Ligjet bllokohen nga votat e vjedhura të pushtetit

0
41

Andrea Stefani, 01.10.2010

Ashtu sikundër pritej opozita nuk e votoi në Parlament projektligjin për gjykatën administrative. Gjithashtu siç pritej, pozita po i fryn me të gjitha bulçitë borive të propagandës për ta denoncuar opozitën si “antiamerikane”, si bllokuese të reformave, që vepron kundër interesave të vendit, shkurt, si “antipopullore”. Gati sa nuk thonë se opozita është kundër “pushtetit popullor” ashtu sikundër ishte zakon të thuhej 20 vjet më parë dhe për 45 vjet rresht në Shqipëri. Reagimi i qeverisë është një provë tjetër alarmante e mendësisë neokomuniste të kokave të saj.

Opozita nga ana e saj, i kishte të gjitha arsyet për të mos votuar një projektligj gjë që do të thoshte për të, heqje dorë nga strategjia për të arritur transparencën e votës duke kushtëzuar shumicën dhe pushtetin. Dhe nuk është faji i opozitës se arroganca e tiranisë së shumicës nuk po e lë qeverinë të kuptojë se vendi nuk mund të qeveriset si duhet, se institucionet dhe vetë Parlamenti nuk mund të funksionojnë normalisht, nëse ajo nuk investohet seriozisht për të arritur konsensus me një opozitë që ka jo pak por mbi 60 vende në Kuvend. Dhe konsensus nuk do të thotë aspak që opozita të heqë dorë nga kërkesa e saj për transparencën e votës që është themeli i demokracisë.

* * *

Debati më i fundit politik pati për katalizator një sugjerim të Ambasadës së SHBA-ve dhe drejtuesve të USAID-it në Tiranë, për nevojën e miratimit të ligjit për gjykatën administrative. Përveç rëndësisë që ka ky ligj, ndjeshmëria e amerikanëve lidhej edhe me faktin se mosmiratimi i ligjit në fjalë, do të çonte në djegien e disa fondeve të USAID-it dedikuar implementimit të gjykatës administrative. Shqetësimi i amerikanëve mbetet i pakritikueshëm. Por qeveria u përpoq të manipulojë me këtë shqetësim të ligjshëm për ta detyruar opozitën të heqë dorë nga strategjia e saj e transparencës së zgjedhjeve të kaluara.

Gjithë këto ditë tam-tamet e propagandës qeveritare rrihnin në një pikë: nëse opozita nuk e voton ligjin për gjykatën administrative ajo do dëshmojë se është antiamerikane, sepse bllokon projektet amerikane, se vepron kundër interesave të popullit. Opozita nuk ra në këtë grackë dhe nuk e votoi ligjin. A e bën kjo opozitën antiamerikane dhe antipopullore sikundër ngjiret qeveria? Aspak! Letrat e opozitës kanë kohë që janë të qarta. Që marrëdhënia e saj me pozitën është kushtëzuar me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit nuk përbën prej kohësh sekret.

Opozita e ka bërë të qartë se nuk do të votojë ligje me votë të cilësuar, sado të rëndësishme të jenë ato, nëse shumica, qeveria dhe mbi të gjitha ai që qëndron mbi të gjitha këto, Kryeministri Berisha, nuk do ti hapin rrugën transparencës në përputhje edhe me rezolutën e Parlamentin Europian që ka sugjeruar hetimin e “materialeve zgjedhore”. Opozita ka të drejtë të këmbëngulë në këtë pozicion sepse transparenca e votës, që lidhet me garantimin se ajo nuk do të vidhet edhe nesër, është më themelore dhe vitale për demokracinë se çdo ligj tjetër. Vota e lirë dhe e ndershme është themeli i demokracisë. Pa një votë të tillë qeverisja përfundon në dorë të mashtruesve dhe hajdutëve.

