Nga Fatos Mahmutaj, 28 Janar 2012
Do doja shumë ta nisja këtë letër me: “I nderuar zoti Ndrea Prendi”, “Zoti Prendi”, “I nderuar Zotëri”, etj, por me thënë të drejtën nuk po më ngjiste asnjë klishe e tillë. Ndaj po të drejtohem thjesht: O Ndrea Prendi!
Unë quhem Fatos Mahmutaj, dhe aktualisht jetoj në Bruksel. Po e marr mundimin të të shkruaj nga këtej, se mendoj që unë dhe ti, kemi një të përbashkët të madhe dhe disa më të vogla nga ai 21 janari i mallkuar, i vjetëm. Mendova të ta nisja me postë këtë por nuk të gjeta dot një adresë, dhe po kështu kisha frikë edhe nga vonesat, ndaj po ta dërgoj kështu.
Që të mos hallaktemi or Ndre, po hyj në temë duke të sqaruar, se ajo e përbashkëta e madhe për neve, është fakti se të dy jemi viktima të 21 janarit. Mua ma futën me plumb, ty me grushta e shkelma; unë përfundova me dorë të copëtuar, ti me sy të nxirë. Për dreq ata që na masakruan, ishin të së njëjtës skuadër. Gjithësesi or Ndre, se harrova të të them më sipër, ne kemi edhe disa të kundërta.
Menjëherë ty të shkon mendja te Gjeografia: Po të marrim Tiranën (qyteti që e ndamë bashkë për disa vite) pikë orientimi, Mallakastra ime në Jug dhe Mirdita jote në Veri, janë diametralisht të kundërta, por janë dy zona që njihen për fisnikëri dhe virtyte të larta. Por, ja, po të sqaroj se nuk ka të bëjë fare me lëndën e Gjeografisë por me Edukatën Morale dhe Politike, siç i kemi thënë dikur unë dhe ti Edukatës Qytetare. Po t’i numëroj të gjitha, veç ki durim.
Pasi na e futën, unë vendosa të mos rrija gojëkyçur, se nuk e mbaja dot atë që më bënë pa i pasur askujt borxh në këtë jetë. Kurse ti, ndryshe nga unë, qëndrove i heshtur, duke lënë shefin tënd të fliste me lëvdata dhe të ngrinte në qiell. Madje, më kujtohet mirë, kur ai të hoqi syzet e diellit para gjithë shqiptarëve dhe tregoi syrin tend, që në fakt ta kishte nxirë vetë një ditë më parë, ndërsa akuzoi sipas imagjinatës së vet haluçinante ata kokëpalarët, që nuk arritën dot të kalonin kangjellat e kryeministrisë.
Pas kësaj or Ndre, rrugët tona vazhduan, në bazë të teorisë së Beng – Beng-ut. Unë kalova detin dhe mbërrita në Belgjikë ku iu lypa këtyre njerëzve këtu strehë, ushqim dhe kurim për dorën. Kurse ty t’u dha strehë afër të madhit, t’u dha shansi të të mjekonte ai që të rrahu dhe pate gjithashtu rastin të haje në sofrën e tij. Unë or Ndre e lash familjen në Tiranë, duke iu lutur Zotit për ta dhe nxitova të shpëtoja kokën, kurse për tënden u angazhua vetë Zeusi.
Njerëzit e mi, ashtu sikurse dhe mua, i ruajti Zoti ndërsa të tuve iu dha garanci vetë Zeusi, në shpërblim të heshtjes, gënjeshtrës dhe bindjes tënde. Edhe diçka të fundit në këtë linjë të mendimit. Njerëzit e mi u rikthyen në fshatin e lindjes dhe tashmë ndodhen në kufijtë e mbijetesës, ndërsa tutë i shpërbleu Zeusi nga ajo që u kishte grabitur skllevërve. (Pjesë e vlerësimit besoj se ishte edhe fuoristrada e vjedhur këtej nga Europa Porsche që t’u dhurua).
