Nga Albin Kurti, 23 Gusht 2012
Asnjë regjim nuk rri në fuqi vetëm me forcën e armës dhe parasë. Secili regjim në çdo kohë e në çdo vend mbahet në pushtet duke u mbështetur edhe në një narrativë të caktuar, në një shpjegim a përshkrim ngjarjesh, procesesh e njerëzish. Njëkohësisht, regjimi vetëm sa nis me qeveritarët dhe aparatin shtetëror duke qenë se shtrihet në shoqëri shumë më thellë se kaq.
Propaganda e analistëve të regjimit dhe agjitacioni i agjentëve të tij paraqesin altoparlantët e regjimit që orvaten t’i formësojnë opinionet e publikut drejt bindjes së tyre se ajo që është reale është edhe racionale. Pa këta analistë dhe agjentë, regjimi edhe do të dukej edhe do të ndjehej i vetmuar. Ata paraqesin shoqëruesit e regjimit – ata e shoqërojnë regjimin sipas nevojave që mund t’i shfaqen regjimit. Regjimi ngjan gjithmonë më mirë dhe më normal me shoqërues.
Janë dy linja kryesore të këtyre shoqëruesve të regjimit ku orientohet sulmi i tyre mbi opozitën në Kosovë. Linja e parë është ajo për zhurmën: ‘opozitë e zhurmshme’, ‘zhurma e opozitës’, ‘opozitë që bën zhurmë’ e deri te ‘zhurma opozitare’ na shfaqen gati si togfjalësha të rëndomtë të cilët shoqëruesit e regjimit i përdorin edhe nga disa herë brenda së njëjtës intervistë ose artikull të tyre.
Po patët durimin t’i dëgjoni a lexoni deri në fund, fort qartë do ta kuptoni që këta që e akuzojnë opozitën për zhurmë, në fakt, e duan opozitën veçse të heshtur. Këtyre nuk ju pengon pse opozita është e zhurmshme, por pse ajo nuk është e heshtur. Regjimi e do qetësinë. Prandaj, shoqëruesit e regjimit e duan heshtjen e atyre që nuk e duan regjimin. Meqë duan opozitë të heshtur, ata zërin e opozitës e përjetojnë gjithmonë si zhurmë.
Edhe kur kushtëzohen bisedimet me Serbinë me fatin e shqiptarëve të rrëmbyer gjatë luftës, edhe kur publikohet kontrata makabër me Bechtel-Enka, edhe kur digjen flakë argumentet e ministrave dhe kryeministit në interpelanca, edhe kur duan ta falin Distribucionin e KEK-ut, edhe kur bllokohet hyrja e mallrave të Serbisë në Kosovë… Janë vetë ata që duan të dëgjojnë zhurmë (kur flet opozita) që të mos dëgjojnë (kur flet opozita). Mirëpo, opozita e heshtur, duke qenë e heshtur, nuk është opozitë. Ta duash opozitën e heshtur do të thotë të mos e duash fare opozitën. Pozitë pa demokraci mund të ketë, porse demokraci pa opozitë nuk mund të ketë. Regjimi është kundër demokracisë.
Linja e dytë është ajo për gjuhën: ‘opozita po përdor gjuhë të rrugës’, ‘gjuha e opozitës është banale’, ‘gjuha e vrazhdë e opozitës’ e deri te ‘gjuha e dhunshme e opozitës’, përbëjnë tashmë akuzat standarde publike të shoqëruesve të regjimit. Atëherë kur diskreditimi i llojit të parë duket që nuk pi më ujë, nuk thonë më që opozita po bën zhurmë por që gjuha e opozitës na qenka e papërshtatshme. Ata do të donin që gjuha e opozitës të ishte më pak e papërshtatshme, gjithnjë e më pak e papërshtatshme, deri sa të bëhej krejtësisht gjuhë e përshtatshme.
Nuk ka rëndësi që qytetarët po varfërohen dhe s’kanë as shkollim cilësor e as përkujdesje shëndetësore, që Kosova s’ka zhvillim ekonomik dhe papunësia po rritet, që po e fusin veriun e Kosovës në pazar te qeveria nazifashiste në Beograd, që duan ta shesin lirë PTK-në e ta likuidojnë Trepçën, që Kosovën po e kthejnë në një krahinë që kësaj radhe as autonome nuk është… Me rëndësi është që këta njerëz që po i bëjnë të gjitha këto të mos quhen hajna e kriminelë! Se atëherë prishet puna, se vetëm atëherë prishet puna. Edhe nëse vjedhin, atëherë le të quhen p.sh. përvetësues të paligjshëm të pasurisë publike apo diçka ngjashëm.
Ama jo hajna, jo me këtë gjuhë brutale. Ani se kanë bërë hapur krime, kjo është asgjë krahasuar me gjuhën që i quan ashtu hapur: kriminelë! Ndonëse egërsinë e realitetit në Kosovë s’ka gjuhë që arrin ta kap sado e egër ajo, problemi kufizohet te egërsia e paarrirë e gjuhës dhe jo te egërsia e rreshkur e realitetit. Kërkesa që gjuha e opozitës të bëhet e përshtatshme, është kërkesë që vetë opozita të bëhet e përshtatshme porsi gjuha, që opozita të bëhet shoqëruese e pozitës porsi këta shoqëruesit prej analistësh e agjentësh.
Gjuha e përshtatshme është gjuhë e përshtatshme për regjimin, gjuhë që i shkon për shtati regjimit. Gjuhë të tillë kanë pikërisht shoqëruesit e regjimit – gjuhë të lëmuar. Opozita me gjuhë të përshtatshme, duke qenë me gjuhë të përshtatshme, nuk është opozitë. Ata që duan gjuhë tjetër të opozitës, në fakt, duan opozitë pa gjuhë, opozitë me gjuhë të prerë. Nuk e duan shprehjen e lirë ngaqë nuk e duan lirinë e shprehjes. Regjimi është kundër lirisë.
E përbashkëta e këtyre dy linjave është përpjekja që në të njëjtën kohë të diskreditohet por edhe të diciplinohet opozita. Duke mos folur për përmbajtjen e çështjes, duke anashkaluar ballafaqimin konceptual dhe argumentet e opozitës, ata etiketojnë për formën e të bërit opozitë. Flasin për zhurmën ose për gjuhën, që të mos flasin se çka në të vërtetë u tha dhe pse. Shoqëruesit e regjimit janë të përqendruar te regjimi dhe te shpërqendrimi i qytetarëve.
E përbashkëta e shoqëruesve të regjimit është se ata janë bukur rehat sot përkundër gjendjes së mjerueshme në të cilën ndodhen shteti i Kosovës dhe populli i saj. Këta zakonisht i përkasin shtresës së mesme, që do të thotë se nuk janë të varfër, dhe janë të punësuar diku, që do të thotë se nuk janë pa të ardhura. Dallimin social me shumicën dërrmuese të popullsisë gjithsesi ia kanë borxh regjimit, në një mënyrë a tjetër. Personalisht e marrin politikën edhe këta shoqëruesit e regjimit. Zaten, aspak ndryshe prej qeveritarëve, kryeministrit e matrapazëve të tjerë.