Nga Mirela Kumbaro, 31 maj 2013
Dje, në konkursin e përvitshëm dhe të çdovendshëm të talenteve të reja muzikore, “The Voice” në Itali, fitoi një vajzë e re nga Shkodra. Quhet Elhaida Dani.
Ajo fitoi sepse është e talentuar dhe jo se është nga Shkodra dhe as se është shqiptare. Përtej faktit që suksesi i Elhaidës erdhi përmes një spektakli televiziv i cili luan fort me emocionet që prodhon një garë, me numrin e madh të publikut në një njësi të shkurtër kohe, me ngjyrat, me dritat, me vetë lojën artistike të Cocciante-s e kolegëve të tij, talenti i saj mbetet i dukshëm edhe për njerëz si unë që s’kanë asnjë formim muzikor përveç dashurisë për muzikën e për zërin e bukur.
Elementi tjetër që i shtoi pikë Elhaidës ishte modestia, përulësia, siç e cilësoi dhe mentori i saj Riccardo Cocciante, i cili i bëri komplimentin më të madh njerëzor. Ajo nuk u shtir, sepse nuk e dinte që ishte e përulur brenda talentit të saj të cilin nuk e shiti por, thjesht e jetoi si ajrin që thith. Ajo është modeste sepse ashtu është rritur. Pa ia njohur jetën, ia lexova këtë në ballin e pastër, në supet e mbledhura, në këmbët që s’i rrinin dot majë takave, dhe në përqafimet fëminore të prindërve të saj të thjeshtë deri në madhështi. Por edhe në zërin e dridhur me të cilin falenderoi vendin mikpritës si dhe në “falemnderin” shqip që i dërgoi atdheut.
Asaj, por edhe familjes së saj, i shkon gjithë merita e këtij suksesi, sepse fitoi përtej mundësive të kufizuara për t’u shkolluar si duhet artistikisht në Shqipëri, për t’u ushqyer si duhet me artin e vërtetë, për t’u edukuar me më të mirën e shijeve muzikore dhe estetike. Elhaida arriti të çajë e t’i shpëtojë për fije banalitetit të këtij realiteti dhe shpërdorimit të vlerave artistike të individëve, çka ndodh rëndom në fshatin tonë shqiptar.
Tani, pasi i dhamë Elhaidës çka i takon Elhaidës, le të kthehemi pak të vetja jonë. Nuk i mohoj emocionet që shkakton një zë i mrekullueshëm dhe fakti që ky zë vjen nga dikush i cili flet gjuhën tonë. Mirëpo, si në çdo gjë tjetër, sport, politikë, vrasje, 8 mars apo Halloween, ne reaguam skajshmërisht në rrjetet sociale, në telefonatat, në kafehanet dhe në media, duke mos i lënë mangut asgjë profilit të një vendi të vogël që shpesh mbush kohën në vend që të mbushë kokën. Dhe, qershia mbi tortë, liderët politikë nuk humbën ama, asnjë minutë për t’ia marrë fytyrën, emrin e fitoren vajzës e për t’ia vënë në shkallët e stadiumeve të tyre politiko-zgjedhoro-partiako-mitingo-fejsbukiane a tuitoriane.
Kjo vajzë nuk është as e para e as fundit shqiptare që me talent e punë arrin suksese në karrierën e vet. Madje është vetëm në fillim të punës. Shkencëtarja Mira Mezini në Gjermani, apo tenori Saimir Pirgu në Europë, sociologu Artan Fuga në Francë apo sopranoja Ermonela Jaho në Amerikë, futbollisti Igli Tare e balerini Kleidi Kadiu në Itali, janë shumë e shumë artistë, inxhinierë, mjekë, apo profesionistë të ndryshëm që u lindën e u rritën në Shqipëri jo se e zgjodhën po se të gjithë diku do të lindim. Pra s’kanë as meritë se janë shqiptarë dhe Shqipëria nuk ka ndonjë meritë të veçantë në suksesin e tyre personal.
Ata janë të gjithë inidvidë të talentuar, punëtorë të mendjes, të artit a të sportit, të zotë dhe të mirë, që kanë treguar sa të aftë që janë, me apo pa bujë. Shoqëria shqiptare nuk është aq e zonja, aq e zhvilluar dhe aq e fortë sa t’i mbajë, t’i rrisë e t’i kultivojë talentet aq sa talenti të mbajë patentë shqiptare. Shqipëria është dhe duhet t’u jetë atyre mirënjohëse që ata e tregojnë dhe e i japin vlerë origjinës së tyre, që, herë pas here, ata kthehen dhe e ndajnë talentin, suksesin dhe kontributin e tyre me vendin e lindjes e me ne. Ashtu sikurse duhet të çmojë talentet dhe njerëzit e zotë që i ka brenda vendit dhe që jo rrallë i dënon me heshtje dhe i fyen me mungesën e hierarkisë së vlerave.
Sot kur bota e artit, e kulturës, e teknologjisë dhe e suksesit nuk ka më atdhe dhe as kufij, më i zoti vend, më i afti shtet, është ai që di jo vetëm të rrisë lulet e veta por edhe të importojë lule të tjera. Për momentin ne nuk jemi të tillë se kaq e kemi takatin. Të paktën mos t’i lodhim nëpër pazaret tona virtuale, mos t’ua kërrejmë jetën nga sirtaret, mos t’i shtrojmë si qilima elektoralë, por t’i mbështesim, nëse mundemi.
Tani Elhaidën ta lemë rehat, të rritet, të kultivohet, të përpunohet e të përparojë në karrierën e vet. Të mos ta kthejmë në atë që s’është, në simbol kombëtar, e pastaj ta lodhim nëpër tribuna, se e dëmtojmë. Italianët votuan Elhaidën dhe jo Shqipërinë. Ne s’kemi asnjë meritë. Suksese Elhaida dhe gjithë Elhaidat kudo që ndodhen e prej ngado që të vijnë!