I nderuar zoti kryetar i PS-së, tashmë kryeministër i Shqipërisë.
Eshtë kënaqësi e çdo shqiptari kudo në botë, që pa tendenca partiake, t’ju urojë për fitoren e koalicionit tuaj në zgjedhje. Sytë dhe mendjet tona janë drejtuar nga ju dhe qeveria që do të marrë përsipër fatet
e vendit. Ne si emigrantë nuk votuam në këto zgjedhje, por familjarët tanë në vendlindje votuan për ju, dhe populli shqiptar të dha një votëbesim dhe përgjegjësi të madhe.
Jemi të ndërgjegjshëm për situatën e rënduar ekonomike që po kalon vendi, borxhin e madh publik të jashtëm, që i varet në qafë popullit e vendit tonë. Nga ana tjetër, korrupsioni e ka paralizuar jetën politike dhe ekonomike, dhe Shqipëria, në një farë mase, ka krijuar një vetë-izolim nga qeveria Berisha, gjë që e kanë shprehur edhe krerët BE-së. Por zgjedhjet e lira e të ndershme, ku ju dolët fitues, i dhanë kredibilitet vendit tonë para Evropës, dhe treguan edhe se shqiptarët dimë të zgjedhin njerëzit e duhur, kur ata tregohen seriozë në premtime dhe kanë një program të qartë për ta qeverisur vendin.
I nderuari z. Kryeministër, ju në shtator do të filloni qeverisjen e vendit, dhe ne ju urojmë me gjithë zemër për detyrën e re. Kemi dëshirën e mirë, që së bashku të bëjmë më të mirën për atdheun tonë të përbashkët. Ne emigranët, e lamë vendin tonë për një jetë më të mirë, dhe u rrokatëm rrugëve të Europës e të botës, shpeshherë në mëshirën e fatit.
23 vjet, u tretëm rrugëve të kurbetit, pa na njohur si duhet shteti, të cilit ne i përkasim
Qeveritë u ndërruan njëra pas tjetrës, u ndërruan edhe ambasadorë e konsuj në ambasada e konsullata, por ne mbetëm gjithmonë jetimë, pa atdhe e pa shtet, që të kujtohet edhe për ne. Kur vendi ka një mijë e një halle, është e vështirë për ne të kërkojmë edhe vëmendjen e shtetit tonë, por kjo vëmendje mund të bëhet për një interes të përbashkët, ku përfitojmë të dyja palët.
Z. Kryeministër, ne besojmë se u shemb një e keqe e madhe ngatërrestare në Shqipërinë tonë të dashur, që na kishte zënë frymën, na kishte diskretituar në opinion dhe ne bëmë mirë, që ditëm ta ndajmë diktatin nga demokracia. Jemi gjysma e shqiptarëve jashtë! Si do të bëhet në të ardhmen, që edhe ne të votojmë dhe të japim një kontribut më të madh në zhvillimin e vendit, qoftë me votën tonë ose me organizimet e financat tona?! A mundet shteti shqiptar, përmes drejtorisë së diasporës në Ministrinë e Jashtme, të tregojë një kujdes më të madh për organizimet e shqiptarëve në shtetet e ndryshme të botës dhe përmes përfaqësive diplomatike, ta mbajë frymën gjallë të shqiptarizmës për shqiptarët në botë dhe të mund mbledhë edhe kontributet tona për vendin tonë?
Me të drejtë, ju bëj një pyetje z. Kryeministër, ju po përgatiteni të formoni qeverinë e re, por a mundet në të ardhmen të shihet mundësia që edhe nga diaspora shqiptare të angazhohet ndonjë shqiptar, i shkolluar mirë, në administratën shqiptare, dmth. të thithet truri nga jashtë për në Shqipëri? Se nuk ka dyshim, që hallet ekonomike në vendin tonë kanë shkatuar një rrjedhje të trurit nga Shqipëria për në vendet e tjera të botës. Këtë çështje ua shtroj për ta marrë në konsideratë z. kryeministër.
Besoj se ka djem e vajza shqiptare, mjaft të aftë në diasporë, që mund të thithen, të kthehen e t’i shërbejnë vendit. A nuk na takon edhe neve të jemi në forcat e ushtrisë, policisë, drejtësisë, integrimit e deri në perfaqësitë tona diplomatike, ku thjeshtë, ta zëmë, shoferët vijnë nga Shqipëria, po ashtu sekretarë e nënpunës të rëndomtë, kur jashtë kemi djem e vajza shqiptare, që kanë mbaruar studimet në universitetet më të mira të Europës dhe botës, e fatkeqësisht vendi ynë nuk i përdor këto resurse njerëzore, në shërbim të interesave dhe zhvillimit të vendit.
Besoj që ka ardhur koha t’i kthehemi realitetit, të udhëheqim së bashku, të punojmë së bashku për të gjetur mundësitë më të mira, për të ndërtuar atë Shqipëri, që të gjithë e duam, dhe të jemi pjesë e vendit tonë, e të japim gjithësecili kontributin tonë më të mirë, secili në fushën e vet.
Unë si gazetar me përvojë shumë vjeçare, e shoh të arsyeshme, që gazetarëve t’u jepet vendi që u takon, të respektohen për rolin e tyre në shoqëri dhe të mos përbuzen, përndiqen e dhunohen, siç ka ndodhur deri më sot, nën qeverinë që po ikën.
Qeveria që ju do të drejtoni z. Kryeministër, uroj të jetë e hapur dhe bashkëpunuese edhe me emigrantët, dhe do ju sugjeroja, që në diplomaci të tregoheni shumë të vëmendshëm, që të mos emërohen diplomatë të korruptuar e bajraktarë, se diplomacia është pasqyra e shtetit. Është mirë të dërgohen njerëz me dije, personalitet e kulturë njerëzore, jo njerëz pa përvojë e arrogantë, që i dhunojnë emigrantët, qoftë edhe me pajisjen me dokumente, vetëm e vetëm me qëllim për të bërë korrupsion e pasurim të paligjshëm, përmes ryshfeteve.
I nderuari z. kryeministër, iu drejtova me anën e kësaj letre të hapur, me besimin në qytetarinë tuaj, aftësitë tuaja dhe besimin se Rilindja do na përkasë edhe neve, që mbetëm larg atdheut. Emigrantët janë një aset me vlera, vlerësojini ata, sepse qeverisja juaj, vetëm të mira do të ketë prej tyre.
Rilindja ka nevojë edhe për ndihmën tonë… Si mund të kontribuojmë edhe ne më shumë, për të mirën e përbashkët, për vendin tonë?!
Gjin Musa, gazetar në Romë