Ligji i urrejtjes për pushtetin vendor

0
102

Nga: ILIR BEQJA, 30 Tetor 2010

Kuvendi i Shqipërisë miratoi një ligj për detyrimet që ndërmarrjet publike në pronësi të pushtetit vendor, u kanë të tretëve. Në pamje të parë, duket se iniciativa e qeverisë e ka marrë shtysën nga përpjekjet për të përmirësuar marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike të këtyre ndërmarrjeve me të tretët.

Por edhe në këtë rast kemi një déjà vu të urrejtjes patologjike, që mazhoranca e drejtuar nga Sali Berisha, ka kundrejt pushtetit vendor. Kjo urrejtje ka nxitur një sjellje konstante antikushtetuese dhe antiligjore të mazhorancës aktuale ndaj qeverisjes vendore. Pavarësisht se këtë sjellje e kanë dënuar institucione të ndryshme, Sali Berisha është i vendosur të ecë përpara në rrugën e shkelësit të ligjit. Për këtë nuk mjaftojnë kundërshtimet që i ka bërë nismave të tija ligjore Gjykata Kushtetuese. Nuk mjafton as deklarata e ambasadorit të OSBE në Tiranë, në mbledhjen vjetore të Këshillit të ambasadorëve para 7 javësh.

Në komisionin kuvendor ku unë si deputet jam i angazhuar, pyetjes se a është konsultuar më parë qeveria me shoqatat e qeverisjes vendore, përfaqësuesit e qeverisë iu përgjigjen se nuk e kanë parë të arsyeshme një gjë të tillë. Kjo është skandaloze. Duke qenë se bashkitë dhe komunat janë subjekte të këtij ligji, qeveria qendrore, si hartuese e tij, ka detyrimin ligjor që të konsultohet gjatë gjithë procesit me autoritetet vendore apo përfaqësuesit e tyre. Ky detyrim rrjedh nga neni 4.6 i Kartës Europiane për Vetëqeverisjen Vendore dhe Rekomandimi (2004)1, datë 8 janar 2004 i Komitetit të Ministrave të vendeve anëtare të Këshillit të Europës. Detyrimi për konsultim rrjedh edhe nga fryma e ligjit nr. 8652 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore”.

* * *

Ligji duket sikur sjell edhe “risi” në të drejtën tregtare shqiptare. Ndërmarrjet publike apo shoqëritë aksionere në pronësi të pushtetit vendor, me sa duket, duhet të fillojnë t’i nënshtrohen rregullave të reja në ndryshim nga deri më sot, apo nga të gjitha llojet e shoqërive tregtare. Sipas parimeve të ekonomisë së tregut dhe ligjit për shoqëritë tregtare, ndërmarrjet dhe shoqëritë tregtare publike janë persona juridikë privatë dhe i nënshtrohen parimeve të ligjeve për shoqëritë tregtare.

Legjislacioni i jep të drejtë kreditorit të kërkojë përmbushjen e detyrimit debitor me anë të gjykatës dhe duke kërkuar falimentimin. Nuk ka asnjë arsye të ndërhyjë ministri i Financave me kompetenca që ligji ia ka dhënë pushtetit gjyqësor, i cili është një pushtet i pavarur. Ligji i miratuar i jep të drejtën ministrit të Financave të ndërhyjë hapur në kompetenca të gjyqësorit.

Për më tepër që ministri i Financave është një organ individual që vendos “arbitrarisht”, ndërsa në rastin e gjykatës kalojmë në një proces të plotë dhe të rregullt gjyqësor të të provuarit me fakte dhe prova, dhe me të drejtat procedurale të palëve për t’u dëgjuar, ankimuar etj. Ligji “Për shoqëritë tregtare” në nenin 105/1 thotë se “..Themeluesit (e sha) janë persona fizikë ose juridikë, të cilët nuk përgjigjen personalisht për detyrimet e shoqërisë….”. Pra, me fjalë të tjera, bashkia/komuna nuk ka pse të përgjigjet për detyrimet që mund të ketë, le të themi ndërmarrja e Ujësjellësit.

Me miratimin e këtij ligji është cenuar parimi kushtetues i barazisë para ligjit, sepse nëse është i nevojshëm të kryhet nj rregullim për përmbushjen e detyrimeve debitore që ndërmarrjet shtetërore kanë ndaj të tretëve, pse ky rregullim bëhet vetëm për ndërmarrjet shtetërore dhe shoqëritë e pushtetit vendor dhe jo edhe për ato të pushtetit qendror?

Ligji sanksionon që ministri i Financave do të ndërhyjë në llogaritë e pushtetit vendor. Ministri Financave nuk mund të marrë këtë atribut. Nëse do të ketë mundësi të kontrollojë mënyrën si shpenzohet transferta e kushtëzuar, mund të kërkojë kompetenca, qoftë në ligjin për sistemin buxhetor, qoftë në ligjin për buxhetin vjetor të radhës. Bllokimi dhe pezullimi i llogarive bëhet vetëm me vendim të gjykatës dhe me tituj ekzekutivë, të cilët ekzekutohen nga përmbarimi. Ministri i Financave nuk mund të vendosë tituj ekzekutivë.

Sipas legjislacionit europian dhe ligjeve të konkurencës, shtetit nuk i lejohet që të subvencionojë, të përballojë humbjet apo të përmbushë detyrimet debitore të personave juridikë tregtarë, në të cilët është pronar. Kjo është definuar si një praktikë e njohur në shkelje të konkurrencës (kujtojmë rastin e fundit të BE me Greqinë) dhe nuk e lejon edhe ligji ynë që përafron legjislacionin e BE-së në këtë fushë. Është fjala për ligjin për ndihmën shtetërore. Në këtë kuptim, Europën mesa duket e kemi demagogji.

Themi se duhet të anëtarësohemi, por nuk respektojmë parimet e tregut të përbashkët, por miratojmë ligje që bien në kundërshtim me praktikat e konkurrencës. Pra, thelbi është që nëse ndërmarrja/shoqëria ka detyrime, ato nuk mund t’i plotësojë pronari (shteti) nga llogaritë e tija, të cilat në këtë rast vijnë nga të ardhurat publike. Shoqëria është në treg për të dalë me fitim, sepse ushtron veprimtari tregtare.

Ligji i ka dhënë ministrit të Financave atributin e një “organi epror” për bashkitë/komunat, duke i dhënë atij të drejtë që me një akt administrativ të bllokojë buxhetin dhe të pezullojë aktivitetin financiar të njësive vendore. Ministri i Financave çdo gjë mund të jetë, vetëm “organ epror” për bashkitë dhe komunat nuk është. Njësitë e qeverisjes vendore janë autonome nga pikëpamja kushtetuese, në të drejtën e tyre për të krijuar të ardhura dhe kryer shpenzime.

Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 111/2 dhe 113/b, e përcakton qartë këtë autonomi. Edhe ligji nr.8652 e sanksionon këtë autonomi. Neni 19/3 thotë: “Çdo njësi e qeverisjes vendore ka autoritet të plotë për qëllimet dhe mënyrat e përdorimit të fondeve buxhetore të saj, që nuk janë transferta të kushtëzuara….”.

Edhe në relacionin që shoqëroi projektin kishte shumë demagogji, madje deri në gënjeshtra. Në të thuhet se procesi i transferimit të funksioneve tek pushteti vendor është shoqëruar edhe më të drejta për të gjeneruar të ardhura nga taksa dhe tarifa vendore. Janë për t’u pasur zili në mënyrën se si gënjejnë, sepse e njëjta ministri propozoi para disa muajsh në Kuvend tavane kufizues të tarifave dhe taksave vendore.