(Me rastin e 110 vjetorit të lindjes)
Shkruan: Zef Ahmeti
Krist Maloki, një figurë e madhe shqiptare e kosovare, sot e ka 110 vjetorin e lindjes. Në mediet kosovare kjo figurë anashkalohet. Ai ishte profesor në universitetin e Gracit (Austri). Ibrahim Rugova shkruante: “Në veprimtarinë e vet Maloki tregoi interesim për çështje etnopsikologjike të realitetit dhe të historisë së popullit shqiptar pastaj për filozofinë, çfarë mu nd të vërehet edhe në praktikën e tij kritike”. Malokin ka shkruar një sërë studimesh të ndryshme, ku ka shprehur pikëpamjet dhe mendimet e tij moderne për Kombin dhe shtetin, për Kosovën dhe Shqipërinë në tërësi, zgjidhjen e problemit shqiptar; kritikat e tij letrare kanë lënë në literaturën shqiptare një formë të kritikës objektive.
Në këtë shkrim ne do trajtojmë Krist Malokin, pikëpamjet dhe vlerësimet lidhur me lidershipin shqiptar rreth çështjeve që kanë si temë kryesore problemin shqiptar. Pikëpamjet e tij rreth problemeve shqiptare ai i trajton në aspekte të ndryshme sociologjike, juridike, filozofike, psikologjike, sipas mësimeve që ka marrë në Universitetin e Graz-it, duke i inkorporuar këto fusha me elementet e kulturës shqiptare e duke dhënë analiza të veçanta për ta kuptuar vetveten. Për t’u inkuadruar në temën që kemi zgjedhur, ne duhet patjetër të fillojmë me shkrimin e tij të (mirë)njohur „Oriental apo okcidental?“.
Lidershipi shqiptar oriental a aksidental I nxitur nga ngjarjet socio-politike të kohës, gjegjësisht të viteve 1930’ në Shqipëri, Maloki paraqiti shkrimin e tij „Oriental apo okcidental?“, duke hyrë kështu në dialogun që zhvillohej atë kohë „ndërmjet Pleqve dhe të Rinjve“. Sipas Malokit, në „…luftën tragji-komike ndërmjet Pleqve dhe të Rinjve“ janë dalluar disa rryma që mund të klasifikohen me sa vijon:
a) rryma e parë që kishte për „objekt sulmimi“ kolltukët qeveritare. Dhe se, shton Maloki, bajraku i të Rinjëve ishte motoja e padukshme „Ulu ti, të hypi unë!“, ndërsa Pleqt kishin „Besën“,
b) rryma tjetër mundohej ta paraqiste gjendjen si luftë mes gjeneratave të ndryshme, prirje kjo që nga Maloki refuzohet kategorisht, duke arsyetuar se „problemi Pleq a të Rinjt s’ka punë me njat luftë e me generacione në pikëpamje biologjike-sociologjike!“;
c) për Malokin kishte edhe një rrymë të tretë, që më së shumti i afrohej thelbit të problemit dhe kjo ishte lufta mes „mendsinash e botkuptimesh“. Më konkretisht bëhej fjalë për „luftë ndërmjet Orientalizmës dhe Okcidentalizmës“. Që rryma e tretë të kuptohej më drejt, Maloki shpjegonte fillimisht se çka kuptohet me semantikën e fjalëve orientalizëm dhe oksidentalizëm.
