Lidhur me nepotizmin në diplomaci

0
104


I. Barjaba versus M. Nano

Ministria e Punëve të Jashtme, TiranëPërshëndetje, e vlerësoj shumë website-in respublica.al dhe jam i bindur që udhëhiqet nga vlerat më të larta morale. Për këtë edhe ju falenderoj me shumë mirënjohje. Dua të them se publikimi i një liste kolektive më lë një shije të keqe. Me këtë nuk dua të them se në Ministrinë e Jashtme nuk ka emërime nepotike. Madje, ka shumë mundësi të ketë. Dhe sigurisht që ky është një problem; dhe ju bëni shumë mirë që e adresoni.

Por nuk më duket e drejtë që të publikohet një listë kolektive; kjo, sepse të gjithë anëtarët e asaj liste barazohen me njëri-tjetrin duke neglizhuar individualitetin e tyre. Nëse duam, le ta trajtojmë emër pas emri, por në asnjë rast t’i barazojmë të gjithë si produkte të nepotizmit. Kjo nuk më duket e drejtë. Për shembull, në listë është i përfshire edhe Albjon Bogdani, që për fatin e tij të mirë apo të keq, është vëllai i një deputeti të PD-së. Nuk është e drejtë që automatikisht të aludojmë se ky njeri nuk ka vlera dhe është aty thjesht prej të vëllait. Personalisht e njoh Albjon Bogdanin dhe ju them se është një njeri i mirëshkolluar në Columbia University në SHBA, me shumë integritet, dhe shumë i përkushtuar pas punës së tij në Ministrinë e Jashtme. Njerëz të tillë i bëjnë nder Shqipërisë.

Është për t’u përgëzuar që individë të tillë zgjedhin të punojnë në Tiranë, kur do kishin mundësi të punonin edhe në Capitol Hill, shumë lehtësisht. Por zgjedhin Tiranën për arsye patriotike, duke neglizhuar interesat e tyre financiare. E di që në këtë shoqërinë tonë arsyetime të tilla mund edhe të keqinterpretohen si dogma; s’do habitesha fare, pasi kemi arritur në pikën, ku të mirën nuk duan ta besojmë aspak.

Por në asnjë rast nuk është mirë që individë të tillë si Bogdani t’i persekutojmë me lista të tilla kolektive, ndërkohë që do duhet t’i inkurajonim për kontributin e tyre. Jam i sigurtë se, nëse respublica.al do e kishte këtë info për Albjon Bogdanin, do e kishte krasitur edhe emrin e tij nga lista, siç edhe bëri me Zhulalin. Për korrektesë qytetare, e ndiej si detyrim ta shkruaj këtë letër duke besuar në etikën e lartë të këtij website-i. Përsëri besoj në të dhe e kuptoj që një lapsus nuk e komprometon aspak moralin e respublica-s.

Me shumë dashamirësi, Ilir Barjaba.

Përgjigje nga M. Nano: Ilir, ju falenderoj për fjalët e mira në adresë të website-it, por më lejoni të hyj drejt e në ‘thela’. Është ashtu siç e thoni dhe ju: unë nuk e njoh Albjon Bogdanin. As të tjerët nuk i njoh, e në këtë kuptim nuk do t’i lejoja vetes të jepja konsiderata jo fort dashamirëse lidhur me secilin prej emrave të përmendur. Në shkrimin tim me titull “Emërimet nepotike të Ministrisë së Jashtme” nuk bëhet asnjë aluzion mbi pazotësinë profesionale të njërit apo tjetrit. Madje, jam i prirur të besoj që të gjithë këta janë shumë të zotë.

Ndonjë lexues, gjithashtu, është rrekur të ecë kësaj ane në komentet e shkurtra që janë bërë në fund të shkrimit të publikuar, duke përzjerë pa të drejtë, sipas meje, dy gjëra që janë të ndara. Është një gjë zotësia profesionale e një personi, dhe është një gjë tjetër promovimi i të njëjtit person të aftë mbi baza nepotike. Nuk është vetëm Albjoni i zotë në këtë vend (ajo shprehja që “Albjoni i bën nder Shqipërisë” është ca pretencioze; më keni bërë kureshtar që ta njoh vëllain e Gertit, pasi deri më sot nuk kam njohur askënd që t’i bëjë nder Shqipërisë; madje, që të jem i saktë, nuk e kam shumë të qartë se ç’do të thotë t’i bësh nder një vendi); ka dhe të tjerë, të cilët mund të jenë, të paktën, po aq të zotë sa Albjoni. Dhe këtu, ndërsa unë po bie dakord që Albjoni është i aftë, dhe ndërsa ju duhet të bini dakord që ka dhe të tjerë të aftë, është hera të bëj disa pyetje: Si është emëruar Albjoni në Ministrinë e Jashtme? Është emëruar në respekt të ligjit? Është emëruar me konkurs? Është shpallur ndonjë konkurs nga ministria? Ka dalë njoftimi për një vend pune në dy gazetat më të shitura në vend? Sa vetë kanë marrë pjesë në atë konkurs? I sati ka dalë Albjoni?

