Disa ditë më parë u mbajt një konferencë që duke parë nivelin e papunësisë tek ne dhe gjendjen aktuale të standarteve të punësimit, merr një rëndësi të veçantë për mënyrën sesi trajtohet ky problem jetik tek ne. Ishte hera e parë që merrja pjesë në një konferencë të tillë dhe sigurisht interesi im ishte i madh.
Nuk e di nëse konferenca të tilla i trajtojnë me seriozitet problemet apo janë sa për të kaluar rradhën, se motoja vazhdon të jetë po ajo e gjithë këtyre vitetve të tranzicionit : ndryshe themi, ndryshe veprojmë. Ftesës për një pjesëmarrje të tillë iu përgjigja pozitivisht, pasi ka shumë gjera që duhen diskutuar dhe ku vëmendja jonë e të gjithëve duhet ndalur. Veprimet abusive të qeverive që vijnë e shkojnë, nuk po i ndëshkon askush, pasi nuk ka më një koshiencë të shikimit të problemeve me synimin që të udhëhiqen nga drejtësia apo buonsensi, por nga verbëria politike.
Kaq të verbër janë partiakët dhe militantët saqë ende nuk po e shohin se ku i çuan punët në këtë vend. Nuk ka ditë që të mos flitet për akte dhune, për kronika të rënda për shkak të papunësisë apo për krime që nuk kanë të sosur. Cilat janë masat që duhen marrë për të dalë nga bataku i pashpresë? Në fjalën time që po e paraqes në vijim vura theksin mbi disa probleme me të cilat ndeshemi sot në shoqëri, shkollë dhe komunitet. Shpresojmë që këmbanat të bien para festave të fundvitit dhe këto t’i dëgjojnë mirë klasa politke që vazhdon të mbetet në klasë dhe që po e shpërdoron besimin e vëtë shqiptarëve.
Është kënaqësi të marrësh pjesë në një konferencë në nivel kombëtar që organizohet në Korçë nga Dorkasi dhe Tabita, pikërisht për njërin prej problemeve më të rëndësishme të jetës shqiptare siç është punësimi. Jam dy herë i kënaqur, pasi duke qënë pjesë e Bordit të Tabitës, kemi patur rastin të ndjekim nga afër pothuaj të gjithë aktivitetin e Fondacionit. E them më siguri se është bërë një punë shumë e madhe dhe e jashtëzakonshme për këtë problem, sepse është parë në aspektin më praktik të jetës, përgatitjen e të rinjve për punën dhe për jetën.
Po të shkonim më larg dhe të shikonim më largpamësi drejt së ardhmes, realitetin tonë të papunësisë dhe keqpërdorimit të nocionit deri në degradim, do ta quanim një plagë të sotme dhe jo vetëm në vendin tonë. Kemi hyrë në një system që punësimi bëhet një problem madhor në vëmendjen tonë. Natyrisht të dhënat flasin për % të konsiderueshme të papunësisë tek ne, fakt që duhet të na shtyjë të mendojmë për ide që të mund ta zgjidhin në një farë mënyre këtë problem, jo me fjalë dhe sllogane apo me propaganda elektorale. Nuk na vjen mirë kur dëgjojmë shprehje të tilla si : meshkujt shqiptarë janë populli që merret me skedinat apo me lojrat e fatit.
Shikoni se ku ka shkuar problemi i punësimit të asaj pjese që deri dje ishin shtylla e familjes. Puna e mirë e Dorkasit ka arritur që t’i kushtojë një vëmendje të duhur punësimit, duke shkuar më tej, duke projektuar dhe realizuar formimin e njeriut me të gjitha shprehitë e punës, para se t’i paraqesë ata në tregun e punës me kërkesat e domosdoshme të vetë tregut. Ky është një synim që shpesh na është sygjeruar edhe nga organizatat dhe institucionet më të larta të Europës në konferenca, bile edhe në Universitet, prandaj puna e mirë e Fondacionit duhet të marrë vlerësimin e duhur.
Në Kushtetutën italiane thuhet shprehimisht se Italia është një republikë që mbështetet tek puna, pra do të thotë se e drejta e punës është e garantuar me ligj. Tek ne po të shohim nenin 59 në pikën 1 thuhet se synohet punësimi në kushte të përshtatshme të të gjithë personave të aftë për punë dhe pika 4 arsimimi dhe kualifikimi sipas aftësive të fëmijëve dhe të të rinjve, si dhe të personave të pazënë me punë. Pra edhe tek, duke u mbështetur tek kushtetuta duket se gjithçka është e garantuar. Deri më sot, më vjen keq që ta theksoj, por duhet thënë se është bërë shumë pak në këtë drejtim, duke mos e respektuar atë. Shembujt janë të shumtë dhe kokëfortë dhe gjithkush e di se cila është situata. Fjalët mbeten gjithmonë fjalë dhe i merr era.
