Nga: Ibrahim Hajdarmataj, arsimtar e publicist, Zogaj-Tropojë
Para disa ditësh, doli në qarkullim libri i ri i arsimtarit, publicistit e studiuesit Sejdo Harka, “Modernët e kohës”. Atë e ka nxjerrë në qarkullim Shtëpia Botuese “Edlora”, Tiranë dhe ka redaktor letrar prof.Murat Gecaj. Ky libër përmban analiza për vepra letrare të poetëve e shkrimtarave shqiptarë, por dhe të huaj; esse e portrete krijuesish të ndryshëm.
Libri hapet me një hyrje domethënëse, me autor shkrimtarin e publicistin Bardhyl X hama, “Mësues i merituar”. Është i ndarë në tri pjesë dhe ka mjaft ballina të librave dhe të krijuesve, për të cilat flitet aty.
Në pjesën e parë janë 40 shkrime, kryesisht analiza e shënime letrare. Pasi autori flet për poetë e shkrimtarë të njohur, shqiptarë e të huaj, si: Naim Frashëri, L.Poradeci e L.Kodra; Rumiu, Esenini e R.Savjano, mund të veçojmë shkrimin “Monarku i letrave shqipe, në kujtimet e Helena Kadaresë” . Ajo ka nënvizuar: “Me Ismail Kadarenë ka ndodhur si me lumenjtë e fryrë nga shtërngatat, të cilat pasi kanë rendur vrullshëm, e kanë ndërruar shtratin”. Më tej, është studimi me vlera letrare “Marrëzitë e kohës, në humorin e Dritëro Agollit”, ku janë edhe këto radhë: “…Ka njerëz, që puthin në buzë,/ ka edhe të tillë, që me buzë ndyjnë!?” Kur e lexova më tej, solla në kujtesë vizitën e Dritëroit në fshatin tim të lindjes, Zogaj, në vitet ’80-të të shekullit të kaluar. Me atë rast, ai bisedoi ngrohtësisht me mësuesit, por dhe me fshatarët, duke bërë me ata edhe shaka të bukura e domethënëse.
Nga një pjesë e këtij libri po shkëpusim edhe këto radhë: “Ai shkoi të flerë përjetë, por la zgjuar veprat e pavdekshme të tij”, që janë shkruar për prof.Bedri Dedjen-Akademik, për të cilin prof.Murat Gecaj përgatiti e botoi antologjinë “Bedri Dedja, në kujtesën tonë”(Tiranë,2010). Në vazhdim, është studimi i S.Harkës për dramën “Të mallkuarit”, nga Enver Petrovci, ku thuhen edhe këto radhë nga ai: “Mos lufto për askënd, sepse edhe fituesi, edhe humbësi, janës të njëjtë!”.
Mendoj se punimi “Engjëj të armatosur”, kushtuar romanit të shkrimtares Diana Çuli, është ndër më të arriturit, ku thuhet: “Atje, ku kishte mbirë një mollë e bardhë, mbiu dhe një qiparis, që do të dijë t’u tregojë të vërtetën brezave…”. Me ndjenjë është hartuar edhe recensioni “Ura, që lidhin brezat”, për librin publicistik-letrar, “Dorela”, me autor M.Gecaj. Aty theksohet se “Dashuria ndërmjet brezave duhet të ketë ëmbëlsinë e mjaltit dhe erën e këndshme të luleve…”. Kur lexojmë studimin “Funerali i fundmë”, kushtuar romanit të shkrimtarit disident Visar Zhiti, të cilin edhe unë e kam njohur në vitet e rinisë së tij, në zonat e thella të Kukësit, sjellim në kujtesë se ai e pa ferrin e vdekjen me sy, për së gjalli, vetëm e vetëm se donte të jetonte dhe të krijonte i lirë.
Për një vepër me përmbajtje arsimore e pedagogjike të prof.Musa Krajës, flet shkrimi rreth librit të tij, për pedagogë e studentë, “Pedagogji e zbatuar”. Duke e shfletuar librin e S.Harkës, lexuesi ndalet edhe në punimin kushtuar veprës letrare të Petraq Ristos, “Një grua, me urdhërin e ujkut”.
Ndërsa në pjesën e dytë të tërheq vëmendjen shkrimi “Thoma Deliana, ministri që guxoi ta kundërshtonte Mehmet Shehun”. Dhe dihet se ishte koha, kur cilido që vepronte ashtu, ishte sikur t’i bije murit me kokë!?
Në vazhdim, autori flet edhe për disa publicistë e studiues, si Murat Gecaj, “të artin” Bardhyl Xhama e të paharruarin Skënder Hasko dhe përfundon me shkrimin kushtuar publicistit e autorit të mbi 30 librave, Viron Kona.
Pjesa e tretë dhe e fundit mbyllet me tri esse, të cilat janë hartuar po me aq frymëzim e dashuri, pra ashtu siç janë dhe shkrimet e mëparshme të këtij libri, me autor kolegun e mikun Sejdo Harka.
Në tërësi, mendoj se ky botim i ri ngërthen vlera të shumanshme, si për masën e gjerë të lexuesve të interesuar, por sidomos për mësues e pedagogë të letërsisë dhe për studentë të degëve, që përgatiten për mësuesinë. Prandaj e urojmë atë përzemërsisht dhe besojmë e shpresojmë që, nga mendja e dora e tij, do të shohim të botuar libra të tjerë, qëmtuar nga pasuria e madhe e shkrimeve, që ai ka publikuar, sistematikisht ndër vite, në shtyp e në faqe te ndryshme të Internetit.
Shtator, 2015
[…] Komentit të tij, në faqet 231-235 të antologjisë, S. Harka ia ka venë titullin “Kur një grua shkruan për dashurinë” dhe me këto fjalë të nënvizuara, qyshë në fillim dhe që i drejtohen Nënës, nga emigracioni: “Do të kthehem, moj nënë, që të mos plas si guri!?”. […]
Comments are closed.