Por gjithësesi ore Ndre, besoj se kjo jeta ime është më e fisme se ajo jotja. Në këmbim të dhuratave, ti pranove të fshihje të vërtetën, në radhë të parë atë që të përkiste ty dhe pastaj atë që iu mori jetën katër kokëpalarëve-inoçentë. Unë nuk dua të besoj se e ke bërë nga frika. Mendoj se e ke bërë për familjen. Unë kur ika i pyeta dy prindërit e mi të moshuar dhe bashkë me ta diskutova pasojat negative që mund të kishin. Dhe e di çfarë më tha im atë? Atë që më kishte thënë gjithmonë: “Sado të jesh i uritur mos ha kalbësirë!”, ndërsa ime më, shtoi pak me butësi (kështu e kanë gratë): “Mos ha kalbësirë, hë të keqen, se të bën reaksion me qumështin që të kam dhënë!”.
Kështu o Ndre, unë u përpoqa të mos haja kalbësirë dhe mendoj se kjo ishte arsyeja pse i Madhi Zot më nxori në selamet, kështu themi ne. Nuk e di se çfarë është bërë me syrin tënd të nxirë. Dikush më tha që vula e zezë të ishte zhvendosur një çikë më lart dhe të është stampuar në ballë. (Nuk e di sa e vërtetë është kjo, por burimi i këtij lajmi, më tha se puna e damkës, kishte dalë në ekspertizën e 21 janarit që kanë bërë ata të FBI-së).
Siç e sheh, unë shkoj nga shkoj dhe përfundoj të Zoti. Po të sqaroj se jam besimtar dhe sipas fesë time e adhuroj të Madhin. Pasioni me ka shtyrë të lexoj që fëmijë Biblën dhe Kur’anin, dhe për një kohë të gjatë, derisa t’i kuptoja disi më mirë dy librat hyjnorë, më mbeti në mendje vetëm fjala: “E vërteta”. Vetëm për të flitej nga fillimi deri në fund. Aq shumë flitej për këtë fjalë, saqë mendova se shqipëruesi i ka rënë shkurt me metodën copy-paste.
Tani me thënë të drejtën ore Ndre, nuk është se kam bërë ndonjë jetë shenjtori, pasi prej mishi e kockash jam edhe unë, por ndryshe nga ti, kur kam bërë gabim kam kërkuar ndjesë me fisnikëri dhe jam mbështetur tërsisht nga e vërteta. Këtë e kam bërë duke besuar se herët apo vonë ore Ndre, të gjithë ne do vdesim. Në Bibël edhe Kur’an, unë kam mësuar se toga e zezë nuk do jetë Çimi, as akuzatori nuk do jetë Genci.
Por të siguroj se gjykatësi do jetë vetë i Madhi, ndërsa prokurori do jenë shqisat dhe gjymtyrët tona që do dëshmojnë kundër nesh. Ahh se desh harrova dosjet. Aty do jenë të stivosura të gjitha. Nga e majta ato negative dhe nga e djathta pozitivet. Ekspertiza, po ashtu do jetë e kopsitur mirë. Nuk të imagjinoj dot ore Ndre, sesi do ta argumentosh mbrojtjen tënde atëherë! Nejse mos u tremb, as mos më akuzo se po të nxis për rrugë të keqe, pasi po të tregoj se ka një marifet, me të cilin mund t’ia hedhësh. Mjafton që të mos ketë parë Zoti kur ke bërë mëkatin; mos të kesh vepruar ndaj një krijese të Zotit; si dhe, ajo që ke bërë, të mos jetë përfshirë si vepër penale në Kodin Penal të të Madhit.
Tani ta lëmë Zotin në punë të vet dhe të merremi me muhabetin tonë. Aty te 21 janari e kam unë. Ka ca ditë që përpiqem të imagjinoj sesi një ushtarak karriere dhe burrë malësie si ti, është rrahur me grushta e shkelma, është fyer, sharë dhe kërcënuar, ndërsa ka ruajtur gjakftohtësinë, për më tepër me pistoletë në brez. I bie të kesh pasur nerva çeliku ose të të ketë rënë të fikët nga frika. Këtë nuk e besoj ore Ndre, ndaj më duket më shumë e pranueshme se katilat të kenë çarmatosur më parë dhe pastaj kanë “biseduar” me ty në mënyrë demokratike dhe me “argumente bindëse”. Por edhe këtu diçka nuk më pëlqen pasi puçistët më të fundit, ata amerikanët e FBI-së, se ç’kanë hapur llafe, me demek, pistoleta jote u bë shkak që të hapeshin dy varre në shtëpinë e Faik Myrtajt.
