Afrim Krasniqi (botuar ne “Shekulli”, 7.10.2009)
Në shkrimet akademike, kërkimet shkencore, analizat profesionale apo edhe në jetën e përditshme, në debate publike, shkrime artikujsh, biseda ulitare, replika profesioni, etj, është krijuar tradita e përdorimit të citateve apo e referimit të thënieve nga persona të vecantë, kryessisht mendimtarë politikë, politikanë e personalitete të njohura. Ky fenomen është global dhe ka të bëjë me nevojën e shtrytëzimit të këtyre thënieve të gjithëpranuara, si argument ekstra në mbështetje të mendimit apo tezës sonë.
Një person që citon një thënie, një fjali apo një konkluzion të vecantë të një personaliteti të tillë, e ka më të lehtë të bindë auditorin, ta bëjë më të besueshme qëndrimin e tij dhe të dëshmojë, se mendimi i tij është i njëjtë me atë të personalitetit të cituar. Në këtë mënyrë, të cituar janë një elitë mendimtarësh, krijuesish apo burra shteti, filozofë apo shtetarë, të cilët, me punën, veprën dhe krijimtarinë e tyre kanë arritur të shohin tej përditshmërisë së tyre, janë bërë frymëzues për të tjerë, kanë ditur të gjejnë fjalinë e duhur për të shprehur një mesazh të madh, që i kapërcën vitet e jetës së tyre, dekadat dhe shekujt. Kjo është një pasuri e cmuar e mendimit politik e profesional, e cila përcillët ndër breza, bëhet objekt studimi, i mbijeton kohrave dhe krijon deri diku, aurorën e magjisë dhe të mitit. Në cdo rast, shoqëritë të cilave u përkasin shtetarë e mendimtarë të tillë, dëshmojnë nivel të lartë mendimi dhe ligjërimi, emancipim dhe kulture, vlera dhe trashëgimi.
Në traditën shqiptare nuk mungojnë raste të citateve dhe thënieve, por që kryesisht ato i përkasin një kohe të hershme, kryesisht, periudhës së rilindjes apo të krijimit të shtetit. Kjo periudhë vijon deri në fillim të viteve 40, kur edhe Shqipëria iu bashkua një modeli të ri politik e shoqëror, të bazuar në monopolin zyrtar të citateve nga vetëm diktatori dhe partia shtet e drejtuar prej tij. Nëse në periudhën e mëparshme gjenden fjali – citate me vlera të vecanta nga vëllezërit Frashëri apo Asdreni deri tek Konica, Noli, Koliqi e Fishta, periudha e diktaturës i dha fund traditës duke krijuar një sistem uniform parullash dhe mendimesh, me bazë fjalimet e radhës së diktatorit. Për mëse 45 vjet tekstet shkollore e universitare, pallatet, ndërtesat kryesore, rrugët, shkollat, kopshtet, muret rrethuese të rrugëve nacionale, deri edhe faqet e maleve u mbushën me citate ideologjike të Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit dhe sidomos të Enverit.
Ky i fundit e shpalli veten mendimtarin dhe klasikun e vetëm shqiptar, zot të fjalës dhe citatit, zot të krijimit dhe jetës njerëzore, krijues të shtetit dhe modelin e udhëheqësit për botën komuniste.
Periudha e tranzicionit të viteve 90 solli ndryshime të mëdha, në cdo aspekt, përfshirë edhe në ligjërimin politik e shoqëror. Ata individë që për shkaqe ideologjike u ngritën në mite gjatë diktaturës, duke u shpallur prej saj poetë, krijuesë, shkrimtarë e akademikë zyrtarë, e humbën peshën e tyre sapo tekstet mësimore dhe vetë shoqëria nisi procesin e spastrimit ideologjik.
Rënia e tyre u shoqërua me krijimin e një vakuumi të madh të mendimit politik e shoqëror. Një Kadare apo një Nenë Tereza janë pak pasuri citimi e krenarie, për një shoqëri që ka nevojë për mesazhe ndryshimi, shprese, ringritje dhe fitimi të kohës së humbur në të gjitha aspektet e saj. Klasa e re politike, shumica të lindur, edukuar dhe praktikuar me modelin e vjetër politik, e pati të pamundur të prodhojë ide dhe mendime politike jashtë politikës së ditës.
Sot shqiptarët janë në gjendje të thonë shumë emra politikanësh të tranzicionit, por nëse u kërkon të përmendin një citat nga qindra e mijëra fjalimet e tyre nga sheshet në parlament, nga selitë e partive në ato të qeverisë, me siguri vihen në pozitë të vështirë. Sepse nuk ka.
Ligjërimi politik i viteve të tranzicionit vjen si ligjërim mohues (kundër komunizmit), ligjërim etiketues (kundër kundërshtarëve politikë), ligjërim pohues (suksese dhe arritje personale), ligjërim imitues (fjalime të liderit apo citate të huaja) dhe në thelb, si ligjërim ditor (pa prespektivë, pa vizion për të ardhmen, pa përgjegjësinë e fjalës dhe kohës, pa peshën e përgjegjësisë për atë që thuhet).
Cdo ditë kemi dëgjuar e dëgjojmë politikanë që flasin, mbajnë fjalime me orë të tëra, që japin intervista apo edhe botojnë libra me diskutimet e tyre. Cdo ditë botohen gazeta të shumta ditore me autorë persona publikë e politikë. Ne kemi në dispozicion edhe një memorie parlamentare përmes botimit të të gjitha diskutimeve të deputetëve në vite apo memorie qeveritare, me deklaratat dhe fjalimet e drejtuesve të qeverive në këto vite.