Në të vërtetë, sikur të mos kishte bërë një shpjegim të saktë të këtyre koncepteve, ai do ishte keqkuptuar tërësisht. Duke e arsyetuar rrymën e tretë, Maloki jep argumenti se “lufta e ardhme asht luftë e djalërisë shqiptare kundra anmikut në zemër të vet, asht luftë mendësie krijuese kundra një mendësie destruktive, asht luftë botëkuptimi drite kundra një botëkuptimi errësire, asht lufta Okcidentale shqiptare kundra Orientalizmës shqiptare…”
Semantika Orientali shqiptar përshkruhet si një person që i pret të gjitha të mirat vetëm për vete nga të tjerët. Bota për atë është burim i “pashterrun mjetesh, qejfesh e lezetesh të cilat i shfrytëzon në çdo mënyrë e metodë…” Sakrificën vetëmohuese, ndershmërinë nuk i njeh, në të kundërtën, orientali shqiptar “i ngjitet trupit kolektiv dhe shoqnor dhe ja thith gjakun pa asnjë droje e skrupull”. Më tutje Maloki vazhdon shpjegimin e tij duke përcaktuar se, orientalisti “s`njef turp a marre… aj ska cipë që t`i nxihet… është i zoti për të gjitha… shet ba`e nanë… për mos me than shpirtin e trupin e vet; vetëm e vetëm që t`i shkoj kungulli mbi uj, vetëm që mos t`i prishen telat e karadyzenit”.
Ndërsa idealet që ka orientalisti janë “kolltuku e llokma” dhe për ta arritur këtë qëllim e “përdor aj çdo mjet” kurse instinktet e tij janë “t`ujkut monoambulant, t`ujkut tek … deviza e tij karakteristike që e përcjell asht një thanie … “kudo rafsha, mos u vrafsha!”. Atdheu është burim ku ushqehet orientali dhe e shfrytëzon atë, ndërsa pse prishet një shtet, komb a botë, s`është asgjë, shpjegon Maloki. Burimi i orientalizmit “asht një dhanti (=darovë) fatale e kristianizmit, me gjithë që e një kristianizmi euro-aziatik…” Dhe ky burim vjen me ndarjen e kishës dhe sundimin bizantin, thotë teoria e Malokit.
Për ta konkretizuar edhe më shumë burimin e orientalizmit te shqiptari shton: “Por s`ishte aq fort ndamja (skizma) kishtare se sa njaj shpirt i administratës bizantine plot angth e myk që u pllakos si një shpirtër e zezë si një hije murtaje mbi mbarë kombin shqiptar… dmth. ner mardhëniet e shqiptarit me shqiptarin dhe ner marrëdhaniet e shqiptarit me shtetin eprorët e tij u fut e u përhap shirita bizantine si një epidemi rrënimtare dhe e deformoi karakterin e drejt të shqiptarit në një bollë amorfe e sisfingore”. Kurse Turqia e mëvonshme trashëgon dhe kujdeset për “miraz-in bizantin”.
Oksidentalzmi shqiptar në anën tjetër vlerësohet e kundërta orientalizmës. Në të vërtetë studiuesi Maloki vlerësonte se “shqiptarët e sotshëm (atëhershëm shënimi i imi) gjinden aq larg nga okcidentalizma e vërtetë…”. Ai shprehet shumë qartë dhe u bën me dije se “vet djelmnia e shkollueme e ka gabim kur kujton se okcidentalizma përmbahet vetëm ner veshje e mbathje evropiane, apo në të ndejunit plot kotësi ner sallona…”.
Oksidentalizmi i vërtetë dëftohet me kryerjen e ndonjë detyre të ndershme… bile karakterizohet edhe me mënyrën se si ai e ngarkon vetën, pra me vetë dëshirë, me detyra të rënda bile edhe jashtë detyrave ordinare e të domosdoshme… lartësia morale rreth një ideje të lart… rreth një “ideje që s`ka punë me kolltuke, me llokma e me meashe…” na shkruan Krist. Ai thotë se oksidentali shqiptar duhet të jetë shembull pozitiv për të tjerët. Shpirti fisnik që duhet të demonstrojë me atë se si “merr pjesë ner dhimbjet e brenga të botës peranë!”. Vijimi dhe edukimi në shkollat evropiane nuk të bëjnë oksidental, sepse edhe në Evropë ka orientalizma, shpjegon autori Maloki.
