Skënder Minxhozi, 28.03.2010
Zëvendësministri i Turizmit, Nikollë Lesi ndjehet ngushtë në lëkurën e tij aktuale. Ish-botuesi i njohur i “Koha Jonë” thotë se ky post ndodhet sot jashtë skemës së kompetencave dhe të vendimmarrjes zyrtare. Ai komenton më pas situatën politike në vend. Sipas tij, nëse kryesocialisti Edi Rama dhe deputeti Ben Blushi do të ishin të bashkuar, nuk do të qëndronte në pozicionin aktual politik. Lesi deklaron se pa Sali Berishën, ose nesër pa Argita Berishën (Malltezi), Partia Demokratike ndahet e copëtohet.
“E ripohoj, që edhe nëse nuk jam me ata më vonë, prapë PD pa mbiemrin Berisha nuk ekziston më. Flas për parti të fortë e që bën pushtet. Ashtu është ndërtuar ajo parti. Ka shembuj plot në botë, si familja Bush në Amerike apo Papandreu në Greqi, ku politika është kthyer në traditë familjare e duhet pranuar se në Shqipëri e vetmja familje që mbetet me vlera politike mbetet familja Berisha. Kështu që nuk shoh tjetër pasardhës në PD, përveç Argita Berishës”, pohon Lesi. Ai thekson se duhet të ketë një dikaster më vete i Turizmit dhe jo i përzier, në mënyrë që të ketë më tepër vëmendje ndaj kësaj fushe
Zoti Lesi, prej gati tetë muajsh ju jeni zëvendësministër i MKTRS, duke mbuluar posaçërisht sektorin e turizmit. Si ndjeheni në këtë detyrë? Jeni shprehur diku në media se zv.ministrat nuk kanë asgjë në dorë. E vërtetë edhe në rastin tuaj?
E mora me shumë pasion në fillim detyrën e zv/ministrit. Më pas fillova të kuptoj ku kisha hyrë dhe preka me dorë kompetencat e zv/ministrit, të cilat janë kompetenca gojore, por në realitet nuk ke asgjë në dore. E thënë paksa në gjuhën tuaj “jam zv/ministër që flas, por nuk kam të drejtë firme!”. E kjo jo vetëm në rastin tim. Të gjithë zv/ministrat kështu janë. Nuk është problemi me ministrin tim zotin Xhaferri, me të cilin duhet ta pranoj që mirëkuptohemi, porse struktura e hierarkisë dhe tradita e këtyre viteve mbetet akoma në fuqi dhe e ka kthyer zv/ministrin në sensin figurativ në një person që vetëm emëron sekretaren e tij! Asnjë të drejtë me firmë e vulë të ministrisë nuk ka. E kam thënë në një media tjetër këtë gjë dhe nuk dua ta përsëris, por duhet ndërhyrë patjetër nga politika, që të përcaktohet roli e kompetencat ligjore të zv/ministrit. Në letër thuhet se zv/ministri është numri dy i ministrisë, porse në realitet nuk është as numri 102, aq punonjës sa ka ministria!
Cila është perspektiva e afërt dhe e largët e turizmit shqiptar, sipas mendimit tuaj?
E afërt mbetet që nga vera e këtij viti, të ndryshojë përgatitja për sezonin veror, ndonëse turizmi nuk përfshin vetëm verën, pavarësisht se është kryesori. Pavarësisht se ka dublim të kompetencave mes Ministrisë së Turizmit dhe Ministrisë së Mjedisit, gjithsesi mund të them se turizëm me plehra nuk mund të ketë! Ka nevojë që bregdeti dhe kudo që vijnë pushues verorë, të këtë pastrim të mjedisit, e jo siç ndodh çdo vit, që pushteti vendor ia fajin pushtetit qendror. Pastrimi është detyrë e komunave dhe bashkive, të cilat marrin fondet dhe i harxhojnë kot së koti. Kam propozuar që të bëhet një projektvendim apo të amendim ligjor, që kryetaret e njësive vendore që nuk mbajnë mjedisin pastër, të gjobiten në ekstrem, diku të 1 milion lekë të reja, në mënyrë që të edukohen me masa represive e të jenë korrekt me qytetarin e turistin. Nuk mund të mbahet pastër bregdeti vetëm me Mentor Kikinë e shoqatën e tij, të cilët punojnë në mënyrë vullnetare! Kjo ishte pjesa e dukshme, e prekshme kudo në rrugë e buzë detit. Pjesa tjetër imediate është, që duhet infrastruktura në vendet turistike. Kam kërkuar që fondet për shtrimin e rrugëve që shkojnë në vendet turistike apo të