Dr. Ina Vetriolo, 02.12.2009
I vetë-çnderuari, z. Sali Berisha!
Unë që po ju shkruaj kam qenë studente në fakultetin e Mjekësisë, kur ju ishit pedagog. Për të më kujtuar, po ju them se mungoja qëllimisht në leksionin tuaj të Kardiologjisë për arsye të teknikës së dobët të mësimdhënies; në fakt fuga idearum e juaja (vrapim idesh) e bënte të vështirë për auditorin të kapte idenë themelore…
Pavarësisht se logjika apo rrethanat mund të më kërkonin të rrija në vendin tim, u largova prej Shqipërisë në 1995-ën. Ndoshta duket e çuditshme, por shkaku për këtë vendim ju atribuohet juve.
Isha e bindur se për aq kohë sa ju do të ishit drejtues-qeverie do të ishte e pashpresë konvaleshenca e Shqipërisë në çfarëdolloj fushe, përfshirë këtu, atë që më interesonte më shumë, sferën e mjekësisë. E dini pse? Vendimi bazohej në një bindje timen personale lidhur me figurën tuaj: Bindja ime ishte që diçka nuk shkonte me korteksin tuaj.
Sot jam mjeke (e trajnuar më shumë jashtë Shqipërisë), por besoj se çdonjëri shqiptar i një profesioni tjetër nuk ka nevojë të jetë doktor apo psikolog, që të dallojë probleme të rënda te ju.
Jo thjesht pse asokohe në Fakultet, keni qenë një komunist i devotshëm. Dhe jo vetëm pse unë personalisht mora atë vendim në 95-ën. Por, sepse sot, 14 vjet më vonë, duke parë në distancë akumulimin e sjelljes suaj, nuk mund ta lë pa e germëzuar: Zoti Berisha, Mjaft më, u mbush kupa!
Më lejoni të shpreh veten thjeshtë e qartë si mjeke: Schizophrenia mund të ketë nevojë të kurohet prapa kangjellave të Spitalit Psikiatrik, por Psychopathia (çrregullim antisocial i personalitetit) ka nevojë për izolim të domosdoshëm. Z. Berisha, keni simptomat e plota të një çrregullimi të rëndë të personalitetit.
Kuptohet lehtë që në pozicionin tuaj kjo është shumë e rrezikshme për të gjithë.
Më lart fola si mjeke, tash po flas si shqiptare. Kam pasur kontakte të shumta këto ditë me bashkëkombës që dinë shumë më tepër se të tjerët për çështjen e kufijve detarë dhe marrëveshjen, mbi të cilën po bëhet zhurmë këto ditë.
Ajo që di me siguri është që ata janë ekspertë dhe nuk kanë asnjë arsye dhe asnjë interes që të gënjejnë. Ajo që del nga të gjitha bisedat dhe logjika jonë e bazuar në fakte është që ju si kryeministër keni firmosur (arsyet unë nuk i marr dot me mend) kalimin e një pjese të territorit shqiptar në favor të Greqisë fqinje.
Shpeshherë kam menduar këto vite për ironinë e faktit që unë që kam pasur gjyshër të persekutuar nga diktatura, jam jashtë vendit tim, kurse ish-komunistë të devotshëm të asaj kohe dominojnë skenën politike aty në Tiranë.
Filozofia ime është: “Kur s’ke opsione të mira zgjedhjesh, zgjedhja e opsionit më pak të dëmshëm është më e arsyeshme”. Përfundimi im i këtyre ditëve është ky: “Po të duhej që unë të zgjidhja midis dy psikopatëve Enver Hoxha apo ju z. Berisha, do të preferoja Enver Hoxhën“.
Së paku, deri te një marrëveshje, si ajo që dëshironi të bëni ju me Greqinë, ai nuk do të arrinte kurrë. Mos harroni se kjo është deklaratë që vjen nga zemra e një pasardhëseje “familje ballisti”.
Vendi juaj sot, z. Berisha është në tavolinën e të akuzuarit. Qytetarëve shqiptarë, sot më e bindur se kurrë, dua t’ju them: “Nëse rrëzimi i Berishës është i mundur, duke protestuar për hapjen e kutive të votimit, atëherë vazhdoni pa ndërprerje. Shqipëria vjen në zë, para gjithë partive“.
Së fundmi, më lejoni një analogji me veten: edhe pse jam një republikane, këtu në SHBA, unë ia dhashë votën time Obamas. Vendosa interesat e vendit tim të ri përpara preferencave të partisë sime.
Lutem dhe shpresoj përtej oqeanit që qytetaria shqiptare do të gjejë forca të ngrihet mbi rrugën e pistë ku ka hyrë vendi. Zoti ju shikoftë dhe ju shpëtoftë. Jetojmë në një kohë të vështirë.