Studiuesi Maloki na jep edhe shembuj konkret që dalin nga shkrimet e tij lidhur me shqiptarin orientalist. Ai kështu e quan Ahmet Zogun, “një oriental dinak nën maskën e një gentleman-i, një injorant karagjoz me hijen e një dashunori shkencash e artesh, një gangster ballkanik e i përgjakun me gjestet e një borgjezi të përshpirtshëm…” Kurse ata që i shërbyen i quan marioneta teatrore. Dhe gjithë individët më të njohur që i kanë shërbyer Zogut i analizon edhe në aspektin psikologjik duke futur në lojë edhe fëmijërinë e “marionetave” dhe edukimit e Abas Kupi, Gaço Gogo-ja dhe Dr. Nuçi Kotta që thotë se, megjithë dallimeve individuale, ata kanë të përbashkët “një romantizëm fantazmagorik, një botëkuptim anakronik dhe një vetmohim (a vetëmashtrim) verbues dhe shkatërrimtar”.
Kurse mercenar i quan “…ata zogista andej e këndej botës që spekulojnë me rriardhjen e “Mbretit”, për t’i sigurue vedit sot a nesër një copë bukë apor ndonjë ofiq qibari”. Zogu nuk ka pas ndonjë koncept të vërtetë politik, ai nuk ka lodhë mendjen e tij për mbarëvajtjen e vendit dhe kombit, dhe nëse ai ka bërë diçka, ai atë e ka bërë për interesin e vet, sipas motos “shteti jam unë!. ” Dhe në “qoftë se ka pasë Ahmet Zogu ndonji fjalë apor ideologji politike, ajo ka qenë e përmbajtun në divizën revoltuese e dërmuese: “Qëllimi i shejtnon mjetet!””.
Për ta përforcuar këtë mendim, Maloki cek disa dëshmi (akte) e vjen në përfundim se A. Zogu ka qenë i gatshëm “po ta lypte nevoja d.m.th. interesi i tij……. me i pranue të gjitha kërkesat e shteteve të ndryshme rreth e perqark Shqipnisë… që të rinjihet mbret…”. Ai e quan Zogun fotokopje të Esat Toptanit, njeri materialist (Zogu duhet të ketë pas një rini në varfëri) që i mungojnë gjitha vetitë e vlerave ideale, dhe vazhdon mëtutje duke bërë edhe vlerësimin e bashkëpunëtorëve të tij ku shprehet “do të mjaftonte një përshkrim psikologjik apor një pikturim… i rrethit të tij të ngushtë … e sidomos brenda kohës 1925-39 d.m.th të personave që kanë qenë vegla imediate të dallavereve zogolliane: një galeri e gjallë korrupsionistash, kriminelash, pederastash, kodoshësh e kontrabandistash … që të kuptohet materializmi i rrënjosur shpirtnor i “mbretit të derrave” (simbas Faik Konicës!)…”
Sistemi i organizimit të shtetit shqiptar
Në një shkrim të botuar në Hylli i Dritës në numrin e nëntorit të vitit 1935 me titull: Diktaturë, liberalizëm apor shtet autoritar? Krist Maloki shtjellon këto koncepte dhe me vlerësimet e analizat e tij mundohet të shpjegojë se cila nga parimet e përmendura do i përshtatej më së miri shtetit shqiptar të lodhur. Lidhur me konceptin “diktaturë” si sistem i mundshëm për shtetin shqiptar, ai jep disa shembuj me disa shtete të asaj kohe, si Gjermania dhe Italia, duke shpjeguar se kjo formë ishte e papërshtatshme për Shqipërinë. Kjo sepse, nuk ekzistonin në ato kohë“klasa t`atilla shoqnore, kompakte o plot ideale kolektive –nacjonale”, që mund të mblidhnin “turmat shoqnore” në të njëjtën mënyrë sikur bënë Musolini dhe Hitleri, nëpërmjet sugjerimit të “shpresave të reja” dhe rrëmbimit të tyre me një “ideal i ri kombëtar”.
