Liria e shtypit në Kosovë matet sipas shpërndarjes së reklamave nga pushteti

0
47

Prishtinë, 3 maj – Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE – u ka bërë thirrje autoriteteve në Kosovë që të parandalojnë ndikimin e panevojshëm në media në mënyrë që t’u sigurohet atyre ambient i sigurt për ushtrimin e zejes.

Kjo thirrje e shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Werner Almhofer, ka ardhur një ditë përpara Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, e lëshuar përmes një deklarate për shtyp.

Që nga viti 1993, kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 3 Majin Ditë Botërore të Lirisë së Shtypit, kjo datë rikujton publikun dhe autoritetet që mediat e lira dhe liria e shprehjes janë të lidhura ngushtë me funksionimin e strukturave demokratike dhe prosperitetin, kurse misioni i OSBE-së ka mandat për të mbështetur dhe promovuar parimet e lirisë së mediave dhe lirinë e shprehjes në Kosovë. I pari OSBE-së në Kosovë, Almhofer, ka thënë se misioni që ai drejton shpreh shqetësim për disa zhvillime brengosëse në fushën e mediave kohëve të fundit, duke përfshirë rritjen e numrit të kërcënimeve të drejtpërdrejta ndaj gazetarëve hulumtues dhe sfidave në pavarësinë editoriale të transmetuesit publik.

“Siç është cekur së fundi në një raport të OSBE-së, mediat mund të ndikohen edhe nga mënyra se si institucionet i shpërndajnë reklamat”, ka thënë ai. “Raportet nga organizata që masin nivelin e demokracisë dhe lirisë së mediave, përfshirë Freedom House dhe Reporters Sans Frontières, gjithashtu kanë tërhequr vëmendjen për trysninë mbi mediume dhe gazetarët, gjë që e kërcënon përparimin e arritur në krijimin e demokracisë dhe një shoqërie të hapur në Kosovë”.

Ndërkohë Kosova këtyre ditëve është nxjerrë nga Freedom House kampion rajonal për mungesën e lirisë së medias. Në raportin për 2009-n të kësaj organizate kredibile ndërkombëtare që mbron lirinë e shtypit, i cili është publikuar të enjten, vendi është kualifikuar si pjesërisht i lirë. Është listuar si shteti i 108-të me 53 pikë, midis 196 shtetesh sa përmban lista. Liri më të avancuar se Kosova kanë: Serbia e ranguar e 78-ta, Mali i Zi i 80-ti, Kroacia e 85-ta, Maqedonia e 94-ta, Bosnjë-Hercegovina e 97-ta dhe Shqipëria e 102-ta. Raporti ka theksuar se përmirësimi i rezultatit për Serbinë në 2009-n, reflektohet nga fakti se Kosova u shënua ndaras për herë të parë në këtë edicion”.

Indeksi i lirisë i organizatës Freedom House e ka vlerësuar shkallën e lirisë së mediave të printuara, të atyre elektronike dhe të internetit në çdo vend të botës, duke analizuar ngjarjet dhe zhvillimet në çdo vit kalendarik. Radhitja është përcaktuar përmes shqyrtimit të tri kategorive të gjera: mjedisit legal në të cilin veprojnë mediat, ndikimeve politike në raportimet apo qasjet në informacionet dhe presioneve ekonomike në përmbajtjen e lajmeve. Radhitja nuk i ka pasqyruar vetëm veprimet dhe politikat e qeverisë, por edhe sjelljen e medieve në kufijtë e caktuar, madje edhe në mjediset më kufizuese.

Lidhur me Kosovën, që për herë të parë në raportin e 2009-s evidencohet si shtet, Freedom House ka shkruar se shkalla e të drejtave politike u përmirësua nga niveli 6 në 5, ndërsa liritë civile nga 5 në 4. Ndërkaq, statusi i lirisë së shtypit është cilësuar si pjesërisht i lirë nga jo i lirë që ishte në raportin e mëparshëm. Freedom House, organizatë me seli në Shtetet e Bashkuara ka vënë në dukje se liria e shtypit në botë pësoi rënie për të tetin vit me radhë.

Zmbrapsjet më të ndjeshme janë parë në Amerikën Latine, Meksikë, Honduras dhe në Nikaragua. Freedom House ka konstatuar edhe se Rusia vazhdon të jetë një prej vendeve me mjedis më të rrezikshëm për shtypin, ku ky i fundit nuk gëzon liri. 10 vendet me më pak liri shtypi janë: Bjellorusia, Birmania, Kuba, Guineja Ekuatoriale, Eritreja, Irani, Libia, Koreja e Veriut, Turkmenistani dhe Uzbekistani.

Në anën tjetër edhe Instituti i Kosovës për Hulumtime dhe Zhvillim të Politikave – KIPRED – ka paraqitur rezultatet e një hulumtimi të realizuar gjatë periudhës kohore 15 korrik – 15 gusht 2009, me ç’rast ka prekur përfundimin se botuesit në Kosovë janë nën presion të autoriteteve, të cilët insistojnë që në rast se ata botojnë ndonjë raport kritikues për punën e tyre, atëherë ata nuk do të botojnë asnjë reklamë në gazetat përkatëse. Raporti i KIPRED-it ka vënë në dukje se Qeveria e Kosovës vazhdon të jetë punëdhënësi dhe kontraktuesi më i madh për afarizëm.

“Ky fakt i vetëm, i siguron qeverisë një pozitë më të lartë ndaj medieve, duke qenë gjithashtu një prej reklamuesve më të mëdhenj”, është shkruar në raportin e këtij organizmi. Tutje është cekur se “autoritetet në Kosovë nuk kanë as mekanizma e as gatishmëri t’i shpërndajnë në mënyrë të barabartë reklamat e tyre në të gjitha gazetat”. Gjithashtu është vlerësuar se institucione të caktuara zakonisht i publikojnë reklamat e tyre në gazetat që janë të afërta me partinë politike, përfaqësuesi i së cilës është në krye të atij institucioni.

“Në këtë mënyrë, autoritetet i sponsorizojnë tërthorazi gazetat e tyre dhe në anën tjetër i dëmtojnë komercialisht gazetat tjera, të cilat nuk mund t’i kontrollojnë”. Raporti i KIPRED-it ka nënvizuar se institucionet në Kosovë si ato lokale po ashtu edhe ato qendrore kanë tendencë të kontrollojnë përmbajtjen editoriale të gazetave përmes favorizimit të tyre kur bëhet fjalë për publikimin e reklamave të sponsorizuara nga qeveria.

“Gazetat që përfitojnë më së shumti nga reklamat që paguhen me fonde publike që kontrollohen nga parti të caktuara politike kanë tendenca të jenë shumë të njëanshme duke mbështetur këto subjekte politike dhe programet e tyre. Disa gazeta vlerësohen të jenë zëdhënëse të politikanëve, apo kompanive, të cilat janë tejet të ndikuara nga disa parti politike”.