Letër e hapur nga familja e Aleks Nikës: Çdo vrasës kur ndjehet i sigurtë në mosdënimin e vet, kthehet në vendin e krimit

0
27

Nga Mark Nika, Avokat*, 24 Gusht 2012

Dëgjova nga goja e kryeministrit të Shqipërisë, se pas marrjes nën kontroll të SHISH dhe institucionit të Presidentit, qeveria do të hetojë dhe do të zbulojë ata që çuan para kryeministrisë të vrarët e 21 Janarit. Shumë njerëz mund ta dëgjojnë me neveri këtë njeri, duke mos pasur durimin as të dëgjojnë se çfarë thotë. Të tjerë mund ta dëgjojnë me frikë, duke menduar se diçka është duke bërë kundër opozitarëve. Ka të tjerë të sëmurë që mund ta dëgjojnë dhe me admirim, si pjesë e pushtetit të tij, pasi here- herë shpërthimet e tij aluçinante u heqin frikën nga përgjegjësia që kanë për krimet e bëra.

Por, ne, familjet e viktimave të 21 Janarit, kemi arsye të forta ta dëgjojmë këtë njeri, si një vrasës që kthehet vet në vendin e krimit.

Kam shkruar disa herë publikisht për zvarritjen e hetimeve të 21 Janarit, për prishje të provave, për presione të qëllimshme nga ana e pushtetit për të zhdukur dëshmitë, për hedhje poshtë të ekspertizës së FBI-së për vrasjet dhe mbi të gjitha për fshehjen e projektit kriminal për vrasje të paramenduara dhe të selektuara për terror dhe eliminim të opozitës.

Kam pritur me shpresë letrën e ambasadorit të SHBA-së, Aleksandër Arvizu, në familjen e Aleks Nikës, duke na premtuar drejtësi për 21 Janarin, sidomos pas përfundimit të hetimeve të FBI-së, që vërtetuan projektin kriminal për vrasje të paramenduara.

Kam pritur me shpresë se opozita do të luftonte deri në fund dhe me çdo mjet për t’i kthyer vrasjet politike në simbol shprese për luftën ndaj vrasësve dhe jo në simbol dëshpërimi dhe frike, siç po tentohet të kthehen.

Kam pritur që së paku, Sali Berisha, njeriu që ka drejtuar vrasjet pas xhamit të blinduar të qeverisë, të mos dërgonte lajmësa me lek për të mbyllur gjakun, por të kërkojë ndjesë të thellë dhe të dorëzojë ekzekutorët.

Pas gati një viti e gjysmë nga vrasjet, kur dy vajzat e Aleksit me kokë nga dera, presin ndonjë lajm për babain e tyre, nga ekrani i TV-së, u shfaqet portreti i njeriut i cili ngjalli zi në shtëpinë tonë dhe tenton ta ripërdhosë vrasjen e babait të tyre.

Kur shpresat tona për drejtësi kanë humbur më shumë se kurrë, kur vrasësit i shikojmë si gradohen nëpër institucione, kur ish-ministri i Drejtësisë kur u vra Aleksi bëhet president, kur ish-ministri i Brendshëm gradohet kryetar Bashkie, kur ekspertiza e FBI-së hidhet në kosh si letër higjienike, kur opozita e lodhur dhe e shpërqendruar në betejën e saj, gati ka frikë të çojë në mendje protestat për shkak të 21 janarit, na riktheu tek ajo ditë, vet njeriu kryepërgjegjës i 21 Janarit, Sali Berisha.

Çdo vrasës kur ndjehet i sigurtë në mosdënimin e vet, kthehet në vendin e krimit. Sali Berisha, i ngopur dhe i sigurtë nga gjithë pushtetet që po merr, është kthyer sot me makthet e veta, tek vendi ku ka vrarë dhe arsyet përse ka vrarë.

Mirësevjen tek gjaku i Aleksit Sali Berisha. Ju mund ta harroni dhe ta kujtoni atë, mund ta fyeni dhe ta lavdëroni, mund ta demonizoni dhe shenjtëroni, sipas interesave që ka politika e qelbur shqiptare, por kujdes me vendin ku ka derdhur gjakun.

Atje jemi ne, familja e tij, janë vajzat e tij jetime, gruaja, prindërit, unë që kam përgjegjësinë dhe detyrën ta laj gjakun e tij duke besuar tek drejtësia.

Mirëserdhe tek ky vend ku ke vrarë!

Mirë do të ishte të vije bashkë me Komandantin e Gardës, që ka qëlluar mbi të vrarët dhe është provuar. Mirë do të ishte të më sillje dhe njerëzit e afërt të rrethit tënd, që kanë përzgjedhur Aleksin mes turmës së rralluar para Kuvendit për ta vrarë. Mirë do të ishte që mbi këtë pellg gjaku që ne e ruajmë të paprekur ne zemrat tona, të mos afroheshe për ta shitur gjakun e tij, por për të treguar pse e përzgjodhe për ta vrarë, pse e vrave dhe pse nuk dorëzon vrasësit?

E dimë që të tmerrojnë këto pyetje, dhe si çdo vrasës e dimë që do të sjellin herë pas here këmbët tek ky pellg gjaku, ku me gardistët e tu e vrave Aleksin me duar në xhepa, por nuk e dimë si të shkon mendja që mund të të falim gjakun e Aleksit dhe mbi të gjitha të të lëmë të tallesh me gjakun e tij.

Mendohu mirë herë tjetër kur të të shfaqet në mendje ky pellg gjaku që ke derdhu në bulevard. Mendohu mirë se ky pellg gjaku, në mos pastë drejtësi, në mos pastë pushtet të drejtë, në mos pastë diplomat të drejtë, në mos pastë opozitë të zonjën, ka disa gardian që nuk vdesin pa ja marrë hakun Jemi ne, Familja e tij, vajzat e tij që po rriten jetime dhe miliona shqiptarë që i kemi në anën tonë për të vendosur drejtësi për këtë krim që ke bërë.

Nuk i shpëton dot kësaj historie, dhe nuk ka për t’u mbyllur kjo punë vetëm me makthet që të lënë pa gjumë. Nëse vazhdon ta pengosh drejtësinë të vihet në vend, nëse tenton të mbrosh ata që ke urdhëruar dhe ata që kanë vënë në shënjestër Aleksinë për ta vrarë, që të vihej në jetë projekti yt kriminal për vrasje të paramenduara, atëherë bashkë me gjithë pushtetet, ke marrë përsipër gjithë përgjegjësitë për vrasjen e Aleksit.

Dhe, mos kujto se ti dhe Familja juaj keni të drejtë të merrni jetët tona, ndërsa ne kemi detyrë ta pranojmë këtë fat. Dimë ta bëjmë vet fatin tonë, edhe nëse politika na lë në mes të rrugës.

Unë vazhdoj të shpresoj se drejtësia do të triumfojë dhe projekti juaj kriminal për vrasje politike të paramendura, do të ndëshkohet. Nuk kemi ndërmend të vdesim pa e parë këtë ditë.

*Autori është xhaxhai i Aleks Nikës, vrarë më 21 Janar, me duar në xhepa, para kryeministrisë nga forcat e Gardës.