Në Shqipëri mund të ketë vetëm një diktaturë ushtrie e xhandarmëri, dhe se një diktaturë e tillë nuk do të zgjidhte problemet vitale e paqësore të kombit. Për rrethanat ekzistuese të viteve të 1930’, kur fryma e liberalizmit ishte aktuale dhe ishte futur edhe në Shqipëri, Maloki këtë ide që ishte në përhapje në Shqipëri e quan “pseudoideologjie”! Ai thotë “e vërteta asht se liberalizem do me than : konkurrencë e pakufishme, konkurencë me çdo mjet, a ma mirë: konkurrenca pa shpirt e pa shkrupullë, shkurt: dallavere orientale…”. Koncepti, principi i liberalizmit është i papranueshëm për Malokin dhe kjo për arsye të “analfabeti (t) bilmez” shqiptarë që s`ka kurrfarë haberi për problemet dhe nevojat jetike të kombit e të shtetit- në liberalizëm “mbi fatet e atdheut” dhe se “një demokraci e vërtetë e ka vendin ndoshta në Zvicer, Francë, e n`Anglië d.m.th.n në ato shtete që kan një tradicjon politik shekullor, ku populli s`ka as 5 perqind analfabeta”, kështu që ky grup njerëzish do të votonin me siguri “90% përfaqësuesa oriental…”
Maloki pohon dhe thekson numrin e lartë të analfabetizmin ndër shqiptarë pas tërheqjes së Turqisë nga Ballkani. Mendohet së në atë kohë, popullata të ketë qenë 90-95% analfabet. Maloki kujton se në literaturën shqiptare nuk është fare e njohur dallimi mes Potestas dhe Auctoritas. Në shpjegimin që i bën koncepteve të dhëna më lart, ai shpjegon edhe qëndrimin e tij për situatën tranzicion të Shqipërisë në vitet 1930. Përderisa koncepti potestas nënkupton forcën brutale e kërcënuese, auctoritas është forcë imponuese shpirtërore produktive me besim të plotë se të gjitha punët e shtetit bahen në të mirën e popullit.
Potestas nuk e merr parasysh elementin e vullnetit të popullit, në të kundërtën ky element injorohet fare, kurse në anën tjetër shteti që udhëheq sipas principit të auctoritas, mbështetet kryesisht në vullnetin dinamik. Sipas analizës së Malokit “auctoritas mund të kenë vetëm njata prijsa e burra shteti, të cilët, pos zotësisë (shkencëtare-mendtare-praktike), kan edhe kualitete morale, të cilat në Shqipërinë paraqiten sidomos nen devizën: Besë, Burrnië, e Nder shqiptari!”. Përgjigja që Maloki i jep pyetjes, se cili sistem i organizimit shtetërorë do t`i përshtatej më së miri Shqipërisë, në kohën që po e trajtojmë? Është: një sistem autoritar.
Mirëpo ai nuk jep ndonjë sqarim si do kishte mundur që ky sistem autoritar të ngrihej brenda rrethanave ekzistuese në Shqipëri. Ideja shqiptare dhe shteti apor kombi e Malokit Ndër shkrimet e nivelit shumë të lartë e të veçantë të Malokit, vështruar në aspektet studimore politiko-juridike, sociologjiko-filozofike, duhen përmendur: Ideja shqiptare” dhe“Shteti apor kombi!”. Këto shkrime tërësisht lidhen përherë me trajtimin e çështjeve brenda shqiptare. Kur flet për dallimin mes kombit dhe nacionit, Maloki jep një shpjegim shumë të bukur, që e thonë edhe filozofët më të hershëm perëndimorë, këtë shpjegim ai e bën për ta kuptuar më mirë çështjen dhe dallimin mes kombit dhe nacionit shqiptar.
