“Letër zotit Lanksch”

0
30

Bardhyl Demiraj*, 22 Nëntor 2011

Hans, përsëri po më lë pa mënd! Miqtë e mi nuk munguan as këtë radhë të më vënë në dijeni, se si ti edhe këtë radhë hodhe shkumë e vrer ndaj shkrimtarit tonë: e sigurisht e si gjithnjë e bën këtë vetëm për hir dhe në kërkim të së vërtetës. Krijohet kështu një situatë aspak fatlume që mua personalisht më kujton gjithnjë luftën e famshme me mullinjtë e erës, por që për arsye etike, por edhe falë njohjes me ty këtu në Munih, ia lejoj vetes t’u përgjigjem me një shprehje të huazuar nga Fishta: “E ban për mirakandje!”

Fishta sigurisht që e përdori këtë shprehje atëbotë vetëm për shqiptarët, madje edhe në këtë rast rreket të dallojë këtu një tufë karakteresh po-shqiptare, përgjithësisht shpirtvegjël, që mirakanden duke mëtuar se dinë të njollosin të zezën mbi të bardhë e si të tillë do të mund të arrijnë dikur të rrëgjojnë vlerat e kombit, qoftë edhe vetëm një syresh, siç është rasti me shkrimtarin tonë të madh.

Ky shkrimi yt i fundit dallohet gjithsesi kryekëput nga të mëparshmit, jo aq për egërsinë dhe mllefin në të shkruar: këto janë konstante të dhëna njëherë e përgjithmonë në stilin dhe sjelljen tënde ndaj Kadaresë dhe Shqipes Standarde. Në këtë shkrim të feks më shumë shënimi në fund të tij, pikërisht aty ku ti vë dorën në zjarr, duke nxirë kështu edhe më shumë të zezën mbi të bardhë dhe insiston se “ky shkrim bahet me dijen dhe pëlqimin e zonjës Erika Camaj”.

Tipa të tillë karakteresh, Fishta sigurisht që as ka denjuar t’i zërë me gojë e me laps, se ndoshta edhe s’ka pasur në kohën e tij syresh po-shqiptarë sa të ligsht në shpirt aq edhe të mbrapshtë në karakter, thënë troç, që rreken të kapen pas kindit të grave për të hedhur lumin e për t’u bërë kështu sa më të besueshëm, që vjen me thënë se kanë prodhuar e shpërndarë aq shumë bërllok e vetëm për hir të së vërtetës u takon të krekosen mbi të, si kalorës të saj.

A i ke bërë ndonjëherë pyetje vetes, or Hans i mjerë!: kujt i intereson dhe sa i shërben vërtet së vërtetës ajo e vërtetë, të cilën ty të gënjen vërtet mendja se po e nxjerr vërtet në dritë të vërtetë? E akoma më keq: a është interesuar vërtet në Gjermani a në Munih, pikërisht aty ku jeton ti vërtet, ndonjë gjerman i vërtetë që të njohë atë të vërtetë që trumbeton ti?

A i intereson kujt këtu në Munih e në kohën tonë të mësojë diçka për personin tënd se ke qenë nxënës e mik i Martin Camajt dhe që je ndërkohë edhe përkthyes i tij, sa kohë që ti vetë nuk i ofron (më) tregut e rretheve letrare gjermanishtfolëse qoftë edhe atë libërth me poezi lirike, që ke përkthyer dikur e që nuk u shit kurrë. Shqiptarët, përkundrazi të respektojnë e të nderojnë, madje edhe të laureojnë si përkthyes “i shquem” i Camajt. Përse kërkon tash që edhe të të urrejmë e të të linçojmë si njeri i ligsht, si gazetaxhi, që fut hundët vend e pa vend në jetën private të shqiptarit, kushdo qoftë ai.

Kadare nuk ka pasur ndonjëherë nevojë në karrierën e tij të gjejë e të gëzojë mbështetjen e Camajt për të qenë i madh, sikurse edhe Camaj për të për t’u bërë i madh. Mbështetjen tënde, jo se jo, as Kadare e as Camaj!!! Jemi ne, lexuesit e letrave shqip (në mos dhe gjermanisht) që kemi pasur e kemi nevojë për të dy, e për të gjithë ata që shkruajnë shqip.

Ishte nevoja për të pasur midis nesh edhe Camajn, ajo që nxiti një grup të tërë studiuesish të letrave shqip, sigurisht edhe Kadareja i madh, madje edhe ish-nxënës llafepakë e punëshumë të Camajt (por jo ti!!!), që të ribotonim të plotë veprën e tij shqip për lexuesin shqiptar. Dhe tani e kemi edhe Camajn të plotë në treg, sikurse kemi pasur e kemi gjithmonë Kadarenë e madh. Është pikërisht kjo e vërtetë e prekshme, e lexueshme, pra reale, e cila na intereson shumë më shumë neve, lexuesve shqiptarë, sigurisht edhe atyre sqimatarë të “Shekullit”.

Unë personalisht, si adhurues i shkrimtarit të madh shqiptar, por edhe si dashamirës dhe përgatitës për botim i veprës komplete të Camajt shkrimtar përjetova në panairin e sapombyllur të librit në Tiranë një gëzim të papërshkrueshëm, kur vështroja në stendën e “Onufrit” pranë e pranë jo vetëm opusin e tyre letrar, por edhe se si ata të dy na buzëqeshnin në sfond me fotot e tyre. Por ti nuk arrin as ta perceptosh e as ta përjetosh këtë, ndoshta se je jo-shqiptar.

Parë nga kjo perspektivë shkrimi yt, or Lanksh i mjerë!, sidomos shënimi yt në fund të tij kumton shumë, jo thjesht dhe vetëm mefshtësinë e tij në përmbajtje, por edhe ata tipa karakteresh që shoqëria shqiptare – jo vetëm në kohën e Fishtës – i ka mohuar dhe i mohon si gjëllitës në këtë botë.

Prof. Dr. Bardhyl Demiraj drejton katedrën e albanologjisë në Universitetin e Munihut”