Kuptohet, nuk e kam fare me Albjonin. Të njëjtën gjë mund të them dhe për Ilda Zhulalin, emrin e së cilës e hoqa me të marrë vesh, se ajo është emëruar përpara se të njihte bashkëshortin Bumçi, deputet i PD-së. Më kanë thënë që ajo është gjithashtu e zonja, por kur puna vjen tek argumenti i shkrimit, unë nuk jam i sigurtë, prapëseprapë, që ajo të jetë punësuar në diplomaci pas një konkursi në kohët kur qeverisnin socialistët. Ashtu si nuk jam i sigurtë, nëse është e drejtë që Ilda Zhulali të jetë drejtore e drejtorisë së BE-së, ndërkohë që nuk ka përvojë pune në ambasada të rëndësishme të Europës, apo në Bruksel. Kështu që nepotizmi vazhdon t’i rëndojë mbi shpinë, sidoqë unë “ia hoqa emrin nga lista”.

E njëjta gjë mund të thuhet për Besiana Kadarenë, për të cilën di shumë mirë që është e zonja dhe për të cilën mora vesh pas publikimit të shkrimit që punon në ministrinë e jashtme qysh prej vitit 2002; në këtë kuptim, janë krejt të pakuptimta insinuatat (e lidhura me këtë emërim) mbi heshtjen e Kadaresë përballë prapësive 20 vjeçare të Berishës. Secili ka të drejtë ta fshikullojë Kadarenë për këtë heshtje (mua më kanë me vete), por është pesë me hiç ta lidhësh këtë heshtje me vajzën e tij që janë kanë marrë në punë në ministri. Të gjthë e dimë, se nuk kushton kaq pak Ismail Kadare. Por edhe në këtë rast ka diçka që s’shkon. Po pyes: Si është emëruar Besiana? Është futur në ndonjë konkurs? A nuk është shkelur ligji, kur e kanë emëruar drejt e në një ambasadë, pa e lënë të bëjë gavetën e ministrisë?

E di, dikujt mund t’i duket mistrece dhe e padrejtë kjo përpjekja ime për ta ilustruar nepotizmin në diplomaci me Besiana Kadarenë, por qëllimi im nuk ka qënë të bëj pis e të denigroj ndokënd. Unë dua të denoncoj dukurinë. Dhe dua ta denoncoj fort, sepse nuk dua që fëmijët e dikujt që s’ka pushtet e ndikim, apo të dikujt që nuk e ka xhan qeverinë (megjithëse mund të jenë të zotë sa të duash), të mos kenë asnjë mundësi për të bërë karrierë në diplomaci apo gjetkë.

Diskutimi mbi rrafshimin e personaliteteve të njerëzve të futur e ngucur në lista është i drejtë, por nuk besoj se është ky rasti; për Albjonin, Besianën, Ildën, etj, nuk them se janë njësoj; them se kanë një gjë të përbashkët: janë emëruar si pasojë e një mbështetjeje të fortë nga pas. Dhe të tillë nuk janë vetëm ata që unë përmendja në shkrimin e parë. Ka dhe të tjerë, për të cilët jam informuar më pas (që të gjithë në diplomaci). Ja lista tjetër:

1. Baxhanaku i Fahri Balliut (ambasador në Turqi)

2. Gruaja e Fatos Nanos (në Paris)

3. Kunata e Fatmir Mediut (New York)

4. Gruaja e Rrahman Selmanllarit (në ministrinë e jashtme)

5. Daja i dhëndërit të Sali Berishës (konsull i përgjithshëm në Bari)

6. Dy kushurinj të Ilir Metës (një konsull në Selanik e tjetri në ambasadën tonë në Katar)

7. Kunata e Azem Hajdarit në New York

8. Vajza e Agim Shehut (Vjenë)

9. Vajza e Ilir Banos (në ministrinë e jashtme)

10. Djali i Selim Muçës (konsull i përgjithshëm në Stamboll), etj, etj.

Këta mund të jenë të gjithë të zotë (përfshirë vëllain e dhëndërin e Jozit, kushurinjtë e Likut, apo dajën e dhëndërit të Salës), por këta janë në ato vende pune për shkaqe të tjera, që s’kanë të bëjnë me zotësinë. Dhe ky fakt është shumë shkurajues për gjithë të tjerët, që janë gjithashtu të zotë. Përballë emërimeve të tilla me logjikë nepotike (të cilat janë të shtrira në të gjitha dikasteret e në të gjitha institucionet) ky vend të bëhet i huaj. Ndërsa regjimi që e sundon të bëhet si një gjë, që duhet shkulur nga themelet, mu si regjimi i Gaddafi-t në Libi.

P.S. Nja katër orë më vonë. Vazhdojnë të më vijnë nga të gjitha rrugët komente e informacione mbi të njëjtin argument. Informacioni i fundit që më erdhi është demonstrim i një nepotizmi eksploziv: Paskal Milo ka të bijën si sekretare të parë në misionin tonë në Gjenevë (OKB); ka të mbesën në ministrinë e punëve të jashtme; ka dhe nipin në ambasadën tonë në Washington. Dhe kështu nepotizmi bëhet bipartizan.