Dhe do ishte idiotësi të shpresoje se një qeveri e ardhur në pushtet me vota të vjedhura publikut, nuk do të vjedhë edhe paratë e publikut. Në këtë kuptim, sado i rëndësishëm të jetë ligji për gjykatën administrative, miratimi i tij nuk do të ketë asnjë vlerë për demokracinë pa u sqaruar çështja e pastërtisë së votës. Nuk mund të ketë pushtet të pastër apo të duarve të pastra me vota të pista. Nën pushtete të tilla çdo ligj do keqpërdoret, do abuzohet ose do shndërrohet në një copë letër pa vlerë (siç ka ndodhur në këto 20 vjet me shumë ligje dhe institucione) nga shumica dhe pushtete që janë formësuar me votë të vjedhur.

* * *

Qeveria rreket më kot të bindë shumicën e shqiptarëve se strategjia e opozitës është kundër interesave të shqiptarëve dhe kundër demokracisë. Është krejt e kundërta. Strategjia këmbëngulëse e opozitës shfaqet sot si i vetmi shpëtim për demokracinë e rrezikuar nga korruptimi i institucionit të votës së lirë. Qeveria nuk ka kujt t’i ankohet për atë që sapo ndodhi në Parlament, veçse arrogancës së saj miope. Kur thuajse një vit më parë opozita nisi aksionin për transparencën duke bojkotuar edhe punimet e Kuvendit, qeveria nuk e vuri ujin në zjarr. Në vend që të përpiqej të gjente konsensus me opozitën për zgjidhjen sa më shpejt të krizës, eksponentë të shumicës dhe folësja e Kuvendit Topalli deklaronin krenarisht se në Shqipëri nuk ka krizë politike dhe se Parlamenti funksionon normalisht. Ishte një miopi politike dhe një megalomani që nënvlerësonte një opozitë me mbi 60 vende në Parlament.

Për më shumë se një vit shumica dhe Berisha kanë dredhuar dhe hedhur poshtë të gjithë propozimet e opozitës për transparencën e votës. Madje ata kanë arritur deri aty sa të refuzojnë edhe hapjen vetëm të kutive të materialeve zgjedhore që dikur e kishin propozuar vetë si zgjidhje. E gjithë odiseja mbi 1 vjeçare e negociatave pozitë-opozitë, me itinerar deri edhe tryezën e “krokodilit” në Strazburg, dëshmon se “Uliksi” me emrin Berisha, nuk do të hapë kurrë asnjë lloj kutie sepse është plotësisht i ndërgjegjshëm për kërdinë që është bërë me votat.

Është kërdia mbi të cilën ngrihet pushteti i tij. Dhe befas sot dëgjojmë këtë shumicë mospërfillëse ndaj kërkesave të opozitës të ankohet se kjo e fundit nuk bashkëpunon për miratimin e një ligji shumë të rëndësishëm. Bën sikur nuk kupton se kjo është një kosto e pritshme e krizës politike që ajo refuzonte ta pohonte. Mosmiratimi i ligjit për gjykatën administrative është një kosto për të cilën është përgjegjëse vetëm qeveria. Sepse nëse vërtet do të ishte kaq e shqetësuar për ligjet që nuk miratohen dhe reformat që janë bllokuar, përse nuk nxiton të kryejë transparencën? E pengon Kushtetuta? E pengon ligji dhe e drejta? Po si mundet Kushtetuta dhe e drejta të pengojnë transparencën që është një mjet për verifikimin se kush ka të drejtë?

Të gjitha këto janë alibira që po demodohen me shpejtësi. E vetmja gjë që e pengon Berishën të hapë kutitë, janë votat e vjedhura që fshihen brenda tyre. Dhe asnjë ligj, asnjë reformë nuk mund të konkurrojë për nga rëndësia themelore me garantimin e lirisë së votës. Prandaj dhe opozita nuk mund ta braktisë një kryekauzë të tillë për asnjë ligj. Prandaj edhe themi se pengesë për miratimin e ligjit për gjykatën administrative, si dhe e shumë ligjeve dhe reformave, nuk është opozita por votat e vjedhura të pushtetit.

* Marrë nga ‘Res Publica’