Leter drejtuar z. Ilir Meta

0
63

Nga: IDRO SEFERI

I. Për Serbinë një Gjeografi

I nderuari Zotëri Meta,
Është e qartë që Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë nuk mund të reagoj ndaj çdo mediumi në botë që shkruan ndonjë gjë të keqe për Shqipërinë, jo korrekte dhe të pa saktë. Por, mund të reagoj kur institucionet paraqesin të pavërteta dhe fyerje. Ditëve të fundit është riaktualizuar një aktakuzë kundër revistës “Nova Srpska Politicka Misao”, e cila ka shkruar duke dashur të bind popullin serb se shqiptarët me të vërtetë janë popull i një rangu më të ulët, një shkrim shumë fyes për çdo shqiptar.

Kjo revistë ka shkruar se edhe Nënë Tereza është figurë e ndjekur me probleme, duke aluduar në skandale dhe afera. Ka shkruar se shqiptarët janë ksenofob, dinë të ndërtojnë vetëm bunker dhe jetojnë në fise. Ambasada e Shqipërisë në Beograd nuk besoj të ketë mundësi të reagoj ndaj medieve sepse ato nuk paraqesin një institucion shtetëror. Por, kohëve të fundit që nga ardhja e Juaj në postin e Ministrit në MPJ të Shqipërisë, keni treguar interesim për marrëdhëniet me Serbinë. Ditëve të fundit keni dërguar edhe kërkesën për akreditimin e ambasadorit të ri, e besoj se mbase së shpejti do të vini në Beograd.

Dua t’u them se në librin e Gjeografisë së klasës së VI-të të Shkollës Fillore në Serbi, nxënësit mësojnë se Shqipëria është vend i izoluar, me këneta dhe malarie. “Shqipëria, njëra ndër vendet më të pazhvilluara të Evropës. Brigjet e saj janë të ulëta dhe me këneta, me shumë mushkonja dhe shpesh shfaqet malaria. Kjo e bën të papërshtatshme për zhvillimin e turizmit bregdetar. Nafta dhe gazi përpunohen në Elbasan”, shkruan në Gjeografinë serbe, fq. 103.

Mediat nuk raportojnë asnjëherë për Shqipërinë dhe nuk ka ndonjë bashkëpunim kulturor. Ndërsa ardhja e profesorëve nga Shqipëria në Universitetin e Beogradit nuk ka kaluar me ndonjë nivel serioz.

Keni deklaruar se Shqipëria synon të rrisë rolin e saj si një faktor me peshë rajonale për rritjen e sigurisë për të garantuar stabilitet politik dhe ekonomik rajonal.

Kosova dhe lobingu për njohjen nga sa më shumë shtete të pavarësisë së saj do të jetë në krye të agjendës diplomatike të Tiranës zyrtare, por në këtë agjendë nuk do të mungojë dhe një prioritet i intensifikimit të marrëdhënieve me Serbinë si një vend fqinj.

“Zhvillimi i marrëdhënieve bilaterale me Serbinë është një prioritet shumë i rëndësishëm i politikës sonë rajonale. Këto marrëdhënie duhen parë dhe inkurajuar vetëm në frymën e perspektivës për të ardhmen. “Ne do të punojmë në mënyrë intensive dhe konstruktive me Qeverinë e Serbisë, për të avancuar dhe thelluar dialogun politik dhe bashkëpunimin për çështje me interes reciprok dhe rajonal”, keni deklaruar në një konferencë.

Nuk shoh asgjë të keqe që shteti Shqiptar të ketë marrëdhënie bilaterale me Serbinë dhe mendoj se këto marrëdhënie nuk duhet të bazohen në teoritë e konspiracionit dhe frika për kurth, por në marrëdhënie të bazuara në interesa dhe promovime të barabarta, në pajtim të interesimit të Serbisë. Shqipëria duhet të zhvilloj marrëdhënie për shkak se është interes për integrimet në Bashkimin Evropian dhe tejkalimin e problemeve. Por, derisa MPJ e Shqipërisë vendos çdo vit për heqjen e vizave për shtetasit e Serbisë, besoj së Serbia të paktën nuk duhet të jetë dorështrënguar sa i përket shtetasve shqiptar.

Ndonëse në Shqipëri ka shumë biznese serbe. Shqipërisë duhet t’i mundësohet hapja e një qendre kulturore shqiptare në Beograd dhe Shqipëria duhet të dërgoj më shumë diplomat, duke përfshirë një atashe për kulturë dhe ekonomi që është i domosdoshëm dhe të rritet buxheti për këtë ambasadë. Unë JU sugjeroj që si gjest për të treguar vullnet të mirë për përmirësimin e këtyre marrëdhënieve, të sillni dhuratë në Serbi një libër gjeografie fillimisht.

