Jetmir Shpuza, 18.10.2011
Kur Presidenti Topi, të shtunën e kaluar gjatë një vizite në Shkodër, sulmoi Kryetaren e Parlamentit, zonjën Topalli, pa e përmendur me emër para mediave të qytetit të Shkodrës duke e etiketuar si spikere që lexon atë që ia shkruajnë të tjerët dhe që nuk e flet mirë shqipen. Me siguri zoti Topi po bënte një deklaratë fort mirë të menduar, si në mënyrën e etiketimit me qëllim denigrimi dhe injorimi politik, ashtu edhe ndaj korrjes së fryteve politike që do të vinin më pas.
Personalisht ndjeva një keqardhje ndaj kësaj shprehjeje që injoron një politikane të qytetit tim. Ndonëse opozitar i saj, kam qenë entuziast ndaj daljes së zonjës Topalli në politikë, e kam mbështetur edhe publikisht në vitet e para, pavarësisht mendimit që mund të kem sot duke e analizuar në aspekte të ndryshme të funksionimit përfaqësimin e saj, si spikere e Parlamentit. Presidenti Topi i bëri një sfidë të fortë, duke e sulmuar zonjën Topalli në Shkodër, pra në “strofullën e saj”.
Dhe natyrisht përgjigjja erdhi duke i kaluar përmasat personale si debat mes dy politikanëve, dhe duke e kthyer në debat për gegnishten, në mbrojtje të gegnishtes, pra duke marrë zonja në fjalë aureolën si mbrojtëse e një lobi, atij shkodran, apo më tepër gege. Por si qytetar shkodran, ndihem i fyer për cilësinë e këtij debati. Deklaratën e Topit unë nuk e kuptova si sulm ndaj gegnishtes, pasi një gjë e tillë do të ishte pa sens, e realizuar pikërisht në Shkodër.
Qysh në fillim, deklarata e Kryesisë së Kuvendit, ku kryetarja mbrohej duke thënë se përdor gjuhën e Fishtës apo Migjenit, në vend që t’i jepte pikë zonjës Topalli, e uli nivelin e saj përballë Presidentit. Në radhë të parë nuk mund të pretendohet se po përdor gjuhën e Fishtës apo Migjenit, sepse gjuha e tyre ka art brenda, art që e nderuara Topalli të paktën publikisht nuk ka arritur ta manifestojë deri tani. Në radhë të dytë, nuk mund të pretendohet se po përdoret gjuha e kohës se këtyre dy artistëve të fjalës, sepse çdo njeri me një nivel mesatar kulture, e kupton se gjuha ka ligjësitë e saj të zhvillimit.
Po të mos ndryshonte gjuha që flitet, atëherë ajo do të bëhej amorfe. Çdo njeri që njeh sadopak gjuhësinë, nuk mund ta bëjë një gafë të tillë. Larg qoftë na del ndonjë krutan e thotë se jam duke folur gjuhën që ka përdorur Skënderbeu. Por si shkodran, u ndjeva keq nga ajo që ndodhi më pas, prononcimet në televizionet publike të disa figurave që përfaqësojnë institucione shkencore në qytetin tonë, duke sulmuar Presidentin për diçka që ai nuk e kishte thënë, pra që na paskësh sulmuar gegnishten dhe rrjedhimisht zonjën Jozefinë, si përfaqësuese të saj.
Më e çuditshme është se edhe rektori i universitetit, ish-pedagogu im, që ka marre gradat dhe titujt më të lartë që ekzistojnë në fushën e gjuhësisë, na del si mbrojtës i “gegnishtës topalliste”, në një kohë që ai si gjuhëtar duhet të kishte bërë minimumin këta 20 vjet demokraci për futjen në trajtën e njësuar të disa elementeve të gegnishtes si paskajorja gegë etj. Ndodh edhe tjetra, që drejtori i teatrit “Migjeni”, i cili nuk ka të bëjë me gegnishten, se flet toskërisht, të thërrasë (me siguri me porosi nga lart) aktorët e këtij teatri për një kolazh recitimesh, ku me sa duket, duhet të jetë futur edhe ndonjë poezi “gegnisht” kundër Presidentit Topi…
Jam i sigurt se Presidenti Topi nuk ka pasur qëllim të ironizojë gegnishten. Por është fyerje që i bëhet gegnishtes, kur dikush, qoftë edhe kryeparlamentarja, nga padija apo kushedi se çfarë, kërkon të shesë zhargonin e rrugicës si gegnishte. Shprehje si “xjerre për zhelesh” apo “ulu nejun” nuk kanë të bëjnë me gegnishten, aq më pak me gjuhën e Fishtës apo Migjenit. Me sa duket, Presidenti ka ironizuar me raste të tilla. Edhe në raste të tjera kryeparlamentarja është ironizuar për varfëri fjalori dhe shprehjeje, dhe do të ishte pozitive sikur ajo të studiojë Migjenin e Fishtën, por edhe shkrimtarë të tjerë, për ta kaluar këtë handikap të saj. Po më tepër se një, debat gjuhësor, deklarata e Presidentit m’u duk një lëvizje e rafinuar politike, shumë e hollë.
Presidenti Topi tashmë ka vendosur të luajë hapur politikisht, duke formësuar elektoratin e tij të ardhshëm, bazën e të cilit kërkon ta marrë nga elektorati i Partisë Demokratike. Në vizitën në Shkodër, ai jo vetëm është shoqëruar nga disa miq, që janë figura të njohura të Partisë Demokratike në këtë qytet, por me sa duket ka arritur të grumbullojë shumë pakënaqësi që ka në degën e kësaj partie në Shkodër, për politikën e kuadrit që udhëhiqet nga zonja Topalli, dhe kërkon që këtë pakënaqësi ta kanalizojë në të ardhmen e tij politike. Nga ana tjetër, zoti Topi mendon politikisht për gjithë Shqipërinë.
Duke pritur që zonja Topalli do të binte në kurthin e ngritur prej tij, siç ajo ra në të vërtetë, Presidenti arriti ta kundërvërë mentalitetin e zonjës Topalli kundër gjithë pjesës tjetër të Shqipërisë, duke synuar të fitojë pikë në elektoratin e Partisë Demokratike në pjesët e tjera të Shqipërisë. Sa më shumë zhurmë të bëhet për këtë debat, aq më tepër zoti Topi fiton pikë te demokratët e Tiranës, Elbasanit, Korçës, Vlorës, Beratit…. Partia Demokratike nuk ka vota vetëm në Shkodër.
Këtij kurthi i shpëtoi me zgjuarsi Kryeministri Berisha. Ai u rrëshqiti pyetjeve të gazetarëve për këtë problem, duke mos u bërë palë në këtë debat, duke e paraqitur si një problem mes Presidentit Topi dhe kryeparlamentares Topalli, jo si problem të Partisë Demokratike.