Letër Anës!

0
61

Nga Mero Baze, 7 Shkurt 2013

E dashur Ana!

Po të drejtohem ty si një prej tri vajzave të mbetura jetime nga ky akt barbar. Amelia dhe Mentila, dy vajzat e vogla të Aleks Nikës, ende nuk kuptojnë gjë.

Sot është një ditë e keqe për të ta kujtuar skenën që miliona njerëz e kanë parë, kur babai yt u këput në bulevard nga plumbi i gardistit.

Është ditë e keqe, pasi në pritjen tënde të gjatë dyvjeçare, ti sot ke parë më shumë se sa rivrasjen e babait tënd. Sot ke parë dhe kuptuar, se babi yt u vra me vetëdije. Mbi këtë vrasje, një burracak i fshehur pas xhamit të blinduar ka llogaritur mbajtjen e pushtetit në këtë vend.

Do kalojnë kohë dhe ndoshta një ditë do të jesh e qartë çfarë ndodhi me babin tënd, por kurrë nuk do ta kuptosh pse jeta e tij ishte kaq e domosdoshme për t’u bërë fli nga burracaku që vret pas xhamave të blinduar të zyrës. Po t’i shpjegoj sot këto arsye dhe ke kohë gjithë jetën t’i verifikosh dhe të mos i heqësh nga mendja derisa këtë burracak ta shikosh qoftë edhe në barela duke hyrë në sallën e gjyqit ose në qeli.

Së pari, ky burracak vrau babin tënd pasi nuk ishte i lirë të ikte nga pushteti. Njerëzit e lirë, udhëheqësit demokratë, liderët që zgjidhen nga populli dhe vijnë në pushtet për t’i shërbyer atij, ndryshojnë nga diktatorët burracakë, pasi ata janë të lirë të ikin nga pushteti. Ky burracak nuk ishte i lirë as më 2011-ën, as tani. Siç mund të kesh dëgjuar, Familja e tij u inkriminua rëndë në ngjarje që morën jetë njerëzish në Gërdec. I biri i tij, një djalë tuhaf nga fytyra me një çantë të zezë në dorë, që bredh derë më derë për të mbledhur gjobat e pushtetit të babait, vrau 26 vetë në Gërdec, për shkak të arrogancës dhe injorancës me të cilën drejtonte në rrugë informale një biznes të dhuruar nga firma e babait të tij kryeminister. Historia e tij tronditi median botërore dhe një nga gazetat më të rëndësishme në botë, New York Times, e përmendi atë dhe si sekser në një histori tjetër trafiku armësh me Afganistanin.

Nëse ne do të ishim vend i lirë, ai do të ishte në burg. Nëse ne do të bëhemi vend i lirë, ke për ta kuptuar vetëm kur ai të jetë në burg. Babi i tij nuk ishte i lirë të shkëpuste veten dhe pushtetin e tij nga krimi i të birit, ndaj nuk ishte i lirë të ikte nga pushteti dhe vodhi votat. Kur babi yt protestoi për këtë para zyrës së tij, ai nuk mund të bënte asgjë tjetër veç asaj që bën çdo regjim. Ta vriste.

Ti duhet të kesh dëgjuar se e bija e tij u kërkon biznesmenëve 3 milion euro për një firmë të babait, dhe media ia kishte bërë këtë gjë publike. Prokuroria shqiptare nisi një hetim serioz ndaj saj për pastrim paresh me Damir Fazlliçin, por gjykatat e kapura nga babai i saj, e mbyllën çështjen.

Nëse ne do të ishim vend i lirë, ajo do të ishte në burg. Nëse ne do të bëhemi vend i lirë, ke për ta kuptuar vetëm kur ajo të jetë në burg.

Ti duhet të kesh dëgjuar për gruan e tij. Është një figurinë që ngjan si kukull japoneze dhe shfaqet në ballo bamirësie me biznesmenë duke mbledhur miliona në emër të një fondacioni bamirësie, dhe ende sot nuk ka asnjë pikë transparence ku shkojnë gjobat që ajo u vë biznesmenëve shqiptarë, te cilet jane në hall nga mungesa e konkurrencës në vend, dhe janë të detyruar të paguajnë për të. Në Perëndim për një gjest të tillë do ta bënin të fliste me vete, kurse në Shqipëri ajo që merr lek për fëmijë autistë, nga çmimet e larta të shërbimeve private që u ofron, ka bërë dhe prindërit e tyre gjysmë njeriu.
Nëse ne do të ishim vend i lirë, ajo do të ishte në burg. Nëse ne do të bëhemi vend i lirë, ke për ta kuptuar vetëm kur ajo të jetë në burg.

