Millosh Qiriq
E lexova letrën tuaj. I drejtoheni studentëve, për hir të vërtetës, atyre që janë në botën e jashtme, por supozoj që edhe unë, një student i gjorë ngadownload (14) Serbia, kam të drejtë t’ju përgjigjem. Aq më shumë që planifikoj të largohem nga ky shtet, jo nga “dashuria ndaj profesionit” siç mjerueshëm arsyetojnë studentët e grumbulluar rreth Organizatës fantazmë të studentëve serbë në botë, por pikërisht të iki nga ju dhe nga të ngjashmit si ju, të iki nga pasojat që politika juaj ka shkaktuar duke e bërë jetën në këtë shtet të padurueshme.
Në fjalinë e parë të letrës suaj shkruani: “Supozoj se ju prisni nga unë të vërtetën rreth gjendjes së kombit serb sot, dhe vizionin për të ardhmen”. Jo. Këtë nuk e pres, as i çmendur të isha, pavarësisht se ju besoni se ne këtë e presim. Edhe pse adresimet dashurore ndaj vetes nuk janë risi për ju, fjalitë e tilla çdoherë më bëjnë të qesh. Pjesa e mbetur e letrës është serioze, e errët dhe e zymtë, i ngjan shkruesit, kurse ju, është e qartë se një përshtypje të tillë keni dashur të krijoni.
Pse nuk më intereson asnjë fjalë nga letra që keni shkruar, të cilën e shoh sikur një luftë të panevojshme për promovim, për zaptim të hapësirës publike, e cila edhe ashtu për dekada ju është ofruar? Së pari, veprat e shkrimtarëve racistë nuk i lexoj. Njeriu i cili, do të jap vetëm një shembull, shqiptarët e Kosovës i quan fundërrina politike, sociale dhe morale të Ballkanit, pas terrorit që ushtroi shteti në politikën e të cilit kishte ndikim vendimtar – nuk duhet pyetur për fatin e studentëve, nuk duhet pyetur për asgjë, përveçse kur këto pyetje zhvillohen në gjykatë.
Së dyti, ndikimin shkatërrues që keni pasur në gjendjen e shoqërisë serbe, në të cilën kam pasur fatkeqësi të lind, disa nga ne nuk e kemi harruar. Edhe pse, që ta rehabilitoni biografinë tuaj, para pak kohe jeni vetëshpallur disident, që – ndoshta nuk jeni as të vetëdijshëm – ka shkaktuar shpërthimin e të qeshurave në publik; ju jeni bashkëpjesëmarrës në krime që ky shtet ka bërë, jo vetëm ndaj të tjerëve, por edhe qytetarëve të vet. Ju jeni pjesë e vertikales intelektuale, e cila e ka mbështetur genocidin dhe pastrimin etnik.
Karriera juaj zgjat prej dekadash dhe çdoherë jeni dalluar – nga veprimtaria në partinë komuniste të Jugosllavisë, nëpërmjet shkrimit të manifestit të nacionalizmit serb – Memorandumit të ASHAS, që ishte bazë ideologjike për luftërat që paria juaj bëri në hapësirat e ish-Jugosllavisë, pastaj si president i Millosheviçit të RF Jugosllavisë së luftës e gjer në ditët tona, me ndikimin tuaj në çdo udhëheqës të zgjedhur – prej Gjingjiçit, i cili për ju gjithnjë ishte i dyshimtë, Koshtunicës, tek i cili shpresonit më së shumti, pastaj Tadiçit që ishte i preferuari i juaj dhe i cili, të jemi të sinqertë, ju ka dëgjuar më së shumti, gjer te Tomisllav Nikoliçi, të cilin kishit dashur ta përpunoni edhe pak.
Ju jeni, siç në mënyrë patetike iu drejtoheni studentëve, përgjegjës për gjendjen në të cilën kjo shoqëri prej dekadash është zhytur. Ju pra, jeni përgjegjës që studentët dhe të rinjtë e tjerë, shpesh edhe me gjithë familjen ikin si pa krye nga ky shtet. Është hipokrite dhe perverse që pikërisht ju t’u drejtoheni studentëve me ton qortues, t’u shitni mend dhe t’i ftoni të kthehen.
I keni dhënë këtë të drejtë vetes, edhe pse nuk ju takon, dhe unë jua mohoj këtë të drejtë. Por ju këtë nuk do ta ndieni, pas jush janë me mijëra njerëz, mediumet që ju përkrahin, politika e lart, akademia. E vetmja arsye e drejtë për protesta studentore sot do të ishte lufta kundër jush dhe kundër trashëgimisë tuaj politike. Asnjë poen nga bolonja, gjendja në mensat studentore apo taksat e larta shkollore, por gënjeshtrat dhe urrejtja që edhe sot i derdhni rrekë kundër popujve tjerë dhe zbulimi i të vërtetave mbi krimet më monstruoze që paria, pjesë e së cilës ishit edhe ju, ka kryer në territorin e ish-Jugosllavisë.
Ju jeni, këtë e pranoni, njeriu i të shkuarës. Unë do shtoja, të shkuarës më të errët të historisë moderne serbe. Do t’ju tingëllojë çuditshëm, por me këtë letër në fakt desha t’ju inkurajoj që të relaksoheni dhe të mos brengoseni për trashëgiminë tuaj politike. Ajo është e rrënjosur thellë, sidomos mes të rinjve, për çka flasin të gjitha hulumtimet e organizatave të shumta. Kur t’ju vijë ora e fundit, pas jush do të mbesin me qindra mijëra të rinj, të cilët me gati të njëjtin vrull sikur ju, i urrejnë Shqiptarët.
Po aq, asnjëherë nuk do të informohen mbi përgjegjësinë e shtetit të tyre për gjenocidin e Srebrenicës, për 1601 fëmijë të vrarë të Sarajevës, as për varrezat masive në Serbinë e tyre të bukur ku janë ende me qindra kufoma të pagjetura të Shqiptarëve të vrarë. Nuk do të informohen as për krimin e fundit të luftës, atentatin ndaj Gjingjiçit. Këto janë rezultatet e veprimtarisë suaj prej dekadash, dhe duhet të jeni të kënaqur, keni arritur qëllimin. Krimi juaj është i përkryer. A nuk ju mjafton Qosiq?
*Millosh Qiriq është student për master në Universitetin e Arteve, Beograd.
Përkthimi: Ali Mehmeti. Botuar në sajtin e radios B92.