Lidermania dhe modeli i munguar i udhëheqësit

0
63

Mentor Kikia

Në Shqipëri, gjëja që kushton më pak për ta pasur, duket se është ofiqi publik. Kështu, nuk është e thënë se duhet patjetër që të kesh bërë një barrë shkollë, studime dhe punime shkencore, që të quhesh profesor apo doktor. Mjafton që një mjek fshati apo lagjeje të veshë bluzën e bardhë dhe ne i themi menjëherë doktor, edhe pse ky është një titull shkencor. Po ashtu, mjafton të sorollatesh një herë në javë, për të dhënë ndonjë leksion në ndonjë nga dhjetëra universitetet shtetërore apo private dhe menjëherë të thonë profesor, edhe pse do të duhet një jetë punë për të përfituar këtë titull të shenjtë intelektual. Ndërsa akoma më shumë, kushdo që ka arritur të marrë një diplomë dhe të punojë diku, apo të shkruajë nja dy-tri herë në gazetë, mund të quhet intelektual.

Por, më shumë se kaq, vitet e fundit mjedisi politik dhe shoqëror shqiptar, në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë, po pushtohet nga një tjetër dukuri megalomanie. Ajo është lidermania. Kushdo që drejton një parti, një organizatë, një shoqatë çfarëdo, një grupim a bashkësi të caktuar njerëzish, vetëquhet lider. Dhe në këtë drejtim, ne gazetarët kemi dhënë kontributin tonë më të madh, duke shpërndarë tituj fisnikësh anekënd, si dekoratat dhe fletët e lavdërimit në kohën e propagandës komuniste.

Drejtuesve të partive në Shqipëri, fjala kryetar filloi t’u dukej jashtë mode dhe nisën sugjerimet që, gjatë citimeve, mediat t’u referoheshin atyre si liderë dhe jo thjesht si drejtues apo kryetarë. Dhe kështu, shpejt e shpejt, mjedisi ynë publik u mbush me “liderë demokratë”, “liderë socialistë”, “liderë social demokratë”, “liderë të LSI-së” etj. Ndërsa dolën sheshit titujt e fisnikërisë politike, nxituan t’i kërkojnë ato edhe disa drejtues organizatash shoqërore, ende në moshë pubertiteti, duke u vetëshpallur edhe ata publikisht si liderë të lëvizjeve apo organizatave të tyre.

Në fakt kjo nuk ka asgjë të keqe, përderisa askush prej nesh nuk cenohet në ndonjë farë mënyre nga fakti se si i pëlqen ta quajnë kryetarin e një partie apo shoqate. Gjithashtu, në një shoqëri të lirë, gjithkush mund t’i japë të drejtë vetes të vetëquhet jo vetëm lider, por edhe udhëheqës shpirtëror i njerëzimit. Por e gjithë kjo krijon një problem tjetër, që lidhet me zhvlerësimin e titujve që në fund të fundit bëjnë edhe dallimin mes shtresave të një shoqërie duke ndarë injorantët nga të shkolluarit, ekspertët nga zanatçinjtë, profesorët nga nëpunësit, shkencëtarët nga thjesht të diplomuarit, profesorët nga mësuesit, e kështu me radhë deri te ndryshimi mes një drejtuesi dhe një udhëheqësi apo një lideri popullor, që prodhon frymëzim për popullin e tij dhe është i aftë të bëjë histori.

Dhe akoma më tej, në një vend ku të gjithë quhen liderë, ne nuk dimë tashmë se cili është, ose më saktë, si duhet të jetë lideri i vërtetë, pasi një shoqëri që ka dhjetëra liderë, me siguri nuk ka asnjë të vërtetë. Ose, edhe në pastë, ne nuk dimë si ta identifikojmë, kur me lider, tani për tani, ne nënkuptojmë një kategori njerëzish që po bëhen jo frymëzimi, por neveria e shoqërisë.

“Lideri” ka marrë një goditje tjetër të rëndë këta muajt e fundit, kur mediat, pa pikën e kursimit, i referohen dhjetëra herë në ditë si lider kryetarit të një lëvizjeje shoqërore në Kosovë. Bëhet fjalë për Albin Kurtin, i cili u vu në krye të një grupi, kryesisht të rinjsh, që kundërshtojnë kontrollin e administratës ndërkombëtare mbi qeverinë e Kosovës, duke kërkuar atë që ata e personifikojnë edhe në emrin e organizatës, “Vetëvendosje”.

Oponenca e këtyre të rinjve, matur me kutin e nacionalizmës së shumë shqiptarëve, është e admirueshme, pavarësisht metodave të tyre të të bërit oponencë. Por shpejt edhe Albinin e kapi sëmundja e udhëheqësit të madh dhe kudo ku ai fliste, citohej, pa një pa dy, si lider. Dhe si i tillë, Albini doli e tha se nuk e njoh gjykatën, as prokurorinë, as shtetin dhe qeverinë e Kosovës, as EULEX-in e as OKB-në. Për këtë arsye, ai refuzoi muaj të tërë të paraqitej në gjyq, për t’u përgjigjur lidhur me akuzat mbi një protestë të dhunshme, ku u shkatërruan nja 20 makina të UNMIK-ut.

Ne shqiptarët, këndej e matanë kufirit, jemi deri në grykë me liderë që kapardisen makinave e podiumeve, e që me mosbindje ordinere i bëjnë karshillëk shtetit dhe drejtësisë. Përtej fushatës “made in Facebook” pro tij, Albin Kurti zgjodhi mënyrën më të keqe për të nisur karrierën në politikë. Refuzimi me kokëfortësi, veshur me mantelin e mosnjohjes së “pushtuesit të huaj”, nuk është gjë tjetër veçse e njëjta farë nga e cila kanë mbirë edhe një duzinë zyrtarësh në vendin e tij, që edhe pse të ngarkuar me një barrë akuzash për korrupsion, refuzojnë hetimin.