Për ta kuptuar dallimin, së pari ai jep shpjegim për teorinë rreth kombit, që ka një kuptim etnik, të cilin Maloki e shprehë si vijon “kombi përmbledh në gji të vet nji grumbull personash që janë lidhë shoq me shoq (ideal!) nëpër gjakun e fisin e njajt dhe ma fort nëpër nji botëshikim e botëkuptim (Weltanschauung!) të përbashkët. Porse ky botëkuptim bazohet ma fort nder ndjenja d.m.th. nder kujtime abstrakte të nji vitaliteti të veçantë (=të gjakut!) dhe jo aq nder kujtime abstrakte të nji sistemi filozofik e racional”. Me të drejtë, me siguri duke u bazuar në filozofët gjermanë e francezë, ai e shpjegon saktë edhe nocionin nacion, se ka kuptim politik, dhe që lind në kohën kur për të parën herë fillon krijimi i shteteve në kuptimin e sotshëm (shek. XVI sipas K.M.).
Me nacion në gjuhën shqipe, shpjegon Maloki, kuptohet “populli shtetnor”, ndërsa kombi është një term etnik, që nënkupton, përfshin, e i kalon edhe kufijtë shtetëror. Dhe kështu ai vjen në pikën ku thotë se, duke u bazuar në shpjegimet e lartcekura, ideja nacionale nuk ka kurrfarë pune me idenë kombëtare. Nisur nga ky këndvështrim Krist kujton “encikllopedistat” shqiptarë brenda e jashtë se, nacionalist mundet me qenë si vllehët, si grekofonët apo edhe jevgjit e Shqipërisë. I brengosur për kombin të cilit i takonte dhe e donte aq shume, në formë të drejtëpërdrejtë dhe pa përdorë shprehje diplomatike ai do të shkruante: “Gabimin ma të madh e ma të trashë e bajnë nder ne disa fantasta, të cilët – të marrun mendsh nëpër studimet e shkencat e veta eoretike – xhixhilluese – përpilojnë plane politike -shtetnore pa u interesue aspak se a hyn nder ato kallepe (eoretike) materiali real i kombit dhe vendit (gjeografik e geopolitik) shqiptar.
Këta njerëz janë për t’u vue në dajak dhe për t’u dërgue mandej nder klaset e para të shkollave shqiptare që të mesojnë së paku geografinë dhe historinë e kombit shqiptar. Jo, zotni, për me ngrehë një shtet, ashtu në kuptimin e plotë të fjalës, nuk jemi të zot na tridhjetëvjeçarët e sotëm. Dhe do të kondendohemi edhe ma tutje me një gjendje gjysmake, për mos me thanë provizore; sepse na – arkitektat fantasta – s’kemi haber mbi materialin real, sepse na s’e njofim as kombin, as vendin, as … Sepse na kemi ndoshta shumë dije (dituri shkencëtare!) por jo mend e shpirt! …”
Ai nuk jep vetëm kritikë, por shpjegon se si mundet të dilet nga gjendja ekzistuese kur thotë: “Dhe zgjidhja e “Problemit Shqiptar” kërkon para së gjithash shumë mend e shpirt. Djelmnia shqiptare asht mësue me e shikue kombin e vendin e vet nëpër syzat e do vagabondave të tymosun kafehanesh, apor të do pseudo – pedagogëve pedantë e skolastikë, apo edhe të do shkrimtarëve të huej që nuk kanë pasë as zotsinë e nuk e kanë marrë kurrë mundimin e duhun për me i kushtue problemeve tona një “vëmendje” të plotë e objektive.
Prandaj s’asht çudi që brenda djelmnisë shqiptare vlon një anarki pikëpamjesh e mendimesh mbi kombin, popullin e vendin e vet. Dhe, “shpëtimtar i kombit” mund të quhet me gjithë mend ai shpirtmadh që i falë asaj djelmnie ideologjinë e vërtetë të “Shqiptarizmës” reale – kombëtare.” I shqetësuar për fatin e kombit, por edhe me dëshirën që kombi të marrë rrugën e duhur, me dhimbje e emocion njëkohsisht, me logjikë dhe frymë idealiste, pra në frymën okcidentale, Krist Maloki do të shprehej: “Fjalët e pallavrat e kafeneve e as bisedat e shkrimet akademike s´e shpejtojn kombin nga vdekja që i kercnohet. Jo, shpetimi i kombit shqiptar varet vetem nga ndergjegjëja e tijë. Dhe ketë ndergjegjëje mund t´a zgjojë dhe t´a ndezi vetem flaka dinamike e një djalerije të pastër, të një djalerije vetmohimtare dhe plot aktivitet shembëllor.
