ResPublica.al | 21 gusht 2013
Duket se ka një lëvizje të orkestruar për të sulmuar ambasadorin Arvizu. Pas Topallit edhe Genc Pollo, Ministër Inovacioni, e ka sulmuar (po në FB) madje jo me emër, por si “një personazh publik i Tiranës që flet nga plazhi”.
“Lexova sot në gazetë se një personazh publik i Tiranës kishte deklaruar dje në plazh që zgjedhjet parlamentare të cilat sapo lamë pas janë njëlloj për nga rëndësia me ato të vitit 1992. Shpresova që citati të ishte i pasaktë apo që atribuimi i deklaratës të ishte i rremë. Por deri në këto orë të mbrëmjes kur po shkruaj këto radhë nuk kam vërejtur asnjë përgënjeshtrim apo rektifikim nga ana e personazhit. Dhe meqë kësisoj më duhet ta marr gazetën për të vërtetë po kësisoj me duhet të them se personazhit dikush duhet t’i sqarojë se kalimi nga një regjim totalitar në një sistem demokratik nuk është i krahasueshëm me një ndryshim të pushtetit që në demokraci ndodh (rëndom) përmes kutisë së votimit. Edhe për të mësuarit vlen shprehja “më mirë vonë se kurrë”.”
Teorikisht i bie që orkestra të dirigjohet nga Basha, kryetar i PD dhe si pasojë edhe autoriteti konceptues i strategjive mediatike. Nëse jo nga Basha, po nga kush atëherë? Madje, më e rëndësishme se nga “kush” është se pse? Ç’nevojë ka PD të sulmojë ambasadorin e vendit më të fuqishëm në botë, aq më tepër kur ai është në ikje e sipër?
k.c.