trashëgimisë kulturore, të kalojnë nga Ministria e Turizmit. Përderisa ministria jone është pjesë e Qeverisë, atëherë përse duhet që Ministri i Turizmit t’i lutet Ministrit të Brendshëm apo të Transporteve, që “aman më jep kaq lekë që të shtrojmë udhën për në një pikë turistike”, e cila frekuentohet nga qindra e qindra turistë?! Ndërsa në lidhje me promovimin e turizmit në rajon e në Evropë ka nevojë për ndryshim të strategjisë. Ka nevojë për më shumë reklama në mediat maqedonase në gjuhën e tyre, e jo vetëm në gjuhën shqipe, që gjithsesi duhet. Në të gjitha linjat ajrore që operojnë me Tiranën duhet të gjejmë mënyrën se si të fusim revista, albume etj, që pasagjeri i huaj edhe kur është në avion lexon e shikon pamjet e bukura të Shqipërisë dhe nga një pasagjer rastësor sot, mund të kthehet në turist cilësor nesër. Ka plot gjëra të cilat po mundohemi t’i bëjmë, porse duhet të keni të qartë se jo gjithçka ecën vaj. Ndërsa perspektiva e largët mendoj se ka nevojë për të përcaktuar raportet mes turizmit elitar dhe atij popullor. Për t’iu drejtuar tregut rus, ku ka miliona turistë që shkojnë në Turqi e Greqi e që nuk vijnë në Shqipëri, mbetet urgjent zgjidhja e problemit të një linje ajrore direkte Moskë- Tiranë; por mbi të gjitha ka nevojë që gjithë ato mijëra hektarë tokë buzë detit, për të cilat akoma ka sherre mbi pronësinë. Duhet të gjejmë një formë ligjore, ku të miratohen projektet e investimet turistike pa u menduar dy herë dhe nëse më vonë, siç ndodh në Shqipëri, dalin probleme me pronësinë, atëherë me ligj shteti t’ia kompensojë me lekë pjesën për të cilën del pronari i ri, që ka pronësi të vjetër. Pavarësisht këtyre që thashë, e plot të tjera që mund të thosha përsëri, me bindje pohoj se ka impenjim qeveritar në këtë drejtimin për të zhvilluar turizmin, pasi turizmi mbetet një industri në rritje. Personalisht mbetem partizan i idesë për një turizëm elitar në disa zona bregdetare dhe jo për ta masivizuar turizmin në këto vende të shkëlqyera, ku çdo investitor i huaj mund të hidhte dhjetëra milionë euro. Duke përfunduar mund të them se ka nevojë që këtë një ministri vetëm për turizmin, dhe jo një dikaster të përzier, siç është sot, por që të ketë kompetenca të forta në turizëm e ku çdo gjë të kalojë në dyert e kësaj ministrie. Nuk është centralizim kompetencash, por Shqipëria edhe afro 10 vite të tjera ka nevojë për kontroll nga ministria të shumë investimeve apo projekteve në turizëm. Duke ditur si bëhen sot lejet për ndërtesa turistike, në komuna e bashkitë në zonat e kërkuara turistike, ku mund t’ju them që në bregdet ndërtohet pallat 20-katësh me themele në ujë, ka nevojë për një kontroll me të fortë nga qendra e që në këtë rast mendoj se mund ta kishte Ministria e Turizmit. Nuk flas se jam sot zv/ministër, pasi nesër vjen dikush tjetër në vendin tim apo të ministrit Xhaferri, porse sinqerisht e ngre në parim çështjen e kompetencave ministrore. Sot edhe yjet e hoteleve i vetëpërcaktojnë pronarët e tyre!Mund të keni ju një hotel dhe në vend që të jetë për tre yje mund ta vendosësh ti që të shkruhet me pesë yje! Kjo pasi në ligjin e vitit 2007 u hoq kjo kompetencë e ministrisë dhe u la e lirë.
Ju jeni një botues dhe një politikan me përvojë. Si po funksionon, sipas jush, koalicioni Berisha-Meta, plus aleatët e tjerë më të vegjël?
Përgjithësisht mirë. Me këtë Kod Zgjedhor ne të vegjlit e dikurshëm, që dikur mund të shërbenim si zbutës mes dy të mëdhenjve, tashmë nuk kemi asnjë rol faktik.
Si e keni përjetuar debatin mes pozitës dhe opozitës, pas 28 qershorit. Nëse do t’ju bënin një pyetje të drejtpërdrejtë “A duhen hapur kutitë e votimit”, ju si do të përgjigjeshit?