Ndrea, dikur, kur isha fatos (prej vërteti), dhe më pas pioner, kam mësuar në shkollë se malësori është nga ata, që, për të vërtetën jep gjithmonë besën dhe mban fjalën. Shpeshherë mendoj ore Ndre se ti i ke punët në rregull me gjykatën aty. Po kështu edhe me prokurorinë. Po nuk e di sesi je me gjumin. A e bën të qetë? Atë Faik Myrtajn ma kanë treguar burrë shumë të urtë. Po kështu edhe djalin e tij Bardhylin. Por më kanë thënë gjithashtu se ata nuk i mbante vendi kur e drejta u nëpërkëmbej.
Andej nga Fieri tashmë qarkullon fjala se shpirtërat e Myrtajve, at e bir, kanë dalë nga varri dhe po bredhin në kërkim të të vërtetës. Nuk di çfarë të të them, nëse të kanë ardhur ndonjëherë të të pyesin se si është puna e tyre. Më thuaj një çikë: U ke dhënë përgjigje vetë apo i ke orientuar tek Zeusi? Ndrea, unë përshembull i kam shumë frikë shpirtërat, aq më tepër kur mund t’iu kem hyrë hakut. Ndaj të sygjeroj se mirë do ishte t’i sqaroje para se të vijë koha kur, unë dhe ti, t’iu bashkohemi atyre.
Mendo ore Ndre nëse unë do veproja si ty. Do fshihja të vërtetën dhe pasi të shërohesha do kthehesha në punën time si gazetar. Ndoshta do më ngrihej edhe rroga. Të imagjinojmë pak: Mileti po qahet se një zyrtar rrugaç u bie më qafë, dhe unë me mikrofon dhe kamera në dorë, në përmbushje të detyrës time, shkoj tek ai për t’i “shkulur dhëmbët”. Sa më sheh, ai ma pret shkurt: Po ik ore çun, se ti je nga ata legena që fshehe plumbin tënd. Nuk të vjen turp kur vjen dhe më tregon mua moralin e ndershmërinë! Ndre të lutem më shpjego se çfarë duhet t’i them unë këtij personi!? Meqë ra llafi, këto kohët e fundit kur i ke bërtitur ndonjë vartësi që nuk bën punën mirë, a të ka thënë: Qepe se ta nxiva edhe syrin tjetër!
Kam pasur shumë besim tek ti or Ndre, se je një burrë malësie, i rritur me Kanun dhe i shkolluar me Kushtetutën e këtij vendi. I përket një zone për të cilën ne shqiptarët e themi me krenari që edhe turqit 500 vjet me radhë nuk mundën ta pushtonin kurrë. Por nuk jam i sigurtë, nëse mirditorët fisnikë, sipas traditës, tani do ta nxjerrin kafen sipër apo poshtë gjurit.
E rëndë ajo që të bën. Të prenë në besë kur të çarmatosën. Vazhduan me dashakeqësi kur vranë njerëz me armën tënde. Dhe ia vunë vulën maskarallëkut kur të faturuan vrasjet dhe më pas të detyruan të heshtësh. Një mirditor fisnik nuk qëllon kurrë mbi njerëz të paarmatosur. Besoj se edhe ti nuk e ke bërë. Por ja ta ngecën dhe të detyruan të heshtësh.
Të lodha pak o Ndre në këto që të thashë, por po të them edhe diçka të fundit: NËSE PLUMBIN NDAJ MEJE E KE SHKREPUR TI, PO DEKLAROJ PUBLIKISHT SE TA KAM FALUR. Madje do vij në gjykatë enkas për të deklaruar këtë. Dhe e di pse? Sepse me ç’të kam njohur deri tani nuk ia vlen të merresh me ty. Por nuk e di nëse do të të falë Mirdita turpin që iu ke lënë.