Mund të të flas dhe për një tip tjetër, që ka qenë pas xhamit të blinduar dhe ka thënë “Po”, kur burracaku i degraduar ka urdhëruar vrasjen e babit tënd. Dhe ai është një njeri në hall. E ka akuzuar prokuroria për 220 milion euro dhe i është shmangur gjyqit me procedurë. Pasi vrau babin tënd, nxitoi të pastronte duart nga gjaku dhe kandidoi për Bashkinë e Tiranës dhe vodhi votat në mënyrën më të pacipë për të poshtëruar shoqërinë, si një shoqëri që votëbeson një vrasës.
Nëse ne do të ishim vend i lirë, ai do të ishte në burg. Nëse ne do të bëhemi vend i lirë, ke për ta kuptuar vetëm kur ai të jetë në burg.

Këta janë njerëzit që e kanë rrethuar vrasësin e babit tënd më 21 janar. Ai ka vrarë në emër të tyre, për krimet e tyre, për mungesën e fuqisë së tij për të qenë i ndarë nga krimi. Vrau në emër të krimit, siç vret çdo kriminel pas vrasjes së parë për të mbuluar zullumin. Do të vazhdojë të vrasë po e lamë aty.

Arsyeja e dytë përse po të shkruaj është përse i nxori ushtarët e gardës të pafajshëm. Të siguroj se burracaku që urdhëroi vrasjen e babait tënd, nuk ka ndonjë raport personal me killer-at. Ai i mbrojti ata dhe i nxori të pafajshëm, për t’i treguar bandës së tij se është ende i fortë dhe se kush vret për të, nuk dënohet. Në prag të ndryshimit të pushtetit, ai ka nevojë të mbajë të bashkuar rreth vetes vrasës, hajdutë dhe gjithkënd tjetër që ka bërë shërbime politike për të. Nëse ata dënoheshin, prej nesër burracaku qe urdhëroi vrasjen e babit tënd do të braktisej nga ata që ka urdhëruar për të vrarë, nga ata që ka përdorur për të vjedhur, nga ata që ka ndërsyer për të këmbyer vota, nga ata ambasadore apo nëpunës që i përdor si punonjës privatë të bizneseve të vajzës dhe djalit. Pafajësia për killer-at e babait tënd është thjesht një mesazh i vrasësit të babait tënd për bandën e vet. Është një zakon i vjetër primitiv i çdo bande kriminale qysh kur ka lindur njerëzimi. E vetmja gjë e rëndë është se tek ne është në pushtet në vitin 2013.

Arsyeja e tretë përse urdhëruesi i vrasjes së babait tënd i shpalli ata të pafajshëm është ta ndajë shoqërinë shqiptare në dy kampe, pro dhe kundër vrasjeve politike. 23 vjet pas rënies së komunizmit, shqiptarët janë ndarë pro dhe kundra vrasjeve politike. Partia që përmbysi komunizmin dhe ai që e uzurpoi atë, sot janë në anën e mbrojtjes së vrasjeve politike, ndërsa shoqëria shqiptare kundër tyre. Është një përpjekje tinëzare për të na detyruar si shoqëri të pranojmë se për pushtet duhet vrarë. Është një histori burracakësh, të cilët vrasin si çdo frikacak që i dridhet pushka në dorë dhe karrigia nën vete.

