Zoti president,
sot firmosni rimëkëmbjen e ekonomisë amerikane dhe botërore. Sot ne festojmë pavarësinë. Në SHBA gjendet sot minstri i Punëve të Jashtme të Serbisë për ta zhbërë atë që u ndërtua me ndihmën e botës së civilizuar.
Zoti president,
presidenti Clinton pa terrorin dhe në vitin 99 pengoi dhe ndaloi gjenocidin njëshekullor të planifikuar nga shumë intelektual serb.Presidenti Bush rrumbullakosi nismën e Presidentit Clinton dhe ndihmoi fuqishëm në realizimin e pavarësisë. Sot po festojmë njëvjetorin e pavarësisë dhe përkulemi me falënderim para vendit Tuaj. Juve Zoti President Obama ju pret një detyrë përfundimtare në raport me shqiptarët dhe Ballkanin: gjatë mandatit Tuaj duhet përfunduar problemi shqiptar. Zoti president, ju dini se kur kombet kanë para vete projekte madhore, i realizojnë ato. Të gjithë e dimë se në pyetje është vetëm koha, por jo edhe arritja e qëllimit.
Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të qetësonte për gjithmonë Ballkanin, do t´shfrynte planet gllabëruese kundër Kosovës dhe do të bashkohej edhe politikisht ajo që emocionalisht nuk është ndarë kurrë. Rrjedhimisht Serbia nuk do të mund më ta destabilizojë Kosovën.
Kur Kosova ka të drejtë të bashkohet me vendet evropiane, ajo duhet të posedojë të drejtën legjitime, të bashkohet pikësëpari me vetveten: me Shqipërinë. Dy Gjermanitë të ndara si pasojë e nazizmit u bashkuan dhe sollën stabilitet Evropës. Trojet shqiptare nuk u copëtuan pse patëm nazist apo pse ushtruan gjenocid, por se fqinjët tanë kishin para një komb pa mbrojtje dhe faktori kryesor që po përziente çorbën ballkanike, ishte Rusia.
Siç po e përzien edhe sot, duke kapërdirë industrinë serbe si dëmshpërblim! Me bashkimin e dy shteteve shqiptare problemi kosovar do të zhduket: nuk nevojiten njohje të reja, nuk nevojiten ambasada dyfishe, nuk nevojitet anëtarësim i ri në Kombet e Bashkuara e organizata tjera ndërkombëtare dhe parë realisht, askujt nuk i nevojiten dy shtete shqiptare. Një ditë do të bashkohen edhe dy Koret. Ndarjet e kombeve janë prova të dhunës dhe imponimeve të jashtme.
Serbia edhe pas Millosheviçit vazhdon me qëllimet e njëjta. Se ajo tani po lufton me mjete paqësore, mund të kuptohet: NATO është në Kosovë dhe nuk është çudi që Serbia është bërë paqësore. Arkivat e vjedhura nga diktatori Millosheviç, nuk i kthehen demokrati Tadiç. Kufomat nëpër gropa të përbashkëta të transferuara nga diktatori Milloshevic, nuk i kthehen demokrati Tadiç. Ndjesë nuk kërkon demokrati Tadiç për veprat e paraardhësit të tij, sepse sipas tij Serbia është viktimë dhe se NATO ka shkaktuar gjenocid mbi Serbinë. Toni dhe gjykimi nuk ndryshon, kanë ndryshuar vetëm protagonistët.
Pas shpine kanë Rusinë, si gjithmonë. Me bashkimin shqiptar do të ndihmohej edhe Serbia të këndellet dhe përfundimisht do të vihej drejtësia në vendin e vetë dhe do të pajtoheshin dy kombet. Ne mund t´u falim atyre me fjalët e Niçes: mund t´u falim ç´na kanë bërë neve, por kurrë jo për ato çka i kanë bërë vetes. Po ju drejtohem Juve Zoti presdient Obama se krejt bota pret ndryshime pozitive nga Ju. Po ju drejtohem Juve se Ju jeni shndërruar në simbol të shpresës dhe drejtësisë në tërë planetin. Dhe, këto rrezatime të shpresës po na ngrohin edhe neve. Dhe, do ta përfundonit cilësisht procesin e nisur nga paradhësitë e mëdhenj të kombit Tuaj: presidentit Clinton dhe presidentit Bush.
Zoti President,
po ju drejtohet një bashkatdhetar i Nën Terezës dhe i Ibrahim Rugovës, i cili edhe në çaste më tragjike për kombin e vetë, nuk urdhëroi vrasjen e njeriut dhe nga kombi jonë, po e cek me krenari, u shpëtuan hebrenjtë, atëherë kur askush nuk e bënte në Evropë.
Zoti bekoftë Amerikën
Me shumë respekt
Naser Aliu, Gjermani, më 17.02.09