Krahasuar me volumin (numrin e faqeve dhe numrin e fjalimeve) mund të ndodhë që politikanët dominues të tranzicionit shqiptarë kanë folur e shkruar shumë me tepër sesa fjala vjen, presidenti cek apo gjerman, ai italian apo kroat. Por kur vjen momenti për ti shtrydhuar këtë sasi të madhe fjalësh, për të gjetur një fjali, një thënie, një mesazh të vecantë, e kemi shumë më të lehtë ta gjejmë këtë tek presidenti cek Vaslav Havel apo tek ai kroat Stipe Mesic, tek kryeministri italian Andreoti apo ai cek Klaus, tek gazetaria politike italiane apo tek historianët politikë kroatë e sllovenë.
Kjo sepse ligjërimi dhe mendimi politik i sotëm në Shqipëri ka pak gjëra të përbashkëta me ligjërimin dhe mendimin politik të këtyre shoqërive, shumë prej tyre ish komuniste. Tek ne politika dhe oratorët publikë nuk dëshmojnë respektin minimal për fjalën e tyre publike. Fjalimet e tyre vijnë si produkt i bashkimit të fjalorit të munguar politik me qëllimin populist; janë fjalime që i destinohen një auditori amator, për të cilin, më e rëndësishme sesa fjalitë që thonë liderit është vetë prezenca e liderit në mesin e tyre. Qytetarët dhe media e kanë më të lehtë të gjejnë prej tyre batuta me gjuhës rrugësh, akuza verbale dhe spekullime elektorale sesa një fjali, përmes të cilës të jenë në sinkron, fjala e thjeshtë, madhështia e ngjarjeve, largpamësia e analizës dhe vizioni i të ardhmes.
Shumica e oratorëve të sotëm politikë reflektojnë tiparin negativ të madhështisë për shkak të postit dhe pushtetit, cilësi e trashëguar nga periudha komuniste. Ata flasin për gjithcka, bëjnë ekspertin e cdo fushe, bëjnë njëherësh gjyqtarin, mjekun, historianin, inxhinierin, shkrimtarin, bëjnë mendimtarin dhe në ndonjë rast edhe magistarin apo paralajmëruesin e fateve. Për pasojë, shumica e tyre, kur flasin janë të bindur se cdo fjalë e tyre ka vlerë, se cdo fjalim ka auditor, ndaj edhe marrin njëherësh poza shtetari dhe mendimtari, u përlqen vetja, u pëlqen heshtja dhe brohoritja e auditorit, u pëlqen media vizive dhe e shkruar që transmeton gjithcka që thuhet, pa seleksionim, pa u përpjekur të kërkojë një mesazh real në fjalime të tilla.
Shumica e tyre fërkojnë duart kur shohin gazetat besnike tua botojnë fjalimet, deklaratat, intervistat apo citatet e ditës shoqëruar me fotot e tyre me kostume të shtrenjta. Synimi i tyre është që emri dhe fotoja të dalin në faqet e para të gazetave apo në kronikat e para televizive, pavarësisht se ata thonë gjithnjë të njëjtën gjë, nuk përcjellin asgjë të re, asnjë mesazh, asnjë produkt politik, asnjë mendim që u shkon përshtat politikanëve profesionistë.
Në këtë traditë sasiore, imazhi, të ligjërimit politik pa trajtë dhe përmbajtje, hyjnë më pas të gjitha institucionet dhe drejtuesit e tyre, të cilat, të gatshëm të imitojnë udhëheqësit, hartojnë deklarata, fjalime e raporte me shumë fjalë, por pa asgjë thelbësore brenda tyre. Dhe kështu, opinioni publik i kualifikuar, pavarësisht se i vogël në numër, mbahet nën presionin për tiu përshtatur gjendjes, për të hequr dorë nga modele dhe mentalitete të fituara në shoqëri perëndimore, të bashkohen me korin e zhurmës politike, të politikës pa mendim, të politikës pa përmbajtje, të politikës pa vizion dhe kështu, pa mundësi reale për tu përballur me efektet negative që ajo prodhon.
Shoqëria shqiptare ka nevojë për shumë ndryshime në ekonomi, në infrastrukturë dhe në sektorë të tjerë vitalë. Përvoja e vendeve dhe shoqërive të tjera na mëson se asnjë ndryshim në këto fusha, nuk mund të jetë real, i plotë dhe i qëndrueshëm nëse nuk ndodh së pari ndryshimi në mentalitetin e sjelljes dhe mendimit, në kulturën demokratike e politike, në kulturën e zbatimit të ligjit, respektit për tjetrin dhe përgjegjësisë morale e qytetare.
Në 20 vjet tranzicion kemi ndërtuar rrugë e ndërtesa moderne, por ende nuk kemi një sistem të besueshëm e të qëndrueshëm demokracie. Sepse ende mungon abc-ja e saj, besimi në testet zgjedhore, besimi tek vendimmarrësit, shndërrimi i institucioneve politike (partitë dhe parlamenti) nga kooperativat e fundit të mentalitetit komunist në institucione moderne të respektit për fjalën dhe vlerat; dhe keshtu, edhe shndërrimi i ligjërimit politik të ditës nga ligjërim zhurmëmadh ideologjik, në ligjërim vlerash dhe vizionesh për një të ardhshme ndryshe, ku politika nuk sillet si pronar i sovranit, por si zëdhënës moral, qytetar dhe i përgjegjshëm i tij.