Ligji dhe Puritanët

0
79

Umberto Eco

Një karikaturë për Silvio Berlusconi

Qortimet për sjelljet e Kryeministrit tonë (Silvio Berlusconi. HL) shkaktuan një seri kundërshtimesh, gjithë thumba e shpoti. Më i pari nuk synonte dhe aq shfajësimin, sa donte të qesëndiste kritikët e tij: “Ju 68-shat e dikurshëm që thonë se predikonit dashurinë e lirë dhe drogat psikodelike sot qenkëni bërë puritanë fanatikë tek dënoni qejfet seksuale të Kryeministrit, sikur vërtet të kishin qenë qejfe seksuale dhe jo darka me bazë Coca-Cola Light” (çfarë darkash të trishta, – mendoj unë, – pa një gllënjkë Gavi ose Greco di Tufo!).

S’e kam shumë idenë për dashurinë e lirë të 68-ës, sepse asokohe isha 36 vjeç (që atbotë konsiderohej moshë mjaft e pjekur), kisha dy fëmijë dhe ligjëroja në universitet. Sakaq, kurrë nuk pata shkuar nëpër koncerte rock-u cullak, flokëpaqethur apo duke tymosur marijuanë. Megjithatë, më duket se asokohe dashuri e lirë quhej kur dy vetje mund të bënin seks me njëri-tjetrin me dëshirën e tyre dhe (mbi të gjitha) falas. Gjë shumë e ndryshme nga seksi i para 68-ës; të merremi vesh mirë, ai i shtëpizave të cilat ngjallin aq kujtime, ku ishe i lirë të bëje seks, por me pagesë, amá.

Gjithsesi, kanë të drejtë ca që thonë se duhet të jesh puritan që të kapesh me Kryeministrin pse dëfren me vasha, cazë të dyshimta nga morali. Gjithkush ka të drejtë të bëjë atë seks që ia ka ënda (homo apo heteroseksual, lopthi, kafshërisht, sadomazokist, gojor, gjuhëbythës e gjoksor, onanizëm, farëhedhje në brimzën e gabuar, ëndërrime erotike, deri tek koprofilia, klizmofilia, eksibicionizmi, fetishizmi gjithfarsojësh, froterizmi, urofilia, vuajerizmi, e kështu me rradhë). Veç me kushtin që ta bësh me njerëz që e pranojnë, pa dëmtuar ata që nuk duan të bashkohen me ty ose që s’janë në gjendje të japin pëlqimin (ja pse dënohen seksi me fëmijët, kafshët, përdhunimi dhe palavitë telefonike). Shto dhe që gjithçka duhet të bëhet në mjedise të mbyllura, për të mos fyer ndjeshmërinë e puritanëve, ashtu sikurse nuk duhet të mallkosh në sy të botës, për të mos lënduar ndjenjat e besimtarëve.

Më duhet të pranoj se kundërshtarët e Kryeministrit, shpeshherë i kanë mëshuar pak si shumë anës seksuale të rastit Ruby. Po kjo është fare e natyrshme, sepse po dërdëllite për konflikte interesi, korrupsion të magjistratëve, fshehje të kapitaleve apo ligje ad personam, italianët e kapërcejnë fletën; por amá, po ua plase Ruby-n në fytyrë, që në faqe të parë, e përpijnë krejt gazetën, deri edhe parashikimin e motit.

Megjithatë, kundërshtimi ndaj Kryeministrit nuk është kundërshti për shijet e tij seksuale. Është kundërshtim i faktit se zonjat që dëfreheshin në darkat e tij i shpërblente me vende pune në organizmat krahinore, rajonale, kombëtare dhe evropiane dhe këtë e bënte me harxhet tona. Në qoftë se rrogën e zonjës Minetti, si këshilltare rajonale, i bie ta paguaj unë (sipas njëfarë përqindjeje) dhe ata që rrojnë me njëmijë euro në muaj (edhe pse në përqindje më të pakët), kjo s’ka lidhje fare me Puritanët, kjo ka të bëjë me Ligjin.

Çështja morale që shtrohet nuk është se s’duhet bërë dashuri (kur e dimë se, gjithmonë, është më mirë se të bësh luftë, siç thoshin në 68-ën), por nuk duhet bërë duke i shtrënguar të paguajnë ata që janë dorëjashtë. Marrazzo-n nuk e qortojnë se shfrente me transeksualë, por sepse shkonte i takonte me makinën e karabinierëve. Por, le ta zemë se Kryeministri nuk i ka shpërblyer bujtëset e tij me vende pune. Kur themi se në shtëpinë tënde ke të drejtë të bësh çfarë të të dojë qejfi, kjo vlen për bankierin, mjekun, a ndonjë punëtor të regjistruar në sindikatë, por kur marrim vesh se ca qejfe u bëkan në shtëpinë e një politikani, vështirë të mos plasë një skandal publik. John Profumo-s dhe Gary Hart-it iu shkatërrua karriera vetëm sepse shkuan me një, dhe vetëm një, grua tjetër (njëzë për secilin). Kur gratë bëhen aq shumë sa duhet një autobus për t’i çuar në festë, atëhere s’mund ta ndalojmë dot që barcaletat me Ruby-gate të plasin sheshit, madje edhe në gazetat koreane apo në televizionin tunizian (kërkoni në Internet po deshët).

Përktheu: Henrik Ligori