Atëherë, nëse edhe ju më lejoni t’ju bëj një pyetje edhe më të drejtpërdrejt: A nuk ishte Edi Rama që e përzgjodhi personalisht këtë Kod Zgjedhor për vete dhe për të palosur të gjithë partitë e vogla ? A mendoni se do t’i hapte Rama kutitë nëse do të kishte fituar pushtetin PS-ja e PD të kërkonte t’i hapte ?!
Prej vitesh tashmë ju e vrojtoni nga jashtë median shqiptare. Sa ka ndryshuar ajo, që nga koha kur ju ishit një aktor kryesor mediatik?
Tashmë, në shumicën e rasteve, mediat janë bërë klienteliste të pushtetit dhe botuesit i kanë për të marrë ndonjë tender apo privatizim. Fatkeqësisht kjo është situata. Por ka edhe ndonjë media profesionale, e që jeton në kushte konkurrence tepër të pandershme. Idealizëm dhe profesionalizëm ka pak në mediat e sotme. Mundet të gaboj, por nga eksperienca këtë mund të them. Dikur, asokohe, kishim standard tjetër pune e kurajoje qytetare.
A e keni tundimin, në momente të caktuara, që t’i ktheheni edhe një herë profesionit të vjetër?
Po. Jam duke e menduar.
Cili ka qenë më i suksesshëm, Nikollë Lesi botues apo Nikollë Lesi politikan?
Pa diskutim botuesi i gazetës “Koha Jonë”, në kohërat e arta e kurajoze të saj, ndër vitet 1993-1997.
Prej 20 vitesh Shqipëria endet në tranzicion, pa mundur të gjejë paqen sociale dhe stabilitetin politik. A e kishit menduar, kur luftonit nga “transheja” e “Koha Jonë”, se ky cikël do të zgjaste kaq dhe do të kërkonte kaq shumë energji nga shqiptarët?
Nuk e mendoja. Është harxhuar shumë energji për t’iu afruar Evropës, kur fare mirë ndër vitet 1995-1996 mund të ishim në oborrin e saj. Të gjitha palët kanë pjesën e fajit, pavarësisht se duhet kohë për t’i vënë gishtin përgjegjësve kryesorë, në mënyrë të ftohtë e pa emocione politike.
Jeni deklaruar në media se do të riktheni përsëri deputet? Ku dhe si?
Me një parti të madhe. Me këtë Kod Zgjedhor nuk futem me në zgjedhje parlamentare si LDK, pasi do të ishte dështim, jo për fajin tim, por të Kodit. Po shoh shkrirjen diku, me kujdes, e në atë vend që më takon. Por do të jem prapë deputet. Atë fushë politike e njoh mjaft mirë e ndjehem vetvetja.
A mendoni se po të ishin bashkë Rama dhe Blushi, ju do të ktheheshit në PS?
Ah, po të ishin bashkë?! Po të ishin bashkë e po të kishin vullnet bashkëpunues të dy, as unë nuk do të isha zv/ministër, por deputet!
PS-ja është më mirë me Ramën apo me Blushin në krye?
Rama- Blushi- Ruçi do të ishte treshja ideale dhe fituese, gjithnjë nëse rrinin bashkë!
Keni thënë se PD pa mbiemrin Berisha copëtohet në 400 copa. Pse?
E thjeshtë: pa Sali Berishën, ose nesër pa Argita Berishën (Malltezi), Partia Demokratike ndahet e copëtohet. E ripohoj që edhe nëse nuk jam me ata më vonë prapë, PD pa mbiemrin Berisha nuk ekziston më. Flas për parti të fortë e që bën pushtet. Ashtu është ndërtuar ajo parti. Ka shembuj plot në botë si familja Bush në Amerike apo Papandreu në Greqi, ku politika është kthyer në traditë familjare e duhet pranuar se në Shqipëri e vetmja familje që mbetet me vlera politike mbetet familja Berisha. Nuk flas si zv/ministër se më shkarkon Kryeministri. Nuk dua t’ia di fare për këtë, pasi jam njeri i lirë në këtë vend. Por kështu është e vërteta në PD. Dhe meqë me pyetët, mund të shtoj se familja e Kryeministrit është një familje jashtëzakonisht e civilizuar dhe korrekte në vlera. Vajza e Kryeministrit është në politikë, ndonëse nuk duket direkt, por ajo ka përjetuar në çdo çast hallet e babait të saj. Dhe është normale për një politikan kalibri, siç mbetet zoti Berisha. Nëse ka kaluar kohë të vështira, Berisha ka pasur suport shpirtëror familjen. E mbetet politikani që njeh e respekton familjen më tepër se cilido sot për sot në Shqipëri. Kështu që nuk shoh tjetër pasardhës në PD, përveç Argita Berishës.
(Marrë nga MAPO)