Nga aparati mekanik-qeveritar s´ka shka pritet në këto punë. Qeverija mund t´i dorëzoj popullit ilaçe e mjete per kurim e perparim, porse ajo s´mund të kujdesohet edhe per mirëperdorimin e tyne. Këto të gjitha janë punë ndergjegjjeje, janë punë të shpirtit. Dhe shpirti ndezet vetem nga një shpirt tjeter, nga një shpirt i flakët…” Rreth lidershipit shqiptar të Kosovës Dëshira e Malokit për “…një djalerije të pastër …një djalerije vetmohimtare”, për një “shpëtim” kombëtar nuk arrihet. Me gjithë dëshirën e tij për kombin e tërë, Shqipëria më 1913 dhe më 1919 cungohet. Pjesë të kombitshqiptar i jepen nga Fuqitë e Mëdha të kohës shteteve të etura ballkanike. Edhe Kosova, si pjesa më e ndjeshme nga gjitha pjesët tjera të banuara me shqiptar, hynë në trajtimet e Malokit.
Mendimet rreth Kosovës kryesisht ai i shpreh në letrat e tij, të cilat njëkohësisht janë edhe pjesë dëshmie e kohës dhe qëndrimeve që ai i përmbahej. Ai brengosej po ashtu në mënyrë të veçantë për Kosovën, mbase ishte edhe vendlindja e tij. Në letrën dërguar Kazim Prodanit, (të cilin e vlerëson shumë, duke e quajtur se “jeni një tip i veçant politikan dhe zhurnalist shqiptar” dhe i vetmi që e meritonte të quhet ashtu sipas profesorit), dalin shumë të dhëna dhe mendime interesante të Malokit rreth problemeve shqiptare dhe në veçanti Kosovës, gjegjësisht asaj që në dokuemtat diplomatike europiane të kohës së para copëtimit njihej si Upper Albania. (ne për saktësi duhet të themi Shqipëria Verilindore).
Maloki shprehëe shqetësimet e tij, veçanarisht për sjelljet e “elitës” shqiptare të Kosovë, që në atë kohë (vitet 1950’) vepronte e sillej duke e “refuzuar” identitetin e vet, duke u munduar të mbulohej me një petk të rrejshëm dhe të përkohshëm. Për këtë fenomen ne letrën e parë dërguar Prodanit shkruan: “një realitet tjetër i Kosovës është që as gjysma e kosovarëve as që kan prishur ndjenjat për një bashkësi dhe liri kombëtare… paraqiten më tepër si turq se si shqiptarë… me gjithë se s`dinin turqisht…Akademiku kosovar preferon zyrtar, spitalet, dhe ndërmarrjet shtetrore jashta Kosovës, mësuesi i normalës kosovare kërkon të futet o ner qytete o ner krahina sllave, ku paska “ma lezet jeta”… në policin sekrete (UDB) me qindra kosovar … qenkëkan më të zot dhe më të çkathët …
Populli i fushave dhe malësive kosovare i ka lën zakonet dhe adetet e moçme shqiptare dhe ka nisur ta gëzojnë jetën o fare orientale o fare moderne, në daç si kundrejt seksit femëror si dhe seksit të përkundërt… hajde pastaj dhe i beso shqiptarizmit të kompatriotëve kosovarë!…” Maloki flet për “pisllëk shpirtërorë” që është përhapur në jetën e përditshme në Kosovë. Maloki “Problemin Kosovar” e ka përcjellë përherë, madje edhe duke dhënë propozime se si ka mundësi që të bëhet “internacionalizimi” i saj. Me gjithë kontaktet dhe vlerësimet e ndryshme që ka bërë, ai nuk gjen dot shokë për një studim serioz që do ta lëvizte “Problemin Kosovar”.