Po përse atëherë ka papunësi jo vetëm mes të rinjve? Duket se kjo është gangrena e çdo qeverie që herë e fryjnë, herë e zbutin problemin e papunësisë. Edhe kjo ka shpjegimet e veta që nuk do shumë mend për ta kuptuar. Do të ndalem kryesisht në marrëdhënien shkollë treg pune, pasi prej vitesh i përkas kësaj sfere. Unë mendoj se, e kam shkruar edhe në shumë artikuj të tjerë, numëri i madh i papunësisë i ka rrënjët tek politikat e gabuara të shtetit shqiptar, bile do të thosha tek konfuzioni i madh dhe kaosi që e ka përfshirë vetë vendin, që i ndodhur në këto kushte krize e përkeqëson situatën. A e dini parullën që qarkullon mes njerëzve në lidhje me krizën, kur deklarohet se nuk ka krizë tek ne? Se gjithmonë kemi qënë në krizë. Duket se edhe vetë shoqëria shqiptare është dorëzuar para këtij fakti kaq madhor për jetën dhe të ardhmen e familjeve të vet.
Së pari u kapërcyhen etapat e brezave, duke rendur pas idesë se vetëm të rinjtë mund t’i japin shtysën kësaj shoqërie të molepsur. Më duhet t’ju kujtoj se mund t’i japin shtysën, por në të shumtën e rasteve pa një drejtim të qartë se ku do të shkojmë, më shumë mendohet për çastin dhe jo për më larg. Shtysa kështu merr kahun e kundërt dhe të padëshiruar. Mendoj se ka një normë dhe rregullsi që shteti shqiptar duhet ta respektojë dhe që është stimulimi i njerëzve më të përgatitur dhe me një kronologji moshe të caktuar, ndryshe do të vujamë pasojat e Perëndimit në spektrin më të gjerë të mundshëm. Relativizmi stimulues që duhet të na karakterizojë, ballafaqon, analizon dhe kërkon gjetjen e lidhjeve tek binomi shkak-pasojë.
Së dyti reforma arsimore është më e pakuptimta që është bërë ndonjëherë në Shqipëri, pasi sjell në auditorë studentë që sinqerisht nuk e meritojnë fazën e dytë të studimit dhe formimit. Universiteti nuk është për të gjithë. Pavarësisht zërit të shumë studiuesve se po shkatërrohen qëndrat e shkencës me prurjet 100%, askush nuk ua vë veshin. Ku po shkojmë? Humbja e statusit të universiteteve po i kushton shumë shoqërisë shqiptare, pasi masivizimi nuk është asnjëherë cilësi. Universitetet nuk janë vende pune apo favore që duhet t’u bëjmë të gjithë të rinjve, me justifikimin se nuk duhet të enden rrugëve.
Do të ishte më e ndershme që të gjendeshin mundësi të tjera që të punësoheshin dhe jo t’ia lëmë gjithë barrën universiteteve. Duke ushqyer këtë kaos, e prishim edhe vetë ndërgjegjen e të rinjve, duke e rënuar fare dëshirën për studim dhe punë. Tek padrejtësitë do të shohin funksionimin jo normal të një sistemi të tërë shoqëror.
Së treti sigurisht pika e dytë do të sjellë si pasojë mospërgatitjen e duhur profesionale të të rinjve që dalin nga bankat e shkollave, hedhjen e tyre në treg pa kurrfarë kriteresh vlerësimi, gjë që solli rënien e cilësisë së vetë kërkesës për punësim, por edhe të vetë shoqërisë shqiptare në shumë drejtime. Ose edhe nëse është investuar shumë për formimin e tyre, (në rastin konkret edhe nga Dorkasi, janë rreth 1000 të rinj), menjëherë sa bien në kontakt me tregun dhe pagesën e vogël që marrin, detyrohen që ta braktisin punën. A nuk do të ishin përsëri këto shpenzime të hedhura në erë?
Së katërti parapëlqimi i kritereve dytësore solli goditjen sistematike të specialistëve dhe zëvendësimin e tyre me njerëz të paformuar, qoftë edhe me nocionet bazë të profesionit, por edhe të shoqërisë. Kjo i ka kushtuar vendit energji, kohë të humbur kot në formimin e punonjësve të tjerë, shpenzime të pallogaritshme, deri dhe të dyfishta, një kosto që po paguhet si shumë, si pasojë e rotacioneve qeverisëse. Kjo situatë përgjumje padobi, kërkon që të ndalen spastrimet politike në institucionet shtetërore, ndryshe rrezikojmë që të mbetemi gjithmonë në vend të fundit në formim dhe civilizim.
Në përfundim të fjalës do të desha të theksoja edhe një herë rolin vendimtar të të gjithë faktorëve në impenjimin sa më serioz në lidhje me politikat e punësimit. Sa më shpëjt e më mirë që të zgjidhen problemet e punësimit, aq më shumë familjet dhe vetë njerëzit do të ndiejnë dhe prekin zhvillimin dhe përparimin. Ky është edhe synimi final I shoqërisë kur bazohet mbi disa kritere të drejta dhë të barabarta për të gjithë.
Arjan Th. Kallço
Prof. i Gjuhës Italiane
Universiteti Fan S. Noli