptari, çdo bojkot shndërrohet në votë, çdo target grup të mobilizohet deri në objektivin për rrëzimin e kësaj qeverie dhe të kësaj maxhorance.
Sa pretendon AKZ se do të marrë në këto zgjedhje?
Ju e dini që Aleanca nuk është legjitimuar nga sovrani, pra nuk ka asnjë votë qytetari në Shqipëri. Kjo është e vërtetë. Mbi këtë bazë matshmëritë tona bazohen mbi sondazhet që është një element i matjes, bazohen te anëtarësia dhe masa që përcjell aktivitetet tona. Nuk ka tregues tjetër. Sondazhet dhe anëtarësia janë dhe masivitet në të gjithë Shqipërinë. Janë bërë mbi 820 mitingje që vërtiten nga 150-200 vetë deri në mijëra vetë. Dhe këta janë njerëz pa punë që duhen motivuar. Aleanca në të tëra rastet sipas sondazheve, Aleanca del forcë e tretë. Ne e kemi marrë rriskun me bindje, sepse është etike që të testohet Aleanca në votë popullore.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 04.05.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)