Kolegët e tij, nën presionin e kushteve politike nën të cilat jetonin, e kishin refuzuar një punë të atille, duke argumentuar se “ende s’kishte ardh koha”, apo duke u fshehur pas frazave evazive. Maloki ishte një personalitet që në shpirtin e vet kishte barrën kombëtare. Shpesh herë ai shprehej: “une jam kosovar nacjonalist, kam qenë gjithë jetën t’ime kosovar patriot…” ndërsa procesin e shpëtimit të Kosovës e shprehë duke shënuar: “Shpëtimi i Kosovës dhe ringjallëja e Shpirtit Kosovar munt të vijë vetëm nga brenda dhe nëpër vepra të verteta dhe të perbashkëta kulturrale të të gjithë kosovarëve, kudo qofshin në botë”.
Përfundim Figura e dijetarit shqiptar nga Kosova, gjegjësisht Shqipëria Verilindore, që ka jetuar e vepruar në Grac të Austrisë, është e lidhur ngushtë me “politikën e Kombit Shqiptar”dhe çështja e kombit shqiptar luante një rol kryesor në agjendën e tij. Për atë “totaliteti”(sipas filozofisë së Aristotelit), Kombi Shqiptar, kishte rëndësi më shumë se sa gjithë pjesët e saj. Shkrimet e tij edhe pse nga gjuha ishin të ashpra, ishin reale dhe përkonin me realitetin shqiptar. Ato shkaktonin “dridhje” kur publikoheshin. Dhe si njeri “idealist” me zemër në kombin kudo dhe ngado që shkonte, ai bënte kritika për ato fenomene negative në shoqërinë shqiptare, të cilat e hendikaponin zhvillimin e tij.
Dhe për këto “pisllëqe shpirtërore”që lundronin në kombin e tij, që në agjendën e tij ishte në rangun e parë, ai vuante shumë, brengosej tejmase. Ishte një kundërshtar i rreptë i asaj “elite” shqiptare që ishte e infektuar nga “orientalizma”. Kërkonte një djalëri të pastër. Dhe vetëm djalëria e pastër që do duhej të dilte nga vetë shpirti i Kombit, do ta shpëtonte atë. Kritikonte oksidentalizmin formal, ndërsa e avancon atë oksidentalizmin e vërtetë shpirtërorë e të pastër. Duke njohur mirë organizimet e shoqërive në perëndim, i ndikuar edhe nga filozofët e mëdhenj, ai kurr nuk kishte distancë nga identiteti shqiptar, përkundrazi, ai elementet kryesore që e përbënin “shpirtin shqiptar” Besa, Ndera dhe Burrnia ishin elemente që e përcjellin gjatë gjithë jetës.
Ai i mbronte këto tri elemente të “shpirtit shqiptar”me një logjikë interesante dhe nuk kishte kurrfarë probleme që ato t`i harmonizonte si veti të shenjta edhe me filozofinë moderne të organizimit shoqërorë. Ai në këto tre elemente shihte edhe bazën e një shoqërie të shëndoshë shqiptare oksidentale. Në të vërtetë dijetarin tonë, gjendja kombit shqiptar e rëndonte në mënyrë të jashtëzakonshme. Ishte idealist por edhe realist dhe gjërat i shikonte në mënyrë objektive, mbase edhe si shkencëtar që ishte, ai nuk i lejonte vetës të shkruante dhe të fliste pa gjuhën e argumentit. Puna e Krist Malokit është e veçantë. Mendimet tij rreth temave të ndryshme lidhur me kombin shqiptar, ai i shtjellon nga një kënd ndryshe nga të tjerët. Problemet i lokalizon shumë shpejt dhe në formë precize. Ai kapte problemin në thelb, aty ku “orientalistave” nuk iu pëlqente fare.