Arsyeja e katërt përse ai i nxori killer-at e babait tënd të pafajshëm është të fusë shoqërinë shqiptare në depresion dhe ta shkurajojë atë. Unë pashë qindra qytetarë të dëshpëruar nga vendimi, të cilët përsërisin shprehjen se “këtu ka marrë fund çdo gjë”. Është ëndrra e atij vrasësi. Është ajo që ai ëndërron të arrijë në këtë vend, ku të gjithë ta pranojnë si fatalitet që nuk kanë çfarë t’i bëjnë. Mos u dëshpëro nga kjo gjë. Ti ke humbur gjënë tënde më të shtrenjtë, babain dhe nuk ke çfarë humbet më. Por ka mijëra të tjerë që janë me ty me dhimbjen dhe shpresën tënde për ta vënë në vend drejtësinë. Ai mund të dekurajojë plot njerëz, por kurrë gjithë shoqërinë, mund të përulë ca hajdutë gjykatash, por kurrë drejtësinë, mund të trembë mijëra njerëz me idenë se nuk ikën pa luftë, por kurrë nuk mund të mbijetojë me luftë në këtë vend. Ai shpreson se duke dëshpëruar shoqërinë dhe duke hedhur në erë besimin tek drejtësia, na tregon të gjithëve se askush nuk do të vajtojë apo të bëjë drejtësi nëse na vret ne që ngremë zërin. Është një ide fikse që e kanë gjithë vrasësit në pushtet, por që bie aq shpejt bashkë me pushtetin e tyre sa ata nuk gjejnë dot anije për të ikur nga vendi. Mos u dëshpëro. Bëhu simbol i kurajës sonë.

Së fundmi ka dhe një arsye që lidhet me gjithë arsyet që thashë më sipër. Ai i nxori të pafajshëm killer-at e babait tënd, katër muaj para zgjedhjeve, duke hyrë në konflikt të hapur me Perëndimin dhe duke çuar në ekstrem tensionin me opozitën. Ai ka nevojë për këtë klimë. Ai ka nevojë t’u thotë të vetëve se kjo është një beteje për jetë a vdekje mes pushtetit të tyre të inkriminuar dhe shoqërisë shqiptare e Perëndimit nga ana tjetër. Është një thirrje për luftë, për manipulim zgjedhjesh, për justifikim të manipulimit, për inkurajim të banditëve, për të dëshmuar modelin e shpërblimit të tyre dhe dhjetëra detaje të tjera. Është qartazi një shenjë se kemi hyrë në luftë me vendimin e tij për të mos u larguar nga pushteti në rrugë ligjore. Është duke përgatitur izolimin e Shqipërisë, vrasje të tjera politike, prishje zgjedhjesh dhe krizë me Perëndimin. Dhe të mendosh që është po ai burracak që bën sikur i qan shpirti për t’u miratuar tre ligje dhe shkel me këmbë dhjetëra nene, ligje, parime dhe na fut në luftë me Perëndimin. Është ai burracak që ekspertizën profesionale të FBI, e ka kthyer në letër higjienike dhe kërkon të na e shesë për triumf.

E dashur Ana!

Siç e shikon, gjithë arsyet përse ai e vrau babin tënd, dhe përse i nxori të pafajshëm killer-at që përdori, nuk kanë të bëjnë personalisht me babin tënd, por me fatin tënd si një fëmijë që kërkon të jetosh në këtë vend. Ai i mori jetën babait tënd, dhe tani po kërkon të të marrë të ardhmen ty dhe jetimëve të tjerë të 21 janarit, t’u marrë të ardhmen fëmijëve të mi bashkëmoshatarë me ty, biles të marr më qafë dhe nipat dhe mbesat e tij, që do ndeshen me pasojat kriminale të pushtetit të tij.

Për këtë arsye kjo nuk është beteja jote, por e jona. Ne nuk mund të presim drejtësi nga një regjim dhe nga një vrasës burracak. Ne nuk mund të presim zgjedhje të lira nga një vrasës burracak që ka tmerr të ikë nga pushteti. Ne nuk mund të presim institucione të pavarura dhe shtyp të lirë nga një njeri që të vret pse proteston para zyrës së tij. Ne nuk mund të prisnim ndonjë vendim tjetër përveç atij që u shqiptua në sallën e gjyqit. Ai vendim tregoi se vrasësi është burracaku që rrinte pas xhamit të blinduar. Njerëz si ai nuk e meritojnë të munden me vota, dhe as të dënohen në salla gjyqi. Por për ta ndryshuar përfundimisht këtë vend, Ai duhet ta kalojë këtë kalvar. Kjo do të jetë dita kur në këtë vend nuk do ketë më fëmijë jetimë nga vrasjet politike. Qofsh e fundit!