Libri “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” i Bekim Fehmiut botohet shqip.

0
178

Arta Beqiri

Libri ka qartësi shembullore, fjali të shkurtra që arrijnë të krijojnë imazhe konkrete, që ndjekin njëri-tjetrin dhe sjellin asociacione e përjetime, më parë se kuptime të drejtpërdrejta.
Botohet në gjuhen shqipe libri “E shkëlqyer dhe e tmerrshme” i Bekim Fehiut. Sipas redaktorit të përkthimit Bardh Rugova, Bekim Fehmiu lë anash famën e tij njësoj sikur në vitin 1987, kur në mënyrë demonstrative braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, në Teatrin Jugosllav të Dramës.

Ai është rrëfim “që të bën ta përjetosh dhembjen e goditjes dhe dhimbjen e emocionit. Një përfytyrim i rrugëve ku fëmijët lozin apo një pamje e një personi në berberhane”. “Të gjitha këto ofrohen pa qëndrim, thjesht, duke e ofruar një kënd vështrimi në formë të kamerës, e cila kap pamjet si një bërthamë e vetëdijes së rrëfimit”, thotë Bardh Rugova, redaktor i librit. Ndërkaq libri i Bekim Fehmiut “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” do të dalë në shitje disa ditë para se të bëhet një vit qëkur aktori me famë botërore vendosi t’i jepte fund jetës së tij.

Libri i aktorit me nam, sipas Rugovës, është një përshkrim i mrekullueshëm i jetës qytetare në Kosovë. “Libri na ka ardhur i shkruar në shqip. Nuk e kemi përkthyer”, ka thënë Rugova.
Por jo vetëm. “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”, sipas tij, është një libër i mirë dhe i shkruar bukur. “Libri karakterizohet nga një leksik i pasur i jetës qytetare, nga fjali të shkurtra”, u shpreh Rugova.

Ky leksik, bashkë me përshkrimin e detajeve të jetës qytetare, e bën, sipas Rugovës, librin e Fehmiut i botuar në serbisht më 2001, ndër librat e mirë të kësaj dekade në gjuhën shqipe. Sikundër që autori lë anash jetën e tij nën dritat e kinematografisë dhe famën e madhe, “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”, sipas Rugovës, është një rrëfim që tregon jetën e aktorit prej kujtimit të parë diku në Sarajevë (ku edhe ka lindur më 1 qershor 1936) e deri në audicionin për t’u pranuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, nga ku ai do të niste dhe do të bëhej i famshëm.

Kur shohim librin e shkruar nga Bekim Fehmiu, duket më e pritshme që ai do të tregojë jetën e tij prej aktori të famshëm. Por në librin e tij ai na jep të kundërtën e kësaj. Libri paraqet periudhën e jetës së Bekim Fehmiut para se ai të bëhej ai që e njohim të gjithë” u shpreh Rugova. Mirëpo sipas Rugovws “aktrimi” i Fehmiut mund të haset në disa raste në libër, sikur pjesa kur si fëmijë bën përpjekje që t’i shmanget një “dënimi” nga daja i tij dhe nis e shtiret. Ku ai këtë e quan “Aktrimi i parë”. Ndërkaq në rrugëtim e sipër, libri i Fehmiut përshkruan jetën nëpër të gjitha peripecitë, të mirat e të këqijat e saj, gëzimet dhe pikëllimet rreth dështimeve.

Sikur ajo kur babanë e tij, Ibrahim Fehmiu, njëri ndër mësuesit e gjeneratës së parë në Kosovë dhe propagandues i madh i arsimit në gjuhën shqipe, e dënojnë për çështje patriotike dhe ai i thotë të birit “Mëso”. Gjithashtu libri ka një nëntekst që përshkruhet bukur nga ky episod. Po ta shikojmë në prizmin e sotëm, ajo “Mëso” ka një mesazh të fuqishëm. Tani që e dimë se kush ishte Bekim Fehmiu, ai që doli më i mirë, më i zoti se ata që i dënonin mësuesit shqiptarë”, ka thënë Rugova.Nga prizmi i sotëm, tek “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” gjendet edhe një tjetër detaj që lidhet fort me mënyrën e vdekjes së aktorit.

“Ai ka një pjesë të rrëfimit, të cilën tani nuk dua t’ua zbuloj lexuesve të gjithën, mirëpo e ka një pjesë në të cilën përshkruhet një vetëvrasje që e kishte tentuar në fëmijëri. Përshkrimi është me një dozë humori. Natyrisht nuk bëhet fjalë për ndonjë tentim serioz të vetëvrasjes. Por mund të lidhet me atë që shumë vjet pasi e ka shkruar dhe botuar për herë të parë mund ta shohim si një element karakteristik që nuk e kishim vërejtur kur e kemi lexuar librin në vitin 2001”, ka thënë Rugova.. Aktori i cili u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e puplave”, në vitin 1966, i martuar me Branka Petriq, me të cilën ka dy djem, njihet për rolet e shumta si: “Edukimi special”, “Odiseja”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”.

Ai ka luajtur me yje si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Show, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, Claudia Cardinale, duke interpretuar në shqip, serbisht, maqedonisht, turqisht, në gjuhën rome, në spanjisht, anglisht, frëngjisht dhe italisht. Ani pse një jetë të tillë e ka lënë anash, “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” ka qartësi shembullore, fjali të shkurtra që arrijnë të krijojnë imazhe konkrete që ndjekin njëri-tjetrin dhe sjellin asociacione e përjetime, më parë se kuptime të drejtpërdrejta.