Shekulli, 26.12.2009
TIRANË- Partia Socialiste i ka cilësuar ndryshimet e bëra në ligjin e tokave, jo vetëm antikushtetues, por edhe nxitës të konflikteve sociale në vend. Për këtë ajo i kërkon Presidentit të Republikës që të mos e dekretojë këtë ligj, që sipas saj u rrëmben tokën dhe i hedh në rrugë njerëzit në nevojë, pa u diskutuar më parë me grupet e interesit.
Sipas saj, ligji i miratuar nga Kuvendi tre ditë më parë, “Për një shtesë në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”, do të thotë që “familjet dhe individët, që kanë në përdorim toka bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore brenda vijave të verdha urbane dhe rurale, apo në zonat me përparësi zhvillimi të turizmit do të duhet të heqin dorë prej tyre kundrejt një kompensimi që do t’u bëhet me një sipërfaqe simbolike trualli”.
Gjatë një deklarate për mediat, deputeti i PS-së, Fatmir Toçi ka deklaruar se ky ligj ndryshon atë të vitit 1995, i cili është përmirësuar me një shtesë të bërë me anë të dekretit të vitit 1996 të ish-presidentit, Sali Berisha, por që s’ka mundur të gjejë zbatim për shkak të një procedure të munguar.
“Banorët e zonave të Orikumit, Ksamilit, Borshit apo të zonave të tjera që kanë marrë sipërfaqe në përdorim deri në 1500 m2 do t’u merret, duke i kompensuar në tokë me një sipërfaqe 300 deri në 750 m2. Ky është një ligj, që jo vetëm do të rrisë konfliktin social në vend, mes atyre që do t’u merret toka me ata të tjeret që do t’u jepet, por vetë personat e rrezikuar nga ky “shtetezim” modern kanë kërcënuar se nuk e leshojnë tokën e tyre”- tha ai.
Sipas Toçit, përpjekja e mazhorancës për zgjidhjen e problemit të pronësisë mbi tokën me anë të këtyre ndryshimeve në ligj e acaron më tepër problemin dhe e ka rritur revoltën e banorëve, kryesisht atyre që jetojnë në vijën bregdetare, të cilët presin zgjidhjen ligjore të problemit, dhe jo marifete të reja të kësaj qeverie për grabitjen e tokave që ata kanë në përdorim që prej 18 vjetësh.
Në emër të PS-së, ai ka theksuar se veprime të tilla janë të papërgjegjshme, kur në këtë kohë krize mazhoranca kërkon t’u shkaktojë shqiptarëve një krizë të re.
“Nëse kjo qeveri po zhvesh nga të drejtat e fituara më parë këta qytetarë në emër të ish-pronareve, ky është veçse mashtrimi i rradhës, pasi ka 5 vjet që ajo as i ka kthyer pronat, dhe thjesht po bën pronarë klientet e saj dhe të familjes në pushtet”- tha më tej ai.
Sipas tij, ligji i vitit 1995 me disa ndryshime në vitin 1996, ua ka dhënë një herë të drejtën këtyre banorëve për ta kthyer tokën nga përdorimi në pronësi, edhe pse nuk mundi të gjejë zbatim për shkak të mungesës të procedurave të mëtejshme, si rrjedhojë e ngjarjeve që tronditën Shqipërinë në vitin 1997, që sollën rrëzimin e pushtetit të Sali Berishës.
Sa më sipër është antikushtetuese, ka theksuar më tej Toçi, të shkohet në ngushtim dhe kufizim të të drejtave të njeriut (si po ndodh me uljen e sipërfaqes që kalon në pronësi nga 1500 në 750 e më pak m2) kur këto të drejta, në çdo fushë qofshin, duhet të shkojnë vetëm drejt zgjerimit dhe përmirësimit të tyre.
“Gjithashtu, konstatojmë, se këto ndryshime në ligj kanë një handikap juridik në formulimin e nenit 3/1, gjë që i hap rrugën proceseve të pafundme të ankimimit në gjykatë, si të pronarëve, ashtu edhe atyre që i kanë në përdorim këto toka. Ky nen bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë pasi kompenson me një truall në pronësi një subjekt të caktuar, edhe pse ai nuk përfshihet në kategorinë e subjekteve të shpronësuara”- tha ai.
****
Pronat, rikthehen protestat në Orikum
VLORË – Ne 13 nentor ish punonjës të NB-së në Orikum, banorë të kësaj qyteze i janë rikthyer protestave për tokat e tyre, pas zhvillimeve të fundit në lidhje me ligjin 7501.
Mbi 30 minuta ata kanë bllokuar rrugën nacionale dhe hyrjen e segmentit për në Orikum, duke ndërprerë qarkullimin e mjeteve. Banorët thanë se nuk janë dakord me projektligjin më të fundit të kryeministrit Berisha që iu jep ish punorëve të NB nga 500 m2 tokë dhe me pjesëtarët mbi 6 persona, kjo shumë zbritet me nga 100m2. Sipas tyre po vijohet të abuzohet me tokat e tyre duke mos u gjetur një zgjidhje konkrete, por thjesht zgjidhje momentale, të cilat rëndojnë direkt te ish punonjësit. Protestuesit një zëri e kanë kundërshtuar këtë ligj të qeverisë Berisha dhe këmbëngulin që toka iu përket banorëve të Orikumit, të Tragjasit e Dukatit.
Banorë të Orikuimit janë takuar dje me deputetët socialistë të qarkut Vlorë Eltar Deda, Fatmir Toçi, Luiza Xhuvani si dhe deputeti jurist Damjan Gjiknuri e juristja Blerta Kraja. Synimi ka qenë trajtimi i zgjidhjes përfundimtare, marrjes së tokave nga ish punëtorët e NB si dhe nga ish pronarët.
Pak dite me pare Avokati i Popullit, Ermir Dobjani e ka vlerësuar të paligjshme ndërhyrjen e policisë së Shtetit dhe FNSH-së në Orikum ne 6 nentor, kur banorët po protestonin për problemin e pronave të tyre.
Në një shkresë rekomandim dërguar Ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dhe kreut të policisë, Hysni Burgaj thekson se “Policia e Shtetit nuk duhet të kishte ofruar këtë shërbim personave juridike privatë, jo vetëm me punonjës të policisë të FNSH-së, por as edhe me punonjës të policisë vendore”.