II. Presheva dhe rajoni

Shqipëria, duke qenë se është një nga vendet që përfaqëson shpesh jo vetëm vendin e shqiptarëve brenda, por edhe jashtë në kuptimin kulturor, Ambasada e Shqipërisë në Beograd dhe MPJ e Shqipërisë janë të vetmet institucione që mund të përkujdesen për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Dhe, nëse JU vizitoni Serbinë, duhet të shkoni në Preshevë patjetër. Të premtoni se do ta ndihmoni këtë vend në mënyrë kulturore dhe se ata njerëz atje mund të llogarisin në ndihmën tuaj të këtij niveli apo edhe ndihmën ekonomike, pa u quajtur separatist, terrorist apo shkatërrues të shtetit. Kjo lloj përkujdesje nuk ka të bëj aspak me çështjet politike. Në zonën e Preshevës investon edhe Qeveria Turke dhe nuk paraqet asnjë problem.

Është e një rëndësie të veçantë që Shqipëria të ketë një strategji më të qartë për forcimin e rolit të saj dhe seriozitet më të madh në politikat rajonale. Mbase nuk është keq të ndiqet modeli i Kroacisë, vend pa dyshim është më seriozi në kuptimin strategjik rajonal dhe në diplomacinë e rajonit dhe tregon interesim për gjithçka.

Shqipëria duhet të inicioj një marrëveshje me Serbinë për liberalizimin e vizave më këtë shtet dhe shtet e rajonit që japin këtë mundësi. Dhe, duhet të rrisni stafin e punonjësve në Ambasadën e Shqipërisë dhe rrjedhimisht edhe kapacitetin e punës.

Serbia ka një ligj për diasporën dhe Ministria për Diasporën ka ndihmuar organizatat në Shkodër e në këtë rreth dhe shpesh janë bërë vizita atje dhe nuk besoj se një përkujdesje e njëjtë për shqiptarët në Serbi do të shkaktonte shqetësim.

Që nga problemet e shqiptarëve në Maqedoni me viza dhe të shqiptarëve që jetojnë brenda këtij territori, në mandatin e kaluar të Qeverisë së Shqipërisë, kam menduar se problemet e Tiranës zyrtare janë pikërisht fakti që askush nga institucionet nuk ka marrë mund për të kërkuar arsyetime dhe për të reaguar në mënyrë të drejt për këto probleme. Shqipëria duhet të jetë më e dinjitetshme në këtë kuptim dhe mbase JU do të duhej t’ia bënit me dije Serbisë se pritni të dërgojnë një ambasador në Tiranë, duke ditur se tash sa vite ky nivel gatishmërie nuk ka ekzistuar.

III. “Mercedesi” i Shqipërisë

Është e vërtetë që bashkëpunimi konstruktiv mes të Shqipërisë dhe Serbisë sjell një impakt pozitiv për të gjithë rajonin. Shqipëria dhe Serbia janë një lloj gjeneratori përmes të cilave zhvillohen politikat. Shembull Shqipëria mund të bllokoj herë do kur futjen e Serbisë në NATO. Por, pa Serbinë serbët e Kosovës do të ishin pak më konstruktiv në tregimin e vullnetit të mirë për integrim dhe duke kërkuar kushte në mënyrë më ngulmuese do të bënin që Kosova të mos ketë rrugë tjetër, përveç se të respektoj të drejtat e pakicave.

JU jeni të vetëdijshëm se pa këto integrime, rajoni nuk mund të shkoj drejt Bashkimit Evropian. Edhe presidenti serb, Boris Tadiq, ka filluar të paktën në mënyrë deklarative të promovoj interesin e marrëdhënieve të mira me tërë rajonin.

Vizita e Juaj e paralajmëruar në Serbi do të ishte pozitive për shumë arsye, e sidomos për ndryshimin e klimës së marrëdhënieve në mes të dyja vendeve. Është koha që dikush nga Shqipëria të vijë në Serbi dhe të tregoj se ekziston një vullnet për përmirësimin e marrëdhënieve dhe për shikimin e jetës nga një prizëm i bashkëpunimit në fusha të ndryshme dhe jo me politikën destruktive si barrierë në shtegun e vrapimit diplomatik.

Shqipëria duhet të tregojë se ka vendosur të shtrij dorën dhe t’i tregojë Serbisë se nëse zyrtarët e saj flasin me gazetarët shqiptar, kjo nuk është një gjë që domosdoshmërish do të jetë propagandë anti-serbe.

Nëse nuk e dini, dua t’ua rikujtoj se në Ambasadën e Shqipërisë në Beograd, diplomatët Tuaj ende kanë në përdorim një makinë të tipit “Mercedes Benz”, e që besoj së është i fillim viteve ’90, një makinë në gjendje të rënd dhe me një vit prodhimi që nuk besoj se mund ta gjej dikush në korin diplomatik në Serbi. JU lutem, filloni ndryshimet duke e sjellë një makinë të re në Serbi.

Marre nga “KOHA DITORE”